31 vjet më parë, më 25 prill të vitit 1993, Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë pas një periudhe të gjatë 50 vjeçare të ndalimit të fesë nga regjimi komunist. Vizita e Papës i hapi rrugë shpalljes, në nëntor të vitit 2016, të 38 Martirëve të Kishës Shqiptare, mes të cilëve edhe 22 vjeçares nga Mirdita, Marie Tuci. Marie Tuci vdiq në moshën 22 vjeçare pas torturave çnjerëzore që kaloi në hetuesinë e Shkodrës, duke u shndërruar në simbolin e qendresës dhe dinjitetit njerëzor. Kisha e motrave stigmatine, në Shkodër, ka nisur punën për përgatijen e një konference kushtuar të Lumes Marie Tuci.
Në një nga rrugicat e vjetra të qytetit të Shkodrës, në lagjen “Gjuhadol”, gjendet kuvendi i motrave stigmatine. Si shumë kisha dhe kuvende të tjera në Shqipëri, gjatë regjimit komunist, kuvendi u mbyll dhe u shndërrua në klub për të rinjtë.
Motra eprore stigmatine, Terezina Demaj, tregon për Zërin e Amerikës se, në mjediset e kuvendit ruhen edhe mbetjet mortore të të Lumes Marie Tuci, e vetmja femër mes 38 martirëve të kishës shqiptare. Është një dhuratë për motrat stigmatine, shton ajo, dhe një detyrim për ta kujtuar sepse, në kushtet e një regjimi të egër komunist, që e burgosi dhe e çoi në rrugën pa kthim të vdekjes, Marie Tuci, vajza mirditore, u shndërrua në simbolin e emancipimit dhe të dinjitetit njerëzor.
“Ne jemi në fazën e përgatitjes për një konferencë mbi rolin e gruas duke u bazuar pikërisht tek shembulli i Marje Tucit. Dhe, mbi këtë do të përfshijmë në mënyrë të veçantë sa më shumë të rinj e të reja, sepse Marje Tuci e meriton që të jetë edhe mbrojtëse e të rinjve për faktin që ishte në moshë të re dhe është një model qëndrese dhe model i të mujturës që mund të jetohet, mund të kenë shpresë të rinjtë, mund të marrin kurajo që në çdo kohë të jetojnë idealet e tyre”, thotë ajo.
Motra eprore thotë se gjatë regjimit komunist ka patur edhe motra të tjera, si dhe gra laike që kanë vuajtur në tortura gjatë komunizmit, por Marie Tuci është ngritur në elter bashkë me martirët e tjerë për besimin me të cilin ka motivuar dhurimin e jetës së saj, çfarë është një shembull veçanërisht për të rinjtë që të ecin në rrugën e besimit.
“Jo se nuk ka pasur gra të tjera që kanë vuajtur në tortura gjatë komunizmit. Edhe motra të tjera edhe gra laike, por ajo për faktin se është ngritur ne elter bashkë me martirët e tjerë është pikërisht feja, besimi për të cilin e ka motivu dhurimin e jetës së saj”, tregon ajo.
Jeta e Marie Tucit ishte e shkurtër. U shkollua në kolegjin e motrave stigmatine në Shkodër dhe ishte kandidate për tu bërë murgeshë, por nuk arriti, sepse natën e 24 dhjetorit të vitit 1946, dy vite pas vendosjes së regjimi komunist, Instituti i Motrave Stigmatine u mbyll ashtu si shkollat, bibliotekat dhe kolegjet e kishës katolike. Pas kësaj, abati Fran Gjini e dërgoi mësuese në shkollat e Mirditës ku punoi deri më 10 gusht të vitit 1949. Pas vrasjes së Bardhok Bibës, deputet dhe sekretar i parë i Partisë Komuniste në Mirditë, arrestohet bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes dhe rreth 300 pjesëtarë të familjeve më të njohura të Mirditës dhe dërgohet në qelitë e burgut dhe hetuesisë në Shkodër, ku kaloi kalvarin e torturave nga më çnjerëzoret.
Sipas dëshmive që sjell Vatkani, “vuajtjet më të mëdha për Marinë do të vinin nga shefi i sigurimit të Shkodrës të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili,i goditur nga bukuria e vajzës, tentoi të abuzojë me të, po ndeshi në kundërshtimin e ashpër të Maries”.
Në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, hapur në ish burgun dhe hetuesinë e Shkodrës, ruhet ende qelia ku 22 vjeçarja Marie Tuci kaloi ditët e fundit të jetës.
Përgjegjësi i Muzeut, Pjerin Mirdita, thotë për Zërin e Amerikës se ka dëshmi të torturave që përjetoi Marie Tuci në hetuesinë e Shkodrës.
“Qelia me numrin 13 ishte qelia ku qëndronte Marie Tuci. Kushtet ishin jashtëzakonisht të vështira, kishte vetëm një dritare, siç mund të shikohet edhe sot, mbahej vazhdimisht në lagështirë, hidhej ujë i ftohtë në mënyrë të vazhdueshme në dyshekun ku Marija qëndronte dhe kjo bëri që shëndeti i saj të përkeqësohej”.
Në gjendje të rëndë, për shkak të torturave dhe kushteve çnjerëzore të qelisë me numër 13, më 28 tetor 1950 Marie Tuci ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës në moshën 22 vjeçare, duke lënë pas një jetë plot vuajtje, qëndresë dhe përkushtim ndaj besimit, thotë Pjerin Mirdita.
“Në dëshmitë e bashkë të burgosurve të tjerë, Marje Tuci thuhet se është futur në një thes së bashku me një maçok. Thesi ishte i mbyllur deri në fytin e saj dhe maçoku goditej nga hetuesit e ish sigurimit të shtetit. Dhe Marie Tuci vdes pikërisht nga pasojat që i lanë këto tortura në tetor të vitit 1950 në një moshë fare të re”.
Studiuesi Dom Nikë Ukgjini është një nga tre pjesëtarët e komisionit historik, që punoi për përgatitjen e dokumentacionit për shpalljen e 38 martirëve shqiptarë, mes të cilëve edhe tre laikë. Ai thotë për Zërin e Amerikës se, faktikisht, për Marie Tucin nuk kishte aq shumë shënime dhe dokumenta, megjithatë ato që janë gjetur nëpër arkivat e shtetit shqiptar dëshmojnë për personalitetin e saj.
“Hapi i parë besoj është i mjaftueshëm që kjo figurë dhe figura të tjera të jenë ato që do të jenë shembull se si duhet dënuar faktikisht diktatura, e cila ka koston e vet edhe sot e kësaj dite për ne, dhe se idealizmi duhet të jetë forca shpirtërore që do të mbajë edhe në të ardhmen njeriun me qëllim që të mos përsëritet e kaluara”.
Laikja Marie Tuci u shpall e Lume së bashku me 37 martirë të tjerë të kishës katolike shqiptare, më 5 nëntor 2016 duke u shndërruar në një simbol qëndrese dhe përkushtimi për fe dhe atdhe.