Askush nuk mund të vishej si ajo me një fustan të ngushtë të zi De Givenchy me stof të thjeshtë; askush nuk mund të fshihej nën një kapelë panama të një metër katrori të firmës Saint Laurent pa u dukur e pazakonshme, askush nuk mund të mbetej ekspresive edhe prapa një palë syzesh të zeza Chanel.
AUDREY HEPBURN ndahej nga jeta 20 vjet më parë në shtëpinë e saj në Zvicër kur ishte vetëm 63 vjeçe. Por mbetet edhe sot e kësaj dite një ikonë e stilit dhe elegancës së pakrahasueshme: trupi i saj i hollë, sytë si të drenushes, buzëqeshja çarmatosë, në kohën e tyre i kanë thyer kanunet e bukurisë femërore të vendosura nga Mailyn Monroe e Sophia Loren.
Edda Van Heemstra Hepburn-Ruston, e njohur në art me emrin Audrey Hepburn (Odri Hepbërn ), lindi më 4 maj 1929 në Bruksel nga një bankier anglez me emrin John Victor Hepburn-Ruston dhe një baroneshë hollandeze, me emrin Ella van Heemstra. Duke qenë nga një familje e pasur, ajo vazhdoi kolegjin në Angli pastaj Anhem Conservatory, shkollën e baletit, duke ëndërruar që një ditë të bëhej balerinë, pra kërcimtare e madhe, po aq e famshme sa ishte në atë kohë Margot Fonteyn. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, mjerisht, artistja e ardhshme do të vuante për një kohë të gjatë nga uria. Dhe thuhet se struktura e saj fizike, aq shtatlartë dhe e përpjesëtimeve të mrekullueshme, po aq e zhdërvjellët, ishte dëmtuar në mënyrë vendimtare kur vajza kishte qenë e detyruar të ushqehej vetëm me ushqime të varfëra. Legjenda tregon se për një periudhë kohë, ajo dhe familja e saj ushqeheshin vetëm me zhardhokët, pra, rrënjët e tulipanëve.
Njeriu i parë që e zbuloi artisten e re të talentuar ishte shkrimtarja Koletë (Colette ) në atë kohë 80 vjeçare. Koletë është një model i shenjtë i kulturës së Shekullit të Njëzetë. Ajo ndodhej me pushime në Montekarlo (Montecarlo ), kur kërkoi që rolin kryesor të komedisë së saj teatrore “Gigi” (Keqani ), përshtatje e një romani të saj, të luhej pikërisht nga Odri Hepbërn e ardhshme. Një piketë të re në jetën e saj, kur ajo ishte njëzet e dy vjeçe, do të shënonte roli i saj i një princeshe harrakte në filmin “Pushimet romane” (Roman Holiday ) të regjisorit William Wyler, i cili ia dha asaj një çmim Oskar si aktorja më e mirë në rol kryesor. Pastaj, në vitin 1954, arrin „Sabrina“, një nga filmat më të bukur të të gjitha kohërave, film që e ngjit Odri Hepbërnin në Olimpin e yllit të kinematografisë. Në rolin e personazhes kryesor të filmit, pra Sabrinës, në fakt, Odri rezulton më e bukur dhe më elegante se kurrë. Por, para së gjithash, te ajo spikati talenti i mirëfilltë, natyror dhe freskia e pashoqe, çka e bënin atë rast të vetëm në kinematografinë botërore.
Por bukuria e përjetëshme, e pakufizuar në kohë, nuk është i vetmi element i veçantë i spikatur i Odri Hepbërnit, të konsakruar si Mbretëreshë e Hollivudit. Ajo ka të dhëna të rralla dhe të plota si aktore e ekranit të madh, të tilla që e bëjnë atë të kërkuar nga të gjithë regjisorët më të mëdhenj të kohës. Ajo kështu luan role kryesore në filma si “Arianna”, “Breakfast at Tiffany’s” (Mëngjesi tek Tifanitë ) për të cilin merr një kandidaturë për Oskar si aktorja në roln kryesor më të mirë, “My Fair Lady” (Zonja ime e hijshme ), Green Mansions (Kështjellat jeshile ) “War And Peace” (Lufta dhe Paqja ), “How To Steal A Million” (Si të grabitësh një milion dollarë), The Nun’s Story “Historia e një murgeshe” që ia sjell një tjetër kandidaturë për Oskar, “Robin e Marian”. Pastaj vijnë filmat “Two For the Road” (“Dy veta në rrugë” ), “Paris When It Sizzles” (“Hirushja në Paris”), “Wait Until Dark” (Prit sa të erret ), për të cilin merr edhe një kandidaturë tjetër për Oskar dhe plot filma të tjerë. Ajo merrte disa çmime Golden Globe dhe Tony Award.
Në vitin 1954 Odri Hepbërn martohej me Mel Ferrer, nga i cili do të ketë edhe fëmijën e parë, një djalë, Shon (Sean ). Ndërsa në vitin 1969, nga marrëdhëniet e fshehta intime që ajo pati me mjekun Andrea Dotti ajo do të lindte, Lukën, djalin e saj të dytë. Pas kësaj aventure, Odri Hepbërn divorcohet nga Mel Ferrer. Në vitin 1981, më në fund, ajo do ta gjente bashkudhëtarin e vërtetë të jetës, Robert Wolders, ish burrin e Merle Oberon. Në këtë mënyrë ajo shënonte tre martesa në jetën e saj. Në vitin 1989 luan filmin e fundit të jetës së saj, “Always” (Gjithmonë ) me regjisorin Stivën Shpilberg.
Në fillim të viteve 1990 Odri Hepbërn do të tërhiqej përfundimisht edhe nga sheshet e xhirimeve, pra nga kinematografia. Në vitet e fundit të jetës, ajo do t’iu përkushtohej bamirësive në atë masë saqë do të UNICEF (United Nations International Children’s Emergency Fund- Fondi Ndërkombëtar i Emergjencës për Fëmijë pranë Kombeve të Bashkuara ). Në vitin 1993 Odri merrter Çmimin për Arritje Jetësore të Shoqatës së Aktorëve Kinematografikë (Screen Actors Guils Lifetime Achievement Award ), të cilin në emër të saj e merrte Julia Roberts. Po atë vit jepet miniseriali televiziv me tetë episode “Gardens of the World with AUDREY HEPBURN” nga televizioni PBS, ku çdo episod zgjaste 30 minuta. Odri mori një çmim Emmy për Arritje të Veçanta Vetjake (“Outstanding Individual Achievement”). Odri Hepbërn do të vdiste nga kanceri i shtyllës kurrizore, kur ishte 64 vjeçe, më 20 janar 1993. Ajo do të vdiste në shtëpinë e saj pranë Tolochenaz, një fshat zviceran pranë Lozanës, ku ajo kishte jetuar për shumë kohë. Odri e merrte çmimin e dytë Oskar pas vdekjes. Ajo do të merrte gjatë jetës çmimin Jean Hersholt Humanitarian Award dhe pesëdhjetë çmime të tjera ndërkombëtare për veprën e saj kinematografike dhe për përpjekjet humanitare për fëmijët kudo në botë./ELIDA BUÇPAPAJ
Komentet