Nga Dhori Q. Qirjazi, Universiteti Aristotelian i Selanikut
Më 23 tetor u mbushën plot 200 vjet nga dita e lindjes së Dhimitër Kamardës, një emri që na kujton sërish dhe thelbësisht peshën e gjakut të shprishur të Arbërit në historinë dhe kulturën e kombit të shqiptarëve, të cilët, edhe këta krenohen për vγaun e shquar arbëresh.
100 mote më parë, në katedralen e Horës së Arbëreshëve u vendos një rrasë ku janë gdhendur fjalët e mëposhtme, të diktuara nga poeti Zef Skiro:
“Për kujtim të përjetshëm
të Papa Dhimitër Kamardës
arhimandrit në Livorno
i çili për sa rroi
me t’ shkruame të paharroshme
i bë nder vëndit
shëndriti të vjetrën gjuhën t’ ënë
edhe i shtoi hie atdheut t’ dashur.
Gjithë ata çë j-a din të mirën
kūj pa u lodhur kurr natë e ditë u mundua
për t’i dalë zot e fitim për t’i sjellë
të lartës farë shqyptare
te qintvjeti parë i t’ lemit t’ tij
në XXIII të tetorit MCMXXI
vun këtu këtë rrasë”
Në vitet që pasuan, me raste të ndryshme, janë vënë edhe të tjerë “gurë” për të përkujtuar njeriun, i cili, mes të tjerash, “për herë të parë … bëri përqasjen e një kompleksi trajtimesh krahasuese të shqipes…” (G. Meyer).
Një gur të vogëlith duam të vëmë edhe ne me përshtatjen për herë të parë në shqipen e sotme të një teksti pak të njohur të Kamardës, shkruar arbërisht, pjesë e parathënies së tij (Prekallëzimë) në përkthimin e veprës së njohur të Dora D’ Istrias për kombin shqiptar sipas këngëve popullore (1866), të cilin eruditi arbëresh, mik i Helena Gjikës, e përktheu me titullin “Fyletia e Arbënore prej kënëkatë të llaoshima” (Livorno 1867).
Siç do të shihet në vazhdim, ky tekst ka vlera të spikatura për sa u përket ideve që shtjellon dhe vendit të tij në historinë e shqipes letrare. Kamarda parashtron kriteret dhe metodën që ndoqi gjatë përkthimit të veprës në fjalë dhe shpreh hapur qëndrimin e vet për një shqipe “të gjithakushme edhe të gjithakundme”, tej “synoreshë të Gegarismitë edhe të Toskarismitë”, duke u distancuar kështu nga ideja e De Radës, i cili besonte se në themel të shqipes së përbashkët duhej vendosur arbërishtja, një dialekt i veçuar gjeografikisht, që pati ruajtur ashtin dhe ajkën e shqipes, dhe prandaj i takonte të zinte kryet e vendit.
Në këtë mes hyn edhe një tjetër figurë e shquar e diasporës më të vonë, Thimi Mitkoja, urë lidhëse mes kolonive të reja të shqiptarëve, themeluar në shek. XIX, me, në njërën anë, atdheun mëmë, dhe, në anën tjetër, arbëreshët e Italisë dhe arvanitët e Greqisë.
Mitkoja gjeti te studimi i Dora D’ Istrias një hyrje ideale për “Bletën shqiptare”, që po përgatiste; madje “Bleta” do të mund të konsiderohej si një vazhdim i natyrshëm, me lëndë folklorike shqiptare, i esesë së njohur të Helenës së Gjikajve.
Vetëm se gjuha e Kamardës, të cilin e kishte idhull, nuk e kënaqte “bletarin” e mjaltës së shqipes. Dhe nuk e kënaqte sepse qe ende “aguridhe”, e ngarkuar me arbëreshizma, greqizma e neologjizma, kurse Mitkoja vetë kishte fatin e madh të ndiente pulsin e shqipes ballkanike të shqiptarëve prej visesh të ndryshme të vendosur në Egjipt, e mbi të gjitha dëshironte që shqipja e hyrjes së “Bletës” të ishte e kuptueshme për lexuesin, ashtu siç do të ishin këngët dhe përrallat e saj.
Pa u zgjatur, po themi se janë gjetur pjesë nga katër motërzime të ndryshme të përshtatjes së përkthimit të Kamardës, që Mitkoja i përgatiti gjatë gjithë periudhës që u mor me “Bletën”, para dhe pas 1878-s. Shqyrtimi krahasues i përkthimit të Kamardës dhe i përshtatjeve të mëvona të Mitkos janë objekt i një studimi që kemi në duar dhe që do të botohet nga QSPA, pjesë e të cilit është edhe teksti i mëposhtëm. Kemi ruajtur numërimin e faqeve të librit origjinal duke vendosur njërin pas tjetrit tekstin e transkriptuar të përkthimit të Kamardës dhe tekstin e përshtatur prej nesh në shqipen e sotme.
Falënderoj koleget e nderuara Anila Omari dhe Merita Sauku-Bruci për ndihmën e tyre të çmuar dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj për ndonjë lajthitje të mundshme.
Dhori Q. Qirjazi
Universiteti Aristotelian i Selanikut
………………………………………………………………………………………………………………..
PREKALLËZIMË
Nëmotë çë unë jamë për të shpallunë ’nkëthyemë në gluhën shqipë të shkruomen e së lartës edhe llamparmes e fortëndritshmesë Zonjës Dora D’ Istria ëmbi fyletiën të Arbënore, kamë të thomë ëndonjë fjalë ’mbi methodhiën e sirmën të shkruemitë që unë kam’ ëndjokurë (a ëndjekunë) te këjo punë as të kollaime, e as të dystuome: edhe isht’ e udhësë pranë me-’ndishkuë lezoisetë Shqipëtarë përmbi të ëndritshmen shkruëtoren e kësajë kartësë (1).
PARATHËNIE
Tani që po bëhem gati të nxjerr në dritë përkthimin në gjuhën shqipe të shkrimit të së lartës dhe vezullueses e fortndritshmes Zonjës Dora D’ Istria për kombin arbëror, më duhet të them dy fjalë mbi metodën dhe fillin e të shkruarit që unë kam ndjekur në këtë punë as të kollajshme dhe as të lëvruar më parë: dhe ësht’ e udhës që lexuesit shqiptarë të mësojnë paskëtaj disa gjëra për autoren e ndritur të këtij shkrimi (1).
- Këjo e shkruomeja doli galishtë te Metapameja e të dy Kosmet, ënde moi i Maitë 1866, Paris: edhe vrapë kële ënkësjellunë në grekë, e në italianë, si dhe në tjera gluha, për sa e lëvduan atë’ gjithë të dishmetë.
Kish t’u tekej Arbëreshvet më se tjerave për me-pasunë te gluha vetë një të tillë kartë, pastajë unë rroka me-hirë ketë punë të fështirë: edhe sa libri t’ish më i pëlqyërë, e i hjeshmë, posa m’a ëndëjeu e llamparmeja shkruëtoreja, i kamë vënë përparë të bukurën sajë fugurën prej kondismën që shkroi, e zografisi Schiavoni ’nde Venetia.
- Ky shkrim doli frëngjisht te Metapamëja e të dy Kosmet [Revista e dy Botëve], në muajin maj 1866, në Paris, dhe menjëherë u përkthye në greqisht, italisht dhe në të tjera gjuhë, ku e lëvduan gjithë të ditshmit.
Tek më shkoi në mend se edhe arbëreshët do të dëshironin, ndër të tjera, ta kenë në gjuhën e vet një të tillë vepër, e rroka me hir këtë punë të vështirë; madje, që libri të ish i pëlqyer dhe i hijshëm, sapo më dha lejën shkrimtarja e ndritur, vura në ballinë portretin e saj të bukur, që e zografisi Skiavoni në Venedik.
IV
E shkrumeja çë u’ kishëja në duarë ishte dietare, ja epistimonike, të cillësë llojee kartë mosnjana thomse, përsa di unë, kurraj nënk’ u-kaa dukurë te jeta. Kavsha pranë, a ypothesëja, ’mbë kë përkuidesetë e shkruomja vështon, e përket gjithë sa janë Shqipëtarëtë ëndë’ gjith’ anatë e Evropësë, dua thomë jo vetëmë ëndë Shqipënia e voreishme, por edhe tek’ e mesëmëja, e tek’ e poshtërmëja, ashtu t’ Arbëreshtë e s’ Elladhësë, si edhe ata t’Italiësë, e të Siqeliësë, ëmbësosme të gjithë, e tuti, sa flasin e ’ndëgjoin fjalën shqipë, te ku do jeenë, edhe si të dinë t’a ligjiroinë atë’. Por kartatë arbëreshka çë janë njeri sodë, po ëndodhenë shkruarë a ’mbë të folët e Gegavet, a ’mbë ata të Toskavet, adhe ëndëvone mbë të folunë pjesëshme dikujë horie e vendi. Moi unë deja me-shkrue po si për këta ashtu dhe për ata. Andajë te këjo kartë s’do të kërkonetë gluha, a, në do thohetë mëmirë, dhialekti, e e folmeja këtune adhe atune, por gluha e Shqipëtarka, ado Arbëreshka, e gjithakushme, edhe gjithakundme.
Shkrimi që kisha në duar ishte punë dijetarësh, apo shkencëtarësh, e atij lloji që, them se, për sa di unë, nuk është shfaqur kurrë në botë[n e Arbërit]. Objekti a çështja që trajton vepra ka lidhje dhe bën fjalë për gjithë sa janë shqiptarë në të katër anët e Europës, pra jo vetëm në Shqipërinë e veriut, por edhe tek e mesmja dhe tek e poshtmja, po ashtu tek arbëreshët e Greqisë, si edhe ata të Italisë e të Sicilisë, me një fjalë, për tërë ata që flasin e kuptojnë shqipen, kudo që të jenë, sido që ta ligjërojnë atë. Por librat e derisotëm në gjuhën shqipe janë shkruar o në të folët e gegëve o në ata të toskëve, apo tek e fundit në të folmen lokale të një hore a vendi. Vetëm se unë doja të shkruaja si për këta ashtu edhe për ata. Andaj te kjo vepërz s’do të haset gjuha, a, thënë më mirë, dialekti apo e folmja e këtyre ose e atyre, por shqipja, quaje në daç arbërishtja, e gjithkushme, dhe e gjithkundme.
Pëse mun të thomi edhe na për Arbëniën, atë’ çë thoheej për Italiën që ndë qero të Dantitë, e përei këtijë së madhitë njeriu, se gluha e mirë, e fisme, edhe llamparme ënde mosnjana eparhjia, a hora, s’ ëmbetetë, por ndë gjithë fanaretë, e çëfaqetë; edhe ajo do të aratisetë, e maronetë sidomos përei së miritë gjithë vendeshit.
Posa unë adha kamë spudhasurë ’ndë feellë e humbët këtë’ të ljashtën gluhë ëndë’ të ’ndërishmetë
Sepse mund të themi edhe ne për Arbërinë atë që thuhej për Italinë që në kohë të Dantes, e prej këtij njeriu të madh, se gjuha e mirë, e fisme dhe llamburitëse nuk gjendet në asnjë krahinë a horë [të veçantë], por duket dhe shfaqet në të gjitha [ato]; dhe do të krijohet e përsoset prej së miritë të të gjitha viseve [të shqipes].
Pasi e kam studiuar thellë dhe me themel këtë gjuhë të lashtë në dialektet e ndryshme të saj
V
dhialekte sajë, edhe e kamë synkrisurë, e krashuarë, e përqasurë atë’ me të tjeratë gluha çë i gljasinë, edhe janë fyset motrëma me atë’, si ëmbi gjithë elinikoja, a greqishtëja: prashtu fjalatë e formatë gluhënishta që m’u-kanë fanarturë, me gjithë spudhaksiën t’ eme, të mira e të bukura ’ndë çillindo dhialektë, a të folunë shqipe, unë ato i kamë dheksurë e përqafurë tue unjitunë, e mbashkuënë të ’ndërishmetë dhialekte ënde proterimatë atune; posi janë (’mbë pjesë ’ndopakë) t’ ëmbashkuarë ’ndai Shqipëtarët’ e së mesëmës Arbënie; për të aratisurë e themeluarë ëmbë këtë’ mënyrë, në dashtë Inëzotë, një gluhë ’ndëvonë mefëtetë Shqipëtarkë të gjithakunshme, e për të dalë ’ndë të shkruomit përei synoreshë të Gegarismitë si edhe të Toskarismitë.
dhe e kam krahasuar e përqasur atë me gjuhët e tjera që i ngjajnë, dhe kanë lidhje gjërie të ngushtë me të, siç është kryepari helenishtja a greqishtja: prashtu fjalët e trajtat gjuhësore që, me studimin tim, më janë dukur të mira e të bukura në cilatdo dialekte a të folme shqipe, unë ato i kam pranuar dhe përqafuar duke u përzier dhe bashkuar dialektet e ndryshme me të mirat e tyre; sikurse janë (të paktën pjesërisht) të bashkuar te shqiptarët e Arbërisë së mesme; për të krijuar e themeluar në këtë mënyrë, në dashtë Ynëzot, një gjuhë shqipe përfundimisht dhe me të vërtetë të gjithkundme, dhe për të kapërcyer, në gjuhën e shkruar, caqet e gegërizmit dhe të toskërizmit.
Kështu vetmë fjala jonë, si mua më duketë, mun të bënetë një gluhë, tue sosurë të keetë doken e të paamen po njenitë a tjatëritë dhialekti të pjesëshmi, e të pandrepuomi. Poka pra, e ’mbi gjithë tek’ epistimonikatë, a dietaretë kavsha, e ypothese, bollë, a mëngjize të panumëruome, janë fjalatë që na lipsenë për të kallëzuënë disa idhea të hatisme jose e të duoshme, këto dha, sa munetë me-u-bënë, do stisenë e aratisenë pjesë tue ënxjerrë, e telqunë ato përei tjerashë, edhe pjesë tue ’mbashkuënë fjalatë ndër to, posi gjithë llaojetë e kanë zakonë, edhe gjithë gluhatë, sidomos elinikoja, e ’ndër të reatë pran allamaneja (gjermanika). Prandajë edhe uë s’munesha me-bënë ëndërishe, e ’mbë ket’ udhë kamë vatunë, por tue menuëmë, e spu-
Vetëm kështu e folmja jonë, si mua më duket, mund të bëhet një gjuhë, duke pushuar së pasuri pamjen e njërit apo tjetrit dialekt të veçantë e të papërsosur. Kësisoj, dhe para së gjithash për termat a çështjet shkencore e diturore, janë boll, e të panumërta, fjalët që na lipsen për të shprehur disa ide të pakapshme, por sakaq të nevojshme; këto pra, për sa është e mundur, do farkohen e krijohen njëra pjesë duke u nxjerrë e rrjedhur prej fjalësh të tjera, ndërsa pjesa tjetër duke bashkuar fjalët mes tyre, siç e kanë zakon gjithë popujt dhe [siç bëjnë] gjithë gjuhët, e sidomos greqishtja, dhe ndër të rejat gjermanishtja (allamaneja). Prandaj edhe unë s’mundesha të veproja ndryshe, dhe këtë rrugë kam ndjekur, por duke menduar, e stu-
VI
dhasunë, e ljëftuënë vetvetiu për të gjeturë vjershin e siriën më të mirë e t’aksimë ndë gluhën tonë prej fysen e mënyrën të sajë, e jo dha prej vetëvullnesën t’ime, a të paudhesmën fantasien çëdokuitë njeriu. Ambi gjithë fjalatë e frasatë, edhe ëmbashkimatë a mëartismetë fjalashë, që unë kamë përdorunë e zakonuomë, unë vetë jamë gati për të dhënë liqë, e për me-sjellë arrësiën prej të cillën ashtu bëna e jo ëndërishe. Mos nuk’ u-solltë ëmbi kët’ udhën gluha jonë nukë mun të kështjelletë e të sgjeronetë kurraj për t’u-bënë e aksimë, e ’nxanëse prë të me-u-shkruë vetë fuqishmith, e konshimë, e malljështuoshimë. Prej udhën çë unë kamë marrë, e hapunë, ajo munetë me-u-madhënuë, e me-u-rrittë sa i pëlqen, edhe me vjershë e sirmë të mirë e t’ujdisme nd’ atë’.
diuar, e luftuar vetvetiu për të gjetur rendin më të mirë e të përshtatshëm për gjuhën tonë sa u përket natyrës dhe mënyrës së saj, dhe jo nisur nga dëshira ime vetjake apo nga fantazia e pafre e çdokujt. Lidhur me gjithë fjalët dhe shprehjet, njësitë e përngjitura dhe kompozitat, që unë kam përdorur dhe praktikuar, jam gati unë vetë të tregoj pse dhe për çfarë arsyesh veprova kështu dhe jo ndryshe. Në mos ndjektë këtë udhë, gjuha jonë nuk mund të zhvillohet e të zgjerohet kurrë për t’u bërë e zonja dhe e aftë për t’u shkruar vetë fuqishëm, këndshëm dhe madhërisht. Në udhën që unë kam marrë e çelur, ajo mundet të hedhë shtat e të rritet sa i pëlqen, edhe me fjalë e ëndje të mirë e të volitshme për të.
Praashtu çillëndo fjalë turqishtë unë papajituarë e kamë mërguomë e shtëmangunë, sa më ish të bënej, pëse Shqipëtarëtë s’do ëmbashkonenë e përzihenë farësej me Osmanllitë çë janë pe njijë s’jatërës të tërë ’ndërishme fylie, e gjaku, edhe kanë këlënë tyranëtë, e rrënoisetë e Arbëniësë, që kurë ’mbë të parën herë ’nde fushatë e Beratitë (që kluhej dhe Alba e Arbënore, a Grekishtea) ata, shumë kondra Shqipëtaret ç’ishën pakë, u-rrahën, e vran të lumpurin prinkë Ballça; e pastajë nuk’ e lanë më Arbëniën të ullëtë, e prëime kurrë, njera çë e zapëtuan gjithë pas vdekësë të ljartitë, e të papërgljashmitë eroi Gjergjitë Kastrioti, që e thonë Shkënder-beg.
Ëndose nuk ë’ e huoja lëtinesë, gluha jonë e
Prashtu cilëndo fjalë turqisht unë e kam mërguar e shmangur papajtueshëm dhe aq sa mund të bëhej, ngaqë shqiptarët s’kanë për t’u bashkuar e përzier aspak me osmanllitë që janë prej fare e gjaku kryekrejet të ndryshëm dhe kanë qenë tiranët e rrënuesit e Arbërisë. Kur për të parën herë në fushat e Beratit (që quhej dhe Alba e Arbënore, a Grekishtea) ata, një mizëri, [luftuan] kundër shqiptarëve që ishin të paktë, u rrahën, e vranë të ndjerin princ Ballça; e pastaj nuk e lanë më Arbërinë të qetë kurrën e kurrës, deri sa e zaptuan të gjithën pas vdekjes së zulmëmadhit e të pashoqit hero Gjergj Kastriotit, që e thonë Skënderbeg.
Ndonëse nuk është e huaj ndaj latinishtes, gjuha jonë
VII
arbënore po me grekën, a elinikën, ishtë e afërme ma se me çillëndo t’jatërë: ashtu dha munetë ajo të ecinjë, e të prokopisinjë mirë ’mbi udhën, e siriën kësajë të llamparmesë fjale, çë u-kaa thënë gluha e ’nqiellshme edhe hyinushme, sa isht’ e famasurë e lëvduarë përei gjithë së dietareshë. Prashtu si të ljashtetë Ipirote, e Maqedhone, çë janë prinjetë e Shqipëtarvet, ishën t’afërme e gjiri me Elinetë, pastajë gluhën akoma përei njijë kronitë e telqiën, edhe ajo kaqë më e dëlirë e e kulluome do thohetë, e më e bukurë, e konshime, mirëndrepuome do gjëndetë (1), sa më do qasetë asajë, që mun të ëmbahetë posi ksompli, e prediftima e idheoshime të gluhëvet nji-vetë sirie, po si janë shqipeja edhe elinikoja. Pëse dha pa një typë, e ksomplë, si e patën përpara syvet e menës, Italianetë, edhe përsërishtë Rumanetë ’nde gluha e lëtine, nukë mun të ’ndreqetë, e t’ ëndreponetë një e folmëja e ree ëmbë’ udhë të mirë. Prandai unë, kurë nukë trevoija ’ndë të helqunë, a të mëartisunë fjalatë lipsime përei tjerashë, ado an’ soshë të gluhësë vetë, posi gjithëherë, matarova për me-bënë, aherënë i mora mëngjize përei grekutë se përei tjerëshë. Edhe këta kaqë ma tepër pata zakonë të vepëroija sa munesha më shumë herë të gjeija fjale, kujë rrenjën e ka dhe gluha e arbënore, në ’ndonjë të thënët sajë, ashtuse nukë janë gjithëfarrësë të huoja, po diku i përkasin nd’ atë.
- gjinetë.
arbërore është e afërme me greqishten a helenishten më shumë se me cilëndo [gjuhë] tjetër: kështu pra mundet të ecë ajo e të mbrothësohet duke ndjekur udhën dhe shembullin e kësaj fjale të ndritur, emër i gjuhës qiellore e të hyjnueshme, të admiruar e të lëvduar prej gjithë dijetarëve. Pra ashtu si të lashtët epirotë dhe maqedonë, që janë paraardhësit e shqiptarëve, patën qenë të afërm e gjirí me helenët, dhe veç kësaj gjuha e tyre buron prej së njëjtës gurrë, edhe ajo [shqipja] do të flitet aq më e dëlirë dhe e llagartë, dhe do të jetë akoma më e bukur, e këndshme dhe e mirëselitur, sa më shumë që t’i qaset asaj [greqishtes], që mund të mbahet si shembulli e modeli ideal i gjuhëve të së njëjtës klasë, siç janë shqipja dhe helenishtja. Sepse [kuptohet që] pa një gjedhe, e shembull, siç e patën para syve e mendjes italianët, dhe më pas rumunët, te gjuha latine, nuk mund të ndreqet e të vihet në udhë të mbarë një e folme e re. Prandaj unë, kur nuk ia dilja të gjeja fjalët e nevojshme në vetë gjuhën apo të krijoja të reja bazuar në fjalë të tjera të saj, sikurse pata vepruar gjithnjë, atëherë i mora më shumë prej grekut sesa prej të tjerësh. Dhe këtë mënyrë e pata përdorur shpesh e më shpesh, sa më shumë herë mundesha të gjeja fjalë, rrënjën e të cilave e ka edhe gjuha arbënore në ndonjë të folme të saj, çka tregon se nuk janë krejtësisht të huaja, po diku i përkasin edhe asaj.
VIII
Poka pra disa herë mun të mos ish këthjellëtë e ’nçelle noima, e menimi, të kavshavet ligjiruome te deshmi i shkruomë përei meje, unë kamë çëflasunë (1), e kallëzuëmë punën me dy, e tri fjala njivëleshimë, adhe me një frase të taanë, e të ’ndenëme për të shëmënyenë e shtjellunë më fjellët e hapët idheatë, e mnimatë e ligjiratësë; se pëse ashtu edhe kamë parë të bëinë shkruëtoretë gjithë sa janë, e sidomos kandi përei së forpakëshit shqipëtare, e më tepër z. P. Budi: i cilli kële më i qëruomi, edhe i thjeshti, thomse, posi më i vjetëri, ëndër Gegatë sa kanë shkruomë arbërishtë, poqë ’mban e zakonon pakë e fare turqishtëtë fjala, edhe te frasea ishtë pakëmos kurdo i mirë e i dëlirë, në u-veçoshinë disa fjalë marrë an’ së italishtitë pa ëmpëhië, e shtrëngimë. Ai dha kështu ka zakon e bën tue kallëzuënë me bollë fjala menimin për t’a këthjelluënë mirë, e ’nçelle, posi unë vepëruarë kamë.
Në qoftë se pra disa herë mund të mos ish i kthjelltë e i qartë kuptimi, e mendimi, i gjërave të thëna në tekstin e shkruar prej meje, unë e kam ftilluar e kallëzuar punën me dy e tri fjalë të njëvlershme, apo me një shprehje të tërë e të shpalosur për të shënuar e shtjelluar më qartë e shkoqur idetë e kuptimet e ligjëratës; sepse ashtu kam parë të bëjnë edhe shkrimtarët gjithë sa janë, e sidomos disa prej fortpakësh shqiptarë, e më tepër z. P. Budi, i cili qe më i qarti, edhe i thjeshti, besoj, si më i vjetri ndër gjithë gegët që kanë shkruar arbërisht. Ai mban e përdor pak ose aspak fjalët turqisht, kurse në të shprehur është pothuaj kurdo i mirë e i dëlirë, në u veçofshin disa fjalë marrë nga italishtja pa nevojë e shtrëngim. Ai pra e ka zakon ta shprehë mendimin me boll fjalë për ta kthjelluar mirë, e shkoqur, sikurse kam vepruar edhe unë.
Ënde meartisunatë, a ’mbashkimatë e fjalave së rea do menonetë se jo vetëmë unë kamë marrë të dya a tri pjesatë an’ së gluhësë vetë, por edhe kamë spudhasurë e llojasurë me gjithë kuidesin për të njohurë açiljatë meartisëa ishën të sivasëme e të pagjuoshme ’mbë këtë punë prej fysen të gluhësë sanë, edhe ato vetmë i kamë përqafunë, e zakonuomë, që nd’ atë’ sivaseshin, e ’ndrëponeshin mirë. Pëse (dua edhe të sjellë një diftimë) në unë kamë zakonuarë e
Τe fjalët e reja të përbëra e të përngjitura do mendohet se unë jo vetëm kam marrë të dyja a tri pjesët [e tyre] prej gjuhës vetë, por edhe kam studiuar e qëmtuar me gjithë kujdesin [e nevojshëm] për të njohur cilat kompozita puqeshin e cilat dukeshin të pabindura në këtë punë sa i përket natyrës së gjuhës sonë, dhe kam marrë e përdorur vetëm ato që pajtoheshin dhe përshtateshin mirë me të. Sepse (dua edhe të sjell një provë) nëse unë kam praktikuar dhe
- ksefrasunë.
IX
e vepërosurë ’mbashkimin të prothesës (1) me ndë tjeratë fjala, kamë vështuarë më parë se po ’ndodhej këjo punë te gluha e arbënore, si, për të thënë, ënde epirrimatë (a ëmbithënatë, mekotë, mekohë, mezi, memëzi, edhe tek’ e thëna (rrima), mesiinjë, posi ëndodhetë pra prothesëa më, çë vëljen ëmbi, mi, pë-, embashkuome tjerave fjalë shumëherë, sa të mos themi gjë për prothesetë, ’mbë, ndë, për, e ’ndo njatërë, çë na japin gjithmonshmë prediftimë ’mbë mëartisetë ’nde gluha jonë. Të gjithë këto shërbisetë pran unë u-kamë udhisunë e ’ndrequnë edhe shumë ’mbi eufoniën, a zërin të mirë (mirëzërimin), posi, për hirë të fjalësë, ëndë të zakonuëmë, e përdorunë metohjiatë, a mepatësitë, dokurë gegarishtë, e dokurë toskarishtë,
kryer bashkimin e parafjalës (1) me me fjalë të tjera, kam vështruar më parë a ndodhte kjo gjë te gjuha arbërore, si, për shembull, te ndajfoljet (a mbithënatë) mekotë, mekohë, mezi, memëzi edhe te folja mesiinjë, sikurse ndodhet pra parafjala më, që ka kuptimin ëmbi, mi, pë-, bashkuar shumë herë me fjalë të tjera, për të mos zënë ngoje parafjalët ’mbë, ndë, për e ndonjë tjetër, që na japin një provë të gjithkohshme për kompozitat te gjuha jonë. Krahas gjithë këtyre gjërave unë kam vënë në vijë dhe ndrequr edhe shumë [të tjera] mbi eufoninë, a zërin e mirë (mirëzërimin), si edhe, fjala vjen, në të praktikuar e përdorur metohjiatë, a mepatësitë [pjesoret], herë gegërisht e herë toskërisht,
edhe pra t’aparemfatin enklisin, a mënyrën të pakrenëme, të Gegavet. Pëse unë kamë vepërosurë mënyratë si këtune ashtu dhe atune, posi më mbarë më dukej për të thënët mirë, e për zërimin të bukurë, edhe folmën t’amblë, e fjellëtë. Sa të thomë gjithëqyshë me pakë fjalë unë kamë spudhasurë, e menuarë fellë fysen, e t’ ënkremunën e të folmësë sanë, e po atë kam’ ëndjokurë tue mataruenë dha e përkuidesunë shtëllismën të sajë prej fysen vetë, edhe ashtu prej kanunetë së fëtetësë fillollojie, e gramatikesë të synkrisurës, a përgljasunës, po si e thonë atë’ të dishmetë. Pa bënë kështu, unë e metathomë thar-
- a prevumes.
edhe pra mënyrën paskajore, a mënyrën e pakrenëme, të gegëve. Sepse unë kam përdorur mënyrat si të këtyre ashtu dhe të atyre, siç më dukej më mbarë për të thënët mirë, e për zërimin e bukurë, edhe të folmen e ëmbël e të kulluar. Që t’i them të gjitha, si e qysh, me pak fjalë, unë kam studiuar e qëmtuar thellë natyrën dhe strukturën e të folmes sonë, e po asaj i jam përmbajtur duke i kushtuar vëmendje dhe përkujdesje shtjellimit që diktojnë natyra e vetë gjuhës, si dhe rregullat e filologjisë së vërtetë, të gramatikës së krahasuar a të përqasur, siç e quajnë të dishmit. Pa vepruar kështu, unë po e them sërish dhe pa dro-
X
óstë, se ishtë punë e pamundme sa të shkruhaetë nja kartë, sidomos dietare, a epistimonike ’ndë shqipë.
jë se është gjë e pamundur të shkruhet në shqip një punim, sidomos dijetar a shkencor.
Munse ëndonjë jatërë do bënjë më mirë ka meje; edhe këta ishtë që unë dishironjë, makarëse Shqipënia të keetë ajo akoma një gluhë e veçëme, si gjithë fyliat’ e kanë, edhe t’ aratisetë kjo kavshë e lumpurë, e e dishiruome prej më të mirën sirië. Unë adha dua gëzonemë pasostë në ai u-duktë ’ndo njatërë që të bënjë më mirë se unë s’kamë bënë. Por jam’ i përbindurë se udha e dreqë, edhe sotiriare ’mbë ketë skopo nuk’ ishtë, as munetë me-këlënë ’ndonjë jatërë ënka asajë çë unë kamë marrë, e ’ndjokurë (1).
Mundet që ndokush tjetër ta bëjë më mirë sesa unë këtë punë; dhe pikërisht këtë dëshiroj edhe unë, makar të ketë Shqipëria së shpejti një gjuhë të vetën, siç e kanë gjithë kombet, edhe të ngjizet kjo krijesë e lume dhe e dëshirume prej më të mirit brumë. Unë pra do të gëzohem pa masë në u duktë dikush tjetër që ta bëjë më mirë nga sa unë e kam bërë. Por jam thellësisht i bindur se udha e drejtë dhe shpëtimtare për arritjen e këtij qëllimi nuk është, dhe as mundet me qenë, ndonjë tjetër përveç asaj që unë kam marrë e ndjekur (1).
- Libretë e kartatë çë unë kamë përdorunë, e këshillëtuarë, e spudhasurë për të shkruomit arbërishtë, janë afërose gjithë sa mun të gjëndenë, e që u-kanë shpallurë njeri sotë: më tepër dha: Hahn, Albanesische Studien; edhe pran: Reinhold; Xylander; Stier; Crispi; Dorsa, Studii etimol., e Ricerche e Pensieri, etc.; De-Rada, Poesie Albanesi; Chetta, Dizion. Alb., Rossi, Vocabol. Epirot.; Da Lecce; Bogdani; P. Basile; Guagliata; e tjeratë libre typosurë ndë Romë, pa ëmbi gjithë P. Budi, që ishtë më i vjetëri, e më i miri: por si krie e parë Dhjata e ree, të Korfoitë; e gjithë pra ato vivlia, karta, e të shkruome namatisurë përei meje ’nde libri emi, Grammat. Comparata sulla lingua Alb., Livorno 1864, ed Appendice alla Gram. etc.: Qualche prosa e Versi Alb. tradotti e annotati, Prato 1866. Pastaimë u-kamë ’mprodhurë kënkashi së llaoshima çë pata ndë duarë, edhe së ditunashë, e njohësinashë ’nkahado së pohtisura, por jo pa këqyrunë, e kulluëmë ato prej themeliatë, e fidhumatë së fëtetësë dieje fillollojike. Unë adha po këto kamë ëndjokurë, zakoni-
- Librat e kartat që unë kam përdorur, shfletuar e studiuar për të shkruarit arbërisht, janë pothuaj gjithë sa mund të gjenden e që janë botuar deri sot: por më tepër: Hahn, Albanesische Studien; dhe vijojnë: Reinhold; Xylander; Stier; Crispi; Dorsa, Studii etimol., e Ricerche e Pensieri, etj.; De-Rada, Poesie Albanesi; Chetta, Dizion. Alb., Rossi, Vocabol. Epirot.; Da Lecce; Bogdani; P. Basile; Guagliata; e librat e tjerë të shtypur në Romë, para së gjithësh P. Budi, që është më i vjetri e më i miri: por si krie e parë Dhjata e re, e Korfuzit; e gjithë pra ato libra, karta e shkrime përmendur prej meje në librin tim Grammat. Comparata sulla lingua Alb., Livorno 1864, dhe Appendice alla Gram. etc.: Qualche prosa e Versi Alb. tradotti e annotati, Prato 1866. Pos këtyre më kanë shërbyer këngët popullore që pata në duar, si edhe dituri e njohuri të fituara me gjithfarë mënyrash, shqyrtuar e shoshitur prej themeli, me parimet e dijes së vërtetë filologjike. Unë pra këto kam ndjekur, përdo-
……………
surë, e vepërosurë sikundërse i diftova më parë, e i porosita nde vivlia ime.
……………
rur, e shfrytëzuar sikundërse i dëftova më parë, e i rekomandova te libri im.
Nai pran te këjo enkëthyemëja un kamë përdorunë, e zakonuomë litëratë lëtine vendë së elinishtet, poqë unë i besonjë këto më të bukura, e të mira e t’uidhisme për gluhën shqipë, këtë’ pata me-bënë për vullnesë të tjerashë, e për arrësië të sipërme ’mbi vollën t’eme. Por ëndëvonë qarta e litëravet, a haraktiritë grafiku, po ishtë më e ljehtë se ajo e frasesë, edhe as kaq’ e tekme, e e rëndë sa kavsha e së folmës, a gluhësë të shkruome, q’ ishtë udha e siria që do t’ ëmbahetë për më të bukurë e vëljeshimë sajë mënyrë, e shtëllisme, e prokopië.
Prandaj te ky përkthim unë kam përdorur e ushtruar shkronjat latine në vend të atyre greke, megjithëse besoj që këto janë më të bukura, e të mira e të përshtatshme për gjuhën shqipe; këtë duhej ta bëja për hir të vullnetit të të tjerëve, si dhe për arsyet e mësipëme, kundër dëshirës sime. Por tek e fundit, debati për shkronjat, apo shenjat grafike, është sigurisht më i lehtë se ai për të shprehurit, dhe as me aq peshë e i rëndë sa çështja e së folmes, apo e gjuhës së shkruar, çka do të thotë udha dhe hapat që do të hidhen për ta bërë atë më të bukur e të vlefshme, të zhvilluar e të mbrothësuar.
Marrë nga ExLibris
Komentet