James Joseph Brown, Jr.( 3 Maj 1933- 25 Dhjetor 2006), i njohur si James Brown (Babai i muzikës Soul) ishte një Afrikano-Amerikan që njihet si një nga figurat më me influencë të muzikës popullore. Profili i tij ishte i shumanshëm, ai ishte njëkohësisht këngëtar, kompozitar, lider i një grupi muzikor, producent, ai ka pasur një rol të madh në evoluimin e muzikës gospel dhe rhythm & blues në soul dhe funk. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në disa gjini të muzikës përfshirë atë rok, xhaz, reaggae, disko, dans, muzikë elektronike, afrobeat dhe hip-hop.
Brown e filloi karierën e tij muzikore më 1953 dhe famën e arriti në fund të viteve ’50 dhe fillim të viteve ’60, ku dominoi skenën me performancën e tij. Hitet e tij ishin një eveniment edhe përgjatë viteve ’80. Në vitet ’60 dhe ’70 Brown ishte aktivist politik, dhe në emër të Afrikano-Amerikanëve ai mbështeti të varfërit dhe Presidentin Richard Nixon. Gjatë karierës së tij të gjatë, Brown ka fituar një nderime dhe çmime pa fund. Ai ishte i pakrahasueshëm me vokalet e tij ulëritëse, kërcimin e ethshëm dhe stilin e tij ritmik unik.
Brown ka lindur në një qytet të vogël, Barnwell në Karolinën e Jugut si James Joseph Brown, Jr; ndërsa kur u bë artist i famshëm emri i tij u reduktua në akroniminë (nistoret ) JB. Familja e Brown lëvizi në Augusta, të shtetit Xhorxhia. Gjatë fëmijërisë së tij, Brown i ndihmonte familjes duke mbledhur pambuk dhe duke punuar si lustraxhi, ndërkohë që ushtronte aktivitet vagabondazhi. Në moshën 16 vjeçare ai u dërgua në një burg të rinjsh, ku qëndroi atje vetëm tri vjet duke u liruar me kusht. Gjatë kësaj kohe Brown nuk u kthye në Augusta, por kërkoi një punë. Pasi provoi boksierin dhe beizbollin, Brown gjithë energjitë e tij ia kushtoi muzikës.
Interesat e tij, siç është tipike për djemtë e rrugëve, bëhen sporti dhe muzika. Në mënyrë të veçantë, qëkur ishte i vogël ai çmendej për muzikës Gospel (të cilën e dëgjonte në kishë ), muzikën swing dhel Rhythm & Blues.
Kur ishte trembëdhjetë vjeç ai themelon grupin e tij të parë muzikor: “The Flames” (Flakët ), i cili në fund të vitit 1955 kompozonte këngën e parë, “Please, please, please”, shndërruar menjëherë në hit paradë amerikane. Vazhdojnë dy albume me përmbledhje këngësh dhe albume të tjera single si “Night Train”, të cilat arrijnë një sukses të mrekullueshëm, por janë shfaqjet drejtpërdrejt në skenë ato që më së shumti kërkohen nga publiku. Në fakt këto shfaqje janë rastet ku merr flatra dalldia prej bishe e James Brown, duke u shndërruar në orgji (ahengje ) madhështore kolektive të lëvizjeve dhe ritmeve. Në vitin 1962 ai do të regjistrohej në Apollo Theater, çka do t’i japë jetë albumit “Live at the Apollo” (Drejtpërdrejt në Apollo ) duke u bërë një best seller.
Brown përfshiu në grupin e tij muzikanë dhe orkestrues (aranzhues ) të cilët kishin kaluar nëpër traditën e muzikës xhaz (jazz ). Ai u bë i njohur për aftësinë e tij si lider grupi dhe kompozitor këngësh që ndërthurte me aftësi dhe shkëlqim muzikën R&B me larminë dhe saktësinë e muzikës xhaz. Trumpetistë si Lewis Hamlin dhe saksofonista si Alfred “Pee Wee” Ellis (vazhdues i liderit të mëparshëm të grupit, Nat Jones) ia dhnaë tonet grupit; kitaristë si Jimmy Nolen sillnin diçka të re në çdo këngë; loja solo e një saksofonisti si Maceo Parker u bë qendër e çdo realizimi muzikor. Anëtarë të tjerë të grupit të Brown përfshinin këngëtarin Bobby Byrd; daulletarët John “Jabo” Starks, Clyde Stubblefield dhe Melvin Parker (vëllai i Maceo ) saksofonisti St. Clair Pinckney; trombonisti Fred Wesely; kitaristi Alphonso “Country” Kellum; dhe basisti Bernard Odum.
Në vitin 1964 kënga “Out of Sight” (Larg sysh ) ngjitet në kreun e klasifikimeve të industrisë muzikore dhe vitin në vazhdim “Papa’s Got a Brand New Bag” (Babai ka marrë një thes flaktë ri ) dhe “I Got You (I Feel Good)” konsolidojnë karrierën e James Brown. Po atë vit publikohet albumi single “It’s a Man Man’s World” dhe James Brown bëhet “Soul Brother N°1” në krye të lëvizjes për të drejtat e zezakëve të quajtur “Black Power”. Pas ngjarjeve që çuan në vdekjen e Martin Luther King Jr, në jehonë vullkaniku James ua dhuron afro-amerikanëve himnin e tyre “Say It Loud – I’m Black and I’m Proud” (Thuaja me zë të lartë: jam zezak dhe jam krenar ).
Vitet 1970 e shohin atë prapë si protagonist të hatashëm të plot tetë albumeve të suksesshëm: pas një vargu këngësh që e mbajnë pamungueshëm në krye të klasifikimit të industrisë muzikore, James Brown kurorëzohet si “The Godfather of Soul” (Kumbara, babai shpirtëror, I muzikës soul ). Në vitet 1980 interpreton pjesën e predikuesit në të famshmin “The Blues Brothers” të John Landis, me John Belushi dhe Dan Aykroyd ) dhe luan në filmin “Rocky IV me Sylvester Stallone, me këngën “Living in America”. Për të mos i munguar asnjë fushe të veprimtarisë muzikore ai këndon edhe me Luciano Pavarotti në veprimtarinë e tij spektakolare “Pavarotti & Friends”: bën duet me tenorin në këngën “It’s a Man Man’s World” dhe publiku tralliset.
Nga vitet 1970 shumë nga anëtarët e grupit klasik të James Brown të viteve 1960 u larguan nga grupi për të ndjekur rrugët e tyre. Ai dhe Bobby Byrd krijuan një grup të ri që përfshinte të mëdhenjtë e muzikës së ardhshme funk, si basisi Bootsy Collins. Vëllai kitaris ti Collins, Phelps “Catfish” Collins, dhe trombonistin e drejtorin muzikor Fred Wesley. Ky grup i ri u quajt “TheJB’s” dhe patën debutin e tyre me albumin single të vitit 1970 të Brwon “(Get Up I Feel Like Being a) Sex Machine” – (Çohu, unë ndjehem sikur jam një ) Makinë Seksi”. Edhe pse do të pësonte ndryshime gjatë kohës, grupi The JB’s mbetet grupi muzikor më familjar që mbështeti Brown.
Teksa perandoria muzikore e Brown rritej (ai bleu stacione radiosh në fund të viteve 1960; përfshirë WRDW të vendlindjes së tij Augusta, ku ai kishte lyer këpucë kur kishte qenë djalë ), dëshira e tij për pavarësi artistike dhe financiare u rrit po ashtu. Në vitin 1971 ai krijoi shtëpinë e regjistrimeve muzikore Polydor Revords ku realizuan veprat e tyre shumë nga anëtarët dhe ish anëtarët e gruoeve të tij muzikore. Nëpërmjet kësaj veprimtarie ai arriti të shtrijë përherë e më shumë ndikimin e tij në artistët e asaj kohe, çka e pranuan shumë nga më të shquarit e atëhershëm. Shtëpia e tij muzikore ka meritën e nxitjes së disa prej novacioneve më të mëdha të njëzet viteve të fundit. Në vitin 1974 James Brown këndoi në Zaire të Afrikës si pjesë e spektaklit të ndeshjes The Rumble in the Jungle, midis Muhammad Ali dhe George Foreman.
Në mënyrë të njëzëshme ai është përcaktuar si një prej artistëve më të mëdhenj të historisë së muzikës soul: mjafton të përmendim “Night Train” (Treni i natës ) apo “I Feel Good” (Unë ndjehem mirë ) për të kuptuar këtë. James Brown është një ikonë e vërtetë që ka mbisudunuar në lajmet e industrisë muzikore (por edhe rubrikat gosip – thashethemet, si dhe kronikat e zeza !) për më shumë se 40 vjet. Shumë kohë para se të arrinte suksesin ai tashmë thirrej “Mr. Dynamit” (Zotëri Dinamiti ): më vonë ai ka ndërruar shumë emra të artit, si “Soul Brother no.12 (Vëllai Soul No 12 ), “Mr. please please” (Zotëri ju lutem ju lutem ). Ndër të tjera është artisti më i veçantë i historisë së muzikës, nisur nga fakti se janë të shumë ata artistë që jo vetëm që i kanë përdorur kompozimet e tij, por është edhe shumë e vërtetë se kurrë nuk do të ishin afirmuar pa ato.
Nga fundi i viteve 1980, Brown u përball me shumë probleme financiare. Në vitin 1988 ai u arrestua për ngarje me shpejtësi të veturës së tij në Augusta. Ai u burgos për kërcënim me armë kundër këmbësorëve. Edhe pse u dënua me gjashtë vjet ai u lirua më 1991, pasi kishte vuajtur tri vjet të dënimit. Një album i ri i quajtur Love Overdue doli po atë vit dhe një album i ri single, “Move On”. Gjatë viteve 1990 dhe 2000, Brown u arrestua disa herë për mbajtje armësh dhe dhunë shtëpiake. Megjithatë ai vazhdoi të japë koncerte, të nxjerrë albume, të marrë pjesë në emisione televizive dhe në filma si Blues Brothers 2000. Albumi katërvëllimësh i vitit 1991, Star Time, ishte përzgjedhje e karrierës së tij 40 vjeçare. Në vitin 1993 ai nxori albumin e ri Universal James, nga dolën hitet “Can’t Get Any Harder”, “How Long” dhe “Georgia-Lina”. Më 1995, albumi me regjistrime drejtpërdrejt nga skenat e koncerteve Live At The Apollo 1995 do të shoqërohej me këngën e re të regjistruar në studio “Respect Me”. Një album me përzierje, “Hooked on Brown” doli më 1996. Më 1998, James Brown nxori albumin e ri të regjistruar në studio, I’m Back, ku përfshieh hiti “Funk On Ah Roll”. Më 2002 nxori albumin The Next Step, ku është hiti “Killing is Out, School is In”. Brown më 6 korrik 2005 pati duet me këngëtarin britanik Will Young. Po atë vit pati duet me Joss Stone. Para se të vdiste kishte planifikuar të bënte duet me Annie Lennox në fillim të vitit 2007. Më 2006, Brown pati turin e tij botëror “Seven Decades Of Funk World Tour”, i cili do të ishte turi i tij i fundit i koncerteve. Herën e fundit në skenë e pati në festivalin vjetor irlandez të këngës.
Më 24 dhjetor 2006 Brown u pranua në Emory Crawford Long Hospital në Atlanta të Xhorxhias. Pas një vizite te dentisti atij i thanë se duhej të ishte me pneumoni (ftohje ).
Brown vdiq të nesërmen, më 25 dhjetor 2006, në orën 1:45 të mëngjesit nga infarkti, në moshen 73 vjeç. Brown është martuar katër herë. Ai dhe gruaja e tij e fundit, Tommie Raye Hynie, u martuan më 2002, por martesa u anullua. Ata u martuan më 2004 dhe patën një fëmijë bashkë. Brown ka pasur edhe dy fëmijë nga gruaja e parë, Velma Warren, tre të tjerë nga e dyta, Deidre Jenkins. Adrienne Rodriegues, gruaj e tij e tretë, e ka arrestuar Brown katër herë me akuzën për sulme fizike. Rruga ku ai u arrestua për herë të parë për ngarje të shpejtuar të veturës ka marrë më 11 nëntor 1993 emrin “James Brown Boulevard”. Më 6 maj 2005 në 72 vjetorin e lindjes së James Brown, qyteti Augusta zbuloi shtatoren e tij 2 metra e ca të lartë prej bronxi. Shtatorja ishte përgatitur një vit më herët, por në atë kohë ai po vuante dënimin për dhunë shtëpiake. Një vit më vonë, me votë të njëzëshme, qendrës së qytetit iu dha emri James Brown Arena. ELIDA BUÇPAPAJ
Komentet