Gjatë 12 muajve të fundit, depozitat në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri kanë rënë me 250 milionë euro. Shifra raportohet nga revista Monitor, e cila i referohet të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë.
Në qershor 2016, depozitat me afat në lekë të individëve ishin 311 miliardë lekë, me një rënie prej 10% me bazë vjetore.
Shkak i tërheqjes së kursimeve nga bankat llogaritet të jetë ulja e normave të interesit që bankat i japin klientëve depozitues.
Për kursimet me afat 1 vjeçar, norma mesatare e interesit që bankat ofrojnë për depozituesit ishte vetëm 0.73% në qershor, nga 0.84% muajin e mëparshëm. Në qershor të një viti më parë, kthimi mesatar ishte 1.45%.
Kjo rënie e fitimeve nga depozitat ka ardhur si rrjedhojë e politikës lehtësuese monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, që ka ulur 15 herë normën bazë (që shërben si refencë në treg) nga shtatori 2011, duke e zbritur nga 5.25% në 1.25% aktualisht”, raporton Monitor.
Sipas medias, reagimi i individëve është në forma të ndryshme. Një pjesë e depozituesve ka zgjedhur të vazhdojë të lërë paratë në banka, por duike kaluar në depozita me kohë të gjatë dhe interes më të madh.
Maksimumi i interesit vjetor që sot mund të marrësh në një bankë është rreth 3%, por për këtë duhet t’i mbyllësh kursimet për 5 vjet.
Shumë të tjerë kanë preferuar zgjedhje alternative, duke iu drejtuar fondeve të investimeve, bursave on-line apo japin para me fajde.
Këto janë mënyra të qarkullimit të parasë herë formale dhe herë informale, të cilat sigurojnë fitime më të mëdha se interesat bankare, por kanë edhe riskun më të lartë. / HashtagAL
Komentet