Data 24 Mars simbolizon përvjetorin e një ngjarjeje të skalitur dhe shenjtëruar me meritë në memorien e historisë sonë kombëtare. Në mbrëmjen e 23 Marsit 1999, misionari i Paqes, ambasadori amerikan , Richard Holbrooke, u kthye nga Beogradi në Bruksel, “fatmirësisht i dështuar” në përpjekjen e fundit diplomatike për të evituar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.
Ditën tjetër, 24 Mars 1999, ose 24 vjet më parë, fuqia ajrore e SHBA dhe NATO-s për herë të parë u angazhuan në një luftë historike “jashtë artikullit 5”, dhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit (OKB-së) duke e legjitimuar njëkohësisht NATO-n si “Aleancën e lirisë dhe të besimit te vlerat demokratike” në mbarë botën.
E parë kështu, 24 Marsi 1999 jo vetëm simbolizon përvjetorin e një ngjarjeje të shënuar në memorien tonë kombëtare, por gjithashtu edhe meriton të skalitet si data e mirënjohjes Kombëtare ndaj fuqisë ushtarake, Aleancës Transatlantike (USA/ NATO) si dhe vlerave perëndimore. Për më tepër, që kjo datë-ngjarje jo vetëm shënoi nisjen e luftës për të gjunjëzuar një kriminel lufte si Millosheviçi, por megjithë përpëlitjet e Ariut-Polar/Rus, kjo datë ndryshoi përjetësisht hartën gjeopolitike të Rajonit, në favor të kombit shqiptar.
Prandaj, kjo ngjarje mbetet pa asnjë mëdyshje edhe një datë e përuljes kombëtare ndaj të rënëve si dhe e nderimit më të thellë ndaj sakrificave të papërshkruara për liri dhe pavarësi të luftëtarëve dhe popullit të Kosovës. Në shtesë, duke e lexuar këtë ngjarje në ditët e sotme, 24 Marsi mbetet një ngjarje me mesazhe shprese për fundin e turpshëm të pushtuesve gjakatarë në Ukrainë, por edhe që: “Rusia – Putiniste do të gjunjëzohet e diskretituar edhe në përballjen me fuqinë ushtarake të USA/NATO-s, por edhe me kredibilitetin dhe interesat gjeopolitike të demokracisë të Aleancës Euroatlantike”!
Në përmbledhje, 24 Marsi jo vetëm që mbetet një ngjarje e lavdishme për Kosovën, por edhe një datë për të na kujtuar neve si komb, që Aleanca Transatlantike (/NATO) meriton mirënjohjen në përjetësi nga mbarë shqiptarët.
* Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO, Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Anëtar i Bordit të “Istrael House” si dhe Ish: Këshilltar i Presidentit të RSh & Zv/ShShPFA, Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në NATO
gsh