Aleksandër Solzhenicin, nobelisti rus, lindi më 11 dhjetor 1918 dhe ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare më 3 gusht 2008. Shkrimtari u bë i njohur në të gjithë botën për “Arkipelagun gulag” ku denonconte regjimin çnjerëzor të Stalinit dhe tmerrin në kampet e punës së detyruar.
Shkrimtari u bë i njohur në të gjithë botën për “Arkipelagu gulag” ku denonconte regjimin çnjerëzor të Stalinit dhe tmerrin në kampet e punës së detyruar.
Agjencia “Itar-Tass” shkruante, duke cituar të birin Stepan Solzhenicin, se shkrimtari vdiq për shkak të një ataku kardiak, në shtëpinë e tij, në hyrje të Moskës, në orën 23.45 (me orën lokale). “Presidenti Dmitry Medvedev i ka dërguar ngushëllime familjes Solzhenicin”, – lajmëron Kremlini. Po kështu edhe të tjerë udhëheqës botërorë, si presidenti francez Nicolas Sarcozy e ai amerikan George W. Bush. “Vdekja e Alexander Isayevich Solzhenitsyn është humbje e madhe për gjithë Rusinë”, – shkruante në një telegram ngushëllimi kryeministri Vladimir Putin, një ish- agjent i KGB-së, që ka drejtuar fushatën e persekutimit kundër shkrimtarit.
Mihail Gorbaçov, udhëheqësi i fundit sovjetik, e përshkruan Solzhenicinin si “një burrë, emri i të cilit është destinuar të mbetet në historinë e Rusisë. Ai ishte një nga njerëzit e parë i cili ngriti zërin kundër regjimit çnjerëzor të Stalinit edhe për popullin që jetoi nën këtë regjim, pa u thyer”, – ka thënë Gorbaçov për agjencinë e lajmeve “Interfax”.
Veteran i Luftës së Dytë Botërore (pjesëmarrës në “Ushtrinë e kuqe” dhe dy herë i dekoruar), u internua për 8 vjet në kampet e Stalinit, në Kazakistan, pasi guxoi të kritikojë diktatorin. Shkrimtari u bë simbol i rezistencës intelektuale përballë partisë komuniste, në një jetë që, për nga vuajtjet dhe sukseset që e kanë përshkuar, reflekton parabolën e Rusisë në shek. XX. Solzhenicin jetoi 20 vjet në ekzil të detyruar, në Perëndim (fillimisht në Gjermani e më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës) dhe nuk hoqi dorë asnjëherë nga kritikat ndaj vlerave materialiste. Disidenca e tij vijoi në vitet ’80, kur doli tërësisht kundër politikave të Kremilinit në Rusinë e “re”. Refuzoi të pranonte një titull mirënjohjeje nga shteti, nga Boris Jelcin, presidentit të parë të Rusisë postsovjetike, duke u shprehur se nuk mund të pranonte ndere nga një udhëheqës që e kishte katandisur në mizerje popullin e tij.
Vepra e tij monumentale “Arkipelagu gulag”, e shkruar në fshehtësi në Bashkimin Sovjetik, vepër që pati tri botime në Paris në tre vjet, 1973-1978.
Konsiderohet si një nga veprat më të plota mbi kampet e punës së detyrueshme, të ngritura nga Stalini, ku vdiqën miliona njerëz. Një kronikë e përvojës së vet, por edhe e shumë të tjerëve që vuajtën aty. “Akipelagu” tronditi opinionin botëror dhe u shpërnda nën dorë në Rusi, ku nisi dhe persekutimi i shkrimtarit.
Në vitin 1962, udhëheqësi sovjetik i asaj kohe, Nikita Hrushov, lejoi publikimin e “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit”, ku përshkruhet rutina e tmerrshme në kampet e punës. Të tjera vepra të Solzhenicinit, mes të cilave tregime historike dhe pamflete politike nuk u botuan kurrë në Bashkimin Sovjetik.
Mes punëve të tij të njohura mund të përmendim “Rrethi i parë” dhe “Pavijoni i kancerozëve”, që e bënë të njohur në të gjithë botën, duke merituar çmimin “Nobel” për letërsinë në vitin 1970. “Është humbje e madhe për ne dhe për të gjithë vendin. Ai ka qenë gjithnjë i lumtur që u kthye. Kjo është shtëpia e tij”, – tha i biri për Reuters. Solzhenicin nuk pranoi të kthehej në Rusi gjatë kolapsit të Bashkimit Sovjetik, duke e shndërruar kthimin e tij në një udhëtim të gjatë me tren, nga Vladivostoku në brigjet e paqësorit, në Moskë, në vitin 1994.
Komentet