“Me kënaqësi ju njoftoj se, duke pranuar ftesën e Ipeshkvijve dhe të Autoriteteve shtetërore të Shqipërisë, dëshiroj të shkoj në Tiranë, të diel, më 21 shtatorin e ardhshëm. Me këtë shtegtim të shkurtër dua të përforcoj në fe Kishën e Shqipërisë dhe t’i dëshmoj inkurajimin tim një vendi, që vuajti gjatë, si pasojë e ideologjive të së kaluarës”.
Ky, sihariqi! Njoftim historik, që e dha vetë Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 15 qershorit, në Sheshin e Shën Pjetrit; hap i parë i shtegtimit shqiptar të Françeskut, Papa i dytë që shkeli sot në trojet shqiptare, pas një Shenjti: Gjon Palit II, më 25 prill 1993.Papa u nis në orën 07.30, me avion, nga aeroporti romak i Fiumicinos, drejt Tiranës.
Në orën 09.00, mbërrijti në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Sapo preku tokën shqiptare, Nunci Apostolik, imzot Ramiro Moliner Inglés dhe kreu i protokollit u ngjitën në avion për ta përshëndetur. Për pritjen zyrtare, kishte dalë kryeministri, Edi Rama. Shoqërohej nga Ministri i Jashtëm, ai i Kulturës dhe Sekretari i përgjithshëm i presidencës. Të pranishëm, disa autoritete të tjera të shtetit, ipeshkvijtë shqiptarë dhe një grup besimtarësh. Papa dhe kryeministri u drejtuan nga Salla e pritjes së mysafirëve të shquar për një takim prej pak minutash. Në orën 09.30, ceremonia e mirëseardhjes, në oborrin e Pallatit Presidencial, dhe vizita e kortezisë presidentit të Republikës në Studion e Gjelbër të Pallatit Presidencial. Të pranishëm, autoritetet civile, Trupi Diplomatik dhe disa krerë fetarë të vendit.
Në orën 10.00, takimi me autoritetet, në Sallonin e pritjes së Pallatit Presidencial: “Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, tha Ati i Shenjtë në fjalën e parë drejtuar popullit shqiptar – në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat ta vizitoj atdheun tuaj, “tokën e shqiponjave”, si edhe për pritjen tuaj kremtore”.
Më pas, duke folur për të kaluarën, kujtoi kohën kur Shqipëria e gjeti përsëri udhën e mundimshme, por edhe joshëse, të lirisë. Kjo udhë, vijoi Françesku, i krijoi shoqërisë shqiptare mundësitë të niste ecjen përpara në rindërtimin material e shpirtëror, të vinte në lëvizje shumë energji e nisma, të ishte e gatshme për bashkëpunim e shkëmbim me vendet e afërta të Ballkanit e të Mesdheut, të Evropës e të mbarë Botës:
“Liria, të cilën e gjetët përsëri, ju ka lejuar ta shikoni ardhmërinë me besim e shpresë, të nisni projekte e të rilidhni marrëdhënie miqësore me kombet e afërta e të largëta. Respektimi i të drejtave njerëzore, ndër të cilat spikat liria fetare dhe ajo e shprehjes së mendimit, është kushti paraprak për vetë zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një vendi. Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij, lulëzon edhe shpirti krijues e nismëtar, e personaliteti njerëzor mund t’i shpalosë nismat e veta në dobi të së mirës së përbashkët”.
Papa i përgëzoi shqiptarët posaçërisht për një karakteristikë që, theksoi, duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Foli me simpati për klimën e respektit dhe të besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, duke e parë si pasuri e çmueshme për vendin e duke theksuar se fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar, i përçudnojnë dhe i instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për përsiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij:
“Askush të mos mendojë se mund ta përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!”.Kjo që ndodh në Shqipëri, vijoi Papa, tregon, përkundër, se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe bashkësive me përkatësi të ndryshme fetare jo vetëm që urohet, por është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht:
“Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në të vërtetë, është pasuri e paçmueshme për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm të një populli. Është vlerë, që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike, të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve, duke e njohur dhe duke e nderuar njëri-tjetrin. Është dhuratë, të cilën duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit, në lutje. Uroj që Shqipëria ta vijojë këtë udhë, duke u bërë për shumë vende shembull frymëzimi”.
Më pas, duke iu drejtuar Presidentit, Françesku kujtoi se pas dimrit të izolimit e të përndjekjeve, erdhi më në fund pranvera e lirisë. Përmes zgjedhjeve të lira e strukturave institucionale, u përforcua pluralizmi demokratik, gjë që ndihmoi edhe në rihapjen e veprimtarive ekonomike. Shumë vetë, veçanërisht në fillim, të shtyrë nga kërkimi për punë e për kushte më të mira jetese, morën rrugën e emigrimit dhe ndihmojnë, si e sa munden, për përparimin e shoqërisë shqiptare. Shumë të tjerë i gjetën arsyet për të ndenjur në atdhe e për ta ndërtuar nga brenda. Mundimet dhe flijimet e tyre kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme:
“Kisha Katolike, nga ana e vet, mundi të rinisë jetën normale, duke rindërtuar hierarkinë e saj dhe duke rilidhur fijet e një tradite të lashtë. U ndërtuan ose u rindërtuan vendet e kultit, ndër të cilët spikat Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, në Shkodër; u hapën shkolla dhe qendra të rëndësishme edukimi e asistence, në shërbim të të gjithë qytetarëve. Prania e Kishës dhe veprimi i saj shikohen, me të drejtë, prandaj, jo vetëm si shërbim ndaj bashkësisë katolike, por ndaj mbarë kombit”.Kur Gjon Pali II vizitonte Shqipërinë, kishte përkrah Nënë Terezën. Sot Papa Vojtila është Shenjt e Nënë Tereza e Lume. Kështu i kujtoi Françeseku Shën Karolin e të lumen Terezë, bashkë me martirët, që e dëshmuan fenë me heroizëm:
“… atyre u takon mirënjohja jonë më e thellë e lutja jonë – e sigurisht galdojnë e luten në Qiell për punën e burrave dhe të grave vullnetmira në rilulëzimin e shoqërisë dhe të Kishës në Shqipëri”.Më pas Papa u ndalua tek sfidat e sotme, që presin përgjigje. Në një botë që priret drejt globalizimit ekonomik e kulturor, kujtoi, duhet bërë çdo përpjekje që rritja dhe zhvillimi të jenë në shërbim të të gjithëve e jo vetëm të një pjese të popullsisë: “Gjithashtu, ky zhvillim nuk do të jetë i vërtetë, nëse nuk do të jetë i përballueshëm dhe i barabartë, domethënë, nëse nuk do t’i ketë mirë parasysh të drejtat e të varfërve dhe nëse nuk do të respektojë mjedisin. Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; rritja ekonomike duhet shoqëruar me më shumë respekt për botën e krijuar; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e Shtetit, me në krye familjen. Shqipëria sot mund të përballet me këto sfida në kornizën e lirisë dhe të stabilitetit, që duhen përforcuar dhe që japin shumë shpresa për të ardhmen”.Në përfundim të përshndetjes së parë drejtuar popullit shqiptar, Papa e falënderoi me gjithë zemër për mikpritjen e ngrohtë dhe, si Shën Gjon Pali II në prill të 1993-shit, iu lut, pastaj, Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe ia besoi asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar:
“Hyji dikoftë mbi Shqipërinë hirin dhe bekimin e vet!”.
Në orën 11.00 nisi kremtimi i Meshës së Shenjtë në Sheshin Nënë Tereza, bazuar mbi faqen ungjillore të ditës. Papa kujtoi se, përveç Dymbëdhjetë Apostujve, Jezusi thërret shtatëdhjetë e dy nxënës të tjerë dhe i nis ndër fshatra e qytete për të kumtuar Mbretërinë e Hyjit (cfr Lk 10,1-9.17-20). Ishte një thirrje për ta përhapur edhe në botën shqiptare dashurinë e Hyjit, përmes bashkimit e vëllazërisë. Ftesë “për të shkuar”, për t’u përgatitur për mision. Metoda misionare është e qartë dhe e thjeshtë, vijoi Papa. Dishepujt shkojnë nëpër shtëpi e kumti i tyre nis me një përshëndetje plot kuptim: “Paqe në këtë shtëpi!” (v 5.). Nuk është thjesht përshëndetje, është edhe dhuratë, pohoi Papa e, në vijim, duke kujtuar emrin e Sheshit ku po kremtonte, i drejtoi mbarë popullit shqiptar përshëndetjen:
“Duke ardhur sot mes jush, të dashur vëllezër e motra të Shqipërisë, në këtë shesh kushtuar bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës së Kalkutës, dëshiroj ta përsëris këtë pëshëndetje: paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj!”.
Papa foli gjatë për misionin e shtatëdhjetë e dy dishepujve, në të cilin pasqyrohet përvoja misionare e bashkësisë së krishterë të të gjitha kohëve, ftesa e Zotit të Ringjallur drejtuar mbarë Kishës për mision. Zoti e nis…
“…çdo të pagëzuar për t’ua kumtuar Ungjillin gjithë popujve. Në rrjedhë shekujsh, jo gjithnjë u pranua kumti i paqes, i sjellë nga lajmëtarët e Jezu Krishtit; nganjëherë ia mbyllën portat. Në një të kaluar jo të largët, edhe porta e vendit tuaj u kyç, u mbyll me vargonjtë e mohimeve e të ndalimeve të një sistemi, që mohonte Zotin e pengonte lirinë fetare. Ata që kishin frikë nga e vërteta e nga liria, bënin ç’ish e mundur ta dëbonin Hyjin nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj, ndonëse ai qe ndër më të hershmit që mori dritën e Ungjillit. Në Leximin e dytë, dëgjuam të përmendet Iliria që, në kohët e apostullimit të Palit, përfshinte edhe trojet e Shqipërisë së sotme”.
Duke kujtuar përsëri dhjetëvjeçarët e vuajtjeve mizore e të persekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, Papa e quajti Shqipërinë “tokë martirësh”: tokë e klerit dhe e besimtarëve të flijuar, që e paguan me jetë besnikërinë e tyre, guxuan ta ruajnë fenë e dhanë prova burrërie e qëndrimi të patrandshëm në shpalljen e besimit. Pastaj, një vizitë simbolike, atje ku Papa nuk mundi të shkonte, në Shkodër, tek një mur-monument i gjallë, për të vënë rrëzë tij lulen e kujtimit e të lutjes:
“Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm”.Zoti ishte pranë jush, vijoi, duke iu drejtuar besimtarëve katolikë, ishte aty, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit (cfr Leximi I).
Më pas fjalë të tjera prekëse për mbarë popullin shqiptar:
“Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira”.Sot portat e Shqipërisë janë të hapura, kujtoi Françesku, duke theksuar se të gjithë ata, që bëjnë pjesë në popullin e Hyjit, gjithë të pagëzuarit, e kanë një vend e një detyrë për ta kryer në Kishë e në shoqëri. Janë të gjithë të thirrur për të punuar bujarisht në kumtimin e Ungjillit e në dëshmimin e dashurisë; për të fuqizuar lidhjet e solidaritetit, për të krijuar kushte jete më të drejta e më vëllazërore për të gjithë.
Këto, detyrat e çdo besimtari; si i krishterë e atdhetar, në vijim të motos së përjetshme të kësaj Kishe martire: “Për Fe e Atdhe”:
“Sot erdha t’ju jap zemër ta përfoconi shpresën në ju e rreth jush; t’i vini në lëvizje breznitë e reja; t’i ushqeheni përherë me fjalën e Zotit, duke ia hapur zemrat Krishtit; Ungjilli i Tij ju tregon udhën! Feja juaj duhet të jetë ngazëlluese e rrezatuese, duhet të tregojë se takimi me Krishtin i jep kuptim jetës së njerëzve, të çdo njeriu”.Me frymën e bashkimit ndërmjet ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve e besimtarëve laikë, theksoi në përfundim Françesku, ju inkurajoj t’i jepni hov të ri veprimtarisë baritore e të vijoni kërkimin e formave të reja të pranisë së Kishës në gjirin shoqërisë.
Meraku për të rinjtë, më pas, duke i ftuar t’i përgjigjen bujarisht Krishtit:
“… mos kini frikë t’i përgjigjeni bujarisht Krishtit, që ju fton ta ndiqni! Në thirrjen meshtarake e rregulltare do të gjeni pasurinë dhe gëzimin e dhurimit të vetvetes për t’i shërbyer Hyjit e vëllezërve tuaj. Shumë burra e gra presin dritën e Ungjillit e hirin e sakramenteve”.E, në përfundim, vlerësimi i Kishës shqiptare, kujtimi i martirëve, që këto ditë ishin më të gjallë se të gjallët në rrugët e Tiranës, falënderimi dhe thirrja:
“Kishë, që jeton në këto troje të Shqipërisë, faleminderit për shembullin e besnikërisë ndaj Ungjillit! Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin, edhe deri në flijimin e jetës. Uroj që dëshmia e tyre t’i mbështesë hapat tuaj, të sotëm e të nesërm, në udhën e dashurisë, të lirisë, të drejtësisë e të paqes. Amen!”
Pas Meshës, kremtimi i Engjëllit të Tënzot.
Françesku përshëndeti të gjithë të ardhurit në Shqipëri nga vendet fqinje, duke i falënderuar për praninë e për dëshminë e fesë. Në veçanti ftesa drejtuar të rinjve për ta ndërtuar jetën mbi Jezu Krishtin. Kush ndërton mbi Krishtin, ndërton mbi shkëmb, sepse Ai është gjithnjë besnik, edhe kur ne e shkelim besën (shih 2 Tm 2,13). Jezusi na njeh më mirë se askush tjetër; kur gabojmë, nuk na dënon, por na thotë: “Shko, por tani e tutje mos mëkato më” (Gjn 8,11). Tejet aktuale, ftesa e Papës, në një vend që ndryshon përças, e jo gjithnjë për mirë:
“Të dashur të rinj, ju jeni brezi i ri i Shqipërisë. Me forcën e Ungjillit e me shembullin e martirëve, të dini t’i thoni “jo” idhujtarisë së parasë, “jo” lirisë së rreme individualiste, “jo” varësive e dhunës; e t’i thoni “po” kulturës së takimit e të solidaritetit, “po” bukurisë së pandashme nga e mira e nga e vërteta; “po” jetës së shkrirë për ideale të mëdha, por besnike edhe në gjërat e vogla. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë e një botë më të mirë”.
Pas shtegtimit simbolik në varrezën e Rrëmajit, shtegtimi tjetër, i domosdoshëm, gjithnjë simbolik, tek Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, guri i themelit të së cilës u bekua nga një Shenjt, Gjon Pali II:
“Nisem shpirtërisht për në Shenjtëroren e saj në Shkodër, që e doni aq shumë, e ia besoj gjithë Kishën në Shqipëri e mbarë popullin shqiptar, në veçanti, familjet, fëmijët e të moshuarit. Zoja ju priftë për të ecur “së bashku me Zotin, drejt shpresës që nuk zhgënjen”.
Në Sheshin e madh të Tiranës, ku janë dëgjuar mijëra fjalime, tejet të ndryshme, e edhe në kundërshtim me njëri tjetrin, kumboi lutja paqësore drejtuar Engjëllit të Tënzot, Kumtarit që sillte Lajmin e Mirë të ardhjes në botë të Princit të paqes: Engjëlli i Tënzot…
Është koha e drekës. Ora 13.30. Papa takohet dhe drekon me ipeshkvijtë shqiptarë dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike.
Teksti vjen nga faqja e internetit http://sq.radiovaticana.va
21 shtator 2014
Komentet