Qysh kur është krijuar jeta në këtë planet, marsi ka qenë muaji i parë që çel pranvera, shpërthejnë lulet, vijnë dallëndyshet e qesh bukur ballin jeta njerëzore. Sikurse në çdo vend të botës, edhe në Shqipëri, edhe në Vlorë.
Kështu nisi tek ne edhe marsi i vitit 1997. Me lule, me dallëndyshe, me frymën e ajrit të freskët dhe aromën e jetës së lumtur. Por nuk e mbylli kështu siparin e fatit. Ai 28 mars erdhi i zi. Vlora dhe Shqipëria veshën vellon e zisë. Ky det thellë përtej Vlorës, si bajloz i zi e me dallgë të egra si lubi di ç’engjëj mban poshtë thellësive mistike.
28 marsi është ditë dëshmie dhe kujtese në Vlorë dhe në Leçe, që do të përsëritet çdo vit më 28 mars. Në kujtim të tragjedisë së përmbytjes së anijes shqiptare “Katër i Radës” nga Vlora në Otranto më 28 mars 1997, në bordin e së cilës ishin 142 njerëz, midis tyre gra dhe fëmijë nga mosha 3-69 vjeç [është shkruar se ishin 120 shqiptarë, të paktën 84 humbën jetën (81), 27 vetë u zhdukën pa lënë gjurmë, 34 mbijetuan] gjatë përplasjes me anijen detare italiane Sibilla – Marina Ushtarake Italiane në Ngushticën e Otrantos, 35 milje (56 km) nga bregu italian.
Ç’gonxhe të freskëta e lule plot aromë! Dhe sa kopshte të shtëpive të tyre u thanë, për të mos çelur!…
Sot jemi më 28 mars 2025. Kanë kaluar 28 vjet, që deti i Shqipërisë dhe Italisë nuk e rrëfen tragjedinë e kohëve moderne të përmasave biblike, tejbiblike. Në fakt, janë dy shtetet tona që janë njëmendësuar për të mos e lënduar njëri-tjetrin. Më duket se ata thonë: “Punë e madhe për jetët e njerëzve, që u zhdukën si të ishin bukureza nate”!?…
Ç’hipokrizi e paimagjinueshme nga mendja njerëzore! Hipokrizia ka dalë në log të burrave e në ballë të kuvendit e bën krokodilin. Ajo ka veshur maskat e keqardhjes së çastit, e lotit aktorial dhe pastaj, o njerëz të lënduar: “Puthuni me Milon”, ku u kam parë… Po afrojnë zgjedhjet: “Do bëjmë këtë dhe atë”… Vetëm lugën floririt s’na e thonë më, se u doli kartë e djegur. I kanë kthyer sytë nga mërgata, ose diaspora, si i quajnë këta horrat mërgatën e luleve shqiptare në Itali, Greqi e nëpër botë. Atje i mbajnë shpresat për fitore. Po a keni vërejtur, o njerëz, që ndonjëra nga këto dhjetëra forca politike të përmendë Tragjedinë e Otrantos dhe të ofrojë një zgjidhje sadopak shëruese për familjarët, për qytetarët, për dinjitetin e nëpërkëmbur të Shqipërisë, bijtë e së cilës i sakrifikuan deri në vdekje. Politika ka vënë maskën e hipokrizisë. Çfarë them dhe unë!? Politika është vetë maska.
Familjarët nuk mund ta harrojnë 28 Marsin e Zi. As qytetarët nuk duhet ta harrojnë 28 Marsin e Luleve në fund të detit. Është një kushtrim për vetëdijen njerëzore këtej dhe matanë brigjeve adriatike. Ne i kemi përjetësuar dhe në këngë të përvajshme, familjarët në elegji. Grupi i grave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” u këndon me dhembje nëne e motre një këngë të përvajshme që të rrëqeth. Në fakt, është një tekst imi (Albert Habazaj), që kam thurur vite e vite më parë, të cilin Shqiponjat labe të këngës e ligjëruan me ligje gjatë veprimtarisë që u zhvillua të dielën e datës 28.03.2021, ora 18.00-20.00 në Vlorë, pikërisht nga pikënisja e Katërit të Radës për në Itali më 28 mars 1997, realizuar me kujdesin e Ema Birçaj, Lecce, Itali dhe Anisa Ceno, Kraal Hotel, Vlorë…
Pezmatuar nga trishtimi dhe mosbesimi shprehem me dhembjen e shpirtit: Kurrë mos u harrofshin ata 142 pishtarë të fikur jete!
Ema Birçaj! Motër! Sa të kemi frymë duhet të kërkojmë Monumentin e Dinjitetit të Pafajshmërisë së pafaj, të atyre 142 jetëve që janë në përjetësinë e paharrimit tonë!
LULET E KURBETIT, KËNGË E PËRVAJSHME NGA SHQIPONJAT E TËRBAÇIT
LULET E KURBETIT
28 marsi është ditë dëshmie dhe kujtese në Vlorë dhe në Leçe, që do të përsëritet çdo vit më 28 mars. Në kujtim të tragjedisë së përmbytjes së anijes shqiptare “Katër i Radës” nga Vlora në Otranto më 28 mars 1997, në bordin e së cilës ishin 142 njerëz, midis tyre gra dhe fëmijë nga mosha 3-69 vjeç [është shkruar se ishin 120 shqiptarë, të paktën 84 humbën jetën (81), 27 vetë u zhdukën pa lënë gjurmë, 34 mbijetuan] gjatë përplasjes me anijen detare italiane Sibilla – Marina Ushtarake Italiane në Ngushticën e Otrantos, 35 milje (56 km) nga bregu italian.
LULET E KURBETIT
Këngë lirike e përvajshme nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”
Teksti: Albert HABAZAJ
Marrëse: Shpresa Kapo ÇELAJ
Kthyese: Liri Gaçe SHKURTAJ
Hedhëse: Vito Shiroku VERA
E mbushin: Antoneta Goxho Mehmetaj, Liljana Rrapi Kapo, Meme Ribaj Habazaj, Flutur Nanaj, Lavdie Goxho Xhaka dhe Hava Çelaj Muçaj
Derëbardha nënë,
me të zeza veshur,
Mban një mal të rëndë
supeve patretur.
Kan’ kaluar vite,
shekuj do të vinë,
Hedh kjo gjëmë biblike
kuje, ulërimë.
Njëzet e tet’ marsi –
shpresa jon’ skëterrë
Zëmrën keq ma plasi,
jeta m’u bë ferrë.
O Katër i Radës,
o vapor i zisë,
S’ke gojë të flasësh
ç’të kanë parë sytë.
Otranto, ç’më bëre,
mallkuar nga Zoti
Detashment i dhimbjes
mbushur rruzuj loti.
Loti lidh në heshtje
dy brigjet e detit,
Deti mban për vete
Lulet e kurbetit.
Lulet që mërgojnë
do kthehen te nëna,
Bekuar nga djelli,
bekuar nga hëna.
*) Interpretuar në polifoni labe gjatë veprimtarisë që u zhvillua të dielën e datës 28.03.2021, ora 18.00-20.00 në Vlorë, pikërisht nga pikënisja e Katërit të Radës për në Itali më 28 mars 1997
**) Katër i Radës – Memorie migranti – Live streaming 28.03.2021 (online-video-cutter.com). Realizuar me kujdesin e Ema Birçaj, Lecce, Itali dhe Anisa Ceno, Kraal Hotel, Vlorë.