Pianodrom Festival i 6 dhe i fundit i edicionit të dhjetë.
Një përzgjedhje strategjike nga Presidenti i festivalit A. Peçi, si një pikë kulmore në mbyllje të edicionit të dhjetë, pas pesë koncerteve të suksesshme. Në renditjen e të cilit nata finale, e realizuar për herë të parë në rrugëtimin e këtij eventi, në Sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, do të shënonte një triumf të vërtetë muzikor. I sigurt në bindjen e tij, por dhe jo vetëm, se pianisti me talentin jo të zakonshëm, do të linte gjurmë të pashlyeshme e do të shenjonte në shpirt e mendje të publikut veç kënaqësisë edhe ndjenjën e krenarisë kombëtare.
Në fushën e interpretimit përcaktimet e talentit nuk kanë limite.
Ka shumë instrumentistë të talentuar, madje shumë të mirë, që luajnë gjithë virtuozitet, por ata që derdhin pasurinë e “ ngjyrave “ të shpirtit në tinguj, bëjnë diferencën dhe Kosti Deti i përket kësaj kategorie.
Në botën e madhe të artit muzikor, mes instrumentisteve të pafund në konkurse prestigjioze, ku konkurenca preson çfrenueshëm tension, pianisti shqiptar i vetëm me talentin e tij fiton trofetë e shumë çmimeve. Nga sivia e ngjeshur, 50 çmime Kombëtare e Ndërkombëtare, ku të pasqyruara konkretisht janë vetëm 9 prej tyre, bie në sy që këto të fundit janë marrë brenda kufijve të tre viteve. Nuk është vendi, por s’mund të mos përfshi disa prej tyre.
Medalje të artë në “Amadeus International Competition 2022-Vienna. Çmimi i dytë në “BTHVN International Competition 2022- Vienna. Grand Prix në “Valletta International Piano Competition”- Malt, 2020. Çmimi i parë në “International Instrumental Music Competition in honore of Arthur Rubinstein”- Toronto, Kanada, 2021. Çmimi i dytë në ” Franz Liszt International Piano Competition”-Spanjë, 2021. Çmimi i parë në ”Paris International Music Competition- 6 th Edition” Francë, 2022. Grand Prix ” London Clasical Music” Angli, 2021. Çmimi i dytë në “International Instrumental Moscow Music Competition- Moskë, Rusi, 2019 etje.
Është befasuese, kur pjesëmerrja në konkurse bashkëshoqërohet me një aktivitet koncertesh në gjithë Europën e më tej, në salla po ashtu prestigjioze si; në Musikverein, Vienna, Royal Palas in Lisbon “ De Foz”, National Theatre in Porto “ Antonio De Malia”, National Hall in Vilnius Lithuania, University of Performing Arts Vienna, Boston Coservatory in the United State.
Cilësur si “ Vullkani Shqiptar” nga kritika- Kostantin Boginjo, muzikant.
Pas diplomimit në Bachelor e Master në Piano Performance në Konservatorin “Giuseppe Tartini” në Itali, nën drejtimin e Prof. Tereza Trevisan, ambicjet e pianistit dhe endra e tij ishte qyteti i artit, Vjena. Aktualisht vijon studimet e Masterit të dytë në Piano Performance dhe njëkohëshit Muzikë Dhome në Universitetin e Arteve dhe Muzike-Vienna, nën drejtimin përkatësisht të Profesorëve Markus Prause( piano) e Denise Benda, Evgeny Sinaisky. Në vitin 2022 pëzgjidhet bashkë me katër pianistë të tjerë konkurentë nga e gjithë bota, në “Saline Royale Academy” në Francë për të marrë mësime nga Dmitri Alexeev, një nga pisnistët më të vlerësuar në botë.
E shohim të arsyeshëm të nënvizojmë edhe kontributin e pedagogjisë shqiptare deri ne moshën 20 vjeçare. Ashtu siç nëna mëkon me gji foshnjen, me të njëjtën dashuri mësuesja Anita Vezuli i vuri duart drejt profesionalisht në piano katër vjeçarit, duke i nxitur dashurinë për muzikën dhe vullnetin për studim, deri në klasën e pestë. Më pas shkollimi i tij vijon me Zana Ngjelën me të cilën diplomohet në shkollën e muzikës “ Tefta Tashko Koço” Korçë. Fillon studimet e larta në Universitetin e Arteve në klasën e drejtuar nga Profesor Nora Çashku, që jo vetëm vlerësoi talentin, por nxiti bukur fantazinë e tij krijuese, duke i dhënë liri shprehjes së individualitetit.
Këtij background-i artistik i besoi Aleksandër Peçi, që e fton për të katërtën herë në Pianodrom Festival, duke i besuar performancat premierë të disa veprave të tij pianistike.
Nga Baroku deri në shekullin XXI shtrihet harku kohor i programit. Ne që besuam mbi bazën e njohjes, por dhe të gjithë pjesëmarresit në salle, na mrekulloi me aftesitë e tij virtuoze teknike, kulturën e rafinuar, por mbi të gjitha me pasurinë shpirtërore të përjetimit individual të pa përsëritshëm.
Koncerti në fillim na ofroi, shijen estetike të Barokut me Sonatë në D minor L. 108 ( Moderato-Allegro)- Scarlatti. Veç tê tjerave kompozitori krijoi 555 sonata për klaviçembalo, nga të cilat kjo sonatë është nga më delikatet e stilit të tij. Duhet sqaruar se koncepti sonate, në atë periudhë kuptonte një vepër për instrument. Kuptimi i termit modern lidhet me gjininë dhe strukturën formale, që presupozon një dramaturgji të zhvilluar. Por kjo sonatë i përket shkullit XVII, vigjilja e muzikës laike mbështetur në sistemin tonal, ndaj vepra estetikisht organizohet bukur në thjeshtësinë dritë-hije të rrjedhës së tingujve. Pikërisht këtu qëndron edhe vështirësia e interpretuesit për të qënë i përmbajtur emocionalisht e brenda kërkesave stilistike. Në interpretimin e saj, veçanërisht tek Moderato, pianisti tregoi kujdes në ruajtjen e karakterit narativ të veprës duke luajtur me cilësinë e tingullit delikat e kontrastet e buta dinamike, por në qëndrimin e mbajtur u ndje edhe tendenca për t’i dhënë një tingëllim më të afruar në kohë, përshtatur fantazisë dhe imagjinatës së tij. Allegro kaloi mjaft rrjedhshëm ku u demonstrua teknika brilante.
Koncerti vijoi me Moment Musikal nr 3 në F. Minor- F.Schubert.( Allegro Moderato). Krijuar rreth viteve të fundit të jetës,( 1823) ato u botuan nga Leidesdorf në Viene më 1828. Kompoxitori u frymëzua duke u ndikuar thellë nga impromtus op 7 të Jan Vacklev Vorisck. Në krijimtarinë e Schubert-it ēshtë më pikantja e gjëndjes së trishtuar shpirtërore në këtë cikël prej gjashtë pjesësh. Karakteristika e saj është shprehja e pastër e një ndërthurje mes individualitetit të kompozitorit dhe motiveve popullore të vendeve fqinje të Austrisë, por në përshtatje të shijes aristokrate vieneze. Në interpretimin e saj Kosti Deti i la rrugë të lirë frymëzimit dukë na përfshirë emocionalisht me bukurinë e frazimit të ndjerë muzikor dhe kualitetin e tingullit në shërbim të përmbajtjes, me kontraste dinamike tepër të përkora artistike e finesë vjeneze.
Sonata nr2 op 14 në D minor e Sergay Prokofiev me kohët ( Allegro ma non troppo, Allegro Marcato, Andante, Vivaçe) u krijua në vitin 1912 dhe u perfomua nga vetë kompozitori në Moskë në vitin 1914. Është një nga kryeveprat e kompozitorit. Dedikuar mikut të tij Maksimilian Schmidthaf, i cili bëri vetëvrasje. Ndaj gjatë gjithë veprës vihet re dualizmi i tejskajshëm i gjëndjes së rënduar emotive e psikike të tij me një kompleks ndjesish jetësore plot kontraste lirike, humoristike, shprese, e deri sarkastike të cilat përfundojnë në kolaps. Sonata si strukture formale dhe tematike mban lidhje me traditën romantike. Por njëkohshëm dallon me qartësi qëndrimi individual po aq edhe tendeca modernee e gjuhës muzikore . Premierë në Shqipëri, Kosti Deti përcolli me interpretimin e thellë e me vërtetësi tërësinë e ideve, ku krahas lojës së frymëzuar dhe imagjinatës së pasur, qartazi u vu re dhe qëndrimi i mbajtur intelektual. Me kontraste të forta dinamike, gati gati shokuese, nga pianisimo deri ne tre forte, me nënvizime artistike karakteresh muzikore, deri në shprehjen e revoltës e protestës së thellë nga koha në kohë e manjetizoi publikun, i cili e duartrokiti gjatë.
Krejt ndryshe personaliteti i këtij talenti u psqyrua në Rapsodinë nr 6 në D flat Major- Franz Liszt. Një nga më të famshet, që bën pjesë në repertorin e pianistëve virtuozë për strukturën e saj të veçantë, të ndarë në katër pjesë ( Introducione- Tempo Giosto- Presto Alla Cigana – Andante – Adlibitum Friska) po edhe për shkallën e jashtëzakonshme të vështirësisë teknike. Në intrpretimin e veprës si një e tërë pianisti na rrembeu në mënyrë të rufeshme me përdorimin sfidues të teknikës virtuoze, me pastërtinë e kristaltë të tingullit, me pasazhe të ritmuara në tempe jashtezakonisht të shpejtë, me oktava përsëritëse paralele mahnitëse për saktësinë, por edhe këtu qartazi u pershfaq aftesia përgjithësuese e karakterit të saj me kontraste të mrekullueshme emocionale. Publiku i befasuar nga mrekullia e lojës e priti me duartokitje frenetike te zgjatura.
E për ta zbutur efektin shokues programi vijoi me pjesën e parë Ruine d’un chateu, nga cikli Suvenir de Hapsal. op 2- Tshaikovsky. Vepra e parë për piano solo shkruar në verën e vitit 1867, ndërsa qëndronte në vendpushimin estonez të Hapsalit. Pjesa e parë e strukturës me ngjyra melankolie shpreh gjëndjen e rënduar e të pa shpresë të kompozitorit. Një monolog emocional me veten, që ngre pyetje e merr përgjigje pesimiste. Në kontrast, pjesa e mesit e strukturës krijon një atmosferë të gëzuar, duke shfrytëzuar temën e një valleje ruse tradicionale, por që shpejt fundi rikthen gjëndjen e mëparëshme. Si një perlë të bukur artistike e trajtoi Kosti, aq sa mbante pjesa, pa e rënduar artificialisht gjëndjen e saj. Ndërsa midisi u karakterizua me thjeshtesi e natyrshmërinë skercoze .
Në interpretimin e pesë veprave të mësipërme ndihej kujdesi i pianistit për një lojë tepër të rafinuar e me gjetje artistike fine e të ekuilibruar, ndonëse i personalizuar. Me sa duket është pasojë e përshtatjes ndaj kërkesave estetike sipas shijes së hollë e të përkorë të publikut vjenez.
Por në tri veprat shqiptare që vijuan programin ky kujdes s’ekzistojë më. I çliruar prej saj mundi të shpalosë gjithë hapsirën e mundëshme të shprehjes e lirise personale në perceptimin e tyre estetik e artistik. Humoreska e Zadejës ndër dekada ka njohur intrepretime mjaf të mira, po kurrë në nivelin që e dëgjuam sonte me dimensionin e një vepre plotësisht dinjitoze e të thekshme në zbulimin esencial të psihikës e karakterit kombëtar.
Historia e muzikës njeh raste jo të ralla instrumentistësh që përmes gjenialitetit arrijnë të tejkalojnë me interpretimet e tyre pritshmëritë edhe të vetë krijuesit.
Me po të njējtin qëndrim hipnotizues dhe befasues u trajtuan edhe dy veprat e tjera Sonata nr 4 Kabacells dy kohë (Kaba – Allegro) A. Peçi dhe Tokata për piano F. Ibrahimi.
Sonata e Peçit realizohet prej tij për herë të dytë në Shqipëri, duke njohur edhe dy herë të tjera jashtë saj nē vitin 2019 Trieste – Itali dhe 2022 Vjenna- Austri. Frymëzuar nga kabaja për klarinetë, dhe mbështetur në metodēn e tij krijuese kabaizmin vepra, si koncept e gjuhë perfaqëson tendencën më moderne në muzikë dhe kërkon zotërim interpretativ të jashtëzaknshëm teknik. Aftësia gjeniale e Kosti Detit në realizimin e saj qëndron në faktin e orientimit të qartë e me sens artistik të dëgjuesit, jo vetëm duke e lenë pa frymë në kapërximin me lehtësi e fare natyrshëm të vēshtirësive teknike, por edhe të nēnvizimit të sekuencave të rralla melodike me domethënie emocionale. Janë këto pika takimi me intonacionet e kabasë popullore, por edhe tē celulës bazë formëformuese teknike të strukturës së veprës. Zotërimi i njē arsenali teknik virtuozë i shërbeu gjatë lojës gjithë përfshirjes ideoemocionale, kalomit nga një gjëndje tek tjetra. Meditimi i thellë alternohet me shpërthime të magjishme dramatike me kontraste ekstreme dinamikash e ritme te frikëshme shpejtësie. Ndaj e kanë cilësur vullkan, tajfun alien.
E njëjta përgjegjësi artistike e thellësi shpirtërore u mbajt edhe ndaj tokatēs së Ibrahimit. Fare i përveçëm i zbuloi kënde të tjera prizmit emocional të veprës. Ishte një goditje tokateske e rëndë burrerore që e tejkalonte lojën e thjeshtè, duke marrë karakteristika përgjithēsuese të valleve të veriut në pjesën e parë të strukturës, gërshetuar me pjesën e mesit me një kontrast sa estetik po aq dhe artistik.
Në të gjitha veprat, po në veçanti ato Shqiptaret, mbrëme e më parë, loja e tij është e beftë plot të papritura njëra më interesante se tjetra. Duket sikur burojnë spontanisht, e në rrjedhën e tingujve ushqejnë e frymëzojnē gjithë kohës duke gjeneruar e mbajtur të tërhequr maksimalisht vemendjen e publikut.
Ndaj vlerësimi i tiji ishte i tille sa që pas disa dalje përshēndetjeje u imponua të luante bis nje pjese nga Suita Peer Gynt e kompozitorit norvegjez Edvard Grieg. .
Pianisti Kosti Deti me qëndrimin e mbajtur në realizimin e pērsosur artistik te tri veprave shqiptare Zadeja, Peçi, Ibrahimi, 3 figura përfaqësuese të periudhave të ndryshme krijimi në zhvillimin e muzikës sonë ju dha atyre vlerë botërore tingëllimi.
Shqipëria duhet të ndihet krenar me artistë të tillë. FALEMINDERIT!
Komentet