SPAK do të thërrasë ditën e hënë në orën 10:00 Rajmonda Nikën, bashkëshorten e Aleks Nikës në cilësinë e kallëzues për vrasjet e 21 janarit, raporton për Balkanweb gazetari, Igli Çelmeta.
Gjithashtu në të njëjtën ditë në orën 12:00, është thirrur edhe Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës.
Aleks Nika është një nga viktimat e 21 janarit, por vrasja e tij mbeti e pazbardhur.
SPAK do të hetojë 21 janarin, ku 4 qytetarë u vranë gjatë një demostrate të thirrur nga opozita e asaj kohe, Partia Socialiste.
SPAK ka ngritur 3 vepra penale për 21 janarin: shpërdorim i detyrës, “vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
SPAK sqaron se ka nisur hetimet pas vendimit urdhërues të Gjykatës së Lartë, si edhe vendimit të Strasburgut. Procedimi penal është regjistruar më datë 15 korrik 2024 për 3 vepra penale që dyshohet se mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, dhe jo vrasje nga pakujdesia siç prokuroria e Tiranës i cilësoi. SPAK i akuzon për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisin pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës në Gjykatën e Lartë e vetmja vrasje pa autor e 21 janarit, për shkak se predha që iu hoq nga trupi në Turqi ishte e dëmtuar, e paekspertueshme se nga cila armë u qëllua. Familja e Nikës prej më shumë se një dekade kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tyre dhe tashmë SPAK pritet të zbardhë të vërtetën e asaj ngjarje dhe rolin e kupolës më të lartë shtetërore.bw