PRENK CALI (1872 – 1945)
Atë ditë të zezë, me 25 Mars 1945, një afishe e madhe kujtohet ndër murët e qytetit martir të Shkodrës, vu nga komunistët barbar’ e vrastarë:
“PUSHKATOHEN KRIMINELAT E LUFTËS
DHE ARMIQTË E POPULLIT:
1.Prenk Cali 2. Dom Ndre Zadeja 3. Luigj Gjeto Kastrati
4. Ndok Nik Bardhoku 5. Ndrekë Loka 6. Arif Selim Hyseni
7. Dedë Lulash Smajli 8. Gjok Nikaj 9. Dul Bajrami
10. Mark Luc Gjoni 11. Tomë Lekë Daka 12. Maliq Bajrami
13. Gjok Nikoll Voci 14. Pjetër Dedë Gjedashi.”
“Ideali që i bashkonte këta Burra ishte: “Rrnoftë Shqipnia!”
Forcat e Ndjekjes të drejtueme nga Mehmet Shehu u thyen në Selcë e u drejtuen nga Kopliku, ku u bashkuen me forcat jugosllave e i rane mbas shpine Malsorve. Ata vrane 118 Burra dhe trupat e tyne i hollen në prroje e gropa paemna. Ndersa me Prenk Calin u vrane edhe 13 Burra të tjerë.
Vrasja e këtyne Atdhetarëve të kryesuem nga Prenk Cali në Shkoder, hapi vrasjet në grupe nga komunistët e pangopun me gjak Shqiptarësh.
Fatkeqsisht këta pushkatime nuk janë të kjarta në dosjet që ruhen sot nga Sigurimi i shtetit, se asnjeni nuk ka arsyen e saktë të pushkatimit?
Kush vendosi per këta vrasje dhe pse u pushkatuene këta Shqiptarë?!
3 nëntor 1891 – 25 mars 1945
Vrasja e fshatarit KOL NURI SHELDIJA, vjeç 45, nga fshati Sheldi e Shkodrës, hapë një kapitull të mnershem per Shkodren tonë Martire.
Kol Sheldija deklaron para trupit gjykues: “Jam arrestue kur asht kapë Don Lazër Shantoja, kam strehue Don Lazrin për 26-27 ditë, nuk e ka dijtë kush se Don Lazri asht tek unë, vetëm Lush Hila. Kam kenë 17 vjeç shërbëtor në shtëpi të Don Lazrit. Në ditën e vjetit të ri më ka ardhë në shtëpinë teme Don Lazër Shantoja, dhe e kam mbajtë deri atë ditë që erdhën dhe e zunë partizanët në shtëpi, dhe i kam dhanë bukë gjatë qëndrimit. Ai ato ditë ka pritë me u dorzue.” (Oficeri pyetës: Lako Polona e Skënder Hysi, Proçes-verbali datë 27 janar 1945.)
Gjyqi zhvillohet me dt. 29-31 janar 1945, pra, dy ditë mbas arrestimit dhe trupi gjykues i përbamë prej: Kryetar, Esat Ndreu, antarë, Mustafa Iljazi e Hysni Lame, prokuror Sotir Dodona, japin vendimin per Kol Sheldinë me datën 31 janar 1945: “Me vdekje, me pushkatim.”
Kryetari i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, Esat Ndreu, njofton Kryesinë e Gjykatës Usht. në Tiranë, me datën 26 shkurt 1945 (nr. prot. 6/100): “…I dënuari Kol Sheldija u ekzekutua në këtë qytet me datën 2 shkurt 1945”. Gjykata e Lartë Ushtarake në Tiranë në shkresën nr. 22, njofton Gjykatën Ushtarake të Shkodrës se, mori në shqyrtim aktet e të paditurit Kol Sheldija, i cili është dënuar me akt nr.14, dt. 31 janar 1945, dhe “vendosi dënimin me vdekje, me pushkatim”, Tiranë 28 shkurt 1945, Kryetari Gaqo Floqi d.v., antarë, F. Nosi d.v. dhe V. Zejneli d.v., prokuror Myftar Tare d.v. 26 ditë mbas pushkatimit të Kol Sheldisë, gjykata aprovon ekzekutimin e tij…Kol Nuri Sheldija u pushkatue vetëm pse i dha bukë Don Lazër Shantojës.
Vrasja e Kol Sheldisë hapë Dosjen tjeter të hetimeve per Klerikun:
DON NDRÉ ZADÊJA: I cili kur do të pushkatohej i ndjeri Kolë Sheldija me datën 2 shkurt 1945, në fshatin Sheldi, u thirr bashkë me popull edhe prifti Don Ndre Zadeja, i cili, menjëherë mbas pushkatimit të Kolës, ju afrue, i bani Shartët e Fundit dhe porsa u ngrit në kambë, pau vedin me pranga ndër duer nga forcat e Ndjekjes. Arrestohhet edhe Dom Ndreu.
Don Mikel Koliqi atëherë i arrestuem, më tregonte në vitin 1993: “Si tash e kam ndër veshë të inçizuem zanin e të shkretit Don Ndre, kur po e torturonin, ai asht torturue shumë dhe po u thonte atyne: “Mohni bre kështu, po a ban shqiptari në shqiptarin shka jeni tue ba ju në mue!?”
Don Ndreu akuzohet se ka pasë dijeni për vendqëndrimin e Don Lazër Shantojës, Don Alfons Trackit, Kol Ashikut, Martin Sheldisë, Gjovalin Sheldisë, Ndoc Jakovës, Gjok Gjergjit (prej Lisnet) dhe Zef Augustinit (prej Lisnet), të tre të fundit “dëzertor” nga ushtria.
Njëkohësisht Don Ndreu akuzohet se ka mbajtë lidhje të ngushta me Don Injac Gjokën, i cili strehon dhe përcjellë ndër shpella “kriminela” të luftës. Don Ndreu mohon akuzën që i bahet por burrnisht pranon:
“Mësova se punohët për shuemjen e Partisë Komuniste, të cilën si doktrinë e urrej edhe unë.” (Dosja 667, deklarue më 7 shkurt 1945, Don Ndre Zadeja d.v.).
Gjykata Ushtarake e Shkodrës e përbame nga: kryetari Hamid Keçi, antarë, Mustafa Iljazi dhe Arif Gjyli, prokuror Sotir Dodona dhe sekretari Shaban Kuçi, me datën 16 shkurt 1945 dha vëndimin:
“Për të pandehurin Dom Ndre Zadeja, me vdekje, me pushkatim”.
“I pandehuri kërkoi lehtësimin e dënimit.”
Gjykata e Lartë Ushtarake, Tiranë, me datën 28 shkurt 1945, refuzon kërkesën. Don Ndre Zadeja u pushkatue më 25 mars 1945, në Zallin e Kirit, mbas murit të vorreve të Rëmajit, në Shkodër.
Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: “Ah, moj Shqipni, moj mizore e, shka të baj ma shumë për ty?!”. Ndër pushkatimet e ditëve të para lejohej prifti. Në këtë rasë ishte aty Don Tomë Laca, i cili mbas pushkatimit e mori në krah Don Ndreun e vramë, (me leje të Sheuqet Peçit) dhe bashkë me xhakonin Mark Çuni dhe dy të tjerë, e kanë varrosë mbrenda vorreve të Rrëmajit, aty ku asht edhe sot. Kur Don Toma shkoi në Argjipeshkvi aty nga ora 7.00, pau veladonin e lamë me gjakun e Don Ndreut prej supit ku e kishte mbështetë e deri në fund të kambëve, dhe aty për aty i ka ra të fikët. Prej atij çasti ai ka pësue një sëmundje nervore nga e cila nuk asht shërue kurrma. (Si mbas tregimit të Don Mikel Koliqit, 1993).
Hapja e Dosjes së Prenk Calit dhe e Don Ndre Zadejës me epitetet e vume në afishet e mureve të Shkodres: “PUSHKATOHEN KRIMINELAT E LUFTËS DHE ARMIQTË E POPULLIT: as sot nuk i pershtatet asnjenes nga Figurat e Nderueme që ekzekutohen nga sherbëtorët e Jugosllavisë së Titos, dhe kriminelat e zgjedhun prej tyne per zbatimin e atyne krimeve terroristat vrastarë e antishqiptar Ever Hoxha e Mehmet Shehu.
Prej vrasjeve të para nga forcat e Ndjekjes nder Malësitë e Veriut e deri sot nga këta vrastarë terrorista komunista, nuk gjejmë asnjë pushkatim që asht krye me fakte e dokumenta të sakta, perveç atyne vrasjeve që ka ba Ever Hoxha në bashkpuntorët e vet tradhëtarë t’ Atdheut e t’ Popullit!
E po mos ti bante ai ato vrasje, nuk besoj se do ti vriste ata kush mbas tij!
Ndoshta, kjo asht arsyeja që Everit nuk i preken as tituj e as dekorata!
Sot, Populli Shqiptar duhet të percaktojnë Rrugen Demokratike sa nuk asht vonë, mbasi zvarrisja sjellë vetem pasoja shperbamjet e shkatrrimit!
E mos harroni pra se Ky Don Ndre Zadeja, asht autor i njenes nder Tri Kryeveprat Botnore të “Letrave të Hapuna” në Europen Përendimore!
Kujtoni se: Pa Rini Shqiptare nuk ka me pasë shumë shpejtë as Shqipni!
Melbourne, 24 Mars 2024.