VOAL – Intelektuale gojëtare e çuditshme, shkrimtare e shkëlqyer njujorkase, Dorothy Parker iu është përkushtuar si gazetarisë, ashtu dhe romaneve, duke u dalluar gjithmonë për një stil elegant dhe tejet të mprehtë. Në poezitë dhe pprozat e saj shpesh zbuluan melankolinë e thellë dhe ndjenjën e vetëshkatërrimit, filtruar prej saj me stil të patëmetë dhe cinizëm të hollë.
Lindur si Dorothy Rothschild në Long Branch, New Jersey (USA), më 22 gusht, 1893, ajo u rrit në një familje të pasur. Mbetur jetime nga nëna ende shumë e re, ajo merr një edukim të shkëlqyer dhe, pak më shumë se adoleshente, fillon të shkruajë poezi.
E njohur për stilin e saj të pamëshirshëm dhe të ashpër, në vitin 1917 thirret për të punuar si gazetare për revistën “Vanity Fair”, pastaj do të bashkëpunojë shkëlqyeshëm edhe me “New Yorker” dhe “Vogue”. Shumë shpejt dallohet për cinizëm të pamëshirshëm me të cilin shkatërron një shfaqje të keqe dhe për sarkazmin elegant me të cilin nuk kursen asgjë e askënd.
Po në vitin 1917 shkrimtarja martohet me Edward Pond Parker II, i cili do të largohet menjëherë për të marrë pjesë në luftë. Ai do të kthehet disa vjet më vonë me probleme serioze të alkoolizmit, aq shumë sa që në vitin 1928 Parker do të vendosë për divorc.
Ndërkohë, që nga fillimet e viteve ’20, Dorothy Parker u bë pjesë e fuqishme e mjediseve artistike, gazetareske, letrare dhe teatrale që zënë fill nga hotel restorant Algonquin në Manhattan, në të famshmin “rreth vicioz “, i përbërë nga një grup shkrimtarë të mirënjohur, gazetarë dhe kritikë, si George S. Kaufman, Alexander Woollcott, Edna Ferber dhe Robert Sherwood.
Në grup është edhe një kritik letrar, Robert Benchley, me të cilën ajo do të krijojë një miqësi të fortë, edhe pse shumë veta thonë se kjo ishte më shumë si një dashuri e pakonsumuar.
Në vitin 1922 njihet me dramaturgun Charles MacArthur, me të cilin do të ketë një raport të zjarrtë, që do t’i kushtojë një braktisjes dhe një abort, duke ushqyer edhe më shumë karakterin e saj të athët dhe skeptik. Gjuha e mprehtë, pasioni për alkoolin dhe mënyra e jetesës së paidentifikuar kontribuojnë për ta bërë atë një personazh: për të gjithë ajo është “gruaja e mprehtë e Nju Jorkut”.
Në vitin 1929 fitoi çmimin e famshëm letrar O. Henry për romanin e saj fin “Big Blonde”.
Në vitet ’30 vazhdon të publikojë dhjetëra tregime dhe poezi me sukses të madh, por alkoolizmi dhe historitë e dashurisë e çojnë në një depresion të thellë, aq sa edhe përpiqet për të kryer vetëvrasje. Por ajo do të jetë në gjendje të bëjë shaka edhe për këtë. Në fakt, në poemën e saj më të famshme, “Rinisë”, shkrimtarja shkruan me një ironi të hidhur: “Brisqet lëndojnë,/ lumenjtë janë të ftohtë,/ acidi lë gjurmë,/ droga jep dhimbje,/ armët janë të paligjshme,/ litarët këputen,/ gazi sjell të vjella …/ megjithatë ia vlen të jetosh”. Ky ishte stili i saj: i hidhur dhe i zhgënjyer, në të cilin nuk ka vend për shpresë dhe vetë-keqardhje, por plot pasion dhe humor.
Më 1933 u martua me shkrimtarin Alan Campbell, njëmbëdhjetë vjet më i vogël se ajo, me të cilin do të ketë një bashkëpunim të frytshëm, kur, në mesin e viteve ’30, thirret në Hollywood si skenariste. Është i tyre skenari i versionit të parë të “A Star is born” (Një yll ka lindur, 1937) nga William A. Wellman, i nominuar për një Oskar. Por vetëm në vitin 1939, shkrimtarja, në sajë të publikimit të përmbledhjes me tregime “Bota ime është këtu”, arrin famë ndërkombëtare, duke u njohur zyrtarisht si një “shkrimtare e madhe”.
Idetë e saj janë haptazi socialiste – në vitin 1922 mbështet protestën kundër dënimit me vdekje ndaj Sacco dhe Vanzetit, dhe në vitin 1937 shkoi në luftën Civile në Spanjë për të mbështetur forcat lualiste – çka bën që ta largojnë nga Hollywoodi dhe i shkaktojnë probleme me qeverinë , e cila më 1943 ia mohoi vizën për të shkuar në Evropë si korrespondente e luftës dhe në vitet 1950 e hetoi dhe e dënon atë.
Por d$eshpërimi dhe katastrofa vijnë më vonë. Në vitin 1945, i dashuri i saj Robert Benchley vdes nga një hemorragji cerebrale, dhe ndërsa marrëdhëniet me Campbell nuk janë të mira: në fakt, ata divorcohen në vitin 1947, rimartohen në vitin 1950 dhe ndahen sërish në vitin 1953, që të pajtohen përsëri më 1957, duke qenë kështu së bashku deri në vdekjen e tij në vitin 1963.
Në vitet 1950, Dorothy Parker gjithnjë e më shumë është e dëshpëruar dhe tërësisht viktimë e alkoolit. Për fat të mirë, në vitin 1958 mori një çmim të rëndësishëm letrar që duket se ngriti moralin e saj. Ajo i kaloi vitet e fundit në një dhomë hoteli në Nju Jork, me probleme serioze shëndetësore dhe pak para në xhepin e saj.
Dorothy Parker shuhet duke qenë e vetme dhe alkoolike më 7 qershor 1967, në moshën shtatëdhjetë e katër vjeçare.
Autorja lë trashëgimtarin universal të shkrimeve të saj askujt tjetër përveç Martin Luther Kingut, për të cilin ajo ishte një mbështetëse. Shkëndija e saj e fundit e gjeniut është epitafi i shkruar në varr: “Ji i falur pluhur”.
Dorothy Parker la kujtimin e një talenti të jashtëzakonshëm letrar, për fat të keq i vlerësuar vetëm në vitet e fundit. Nga veprat e saj mbeten komedi, vargje – “Përmbledhja poetike” u botua në vitin 1944, dhe librat artistikë – përfshirë këtu edhe “Bota ime” (1939) dhe “Tregme“(1942), në të cilën ajo ka ditur të ironizojë, si asnjë tjetër para dhe pas, arrogancën e jetës, marrëzinë e dashurisë dhe konformizmin e botës së lartë borgjeze./Elida Buçpapaj
Komentet