- “… as nuk asht nji shënjt, as nuk asht nji mrekullbas! Me thanë vetëm se asht nji patriot, asht prap tepër pak.”
- ─ Dom Lazër Shantoja.
Mustafa Merlika-Kruja[1] (15 mars 1887, Krujë në atë kohë Akçahisar (Kështjellë e bardhë), Perandoria Osmane (sot Shqipëri) – 27 dhjetor 1958, Ujëvarat e Niagarës, Shtetet e Bashkuara) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, prefekt, deputet dhe kryeministër i shtetit shqiptar gjatë pushtimit italian. Si dhe Senator i legjislaturës së XXX të mbretërisë Italiane, pjesëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.[2] Si studjues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës “Shpend Bardhi“.
Jeta
Lindi në Krujë më 15 mars 1887, i biri i Mehmet Merlikës (Meti i Fajës së Merlikës) dhe Hanke Corkës. Arsimin fillor e mori në shkollën e qytetit, ku mësimet konsistonin në ushtrimin e leximit të arabishtes dhe turqishtes. Pas shpërnguljes së familjes së tij për shkaqe gjaku në Durrës, vijon mësimet.
Pas shpërthimit të Luftës Turko-Greke më 1897, i ati dhe i ungji thirren nën armë. Familja e tij rikthehet sërish në Krujë, ku djaloshi rifillon nxënjet me mësuesit e tij të parë të fillores dhe më pas hyn në gjimnazin e ulët (ruzhdije) të qytetit, të cilin e përfundon pas 3 vjetësh.
Fryma e lëvizjes kombëtare ndjehej edhe në mjedisin krutan. Një vend i tillë ishte dhe dyqani i tregtarit Miftar Seseri, ku në kthinat e tij zhvillohej mësimi i gjuhës shqipe dhe këndimi i letërsisë kombëtare. Mustafa, që punonte aty shegert, pati mundësinë të mësonte gjuhën amtare, të lexonte letërsinë e Naimit. Ky dyqan ishte dhe ambienti i parë që ndikoi vetdijen kombëtare shqiptare të Mustafa Merlikës dhe aty ndoshta, mbiu në shpirtin e tij dhe filizi i atdhedashurisë e shtysa për t’u angazhuar në lëvizjen kombëtare.
Më 1902 me të mbaruar mejtepin e Mulla Hysenit – i ati, që ishte rreshter i trupave mbrojtëse të Esad pashë Toptanit në Janinë, e thërret të birin për t’u regjistruar me ndihmën e Esad Pashës, në gjymnazin (idadije) e Janinës. Aty adoleshenti hasi pengesat e para, dhe kuptoi mangësitë e formimit të tij shkollor të kryer në vendlindje. Fillimet e gjimnazit me atë turqishten e mësuar çalë-çalë, ishin tepër të vështira, derisa pas kritikave t’ashpra të profesorit të vet, vendosi ta mësojë me themel. Vitin e tretë të shkollës e mbaron pranë gjimnazit “Nymunei Terakki” në Stamboll. Si në Janinë edhe në Stamboll, qoftë në ambientet e shkollës, si me profesorë dhe nxënës shqiptarë, qoftë edhe jashtë saj, ai u aktivizua në rrethin e shqiptarëve të cilët përkrahnin përpjekjet kombëtare, mësimin e gjuhës shqipe dhe shpërndarjen e literaturës në shqip.
Pas mbarimit të gjimnazit, duke qenë se ishte shumë i aftë në lëndët ekzakte dhe kishte dalë i pari në matematikë, Mustafai dëshironte të studionte për inxhinieri, por ndikimi dhe këmbëngulja e Esad Pashës për t’u bërë kajmekan duke studiuar në Shkollën Civile e Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané” (Fakulteti i Shkencave politike-administrative), prej së cilës dilnin elitat e Perandorisë Osmane, e çuan t’i bindej këtij të fundit, për të cilin kishte respekt si bamirësi i familjes Merlika. Por ai parapëlqente që shkollën ta fitonte me konkurs dhe jo me dekret të posaçëm sulltanor, që do të nënkuptonte ndërhyrjen e pashës tek rreth’i ngushtë i sulltanit. Kështu bëri, u rendit i 11-ti, në rënditjen totale të 40 fituesve, nga 200 konkurrentë që hynë gjithsej në konkurs. Edhe gjatë viteve të larta në Stamboll, ai nuk rreshti së përpjekuri në rrethin e studentëve shqiptarë, përkrahës kombëtar dhe qe autor i disa shkrimeve e artikujve të botuar nën inicialet A.X. të pseudonimit «Asim Djenan» (Xhenan). Angazhimi i tij politik në lëvizjen e propagandimin e ideve kombëtare shqiptare ndër studentët e Stambollit, i kushtuan edhe përzënien e tij prej xhon-turqve nga shkolla, pas të cilit mendoi t’emigronte në ShBA. Ishte koha kur lëvizja xhonturke kishte përfshi mbarë Turqinë me pretekstin e rivendosjes së Kushtetutës së 1876. Në këtë periudhë Mustafai fillon t’interesohej për politikë duke shkruar artikuj të ndryshëm e duke marrë pjesë në një shoqëri revolucionare. Megjithatë, këmbëngulja e bashkëstudentëve bashkë me disa profesora dhe ndërhyrjet e disa deputetëve shqiptarë, bënë që ai të ripranohej në Mylkije, ku u laureua më 1908;[1] e prej nga do të dalë në vitin 1910: “licencié en sciences politiques et sociales“. Më 1909 do të fejohej prej dëshirës të së ëmës me Caje Gunin[3].
Kur M. bej Frashëri, S. Gjuka, R. bej Mitrovica e B. Pejani shkuan në Tiranë tek A. Toptani, shkojnë të pestë në Durrës tek Dom Nikolla. Thërrasin dhe Mustafën, që atbotë ishte prof. matematike në gjimnazin e qytetit[4] dhe si mësues i gjuhës turke në një shkollë fillore italiane[3]. Betoi parinë e Krujës për kryengritje. Bashkëpunon ngushtë me Abdi Beun n’organizimin e çetave dhe kujdeset për letërkëmbimin e tij.[5] Për këtë veprimtari e transferojnë në Urfa të Irakut. Por tepër vonë, kishte hyrë në emër të Shqipërisë së Mesme e veçan të bejlerëve të Toptanit me u marrë vesh me Prenk Pashën për një kryengritje të përbashkët me Mirditën në pranverën e 1912 në Shkodër[4]. Në gusht të 1912 gjendet në Shkup me Abdi beun dhe Marka Gjonin për të bashkërenduar lëvizjet e trupave që përfaqësonin me ato kosovare por gjetën çdo gjë të kryer. Shpallja e Pavarësisë e gjen në Vlorë, në krah të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, në cilësinë e delegatit të popullit të Krujës. Me formimin e qeverisë u emërua zëvendës-prefekt në Vlorë e më vonë sekretar i kryesisë së Këshillit të Ministrave. U martua me Caje Gunin dhe pati katër fëmijë Petritin, Fatosin, Bashkimin, Besimin. Shkruan për të Karl Gurakuqi:
- “Kishte nji shpírt arsimtari. Natyra e tij e pat shty qyshë në riní me u marrë me arsimin, pse prej arsimit Shqipnija priste zhvillim e përparim sidomos n’atë kohë kúr duhej me i vû themelet shtetit të rí, të dalun nga errsina shekullore. Auktoritetet shtetnore, tue vrejtë prirjen e tij e tue i ardhë dishirit të çfaqun prej si, e panë të rrugës me i ngarkue drejtorín e arsimit në prefekturën e Elbasanit“.[6]
Detyra të së njëjtës natyrë pati edhe gjatë sundimit të shkurtër të Princit Vid, në vitin 1914, të cilin e mbështeste. Burgoset nga Esat Toptani nga hasmëritë që lindën me tê rreth çështjes së Shkodrës, e nga irritimi i Pashës Toptan që Mustafa Kruja s’ishte dakord t’i shërbejë, më tej e degdis n’internim në Bari.[7] Mbas lirimit punon si kryeredaktor te “Kuvendi” deri kur u mbajt Kongresi i Durrësit. Në 25 dhjetor 1918 Mustafa Kruja ishte delegat i Durrësit në atë Kongres. Me propozim të Luigj Gurakuqit ai shërbeu si sekretar i Kongresit; në qeverinë e re, me kryeministër Turhan pashën, ai u caktua ministër i Post Telegrafës. Në atë kongres Mustafa Kruja propozoi Shkodrën për kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, propozim që u fut në procesverbal, por kryeqyteti i Shqipërisë u përcaktua trembëdhjetë muaj më vonë, në një kongres tjetër, ku Mustafa Kruja nuk mori pjesë. Më 1920 gjendet përkrah Imzot Bumçit, Atë Fishtës, L. Gurakuqi e L. Nosit në Konferencën e Paqes në Paris si sekretar i dërgatës[8], delegacionit të azhornuar nga Kongresi ndërkohë që ai i vjetri me kryeministrin Turhan pashë Përmetin u shfuqizua me rënjen e qeverisë. Më 1920 rrekej t’ia mbushte mendjen Atë Fishtës të hartonin një program partie politike, Ai i kishte thanë,
- “… Pse po lodhe, more Mustafë, Shqipnija qi duem ti e un nuk bâhet!“[7]
Deputet i pref. së Kosovës dalë nga zgjedhjet e 5 prill 1921, me mandat deri më 30 shtator 1923, që do zëvendësohej nga ish-mësuesi i vet në Janinë Q. Bala[9]. Me përfshirjen ndër trazirat e viteve 1921-22, ikën në (Kragujevaci) Mbretërinë SKS mbasi u përfshì në kryengritjen e marsit 1922 të organizuar nga Elez Isuf Ndreu e Bajram Curri me emrin “Lidhja e Shenjtë”. E shoqja me fëmijët ndenjtën në Tiranë, ndërsa i ati iu arrestua vetëm sepse ishte i ati – dhe shtëpia në Krujë iu dogj[3]. Gurakuqi bën të mundur nëpërmjet një marrëveshjeje që të kthehet[10]. Anon nga krahu i opozitarëve shkodran kur këta të fundit themeluan grupimin “Ora e Maleve” në pranverë të 1923[11].
Pas Lëvizjes së qershorit, emërohet prefekt i Shkodrës, ku merr me vehte dhe biblioteken e tij të madhe me vëllime nga frëngjishtja. Gjatë pranisë së tij si prefekt në Shkodër jep urdhër për djegien e shtëpive të kundërshtarëve politikë të mëparshëm, si shtëpia e M. Jukës[12]. Me ardhjen e Legalitetit në pushtet mërgoi në Itali. Mustafa Kruja e përshkruan kështu grupin në arrati: “Ishim nji ushtri intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në te se, si grup – se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definitivisht e pa fe mundsije me e çue kryet ma përpjetë.”[7] Vendoset në Zara, qytet i njohur për tradita arbëreshe, ku rreth tij, grumbullohen edhe intelektualë të tjerë si Xh. Korça, E. Koliqi, K. Tasi, etj.
Në pragun e pushtimit italian
Kahu nacionalist i emigrantëve politik i mbledhur në Hotel Exelsior-Gallia të Milanos ishin mbledhë me diskutue ramjen e regjimit të Zogut me ndihmën e Italisë. Por kur përfaqësuesi i qeverisë italiane, G. Giro, i shpjegon pikat e marrëveshjes ku nder to ishin integrimi i simboleve fashiste e të Savoiave në flamurin kombëtar, shkrirjen e dy administratave në një, etj. Për patriotat shqiptarë flet Mustafa:
- “Me këto kushte, njiqind vjet mbretnoftë Zogu mbi thronin e Shqipnisë“.[7]
Duhet thënë se Mustafai, me intuitën e tij të mprehtë kishte qenë ndër ata të pakta personalitete shqiptare që kishin kuptuar se aleati më i mirë për me rrëzuar Zogun ishte Italia. Në vitin 1927, me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Aleancës ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, Mustafa ishte i vetmi emigrant politik që i telegrafoi Mussolini-t duke vlerësuar ketë marrveshje[13][14].
Më 4 gusht 1939 u thirr me 3 personazhe tjera, që me veprimet e tyre ndikuan në këtë “bashkim” dhe në sajë të kësaj merite të nominoheshin si senatorë, Sh. bej Vërlaci, Gjon Marka Gjoni, V. Turtulli[15]. Në prill të 1940-ës me kontributin personal të tij krijohet Instituti i Studimeve Shqiptare (Istituto di Studi Albanesi) i fondacionit “Skanderbeg”. Kruja qe jo vetëm themelues por edhe president i këtij Instituti. Ky institut mëtoi të ndërtohej mbi trashëgiminë morale dhe ideale të Kongresit të Manastirit dhe të përftonte trashëgiminë e nismave kulturore që patën lindur në Shqipërinë e fillimshekullit të njëzetë. Qysh në krye të punës Kruja u paravendoi studiuesve të Institutit problematikat më të rëndësishme që shtroheshin në lëmë të albanologjisë asokohe. Iniciativa e parë e ndërmarrë nga Instituti qe përgatitja e Leksikonit të Madh të Gjuhës Shqipe megjithë vështirësitë e skajme që një ndërmarrje e tillë paraqiste në raport me kohën dhe momentin historik që kalonte vendi[16]. Mustafa Kruja, atëherë Kryetar i Komisionit të Përshpagimeve shqiptare, e quajti ditën më të bukur të jetës së tij kur në prill të 1941 u vendos nga qeveria italiane që trevat shqipfolëse, deri atëherë pjesë e Mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene, të pushtuara nga trupat aleate të Rajhut të tretë, do t’i bashkangjiteshin Perandorisë fashiste të Romës, në kuadrin e Shtetit shqiptar të bashkuar me këtë të fundit, qe sendërtimi i ëndrrës tridhjet-vjeçare[17].
Në një shkresë që Mustafa i dërgonte konsullatës amerikane në Aleksandri, tregon që edhe pse e kishin ftuar me marrë postin e ministrit të punëve të brendshme nuk kishte pranuar. Por kur qarkulluan fjalë se çetat komuniste po lëviznin nën organizmin e dy anëtarëve të Partisë Komuniste Jugosllave atëherë zgjodhi jo pa brerje ndërgjegjeje të merrte detyrën e kryeministrit për të ndalë veprimtarinë komuniste, e cila do rrezikonte vendin nëse lufta do humbej nga Boshti. Arsye tjetër ishte rivendosja e kufijve etnikë të Shqipërisë, Kosovën, Maqedoninë veri-përëndimore dhe Plavën me Gucinë. Sipas një fjalie dëshmohet në letërkëambimin me fratin françeskan Át Paulin Margjokajn, që në letren nr.50 shkruan,
- “… Njerzt, qi nuk shofin veçse sa t’u mbërrijë maja e hundës, mâ vonë, edhe ata kanë me justifikue veprimin t’Ând politik… Shqypnija e shkretë në periudhen ndërmjet dy luftave nuk ka pasë tjetër alternativë, posë asaj: Itali-Jugosllavi“.
Si pasojë e sulmit gjerman kundër Bashkimit Sovjetik më 1941, komunistët në Shqipërí nisin të lëvrijnë. Qeveria Vërlaci bie në dhjetor të 1941-shit. Mustafa Kruja ngarkohet të formojë qeverinë e re. Min. i Jashtëm italian Ciano, shënon në ditarin e vet që vënja e Krujës në postin e kryeministrit “… i përgjigjet një lëshimi të matejshëm ndaj ekstremistave të nacionalizmit shqiptar“. Ndërsa në datën 23 dhjetor, Ciano shkruan që Vërlaci urren Krujën, por s’ka argumenta të fortë kundër tij, kufizohet duke thënë se nuk mund të qeverisë vendin djali i një qehajai. Pak mbasi formon kabinetin kërkon nga autoritetet italiane vrasësin e Luigjit, Baltjon Stamollën që të vazhdonte dënimin në Shqipëri. Pak ditë pas mbërritjes Stamolla vdes në rrethana të paqarta.
“Qyshë të parën herë që Mustafa vjen në Romë si kryeministër, në shkurt të 1942, siç dëshmon Çiano në Ditarin e vet, fillon duke i kërkuar italianëve “ndreqje të vogla të kufijve nga Mali i Zi e rishikimin e flamurit” – ndreqjet e vogla bëhej fjalë për krahinat e Hotit, Grudës, Triepshit, Plavës, Gucisë e Rugovës. “Nuk e duan, – vazhdon Çiano, duke folë për nacionalistët e Tiranës, – shqipen e «burgosur» midis fashiove e nyjeve të Savojës. Çështja është delikate e nuk mund të mos pranohet a priori“. Emërimi i Krujës kryeministër, shkruan konti Çiano, bëri bujë “… ndër italianë pse ai është shumë nacionalist, ndër shqiptarë pse rrjedh prej një familje të përvuajtur.[18] Me 23 prill 1942 italianët ranë në godi që të hiqnin fashot e Savojës nga flamuri kombëtar. Sipas gjykimit të Carlo Umiltà bashkë me një koleg e mik të tijin cilësohen “ish-diplomat turk dhe nacionalist i zjarrtë, jo më pak se Kryeministri i tij Kruja.“[19] Një tjetër hierark i fashizmit, Mëkëmbësi i Mbretit F. Jacomoni, në kujtimet e tij, analizon figurën e Krujës dhe vëren: “Nacionalist që nuk lëshonte pê kur bëhej fjalë për interesat e vendit të vet, por që inteligjenca e çelun e kultura e shëndoshë perëndimore e bënin të vlerësohej, idenë konfederale e cila duhet të kryesonte atë që vetvetiu u quante Bashkësia e Romës”[20]. Në një intervistë të dhënë atij që do bëhej babai i gazetarisë italiane, I. Montanellit, më 21 maj 1942 shpreh qartazi qëndrimin e tij ndaj bashkimit me Romën duke shprehur se vlera absolute për të nuk është shteti por atdheu, që i përfshin: etninë, gjuhën, kulturën materiale e shpirtërore e besimin[21][22]. Nëpërmjet djalit që ishte me studime për inxh.elektrike në Grenoble të Francës vendos kontakte me P. Markon, të cilin e ndihmonte dhe e grishte të kthehej në Shqipëri me postin e zv/Ministrit të Kulturës[23].
Pakënaqësi në qarqet fashiste kishte shkaktuar gjithashtu edhe fjalimi i tij i mbajtur më 22 nëntor 1942 në Teatro Savoia në Romë. Çka shtyu përfundimisht Mustafën me dhënë dorëheqjen përveç tjerrjes në Romë për përmbushjen e kërkesave ishte vrasja e Qazim Koculit, komisar special Vlorë. Një vrasje me natyrë politike e në të njëjtën kohë edhe hakmarrje ndaj drejtuesit luftarak të Luftës së Vlorës.
Në janar të 1943 Mustafa lë qeverinë në duart e Eqrem bej Libohovës. Mbas dhënjes së dorëheqjes i jep gjithë përkrahjen e tij forcave të A. Kupit. Më 12 tetor 1943 i bëhet një atentat në Tiranë, në dalje nga klinika e Xhevdet Asllanit, prej ku del me një plagosje. Vazhdon të merret me çështje gjuhësie dhe tërthorazi u vinte në ndihmë miqve në mal. U largua nga Tirana më 1 shtator 1944, ngaqë djali i vogël, Besimi, ishte i sëmurë rëndë dhe mjekët e quanin të domosdoshme praninë e tij për të vendosur mbi operimin e tij. Pas dhjetë ditësh udhëtimi nëpër Shqipëri, Jugosllavi, Hungari dhe Austri, arrita në Vjenë. I biri vdiq më 21 nëntor. Kupi duke marrë vesh se Kruja s’e përballon jetesën në Italí e thërret n’Egjipt, pranë Ahmet Zogut ku shkon më 25 shkurt 1948. Kruja shkruen “… rrethanat më kanë pasë pajtue me Zogun qysh më 1943, kur m’u mbush mêndja se populli shqiptar ka nevojë për Tê. Tash po pajtohem edhe për s’afri“.[7]
Pjesën tjetër të jetës ishte i detyruar nga regjimi enverist ta kalonte në mërgim në Francë dhe ShBA ku edhe vdes pas një operacioni, në Niagara Falls më 27 dhjetor 1958. Fjalët e fundit që ka thënë në jerm ishin në gjuhën turke.
Idealet e jetës së tij
Vetëm në dy gjëra Mustafai do të mbesë gjithë jetën i patundur: nuk do të pranojë kurrë asgjë që është kundra interesave të kombit e nuk do të shklasë asnjëherë parimet e tij. P. Z. Valentini ka shkruar që Mustafai, megjithëse i lindur në fe myslimane, ka pasur të vetat shumë vlera shpirtnore të katoliçizmit)[24]. Krahas virtyteve qytetare, ai do të kultivojë gjithë jetën një ndjenjë të fortë përgjegjësie e detyre që ndoshta e ka dëmtuar në marrëdhëniet me të tjerët, por e ka lartësuar personin e tij, sa jeta e tij përkon krejtësisht me idealin që ai ka dëshmuar.
“Tek, Aj, nuk gjêjshin mirëpritje formulat si «Shif e bân!” e «Shkel e shko!». Nuk i pat pervetuem kurrë këta formula. (…) Dikushi, e kritikoi Mustafën, tue thânun se, në Shqipní, programet, nuk janë të zbatueshme; prandej, Aj, duhet t’ishte nji akrobat politik dhe t’i përshtatej gjendjes. Mirëpo, Mustafa, mendonte krejt ndryshe. Aj, thonte se: – «Në kët botë, nuk ká gjâ mâ kollajt se me bâmë idarei maslahat, qi na tash, po i thomi oportunitet. Un, për të dijtë, e dij këtê, por, nuk e bâj; sepse , «Idare-i Maslahat-i», të lêjon me e pranuem e me e vazhduem gjendjen ashtu si ç’âsht, ani pse nuk mbërrijhet në ndonji përmirësim”.[25]
Vepra
Që në rini të tij qe aktiv në shtypin e Stambollit, e më pas në shtypin shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Shkruan artikuj të shumtë në të përkohshme të ndryshme, si p.sh. në faqet shqip të “Corriere delle Puglie”, te “Kuvêndi” i S. Gjikës, te “Mbrojtja Kombëtare” e Dom Mark Vasës, te “Ora e Maleve” e Sh. Gurakuqit. Pas mërgimit politik me dështimin e Lëvizjes së qershorit, nuk reshti së qeni aktiv në gazetat e mërgimit si te “Lirija Kombëtare” e O. Nishanit, te “Ora e Shqipnisë” e Shantojës, por edhe brenda vendit tek “Përpjekja shqiptare” e B. Merxhanit, “Hylli” i françeskanëve e “Leka” e jezuitëve. Por, mbi të gjitha nuk reshti së punuari asnjë çast për atë që do të ishte vepra monumentale e jetës së tij: “Fjaluer kritik i Gjuhës Shqipe”. Vepër e cila përshkruhet në nr. e 11/1952 nga Karl Gurakuqi si një fjalor që Merlika vetë la për shtyp para se të mërgonte përfundimisht. Kishte rreth 30.000 lema e mbi 2.600 fletë të daktilografuara. Në daktiloshkrimin që trashëgojmë ne sot ka afro 260 fletë[26].
Do të përkthejë “Shqiptart dhe fuqitë e mdha” nga Vladan Gjorgjeviq, 1927. Gjatë kultivimit të pasionit të tij për gjuhësinë punon “Fjaluer kritik i Gjuhës Shqipe”, daktiloshkrim që autori ia ka dorëzuar Institutit për Studimet Shqiptare më 1943. Tashmë i humbur, autori ka ripërpunuar gërmat “A” dhe “B” në mërgim pas ’45. Punon veprën “Abetari i të mërguemit” në Aleksandri të Egjiptit, 1952, me qëllim për t’ia shpërnda fëmijëve t’emigrantëve. “Vëzhgime Iliro-Shqiptare”, 2004. “Aleksandr’i Madh”, postume 2005. “Letërkëmbim (1947-1958), Kruja-Margjokaj”, 2006. “Fjalori i Frangut të Bardhë”, e botuar po ashtu pas vdekjes më 2007. Kujtimeve të vogjlisë e të rinisë, postume, 2007. “Problema gjuhe”, postume, 2011. “Shkrime historike: (nga Egjypt’i vjetër deri tek shpallja e Pamvarsis së Shqipnis)”, 2011. Me nismën e nipit të vet, Eugjen Merlika, iu botua tërësia e letërkëmbimeve që kishte përgjatë viteve të mërgatës së fundit.
Shih edhe
Wiki Libri: Vëzhgime Iliro-Shqiptare përkthyer nga Mustafa Merlika-Kruja [27]
Referencat
- ^ a b Pandelejmoni E.P., “Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958)” kujd. prof. Ardian Ndrecës fq. 56-58, Botime Françeskane. I. Mbiemni u ndryshue nga Merlika në Kruja me kërkesë të vetë Mustafës Ministrit të Drejtësisë, Hasan Dostit të qeverisë së tij. II. AQSH, Fondi 37 (Mustafa Kruja), Viti 1940, Dosja 11, Fl1-13. Në fund të dokumentit me ngjyrë rozë është firmosur me dorëshkrim vetëm gërma K (biografia është e daktilografuar). Mendohet nga stili i shkrimit, prej studjueses, se âshtë shkrue nga vetë Mustafa Merlika-Kruja, ose nga Ernest Koliqi.
- ^ (Italisht) Skeda e M. Krujës në sitin e Senatit italian.
- ^ a b c Kruja M., Nji Përvjetor – Carrara, 21 nândor 1945, përkthyer nga Eugjen Merlika, Tiranë: Shqiptarja.com (suplementi “Rilindasi”), 24 nëntor 2013.
- ^ a b Kruja M., «Shqiptari» i 1912-s e shqiptarizma në qarkun e Durrësit, Revista «Shêjzat» 1973.
- ^Merlika E., “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”, OMSCA-1, 2012.
- ^Testamenti i Mustafa Krujës, në Shêjzat, 1959 (III), n. 11-12, fq. 382.
- ^ a b c d e Letërkëmbimi Kruja-Margjokaj, shtëpia botuese “Camaj-Pipa”, Shkodër 2006.
- ^“Fjalori enciklopedik shqiptar”, 2008, fq. 1362.
- ^ Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 – Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005 fq. 13-14.
- ^ Vllamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Neraida, 2000.
- ^ Çefa K., Palaj – Kruja: Ta shpëtojmë Shqipërinë, këtë Zvicër të Ballkanit, Gazeta shqiptare, 17 maj 2009.
- ^ Vlora Bej E., “Kujtime 1885-1925”, Botime “IDK”.
- ^Ora e Shqipnisë, 10 Kallnduer (shkurt) 1928.
- ^ Shantoja L., “Mustafa Merlika Kruja”, Tomori, 19 dhjetor 1941 (II).
- ^ (Italisht) Perla L., Rassegna Storica Del Risorgimento, 49 (1962), n. 3, fq.444.
- ^Shamku-Shkreli L.,”Mustafa Kruja mes Thamusit dhe Derridàs Për herë të parë. Një Mustafa Kruja me anën e panjohur të gjuhëtarit”, Shekulli. – Nr. 2078, 14 tetor, 2007, f. 14 – 15.
- ^Merlika E., Kosova dhe Mustafa Kruja – Një dyshe e përjetëshme, gazetadielli.com 7 shtator 2014.
- ^Ciano G., Diario 1937-1943, kujdes. prej R. De Felice, Rizzoli, Milano 1963, data 11 nëntor 1941, fq. 556.
- ^ Umiltà C., “Jugoslavia e Albania”, Memorie di un diplomatico, Milano, Garzanti, 1948, fq, 147.
- ^Jacomoni F., “La politica dell’Italia in Albania, nelle testimonianze del Luogotente del Re Francesco Jacomoni di San Savino”, Cappelli Editore, Rocca San Casciano 1965, fq. 138.
- ^ Montanelli I., Një burrë, Corriere della sera, 21 maj 1942. Marrë nga Anthologji Historike – Shkrime e Perkthime nga Mustafa Kruja. Kujdesë nga Bashkim Merlika dhe Roland Sejko, Sejko, Elbasan 2001.
- ^ Ndreca A., Mustafa Merlika Kruja, figurë e ndritun e shkencës shqiptare: në 121 vjetorin e lindjes, 55. – Nr. 73, 17 mars, 2008, f. 15.
- ^Marko P., “Intervistë me vetveten” (Retë dhe gurët), “OMSCA”, Tiranë 2000.
- ^Valentini G., “Mustafa Kruja come studioso”, në Shêjzat, 1959 (III), n. 1-2, fq. 5.
- ^ Lok Limthi, “Mustafa Kruja. Perendoi mâ i Ndritëshmi Hyllë i Nacjonalizmës Shqiptare”, në Shêjzat, 1959 (III), n. 1-2, fq. 8.
- ^Shamku-Shkreli L., “Zbulohet fjalori i rrallë i Mustafa Krujës: trinija metodike e Krujës: daktiloshkrimi prej 260 fletësh”, Gazeta shqiptare (“Milosao”, suplement). – Nr. 4442, 28 dhjetor, 2008, f. XIII – XV.
- ^ Dr. Von Thalloczy L., Vëzhgime Iliro-Shqiptare, përkthyer nga Mustafa Merlika-Kruja, “Phoenix”, 2004.
Komentet