Për 46 vite nën diktaturën më të egër komuniste, populli shqiptar votonte, por nuk kishte të drejtë dhe mundësi të zgjidhte!
Prandaj e priti demokracinë si dritën e syve për të patur mundësinë që, me vullnetin e tij të lirë, të zgjidhte subjektin, programin dhe personin për të cilat kishte besim se jeta e tij personale e familjare dhe mirëqënia krahinore e kombëtare do të ndryshonin për më mirë.
Fatkeqësisht, kjo nuk ka funksionuar sikur mendonim në këto 33 vite pas përmbysjes së diktatures komunist. Në dhjetor 1990, me hir apo me pahir, iu hap rruga pluralizmit politik, por gjithsesi “demokracia” mbeti krejtësisht e kontrolluar nga nomenklatura e mëparshme. Kundërshtarët politikë, sikurse ishin zogistët dhe ballistët, të cilët regjimi i mëparshëm komunist i pushkatoi, burgosi, internoi dhe i privoi nga çdo e drejtë njerëzore, regjimi tranzitor politik qëllimisht nuk i lejoi të integronin veprimtarine e tyre politike nga Perëndimi në Shqipëri.
Në këto rrethana, në zgjedhjet e 21 marsit 1991 dhe të 22 marsit 1992, zogistët, ballistët dhe antikomunistët e tjerë, masivisht votuan Partinë Demokratike si alternativa e vetme tek e cila besuan se do t’i përfaqësonte si forca e parë opozitare e pranuar në skenën e re politike.
Pas këtyre zgjedhjeve, në kushtet kur edhe elektorati ishte pozicionuar deridiku, partitë tradicionale antikomuniste u lejuan të përfshiheshin në skenën politike, por përësëri vota për ta, dhe jo vetëm për ta, kontrollohej me lloj-lloj mekanizmash. U gjetën marifete sistemesh elektorale jo me përfaqësim real; ndarjet administrative u bënë thjesht për llogari elektorale; u përdor presioni i shtetit dhe i administratës në fushata elektorale; blerja e votave ma pará korrupsioni dhe krimi u kthye në sistem më vete; mërgatës politike dhe diasporës iu krijuan pengesa të gjithfarëllojta që të mos merrte pjesë në votime; numurimi i votave u bë vetëm me komisionerë të dy partive kryesore; manipulimi i votave gjatë numrimit u bë normë; shtyrja pa fund e numurimit dhe nxjerrja e rezultatit zgjedhor u bënë instrumente për tjetërsim vote.
Demokracia nga zgjedhja në zgjedhje pësoi regres dhe sigurisht që zgjedhësit u zhgënjyen me votën, me moskthimin e pronave, me mosdëmshpërblimin e viktimave të diktaturës, me mosintegrimin e tyre në përfaqësim institucional. Ekonmia dhe drejtësia u vunë nën ganxhat e korrupsionit në rritje, politika u bë një me krimin, pasiguria për jetën nga krimi ordiner dhe ai i organizuar e bënë jetën e qytetarit të padurueshme. Rruga e vetme që iu mbeti shqiptarëve ishte largimi me dhimbje nga vendi i tyre drejt rrugëve të botës me shpresë për një jetë më të mirë.
Ajo që demonstruan shqiptarët në Gjermani në kampionatin europian të futbollit, habiti europianët. Ishte shfaqja më natyrale e tyre me masivitetin, simbolet kombëtare, tifozerinë e tyre dhe qytetarinë e tyre. Fajtorët politikë të realitetit të dhimbshëm shqiptar në Shqipëri duhet të ulin kokën përballë kësaj dashurie të zjarrtë të shqiptarëve ndaj Shqipërisë. Ishte një nga momentet që tregoi se politika shqiptare duhet të reflektojë thellë: pse shqiptarët larg Shqipërisë e bëjnë atë krenare siç e ëndërrojmë të gjithë, ndërsa këtu i detyrojnë të ikin prej saj?
Pse kjo tragjedi? Bollë më!
Shkaku themelor është mungesa e besimit të tyre te vota. Pa votë të lirë dhe të ndershme ata nuk ndjehen të përfaqësuar në institucionet që dalin nga zgjedhjet. Dhe kur qytetari shikon dhe vuan se nuk përfaqësohet, ai e ndjen veten të dhunuar pikërisht në vendin e tij.
Është kjo arësye themelore pse “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” në platformën e saj për zgjedhjet politike të vitit 2025 ka përcaktuar prioritet kryesor politik Reformën Zgjedhore. Kjo reformë nuk duhet të bëhet për të ushqyer pazaret politike të dy partive të mëdha siç i ka ushqyer këto 34 vjet, por vetëm mbi këto shtylla demokratike:
Barazia e votes, me një sistem proporcional kombëtar ose 4 zona elektorale. Vetëm kjo zgjidhje do të çonte në përfaqësim real të subjekteve në Kuvend në raport me votën, ndërsa elektorati do të lidhet më drejtpërdrejt më deputetin e zgjedhur.
Lista të hapura. Natyrisht që listën e kandidatëve e bën partia apo kryetari, por renditjen duhet ta bëjë votuesi. I shënjtë në demokraci është qytetari, vota e tij, jo orekset, parapëlqimet dhe pazaret e politikanëve.
Votim dhe numërim elektronik. Që të bëjmë një sistem të pavarur nga partitë duhet të ndryshojmë mënyrën e votimit dhe numërimit, ndryshe do të mbetemi kufoma të politikës. Përvoja elektronike u testua në disa bashki dhe si fillim rezultoi me disa avantazhe. Kjo përvojë duhet të shtrihet në gjithë vendin.
Vota e diasporës. Është jo vetëm e trishtueshme, por edhe e dënueshme që të mos krijohen kushte normale për votuesin që të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar, kudo që të jetë. Jemi ndër vendet e pakta që i mohohet diasporës të votojë në vendet ku jetojnë e punojnë.
Çfardo “reforme tjetër zgjedhore” si këto që janë bërë me pazare deri tani, është instrument për të ruajtur formën që u duhet pikërisht sundimit të tyre, jo formën demokratike.
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” u bën thirrje qytetarëve shqiptarë t’u thonë me zë të lartë protestues subjekteve politike: boll më! Pas 34 vitesh të kthehet besimi te zgjedhjet e lira, të ndershme, të besueshme dhe të pakontestuara nga konkuruesit.
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” iu kërkon subjekteve politike që kjo reformë të përfundojë brënda këtij sesioni parlamentar.
Bollë më!