Kënga e shpirtit mbi ujëra
Shpirti i njeriut
Është si uji:
Nga qielli vjen ai,
Në qiell ngjitet ai,
Dhe sërish e sërish
Mbi tokë zbret, përjetë
Duke u këmbyer.
.
Teposhtë nëpër
Faqen shkëmbore
Shkon rrjedha e qashtër,
Pastaj bujarisht
Me suvalë të murme
Mbi shkrep të lëmuar,
Dhe mirëpritur ëmbël,
Mërtisur, turravrapet,
Duke mërmëritur butë
Drejt humnerës.
.
Thepa të mrrolur
I dalin ndesh,
Shkumon ai tërbuar
Tek rrokulliset
Në pafund.
.
Në shtretër të rrafshët
Përvidhet ai luginës,
Dhe në detin e zymtë
Ia kullotin fytyrën
Të gjitha yllësitë.
.
Era është dufi
Dashnor i ujërave;
Era përzien me themel
Dallgët shkumëzuese.
.
Shpirt i njeriut
Sa i ngjan ti ujit!
Fat i njeriut
Sa i ngjan ti erës!
Mbreti i Tulës
Në Tulë një mbret na ishte
besnik ai deri në varr,
e dashura tek i vdiste
kujtim një gotë ari ia la.
.
Në gosti me vete e merrte
Gjë më të shtrenjtë s’kish në botë,
Loti në sy i rrekëllente
Sa herë pinte me atë gotë.
.
E kuptoi, vdekja po i vinte,
qytete dhe krahina kudo
ai la trashëgim gjithë ç’kishte,
veç gota nuk ish me ato.
.
Atje mes sa kalorësve
në gosti ishte mbreti
në sallën e lashtë mbretnore,
në kështjellë sipër detit.
.
Pijetari plak piu kështu
hurbën e fundit fatale,
dhe e hodhi pastaj kuturu
gotën prej ari mes valëve.
.
E pa si ra, u mbush prap
E u zhduk në detin pa fund.
Iu shuan dy sytë e pastaj
Nuk piu më kurrë një hurbë.
Nata e parë e Valpurgës
Një druid:
.
Na buzëqesh maji!
Në pyll s’ka më akull
as filigrane bryme.
S’ka lara bore!
Këngë gazmore
shpërthejnë mes blerimit.
Është e pastër
bora sipër majës;
por shpejt ne ngjitemi në shpate,
kremtojmë kultin e lashtë të shenjtëruar
babait të universit për t’i thurur lavde.
Në mes të tymit le të skuqin flakët!
Kështu merr flatra zemra e trysnuar.
.
Druidët :
.
Në mes të tymit le të skuqin flakët!
Kremtoni kultin e lashtë të shenjtëruar
Babait të universit për t’i thurur lavde!
Ngjituni, shpejto, hajde!
.
Një nga populli:
.
Mund të bëni kështu si kokëkrisur?
Dashkeni të shkoni drejt vdekjes së sigurt?
Nuk i njihkeni ju të gjorë
Ligjet e shtypësve tanë mizorë?
Rrjetat e tyre kudo janë ngrehur
kundër mëkatarëve paganë.
Mbi bedena ata kanë therur
gratë tona dhe fëmijët tanë,
vdekja e sigurtë për të gjithë
varur përmbi ne rri tani.
.
Kori i grave:
.
Kanë therur atje mbi bedena
të lartë fëmijët tanë të gjorë.
Ah, ata shtypësa mizorë!
Vdekja e sigurtë për të gjithë
varur përmbi ne rri tani.
.
Një druide:
.
Kush sot i gatshëm
s’është për flijim,
meriton ai pranga skllavi.
I lirë është pylli!
Drurë na sillni
ta çojmë gjer në re zjarrin!
Por nën shkurre strukur
ditën nëpër pyje rrimë,
pa lëshuar asnjë pipëtimë,
roja do të vemë ne gjithkund
duke ditur se ju keni frikë.
Por me shpirt guximi na lejoni
Ta përmbushim ne detyrën.
.
Kori i rojave:
.
Përhapuni, o ju burra trima,
andej nëpër gjithë këto pyje,
i ruani ata pa lëshuar pipëtima,
kur përmbushin detyrën e tyre.
.
Një rojë:
.
Ndaj këtyre priftërve krishterë e zymtanë,
duhet të jemi më kryeneçë e më rrufjanë!
Me djallin e përrallave të tyre
ata vetë kemë për t’i shatisur.
Ejani! Me dhëmbë e me cfurqe,
me pishtarë e rraketake, për t’i llahtarisur
le të dalim vonë nëpër muzgje,
qafave të ngushta në male.
Bufat edhe kukuvajkat
Nëpër katrahurën tonë lëshojnë vikamat!
.
Kori i rojave:
.
Ejani! Me dhëmbë e me cfurqe,
me pishtarë e rraketake, për t’i llahtarisur
le të dalim vonë nëpër muzgje,
qafave të ngushta në male.
Bufat edhe kukuvajkat
Nëpër katrahurën tonë lëshojnë vikamat!
.
Një druid:
.
Arritëm në këtë pikë
të kremtojmë në fshehtësi
atin e gjithësisë, n’errësirë!
Por vetëm dita është ajo
kur ndjejmë t’i dhurojmë
zemrën tonë të dlirë.
Sot vërtetë është e mundur,
për një kohë të shkurtër,
të dëmtojmë shumë radhët armike.
Sikurse flakën e dëlir tymi,
edhe feja jonë po dëliret!
E na e rrëmben kultin tonë të lashtë,
por dritën tënde kush e rrëmben vallë?
.
Një rojë krishtere:
.
Ndihmë, shokë të armëve!
Ah, ferri po më përpin të ngratin!
Shikoni si trupat e shtrigosur
pak e ngapak ata përflaken!
Katallana edhe kuçedra rrotull
fluturim ne po na përskajen!
Çfarë llahtarie e hataje!
Ikim që të gjithë nga sytë këmbët!
Sipër flakëron dhe fishkëllen e liga,
gjithandej
një avull ferri nga toka shpërthen.
Kori i rojave krishtere:
Trupa të tmerrshëm të shtrigosur
Katallana e kuçedra rrotull!
Çfarë llahtarie e hataje!
Shih, atje flakëron, vjen ligësia!
Gjithandej
një avull ferri nga toka shpërthen.
.
Kori i druidëve:
.
Sikurse flakën e dëlir tymi,
edhe feja jonë po dëliret!
E na e rrëmben kultin tonë të lashtë,
por dritën tënde kush e rrëmben vallë?
Këngë maji
Ç’nur ngazëllimi
Natyra fali!
Si ndriçon dielli!
Si qesh livadhi!
.
Lulet në gëma
Shpërthejnë prush
Mijëra zëra
Nga çdo gëmushë,
.
Dhe shend, dëfrime
Nga gjokset krejt.
O tokë, o diell!
O fat, o qejf!
.
Dashni, dashnore!
Aq larë në ar
Si re agsholesh
Mbi çdo majmal.
.
Ti bekon prajshëm
Fushën e qeshur,
Botën mes avujsh
Vese të fshehur.
.
Moj çupërlinë,
Sa shumë të dua !
Syri yt sa shkreptin!
Sa më do ti mua!
.
Si laureshat duan
këngën, ajrin e hollë
dhe lulet pa aguar
miklimin qiellor,
.
siç të dua ty
me gjak të valë,
ashtu ti rini,
trimëri e gaz,
.
hare dhe vrulle
më jep pakufi,
n’përjetësi e lume,
sa m’do mua qofsh ti!
Trëndafilja e vogël e livadhit
Pa një djalë dikur një trëndafile,
Trëndafile të vogël livadhi,
E bukur dhe e re si rrezja në agime,
Rendi shpejt nga pranë ta shohë djali
Dhe gëzimi i tij qe i pamasë.
Trëndafile e vogël dhe e kuqe,
Trëndafile e bukur livadhi.
.
I tha djali: “Të këpus dhe shkoj,
Trëndafile e vogël livadhi!”
I tha trëndafilja: “Unë të pickoj,
Që për mua të mendosh gjithmonë,
S’i nënshtrohem trimërisë sate!“
Trëndafile e vogël dhe e kuqe,
Trëndafile e bukur livadhi.
.
Djaloshi kryeneç e këputi
Trëndafilen e vogël te livadhi:
Trëndafilja u mbrojt aq sa mundi,
Nuk ia vlejtën fare ahet edhe uhet,
Duhej të nënshtrohej pa bërë llafe.
Trëndafile e vogël dhe e kuqe,
Trëndafile e bukur livadhi.
Kënga e Muhametit
(Kjo këngë do të përfshihej në një poemë dramatike
të titulluar Muhamet, plan i cili nuk u përmbush asnjëherë
nga Goethe. Ai përmend se do të këndohej nga Aliu aty nga
fundi i veprës, në nderim të mësuesit të tij, Muhamet, pak para
para vdekjes së tij, dhe kur ai ishte në kulmin e lavdisë.)
Shih burimin shkëmbor!
Sa gazmor
Si vezullim ylli!
Sipër reve
Shpirtna të mirë
E mëkuan që foshnjë
Mes rreshpesh te pylli.
.
Djaloshar
Kërcen nga retë
Poshtë mbi shkëmbinj mermeri;
Pastaj drejt qiellit
Brof si dreri.
.
Përmes qafmalesh
Ndjek guriçkat e larme.
Dhe me hapërim lideri,
Merr me vete burimet vëllezër
Në rrugë të vet.
.
Atje poshtë në luginë
Nën këmbë i çelin lulet,
Dhe nga fryma e tij
Livadhi jetë mbushet.
Por atë nuk e ndalin luginat me hije,
As lulet s’e ndalin,
Rrotull gjunjve duke iu përdredhur
Me sytë lutës duke e përkëdhelur;
Për në fushë ai mban turrin
Shtjellë vorbulluese,
Rrëkè të hajthme
Derdhen në burimet e tij. Tani
Rend ai mbi fushë në lavd kulluar;
Dhe fusha ngazëllon prej burimit,
Dhe lumenjtë ngazëllojnë nga fusha,
Dhe rrëketë ngazëllojnë nga malet,
Thërrasin plot gëzim: “Vëlla,
Vëlla, bashkoju vëllezërisë,
Me ty drejt babait plak,
Të përjetëshmit oqean,
I cili me krahët hapur
Po na pret ne;
Oh! mëkot ato krahë hapen
T’i ngushë fëmijët e tij të përmallur;
Sepse rëra e etur na përpin në
Zgorin e shkretëtirës; rrezet e diellit
Thithin gjakun tonë; kodrat rrotull
Në liqene na ngujojnë! Vëlla,
Merre vëllezërinë tënde të fushës,
Merre vëllezërinë tënde të malit
Me ty, për në krahët e babait!
.
Atëherë të vijmë të gjithë!
Dhe tash duket ai
Më madhështor; dhe një popull
E larton princin e tij madje!
Dhe në triumfin trallisës
Emërton ai vende dhe qytete, që
Marrin dritë nën këmbë të tij.
.
Dhe kudo, kudo që ai rend
Lë pas kulme kullash flakëruese,
Shtëpi mermeri, një krijesë
E gjithnisë së tij, tejetej.
.
Dhe kështu merr vëllezërinë e tij,
Të gjithë thesarët, të gjithë fëmijët,
Duke sokëllitur thekshëm në prehër
Të bacalokut aq të shumëpritur!
Zambaku
Një zambak tek prehej në livadh
vetmitar dhe kokën ca mënjanë,
ish një zambak ai me hire plot.
Kalonte atje pranë një bareshë,
me hap të lehtë e shpirt të qetë
duke kënduar ajo shkonte
rrugës së vet dalë e ngadalë.
.
Ah, tha me vete, do të doja sot
ndër lulet të jem më i bukuri në botë,
të jem, ah, qoftë dhe për një çast,
derisa të vijë kush ma mori zemrën
dhe ma pushtoi krejt atë të shkretën!
Ah, sadopak kjo le të zgjasë,
për një çerek ore vetëm!
.
Medet, o medet, vasha erdhi prap
E nuk i ra në sy hiç ai zambak,
madje e shkeli të mjerin pa kujdes.
Ish i lumtur edhe pse po vdiste:
nëse vdes, unë vdes pra gjithsesi,
për hir të saj, bash për hir të saj,
nën këmbët e saj të paktën vdes.
Dashnori në të gjitha trajtat
Dua të jem një peshk i rrallë
Sa i hedhur edhe lozonjar;
Nëse vjen një ditë ti me grep
Më peshkon mua menjëherë.
Dua të jem një peshk i rrallë
Sa i hedhur edhe lozonjar.
.
Oh, u bëra kalë për ty!
Ndaj si të mos më doje ti.
Oh, isha unë një kerr
Që ty sipër të merr !
Oh, u bëra kalë për ty!
Ndaj si të mos më doje ti.
.
Të isha flori unë dua
Në gishta më mban ti mua!
Nëse diçka doje të blije ti,
Kthehesha shpejt përsëri.
Të isha flori unë dua
Në gishta më mban ti mua!
.
Ai që jam prapë dua të jem,
Dhe e dashura kjo që është të jetë!
Unë të betohem për besnikëri,
Nuk largohem kurrë nga ti.
Ai që jam prapë dua të jem,
Dhe e dashura kjo që është të jetë!
.
Do të doja të jem një plak,
I mardhur dhe rrudhan,
Që kur të më thuash Jo,
Unë të pëlcas nga kjo!
Do të doja të jem plak,
I mardhur dhe rrudhan.
.
Desha të jem një majmun,
Që të bëj marifete pa fund;
Nëse dikush ty të cingris,
Ia bëj gjëmën dhe e shastis.
Desha të jem një majmun,
Që të bëj marifete pa fund.
.
I sjellshëm si qengj do të rri,
I zoti si luan natyrisht,
Si një rrëqebull qull do ngjaj,
Si një dhelpëran dinak pastaj.
I sjellshëm si qengj do të rri,
I zoti si luan natyrisht.
.
Kudo e ngado që të vete,
Për gjithçka do të të rrëfehem;
Me dhurata princërore çdo lloj
Dashurinë do ta dëshmoj.
Kudo e ngado që të vete,
Për gjithçka do të të rrëfehem.
,
Gjersa asgjë s’më ndryshon dot,
Kështu siç jam pra do t’më pranosh!
Nëse nuk jam dhe aq i mirë;
Ti më bëj atëherë mua të tillë.
Gjersa asgjë s’më ndryshon dot,
Kështu siç jam pra do t’më pranosh!
Ganimet
Si në dritë mëngjesi
Rrotull meje përflak
Ti maj, ti dashnor!
Me mijëra e mijëra ngazëllime
Emocionet e shenjta
Buruar nga ngrohti pamort
Yti mbush zemrën time
Ti në dlirësi të paskaj!
.
A mund të të ngush ty
Fort shtrënguar!
.
Ah! mbi gjoksin tënd
Shtrihem unë, trallisur,
Pastaj lulet e tua, bari,
Ma trysnojnë zemrën.
Ti më përvëluesen etje
Ia shuan gjoksit tim,
Fllad përtëritës mëngjesi!
Pastaj bilbili ëmbël më thërret
Nga lugina plot me mjegulla.
.
Unë vij, unë vij!
Nga vjen? Ah, nga vjen?
.
Atje lart, përpjetë ngjitet rruga ime.
Ndërkohë që teposhtë retë
Kalamenden, retë
Ulen të takojnë dashurinë e zjarrtë.
Mua, mua,
Në krahët e tu
Përpjetë!
I ngushur dhe ngushës!
Përpjetë tek gjoksi yt,
Oh Baba i gjithëdashur!
Peshkatari
Uji rridhte, uji gurgullonte,
buzë tij ish një peshkatar,
krejt i qetë grepin e vështronte,
i ftohtë deri thellë në palcë.
E teksa rri e teksa dëgjon,
hepohet vala edhe hapet;
del andej një femër që kullon
ujë nga të katër anët.
.
Ia këndon një këngë atij, i thotë:
“Pse e josh me artin tënd të ligësisë
njerëzore farefisin tim, djalosh,
lart, në vorbullën e vdekësisë?
Ta dije ti sa i lumtur ndjehet
peshku i vogël atje thellë,
do të zbrisje poshtë, kështu si je,
më nuk do sëmureshe kurrnjëherë.
.
Dielli vetë dhe hëna, vallë
A s’e gjejnë këtu në det çlodhjen?
A s’na duket më e bukur pra
Fytyra e tyre në det kur pasqyrohet?
Qielli i thellë a nuk të deh,
në kaltërsinë e lagët i përkundur?
Fytyra jote a nuk të dëfren
këtu në flladitjen e pafundme?”
.
Uji rridhte, uji gurgullonte,
këmbët e zbathura tek ia njomë;
dhe zemra në gjoks i fluturonte,
kur e bukura ia bënte me dorë.
Atij i kushtoheshin fjalët e këngës;
atëherë mori fund dhe punë e tij:
pak ajo e joshte, pak ai kalamendej
të bjerë, dhe më kurrë s’u pa me sy.
Djaloshi i ri dhe përroi i mullirit
Djaloshi i ri:
Përrua i kulluar, për ku vallë
Kaq gazmor ti rend?
Ti rrjedh luginës kaq krenar
Shpirtin plot shend.
Çfarë kërkon atje poshtë kaq i trënuar?
Më dëgjo mirë dhe ma thuaj!
.
Përroi:
O djalosh, isha një përrua harrakat,
me dhunë
më kanë rrëmbyer, sepse me vrap,
duhet unë
në jaz të rend drejt mullirit në luginë,
e jam gjithnjë i shpejtë, plot ujë natë e ditë.
.
Djaloshi i ri :
Ti rend tek mulliri poshtë,
me shpirt kaq të dlirë,
e në gjakun tim të njomë
çfarë ndjej ti nuk di.
Mullisja e bukur, nazemadhe, gjithsesi
a nuk të dërgon shikime ty?
.
Përroi:
Ajo del në oborr aq herët
Sa shkrep rrezja e parë
Dhe sytë e saj të kthjellët
Këtu vjen për t’i larë.
Ka një gjoks kaq përvëlues e të bardhë;
prej flakës dashurore gufon lart.
.
Djaloshi i ri:
Ajo i ngjall zjarr dashurie
Edhe ujit akull,
si mund të gjejë paqe i riu
prej mishi edhe gjaku?
Kush e ka parë qoftë dhe një herë,
medet, duhet ta ndjekë pas atë përherë.
.
Përroi:
Pastaj unë vërsulem me vërtik
duke piskatur,
pa marrë në sy asnjë rrezik,
hallakatur.
Prej kur e shoh të bukurën vashë,
më i fuqishëm më i vrullshëm jam.
.
Djaloshi i ri:
I gjorë, si të tjerët travajë,
a s’ndjen dhe ti?
Luan me ty dhe të thotë pastaj:
Pa ik tani!
A nuk të magjeps edhe ty vallë
Me një shikim dashuror që të kallë?
.
Përroi:
Më vjen kaq zor, kaq zor, të ik,
Të shkoj nga ky vend:
Nëpër livadhe gjithë mërzi
Unë mezi rend;
dhe po ta kisha në dorë këtë,
do rikthehesha përpjetë gjithnjë.
.
Djaloshi i ri:
O shok i dhimbjeve dashurore,
tash të lë vetëm;
ndoshta një ditë do i murmurosh
asaj tek veshët.
Thuaja shpejt, thuaja sa më shpesh
çfarë do djaloshi e në heshtje mban shpresë.
Prometeu
Mbuloje qiellin tënd, Zeus,
Me re të zeza,
Dhe si ai djaloshi
Që driza pret,
Bëj ti me lisa dhe me kreshta malesh!
Por tokën time
Mos e luaj vendit;
As kasollën time, të cilën nuk e ndërtove ti,
Dhe vatrën time,
E prushin e tij
Që m’i lakmon.
.
Unë nuk di kënd më të varfër
Nën këtë diell se ju perënditë !
Ju e majmëroni dhimbshëm,
Me flijimet bujare
Dhe lutjet e mjera
Madhështinë tuaj:
Madje do të vdisnit urie
Nëse fëmijët dhe lutësit
S’do qenë të marrë pa shërim.
.
Fëmijë kur isha
Dhe s’merrja vesh nga jeta,
E ktheja shikimin e hutuar
Drejt diellit lart, thua se ish atje
Një vesh për t’i dëgjuar ankimet e mia,
Një zemër si imja,
T’i dhembin hallet e mia.
.
Kush më ndihu mua
Kundër pafytyrësisë së Titanëve?
Kush më shpëtoi mua nga kjo vdekje,
Nga skllavëria?
A s’e bëre vetëm filli të gjithën
Ti moj zemra ime e shenjtë?
Dhe i zjarrtë, i ri e i mirë,
Pushtuar mendimesh miradije
Për juve atje lart?
.
Të nderoj ty? Dhe pse?
M’i ke lehtësuar ndonjëherë
Dhimbjet dërguar prej teje?
Të kanë rrjedhur lotët kurrë
Vallë prej keqardhjes?
A nuk isha caktuar të jem një njeri
Nga Koha e gjithëfuqishme
Dhe nga Fati i përjetëshëm,
Zotërinjtë e mi dhe të tutë?
.
A nuk e ke ti fajin
Që unë jetën ta urrej,
Dhe të ik në shkretira,
Ngaqë jo të gjitha lulet
E ëndërrave të mia dhanë frute?
.
Këtu qëndroj, duke iu dhënë
Vdekëtarëve pamjen time;
Një racë që më ngjan mua,
Për të vuajtur, për të vajtuar,
Për t’u gëzuar, kënaqur,
Dhe ti të mos çash kokën,
Si unë!
Hënës
Mbushesh me shkurre, lëndina,
Me rrezen e lëbyrët prapë,
Dhe shpirtin tim prej gëzimesh
E bën dhe një herë sa një mal.
.
Mbi fushat e mia, bujare
Shikimin e ëmbël e shtrin,
Si një mike ti duke parë
Këtu poshtë fatin tim.
.
Ditët plot halle, gëzime
Që shpirtin ma dehën dikur,
Endem në gaze, trishtime
Vetmitar si një murg.
.
Rridh, ti rridh, i dashur lum!
Kurrë unë s’do gëzoj;
Ikën qejfe, puthje kuturu,
Me to jeta shkoi.
.
Dikur ndjehesha si mbret,
Pa ia ditur çmimin!
Tash në të keqe, oh medet,
S’e ndal dot kujtimin.
.
Ngutu, lum, nëpër luginë
Pa prehje, pa pushime;
Pëshpërite melodinë
E kësaj këngës sime!
Kur në netët dimërore
I zemëruar shfren,
Apo në dufet pranverore,
Kur gjithkah shpërthen.
Atij që nga bota kthehet,
Pa dhunë, pa lakmi
Atij që brenda në zemër
Ndryn veç dashuri!
Çka për njerëz të shpërfillur,
Njerëz të panjohur,
Natën ndër këto labirinte
Endemi pa u lodhur.
Mall
Çfarë ma shtyp zemrën kështu?
Çfarë më bren tevona?
Çfarë më gërryen, më përpush
Nga shtëpia, dhoma?
.
Si mblidhen në rrëmujë
Retë lart në qiell!
Do të doja të jem me ju,
Do të doja të jem atje!
Fluturimi i përditshëm
I korbit ja merr fund;
Me atë përfshihem
I shkoj nëpër gjurmë.
.
Rrotull murit edhe malit,
Fluturojmë ne bashkë;
Ma ndjen frymën i ngrati,
Ia ndjej shpirtin pranë.
Pastaj vrullon përpara,
Dhe unë vërtik me të,
Tek pylli plot me aha,
Një zog këndon një këngë.
Ajo kthehet, vërtitet,
Duke qeshur mendon:
“Sa bukur këndon bilbili!
Ai për mua po këndon!”
Lartësitë mbushen dritë,
Nga dielli që befas lind;
Vashat e trishta çiltër
E ndjekin me shikim;
Ajo fluturon pa fund,
Mbi livadhe atje,
E mugët, e mugët
Bëhet rruga përherë.
.
Unë arrij menjëherë
Një yll vezullimtar:
“Çfarë ndrin sipër meje
Kaq afër dhe kaq larg?”
Dhe kur ti mrekulluar
Ia beh nëpër dritë,
Unë të përulem përpara
Shtangur nga shikimi yt!
Mirseardhja dhe lamtumira
(Një tjetër këngë dashurie kushtuar Frederikës.)
Ma përpiu zemrën: u bë erë!
E me shpejtësi drite u krye gjithçka;
Mbrëmja botën e përqafi shpejt,
Dhe përmbi male nata shpejt u var.
Vrik u veshën me mjegull edhe lisat,
Thua se ishin përbindësha të zi,
Kur errërira ia behu nga drizat,
Dhe na këqyrte ne me qindra sy.
.
Hëna doli nga një grumbull resh
Të na ndritë filloi gjithë pikëllim:
Erërat i shpalosën flatrat shpejt
Dhe pëshpëritën butë në veshin tim.
Nata krijoi mijëra përbindësha,
Por prapë e kthjellët mendja ime qe;
Zot, çfarë flakësh nëpër deje kisha!
Çfarë dufi brenda zemrës sime bren!
.
Të pashë ty, dhe me krenari të fisme,
Ndjeva me gazmend si më mbushe ti;
Ndërkohë që zemra për ty rrihte
Dhe çdo frymëmarrje imja ish për ty.
Një mot pranvere plot ngjyra lulesh
Farfurinte nëpër fytyrën tënde,
Një dashuri që s’e meritova kurrë,
Dhe, falë Zotit, e shpresova gjithnjë!
.
Por kur dielli lindi përsëri,
Ikja jote ma trishtoi zemrën sa s’ka:
Në puthjen tënde, o Zot, sa përvëlim!
Në shikimin tënd sa dhembje pat!
Sytë përdhè atëherë i ngula,
Me lotë ty t’u mbushën sytë:
Dhe prapë sa i lumtur kur të duan:
O Zot, të dashurosh, sa lumturi!
Dashuria pa fund
Rend në borë dhe shi,
Rend nëpër furtunë!
Mes honeve të zi,
Mes dallgëve pus.
Përpara! Pa fund!
Prehje, çlodhje kurrkund!
.
Sa më shpejt të ndeshem
Unë dua me brengën,
Atje gjithë qejfet
E jetës gjenden.
Hare është vetëm
Kur zemrën ndjen zemra,
Ato digjen dhe bëhen
Përherë më të mençura.
.
Si të fluturoj?
Pyllit tejpërtej?
Çdo gjë shkon kot!
Kurorë e artë jete,
Fat pa prehje,
Dashuri ti je!
Kënga e udhëtarit të natës
(Shkruar natën në Kickelhahn, një kodër në pyllin e Ilmenau,
në luginat e një manastiri të vogël ku Goethe shkroi aktin e
fundit të Iphigenia.)
Mbi të gjitha majat
Fryn puhi;
Të etura për flladet
Pemët zefir
Hurbin në heshtje;
Zogjtë flenë nëpër degë
Prit pak, edhe ti atëherë
Do gjesh prehje.
Para trupit gjykues
Nga kush e kam pasur s’jua them
Fëmijën që e kam në barkun tim.-
Turp të kesh, pështyjeni: zuskë e bukur!-
Por unë mbetem një grua e mirë.
.
Kujt i jam dhënë nuk jua them.
Thesari im është më i miri në botë,
qoftë nëse mban gjerdan prej ari
apo kapele kashte mban në kokë.
.
Nëse do pësoj tallje e shpoti,
i përballoj ato e vetme unë.
Atë e njoh mirë, ai më njeh mirë,
edhe Zoti e di mirë këtë punë.
.
Zotëri prift dhe zotëri zyrtar,
ju lutem, lermëni në paqe!
Është fëmija ime, imi ai mbetet,
ju s’do t’iu kushtojë kurrgjë fare.
Gjuetari i miushëve
Jam këngëtar i njohur anembanë,
një gjuetar miushësh me famë,
për këtë qytet me lavdi dhe zulmë
s’ka njeri më të nevojshëm se unë.
I zhduk të gjithë minjtë për çare,
nuk lë mbi tokë kurrkund nuselale,
unë bëj gjithkah spastrim rrënjësor,
s’më ndal dot kush, nuk më pengon.
.
Nganjëherë gjuetari i miushëve
iu ngre çarkun edhe vogëlushëve;
edhe më lazdranët i bën pulë
kur tregon përralla me xhuxhë.
Sado mburracakë të jenë djemtë,
sado të jenë vajzat hundëpërpjetë,
i prek telat e harpës e thur melodi,
ata fill pas meje në rresht më vijnë.
.
Është nganjëherë shtrigan mizor,
iu ngre çarkun vajzave si hor,
në çdo qytet ku ka shkelur ai
më shumë se njërës i ka bërë magji.
Qofshin vajzat nga më torollaket,
qofshin gratë nga më harrakatet,
të gjitha marrosen prej dashurisë
kur unë telat prek edhe kënga nisë.
(Da Capo)
Shtegtari dhe fshatarja
Ai:
Nën këtë bli shtatlartë e hijeplotë,
ku po gjej tani pushim e çlodhje,
bukuroshe fshati pa kund shoqe,
etjen dhe urinë a m’i shuan dot?
Ajo:
Pas udhës së gjatë nëse do të çlodhesh,
fruta të arrirë, kajmak e bukë të njomë,
nga stanet, arat e pemëtorja jonë
t’i sjell tek burimi dhe ha sa të ngopesh.
Ai:
Të të kisha njohur shumë vite më parë,
Perlë e paharruar e një kohe të ëmbël.
Vajza që të ngjajnë kam gjetur shpesh më herët,
por kjo që shoh është mrekulli e rrallë.
Ajo:
Nuk është mrekulli: shpesh burrit të botës
gjithçka që sheh një mrekulli i duket.
Një bjonde i ngjason shpesh me një brune,
Si njëra, në fakt, dhe tjetra është joshëse.
Ai:
Pamje e tillë që më bën për vete
e sotmja natyrisht nuk është e para
Midis tërë diejve atje tek salla
Ishte ky diell i kësaj feste.
Ajo:
Nëse të kënaq vërtetë kjo gjë,
le ta lëmë mënjanë këtë përrallë;
I varej shpinës mëndafsh purpur i gjallë
Kur e pe të parën herë atë.
Ai:
Jo, vërtetë, nuk e ke trilluar, jo!
Nga shpirtërat faktet të janë shpallur;
ti e ke ditur edhe për stolitë e rralla
dhe perlat që i zbehte me shikim ajo.
Ajo:
Për diçka veç isha krejt e bindur:
Se e drojtur zemrën të ta hapë,
me shpresë të të shihte prapë
kështjella në ajër kishte ngritur.
Ai:
Erërat më morën me vete anembanë!
Me mish e shpirt kërkova nder e pasuri!
Por në fund të botës, kjo është mrekulli,
hijen fisnike unë ja ku e gjej prapë.
Ajo:
Hijen jo, ti po sheh me sytë e tu
atë bijë krenare, filiz gjaku të shprishur;
tani fshatare në një çiflig të braktisur
jeton Elena e lumtur me vëllain këtu.
Ai:
Kush i ka pronë të veten si mundet vallë
të heqë dorë nga këto fusha të hatashme?
Ara pjellore, kullota pa fund, livadhe,
burime hyjnore, dhuarata të një qielli bujar.
Ajo:
Ti i ke rënë botës mbrapsht e mbarë!
Unë dhe vëllai kemi vënë boll pasuri;
kur në botë ka vdekur, thonë, çdo mirësi,
tokën e etërve kemi nxjerrë në pazar.
Ai:
Është në shitje, bukuroshe, flet pa rrena!
Si pronar e di se çfarë mëtoni;
çmimi gjithsesi nuk është aspak i vogël,
fjala e saj e fundit është kjo: Elena.
Ajo:
Nuk na bashkonin dot rang e pasuri!
Dashuria, pra, e ka përcaktuar fatin?
Po ja, tani ku mbërrin vetë vëllai;
kur ta marrë vesh çfarë mund të thotë ai?
Legjendë indiane
Mahadeva, perëndi i tokës,
vjen nga lart për të gjashtën herë,
dëshiron të jetë qenie tokësore
të marrë pjesë në gëzime dhe harè.
Të banojë këtu ai është gati,
të provojë çdo përditshmëri:
qoftë të ndëshkojë, qoftë të fali
si burrë të shihet sy më sy.
duhet të shihet sy më sy si burrë.
E kur qytetin si turist e ka vizituar,
spiunuar të rriturit, të vegjëlit vëzhguar,
e ka lënë të vazhdojë pasi të bëhet muzg.
Në të dalë të qytetit ku
shtëpitë e fundit shfaqen,
ia beh një vajzë e humbur,
e hijshme, kuq në faqe.
„Tjeta, çupërlinë!“ Pritmë pak,
po dal vrik e të falënderoj o mik.”
“Ti kush je?” Një kurtizane jam,
e kjo është shtëpia e dashurisë.”
I ka tundur e përtundur çamparet në valle
si di ajo të dridhet, të përdridhet, të vërdallet,
përulur ia fal një tufë me lule zonja e shtëpisë.
E stërkënaqur e prin në oborr,
me një gjest gazmor e fton në shtëpi.
“Pylltari im, dritë që vezullon,
Do të jetë e gjitha për ne të dy.
Nëse je i lodhur, ta sjell çlodhjen,
Për këmbët që të mpihen prehjen.
Do të kesh gjithë ç’do të dëshiroje,
Pushimin, apo lojën, apo qejfet.”
Ajo zbut dhimbje me zell e butësi pa masë.
Buqëqesh hyjnor: shikon me harè e gaz
Një zemër njerëzore në qenien më të qelbët.
Ai i pranon shërbesat e skllaves,
ajo bëhet gjithnjë më e përkorë,
në artet e magjishme prej vajze
pak ngapak natyra shpaloset.
Kështu përftohet sipër lules
fruti i ëmbël brenda çastit;
në shpirt kur dëshira mbruhet,
dashuria nuk është e largët.
Për ta regjur në prova gjithnjë më të rënda,
ai që i njeh mirë ngjitjet edhe rëniet,
zgjedh gëzim e tmerr, gulçe me dihatje.
Faqet me të kuq ai ia puth,
e drithëron dashuria që ndjen,
e burgosur ajo është jo tjetërkush,
qan për të parën herë në jetë,
te këmbët e tij përulet gjer në tokë,
jo për kënaqësi a përfitime,
medet, gjymtyrëve të fortë
iu mohohen të gjitha shërbimet.
Kështu në festë dhe në harenë nusërore
nën vellon e territ dhe në orët natore
gjithçka si të jetë më mirë përgatitet.
Kalamendur vonë ata mes qejfesh,
zgjuar shpejt ajo pas pak pushimi,
mysafirin e stërdashur,sipër zemrës
e gjen vdekur, e gjen pa pikë shpirti.
Hidhet sipër tij duke bërtitur,
po nuk e zgjon burrin më askush,
rregullat e rrepta e kanë nisur
trupin e tij drejt e në turr drush.
Ajo i urren klerikët, ceremonitë funebre,
është e dehur dhe çan turmën në çmendje.
“Kush je? Cila forcë të shtyn në varrim kështu ? »
E gris ajrin tejetej thirrja e saj,
bie përtokë ajo pranë qivurit:
«E kërkoj atë edhe në varr
e dua sërish të gjallë burrin.
Gjymtyrët e hyjnorit si u dashka
bërë hi edhe shpërndarë?
Imi! Ishte imi mbi gjithçka!
Një natë nusërie, veç një natë!”
Këndojnë klerikët: “I dërgojmë pleqtë
Pas dergjëve të gjata dhe një prehje të qetë,
dhe të rinjtë, para se të venë mend të ngratët .
Dëgjoje urtinë e priftërinjve
tu: ai nuk ishte burri yt.
Si kurtizane ti i kalon ditët
prandaj s’ke asnjë detyrim.
Trupin e ndjek vetëm hija
në mbretërinë e të vdekurve pa skaj:
Burrin veç gruaja e tija
dhe kjo është për të detyrë dhe lavd.
Kumbo, moj trombë, për vajtimin e shenjtëruar.
Merreni, perëndi, midis jush
stolinë e zbukuruar
të ditëve, priteni të riun, atje në flakë!»
Kështu kori, krejt hutuar,
ia shton në zemër trishimin;
ajo me krahët hapëruar
përqafon me gaz amshimin.
Por Mahadeva perëndi
prej së larti del nga flaka
dhe mes krahëve të tij
e ndjek atë dhe e dashura.
Mëkatarët e penduar perëndia i pëlqen;
të pavdekëshmit vdekëtarët që kanë bërë keq
i ngrenë me flatra prej flake për në qiell.
Komentet