Me 23 gusht bie përvjetori i paktit të mossulmimit, nënshkruar nga Bashkimi Sovjetik e Gjermania naziste. Pakti i mossulmit apo i mosluftimit ndërmjet Bashkimit Sovjet e Gjermanisë naziste qe një shok (tronditje) për mbarë botën. Armiqtë e përhershëm të përbetuar, Hitleri e Stalini nënshkruanin këtë marrëveshje për të ndarë së bashku pjesën e mirë të Evropës. Marrëveshja i hapte rrugën e lirë Bashkimit Sovjetik në Finlandë, Estoni, Letoni, Lituani e një pjesë të Polonisë e të Rumanisë, ndërsa Gjermania mund ta zgjaste dorën mbi pjesën tjetër të Polonisë, Danimarkë, Norvegji, Hollandë, Belgjikë, Luksemburg, Francë, Jugosllavi e Greqi. Me pak fjalë bëhej fjalë për një pakt sulmi që do të sjelltë pushim, terror e sundim.
Parlamenti evropian mbështeti propozimin e themelimit të një Dite të memories prezantuar nga mase gjysma e europarlamentarëve. Zyrtarisht quhet “Dita evropiane e memories të viktimave të Stalinizmit e të Nazizmit”.
Një besë e lidhur ndërmjet dy totalitarizmave kryesore, që u thye shumë shpejt, për t’i hapur rrugën konfliktit II botëror. Ishte pra 2 prilli i vitit 2009 kur Parlamenti evropian propozoi që 23 gushti të shpallet Dita Evropiane e viktimave të stalinizmit dhe të nazizmit. Me këtë rast Komisioni i “Drejtësi dhe Paqe” i Konferencës Ipeshkëvnore katolike sllovene i bëri thirrje opinionit publik slloven me anë të një dokumenti, që krahas diktaturës fashiste e naziste të dënojë edhe atë komuniste.
Ditën e 23 gushtit Parlamenti evropian e zgjodhi pikërisht për të propozuar Një Ditë Evropiane në kujtim të viktimave të regjimeve totalitare, pa bërë kurrfarë dallimi ndërmjet tyre. I paanshëm, pra, ky propozim, mbi kuptimin e të cilit flet Ennio di Nolfo, historian e pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universitetit të Torinos:
Përgjigje: – Me sa duket Lufta II Botërore i çrrënjosi me të vërtetë dy nga format më të rëndësishme të totalitarizmit: nazizmin e fashizmin Por nuk duhet harruar se nga kjo luftë, doli i fuqizuar stalinizmi, domethënë komunizmi sovjetik e se, edhe sot e kësaj dite në të katër anët e botës vijojnë të riduken forma të totalitarizmit, më pak ose më shumë të qarta, më pak ose më shumë transparente.
Pyetje: – Ju jeni historian, domethënë profesionist i kujtesës kolektive. Pse kemi nevojë edhe sot t’i kujtojmë viktimat e komunizmit?
Përgjigje: – Në se mund të flitet për ‘nevojë’, kjo ka të bëjë me situata tranzicioni të vështirë, ose me raste kur jemi përballë një fuqie, që përpiqet t’i shtypë të tjerët.
Pyetje: – A mund ta konsiderojmë të rrezikshëm harrimin e totalitarizmave evropiane, që shkatërruan jetën e miliona njerëzve?
Përgjigje: – Unë mendoj se lindja, ekzistenca e Bashkimit Evropian, duhet të jetë një lloj mbrojtjeje, një lloj garancie, që na siguron se format e totalitarizmit nuk duhet të përsëriten kurrë më, as në raste dramatike, domethënë në raste shpërthimi krizash ekonomike ose politike. Por, në se i hedhim një sy mbarë Evropës së integruar, nuk shikojmë asnjë vend në të cilin ka rrezik të lindë një totalitarizëm i ri. Ndoshta në skajet e Evropës, ndërmjet kandidatëve – pa përmendur emra – nuk mungojnë vende, ku totalitarizmi ka bërë fole e ku, në një farë kohe, mund edhe të bëhet pyetja: do të ndjekim rrugën bashkimit, apo të shpërbërjes së brendshme?
Po t’i kthehemi Komisionit “Drejtësi dhe Paqe” të Konferencës Ipeshkëvnore sllovene, që në vitin 2009 i bëri thirrje opinionit publik slloven me anë të një dokumenti, që krahas diktaturës fashiste e naziste të dënojë edhe atë komuniste.
“Ne sllovenët – thuhet në dokumentin e përmendur që mban firmën e Imzot Antonio Stres, kryeipeshkëv ndihmës i Mariborit në vitin 2009 – jemi nga ata popuj evropianë që kanë vuajtur njëlloj nga terrori dhe dhuna fashiste, naziste ashtu si edhe nga ajo komuniste. Por ndërsa dy të parat dënohen me vendosmëri, e treta, ngurrohet të dënohet pa mëdyshje. “Motivet – lexohet në tekstin e ipeshkvijve katolikë të Sllovenisë – janë të ndryshme. I pari është një konstatimin i faktit se komunizmi në Slloveni ka mbetur në pushtet për shumë kohë, duke fshehur fytyrën e vet të vërtetë. I dyti, Parlamenti Evropian është i qartë kur thotë se “asnjë organ politik apo parti politike nuk e ka të drejtën ekskluzive të shpjegimit të historisë” e që “ këto organe e parti nuk mund të pohojnë se janë objektive”.
“Kohët fundit – vijon dokumenti – vihet re një prirje për ta rehabilituar të kaluarën tonë komuniste dhe udhëheqësit komunistë, duke i zvogëluar krimet e kryera nga ata.
T’ia kushtosh rrugën kryesore të Lubjanës përsëri Titos dhe të vazhdosh t’i ruash emrat e vjetër të rrugëve dhe të shesheve që iu janë kushtuar udhëheqësve komunistë, bie në kundërshtim me letrën dhe me frymën e Deklaratës të Parlamentit Evropian dhe të Rezolutës 1481 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 26 janarit 2006, ku flitet për nevojën e dënimit të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” vazhdon deklarata e Konferencës Ipeshkëvnore Sllovene./RV
Komentet