
Hermann Hesse (Calw, 2 korrik 1877 – Montagnola, 9 gusht 1962) – poet, shkrimtar, aforist, filozof e piktor gjerman i natyralizuar zviceran, iu dha Çmimi Nobel më 1946.
SHTATOR
I trishtuar kopshti!
i freskët zbret mbi lulet shiu.
E heshtur dridhet stina e verës,
nga fundi i saj duke anuar vetiu.
Shtrihen gjethet e arta
nga akacia e madhe mbi shesh.
Qesh e shtangur dhe e zbehtë vera
brenda ëndrrës së saj që vdes.
Vonohet midis trëndafilave
për paqen e saj duke menduar
mbyll lehtë sytë e mëdhenj
nga mundimi të rënduar.
POETI
( i kushtohet Hilde Schoeck )
Vetëm mua të vetmuarit
më shkëlqejnë yjet e pafundmë të natës,
mërmërit burimi shkëmbor këngën e tij magjepsëse
vetëm mua të vetmuarit,
më tërheqin hijet koloristike
të ëndrrave të reve pluskuese mbi fusha.
S’m’u dha as shtëpi, as tokë,
as pyll, as zonë gjahu, as zanat,
imja është ajo që askujt s’i përket,
imja është rrëkeja gurgulluese prapa perdes së pyjeve,
imi është deti i tmerrshëm,
të miat cicërimat e lojërave fëmijërore,
të mitë, lotët dhe këngët e të dashuruarve të vetmuar në mbrëmje.
Të mitë janë edhe tempujt e zotave,
imi zabeli i shenjtë i së shkuarës.
Dhe jo më pak harku i kaltër i tymit
është atdheu im i kulluar:
shpesh i bërë me flatra nga malli,
shpirti im ngrihet të studiojë të ardhmen e njerëzimi të bekuar,
dashuri, triumfuese mbi ligjet, dashuri nga populli në popull.
Të gjithë unë i gjej fisnikërisht të shndërruar:
fshatarin, mbretin, tregtarin, turmën e zellshme, bariun e kopshtarin
dhe të gjithë ata festojnë falas festën universale te së ardhmes.
Vetëm poeti mungon,
ai, soditësi i vetmuar,
ai, epifora e nostalgjisë njerëzore dhe i përfytyrimit të zbehtë,
për plotësimin e të cilin jo e ardhmja, jo bota ka nevojë.
Shumë kurora thahen mbi varrin e tij
por kujtimi për poetin është përhapur kudo.
NË MJEGULL
E çuditshme, të endesh në mjegull!
Tё vetmuar janё çdo kaçube dhe gur,
as pemët s’e shohin njëra-tjetrën,
secila qëndron e vetmuar.
Plot miq më dukej bota,
kur jeta ime ish e qartë ende;
tani që bie mjegulla
nuk shoh më nga miqtë asnjë.
Asnjë, që errësirën s’e njeh,
nuk është i urtë, sigurisht,
që lehtas dhe ghithnjë
e ndan atë nga të gjithë
E çuditshme të endesh në mjegull !
Të jetosh, vetmi, do të thotë.
Asnjë qenie s’e njeh tjetrën
secili i vetëm është në botë.
Përktheu Faslli Haliti
Komentet