James Douglas Morrison, (8 dhjetor, 1943-3 korrik, 1971), ishte kantautor, poet, shkrimtar dhe prodhues filmash amerikanë. Ai njihet kryesisht si figura kryesore e grupit të muzikës The Doors dhe është konsideruar gjerësisht si një nga personalitetet më tërheqëse të historisë së muzikës rock. Ai ishte gjithashtu autori i një sërë librash me poezi si dhe regjisor i një dokumentari dhe i një filmi me metrazh të shkurtër. Morrison është i njohur për zërin e tij bariton.
Biografia
Vitet e para të jetës
Jim Morrison ka lindur nga paraardhës Skocezë dhe Irlandezë, si i biri i Admiralit George Stephen Morrison dhe Clara Clarke Morrison. Dy prindërit e tij ishin njohur dhe dashuruar në Hawaii, ku, Admirali i ardhshëm Morrison, që në atë kohë ishte nëntoger, ishte i vendosur. Gjashtë muaj pas lindjes së James, e ëma e tij u transferua në Clearwater, Kaliforni, ndërkohë që i shoqi vazhdonte shërbimin e tij në Paqësor gjatë viteve të mbetura të Luftës së dytë Botërore. Jim nuk e takoi babanë deri në vitin 1946 kur ishte tashmë 2 vjeç. Më pas prindërit e tij sollën në jetë motrën e Jim-it, Anne Robin, lindur në 1947, dhe vëllain e tij, Andrew “Andy” Lee, lindur në 1948.
Sipas vetë Jim-it, një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe karakter-formuese të jetës së tij ka ndodhur kur ai ishte vetëm 5 vjeç. Familja e tij po bënte një udhëtim në New Mexico kur hasën gjatë rrugës nëpër shkretëtirë skenën e një aksidenti rrugor. Jim-i ka shkruar për këtë aksident në tekstet e këngëve “Peace Frog” si dhe “The Ghost Song” : “Indianë të përgjakur të shpërndarë në autostradën e agimit, Fantazma gugat mbi mendjen e brishtë e të hollë të fëmijës së ri”. Jim ka thënë se kishte vënë re indigjenët e gjakosur për vdekje nga mungesa e ndihmës mjekësore dhe të ishte dëshmitar i kësaj ndodhie e kishte frikësuar shumë.
Ai besonte se shpirtrat e indigjenëve të vdekur ishin duke u sjellë në ajër të lemerisur dhe njëri prej tyre kishte hyrë në trupin e tij. Çuditërisht, familja e tij e ka mohuar të kenë qenë dëshmitarë të ndonjë aksidenti. Duke komentuar për aksidentin, Morrison thoshte se ishte aq i mërzitur sa prindërit i kishin thënë se kishte parë një ëndërr të keqe. Megjithë mohimit të familjes së tij, Jim-i i është referuar vazhdimisht kësaj eksperience në këngët dhe poezitë e tij. Në fillimet e tij, Morrison bënte një jetë prej nomadi, pak a shumë si shumica e fëmijëve me prindër ushtarakë. I rritur në një mjedis kaq strikt dhe me disiplinë, Morrison ishte një fëmijë tepër i rregullt dhe i respektueshëm, i cili shkonte shumë mirë në shkollë, not dhe aktivitete të tjera jashtëshkollore. Për pak kohë familja e tij shpresoi se ai do të ndiqte hapat e të atit, duke u shkolluar në Akademinë Navale të Shteteve të Bashkuara në Anapolis, Maryland. Megjithatë, me hyrjen në adoleshencë, Morrison zbuloi alkoolin dhe filloi një rutinë të përdorimit të tij dhe të substancave narkotike që do të zgjaste gjatë gjithë jetës dhe do t`i jepte fund ëndrrave të prindërve të tij për një të ardhme në marinë. Gjithsesi ai ia doli të diplomohej në shkollën e mesme George Washington në vitin 1961.
Lidhjet e para me artin
I ati u transferua në Kaliforni për shërbim dhe Jim-i u rikthye tek gjyshërit në Clearwater sërish. Filloi të ndiqte St Petersburg Junior College, por vazhdoi të pinte dhe të dehej deri vonë çdo natë, duke u kthyer në shtëpi i dehur dhe duke i sjellë shqetësime gjyshërve të tij. Morrison filloi studimet universitare në Universitetin Shtetëror të Florida-s, por tashmë kishte zhvilluar një pasion për filmat, dhe me inkurajimin e një prej këshilluesve në Universitet, u transferua në shkollën e filmit në University College Los Angeles (UCLA), në Departamentin e Teatrit dhe Arteve të këtij Universiteti, ku arriti të diplomohej. Morrison bëri dy filma gjatë kohës kur studionte në UCLA, njëri quhej “Dashuria e Parë” dhe tjetri ishte më i gjatë dhe quhej “Obscura”. Pasi u diplomua në 1965, Morrison iu drejtua komuniteteve artistike bohemiane të artistëve dhe muzikantëve që rrinin përgjatë plazhit Venice, një pjesë periferike e Los Angeles. Gjendja e tij financiare ishte e dobët, prandaj në këtë periudhë ai humbi shumë peshë dhe fytyra e tij mori linjat e veçanta që do të merrnin famë botërore në fotot bardh-e-zi të bëra nga Joel Brodsky, që do të shfaqeshin më vonë në kapakun e albumit “Më të mirat e Doors”.
Jim Morrison dhe The Doors
Jim ishte një poet i mprehtë dhe duke lexuar në një nga takimet me lexime poetike në Venice, ai u lidh me ish-studentin e shkollës së tij të mëparshme, Ray Manzarek, i cili u intrigua menjëherë nga poezitë dhe shkrimet e Jim-it. Dy miqve iu bashkua shumë pak kohë më vonë edhe baterist-i John Densmore. Kitaristi Robby Krieger u bashkua me grupin pas një audicioni me rekomandimin e Densmore-it dhe kështu lindën The Doors. Duke pasur parasysh që eksperimentimi me drogën ishte një pjesë e rëndësishme në jetën e Morrison, besohet se emri i grupit ka ardhur nga libri i Aldous Huxley që fliste për efektet e drogës në perceptimet njerëzore “Dyert e parajsës dhe ferrit” (The doors of heaven and hell).
The Doors shumë shpejt krijuan një tingull tejet risor dhe në përputhje perfekte me zërin e veçantë bariton të Morrison. Ray Manzarek luante në tastierë, ndërsa stili në kitarë i Krieger kishte elementë si klasikë ashtu edhe të marrë nga flamenco Spanjolle. Interesant ishte fakti që në grup nuk kishte kitarë bas, dhe ky ishte një nga faktorët që bënte The Doors të ishin një katërshe muzikalisht unike në atë kohë. Elementet e basit i jepeshin muzikës së Doors nga Tastieristi Ray Manzarek, duke përdorur një tastierë të vogël për linja basi Fender. Duke përdorur teknologjinë e fundit të fundit të viteve ’60, The Doors prodhuan një tingull të veçantë dhe emocionues. Kjo i kushtohej në një pjesë jo të vogël teksteve të Morrison, kryesisht të nxjerra nga shkrimet dhe poezitë e tij. Këngët e tij preknin tema të errëta dhe të fuqishme, si vdekja, vrasja dhe çmenduria, së bashku me temat e zakonshme të seksit, drogës dhe Rock’n’Roll-it. Në shkrimin e teksteve gjithashtu kontribuoi edhe kitaristi Robb Krieger, i cili shkroi ose bashkëshkroi disa nga pjesët më të dëgjuara dhe të famshme të Doors, si “Touch me”, “Love me two times”, dhe më e rëndësishmja “Light my fire”.
The Doors firmosën një kontratë me shtëpinë diskografike ELektra në fillim të 1967, nxorën në treg albumin e tyre të parë The Doors dhe filluan të kishin shumë sukses menjëherë pas kësaj. Kënga e parë që nxorrën në treg ishte “Break on through”, por ishte me “Light My Fire” që ata kapën majat e klasifikimeve në qershor 1967 dhe vendosën emrin e tyre në listat e më të preferuarve të kohës.
Në kohën kur nxorrën albumin e tyre të dytë, Strange Days, Doors ishin kthyer në fenomen kombëtar të muzikës, si dhe një nga bandat e rock-ut më popullore të të gjithë botës. Përzierja e stileve nga blues-i dhe rock-u me psikedelikë-n, i bëri ata të parezistueshëm për të rinjtë adhurues të rock-ut. Zgjedhja e teksteve të tyre ishte aq e tejskajshme sa edhe shijet letrare të Morrison dhe përfshinte “Alabama Song” nga opereta e Brecht dhe Weill, “Rise and Fall of The City of Mahogonny” e cila ishte shkruar dhe luajtur për herë të parë në 1930. Grupi gjithashtu krijoi edhe një zhanër të ri këngësh duke prodhuar pjesë me koncepte të zgjeruara, si këngët e famshme epike “The End”, “When the Music`s Over” dhe pjesa e tyre e famshme në koncerte, “Celebration of the Lizard”.
Një faktor tjetër që i bënte The Doors tepër të famshëm dhe rinovues ishte mënyra se si Morrison dhe Manzarek prodhonin filma për të shoqëruar muzikën e tyre. Ata prodhuan një film për këngën e tyre të parë, “Break on Through”, që tregonte katër pjesëtarët e grupit duke luajtur nën një dritë të zbehtë me filmime të shkëputura dhe të alternuara. Gjithashtu prodhuan filma edhe për këngë të tjera, si “The Unknown Soldier”, “People are Strange” dhe “Moonlight Drive”.
Albumi i tretë i Doors, Waiting for the Sun, doli në 1968. Morrison fillimisht kishte planifikuar që ky album do të përmbante disa këngë me koncept të zgjeruar, përfshirë “Celebration of the Lizard”, e cila do të zinte të gjithë gjatësinë e anës B të diskut, por shtëpia diskografike Elektra hodhi poshtë këtë propozim, gjë që e zemëroi mjaft Morrison. Që nga ky moment, Jim u bë mjaft rezistues ndaj kërkesave, si të shtëpisë diskografike, ashtu edhe të publikut të grupit në koncerte, duke i injoruar vazhdimisht kërkesat e tyre për të kënduar këngët e tij më të famshme, siç ishin “Light my Fire” dhe “Love me two times”. Në një nga këto koncerte në Miami, Florida, ai u arrestua për sjellje të pahijshme dhe ekspozim të seksit të tij në publik. Gjyqi i tij i kushtoi The Doors shumë koncerte të anulluara dhe famë. Jim u gjykua në gusht të 1970 për ekspozim të turpshëm në publik dhe sharje dhe u dënua me 8 muaj burgim, por e shleu dënimin e tij në arrest shtëpie.
Albumi i katërt i Doors quhej The Soft Parade, dhe përmbante një tingull mjaft më të orkestruar, të drejtuar më shumë drejt pop-it sesa në disqet e tjera. Ndryshimi në stilin muzikor nuk u prit mirë dhe ky album u godit gjerësisht si nga kritika ashtu dhe nga publiku. Më pas regjistruan albumin Morrison Hotel dhe Absolutely live. Pas një pushimi të gjatë nga regjistrimet, grupi u mblodh përsëri bashkë në 1970 për të regjistruar atë që do të ishte edhe albumi i fundit i The Doors me Jim Morrison, L. A. Woman.
Ashtu si edhe albumi i tyre i katërt, edhe ky album kishte një tingull mjaft komercial dhe të përpunuar, me një instrumentim të imët, si për “Mr. Mojo Risin” dhe “Been Down so Long”, por albumi u shpëtua nga futja në të e këngës “Riders on the Storm”. Megjithë suksesin e albumit, producenti i tij Paul A. Rothschild, që kishte qenë me grupin që në albumet e parë, u largua duke thënë se muzika e tyre ishte kthyer në “muzikë baresh”. Albumi niste me një shpërthim të tingujve të vjetër, lirika personale dhe poetike, dhe më pas vazhdonte me muzikë të përpunuar, si shumë grupe rock-u të kohës.
Jim Morrison dhe jeta e tij personale
Gjatë karrierës së tij muzikore, Morrison ishte po aq famëkeq për seksualitetin e tij të harlisur dhe imoralitetin, sa ishte dhe për konsumimin e substancave haluçinogjene dhe stilin e jetës Rock’n’Roll. Tre muaj pasi arritën një sukses të jashtëzakonshëm me albumin e parë, The Doors u ftuan në spektaklin e Ed Sullivan, një spektakël shumë popullor me bisedime nate që kishte ftuar më parë figura të mirënjohura të muzikës si Elvis Presley dhe The Beatles. Morrison shkaktoi bujë kur pranoi të ndryshonte gjatë këngës “Light my Fire” një varg që implikonte përdorim të drogës dhe më pas vazhdoi gjithsesi të këndonte këngën në versionin e saj origjinal. Ftuesi i tyre Ed Sullivan, u nxeh tejmase për këtë aq sa refuzoi t’i jepte dorën anëtarëve të grupit pas shfaqjes së tyre. Ata nuk u ftuan më në këtë spektakël. Kundërpërgjigja e Jim për këtë ishte : “E çfarë pastaj ? Ne ishim njëherë aty !”. Ai u arrestua në 9 dhjetor 1967 në skenë gjatë një koncerti sepse kishte tentuar të shkaktonte një kryengritje duke i thënë adhuruesve të tij se ai dhe gazetarja Patricia Kennealy ishin gjuajtur me shkop gome nga policët. Megjithëse ai njohu partneren e jetës dhe shoqëruesen e përhershme, Pamela Courson, shumë kohë para se të bëhej i famshëm dhe ndenji me të deri sa vdiq, çifti kishte zënka të shpeshta, mendohet se për arsye të besnikërisë së munguar të Morrison. Ai thuhet se kishte marrëdhënie të rregullta seksuale me adhurueset e tij si dhe me personalitete të tjera të skenës së rock-ut në atë periudhë, si Nico nga Velvet Underground, Grace Slick nga Jefferson Airplane dhe Janis Joplin, të gjitha nën efektin e alkoolit, halucinogjenëve dhe LSD. Ai dhe Pamela u shpërngulën në Paris, Francë, në mars 1971, pasi një nga apelimet e tij të fundit në gjyqin e Miami-t u hodh poshtë, me qëllimin për të hequr dorë nga muzika dhe për të vazhduar me ambiciet e tij letrare.
Në 3 korrik 1971, Jim Morrison u gjend i vdekur në vaskën e apartamentit të tij në Paris. Policia lokale e shpalli vdekjen e tij të shkaktuar nga një atak zemre, por nuk iu nënshtrua autopsisë. Zëra ka se mund të jetë shkaktuar nga një mbidozë heroine dhe alkooli. Lajmi i vdekjes së tij u mbajt i fshehtë për pothuajse një javë nga pjesëtarët e tjrë të grupit dhe Pamela, gjë që ndezi zëra se mund të mos ishte e vërtetë. Varri i James Douglas Morrison ndodhet në varrezën Pere Lachaise, Paris, Francë dhe është atraksioni i katërt i Parisit pas Kullës Eiffel, Notre Damit dhe Harkut të Triumfit.
Pas Vdekjes
Vdekja e Jim Morrison shkaktoi shumë zhurmë në rrethet e artistëve kontemporanë dhe adhuruesve. Për The Doors ishte mbarimi i një epoke dhe fillimi i një tjetre;asaj të prodhimit të numrit më të madh të albumeve dhe të një fame të jashtëzakonshme. Gjatë viteve të fundit të jetës Jim-i kishte regjistruar një numër të konsiderueshëm të poezive të tij në studion ku grupi regjistronte këngët ose në vende të tjera alternative dhe pjesëtarët e tjerë të grupit i përdorën ato për të regjistruar albumin ”An American Prayer : Jim Morrison”, me pjesë muzikore nga The Doors dhe zërin e Jim Morrison.
Pas vdekjes së tij, e gjithë pasuria e tij i kaloi Pamela Courson, në bazë të një testamenti që Jim Morrison kishte hartuar në vitin 1969. Në këtë testament, megjithëse e deklaronte veten të pamartuar asnjëherë, ai ja linte të gjithë ato që i përkisnin shoqërueses së tij të gjithë jetës. Pas vdekjes së saj në 1974 nga një mbidozë heroine, pasuria e Jim Morrison i kaloi prindërve të saj, megjithë proçesit gjyqësor që zhvilluan prindërit e Morrison kundër tyre. Familja Courson ka në zotërim të saj të gjitha materialet si poezitë, materialet filmike, dhe regjistrimet e Jim Morrison.
Kuriozitete
- Ka lindur në orën 11:55.
- Jetoi në të gjithë kohën kur nuk ishte i famshëm në një hotel të lirë në bulevard-in La Cienega, Los Angeles.
- Nuk u martua kurrë ligjshëm, por bëri një martesë pagane të quajtur “puthitje duarsh” me gazetaren Patricia Kennealy, e cila ndryshoi mbiemrin e saj në Morrison. Të njëjtën gjë bënte dhe Pamela Courson në raste të rralla.
- Refuzoi të marrë pjesë në festival-in e Woodstock në 1969 sepse i druhej një atentati në skenë.
- Këngëtari i tij i preferuar ishte Frank Sinatra.
- U frymëzua nga shkrimet e Friedrich Nietzsche, Norman Mailer dhe Arthur Rimbaud, midis shumë të tjerëve.
- Disa nga pseudonimet e tij ishin Mbreti Hardhucë, Politikani Erotik, Poeti Amerikan, Dionisi, Mr. Mojo Risint. Ky i fundit është edhe një anagram i emrit të tij Jim Morrison.
- Gjatë viteve të fundit të jetës botoi me fondet e tij personale dy vëllime me poezi, Zotët dhe Krijesat, që pas vdekjes iu ribotuan në një vëllim të vetëm të quajtur Zotët dhe Krijesat.
- Jim në moshën 5-vjeçare, duke kaluar kufirin e Meksisës, pa një indian, i cili e ndoqi gjatë të gjithë jetës, dhe ka qënë një nder frymëzuesit e tij.
«Herën e parë që kam zbuluar vdekjen… isha unë, nëna ime dhe babai im, dhe ndoshta edhe motra ime, dhe gjyshërit e mi, dhe ne po kalonim nëpër shkretëtirë në agim, dhe një kamion plotë me punëtorë indian ishte u përplasur me një tjetër makinë apo diçka, por mbaj mend se ka pasur indian të shpërndarë në rrugë, gjakderdhje dhe njerëz duke vdekur… mirë, ky ishte takimi im i parë me vdekjen, unë duhet të kem qenë katër apo pesë vjeç. Ne ndaluam makinën… unë isha vetëm një fëmijë, dhe një fëmijë është si një lule me petalet që i tund era… Unë me të vërtetë mendoj se në atë moment shpirti i një nga ato indianëve, ose ndoshta shpirtrat e shumë prej tyre ata ishin duke u endur si të çmendur dhe këto u hodhën në kokën time dhe unë kam qenë si një sfungjer të gatshëm për të thithur ato. Kjo nuk është një histori fantazmë. Kjo është diçka që ka një kuptim të thellë për mua.»
- Së bashku me Ray Daniel Manzarek qenë nismëtarët e grupit Doors.
- Një ndër thëniet e tij më të famshme ishte : «I am lizard king ! I can do anything !» : Unë jam Mbreti Hardhucë dhe mund të bëj cdo gjë !
- Jim përpara se të krijoheshin Doors, shkoi të qëndronte në shkretëtirë për t´u frymëzuar.
- Ai pati fatin e mallkuar të bënte pjesë në “Mallkimi i ´j´-27.”, i cili është mallkimi i të famshmëve të cilëve u fillon emri me ´j´dhe kanë ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare, si : Jim Morrison, Janis Joplin, Jimmie Hendrix, Brian Jones (dhe të tjerë si Amy Winehouse të cilës nuk i fillon emri me ´j´).
- Ka vdekur në Paris, në një vaskë. (Wikipedia)
Komentet