“Të dashur bashkatdhetarë, mysafirë të nderuar,
Jemi bashkuar tani, në 26 vjetorin e “2 Korrikut 1990-të”, për shënimin, festimin modest, si kujtesë meritore, të kësaj date historike, e para e nismës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke sfiduar harrimin, falsifikimin e historisë më të re të Kosovës tonë. Në emër të Nëndegës të LDK-së në Bavari, ju përshëndes të gjithë juve, bashkëvendorë të pranishëm, si dhe ju uroj ju dhe të gjithë shqiptarëve, datën madhore historike, “2 Korrikun 1990-të”, kur është vënë gurthemeli i parë i shtetit të sotëm të Kosovës tonë.
Edhepse shënimin e kësaj date e bënë Nëndega e e LDK-së në Bavari, kjo nuk është datë partiake, por shtetërore. Lidhja Demokratike, si Lëvizje gjithëpopullore, me themeluesin, kryezotin e saj, Dr. Ibrahim Rugovën, arriti ta përbashkojë popullin shqiptarë, për herë të parë, pas bashkimit që bëri Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, tej pesë shekujve më parë. Prandaj, me të drejtë vlerësohet se Dr. Ibrahim Rugova nuk ka ndërmjetës në historinë kombëtare, që nga epoka e Skënderbeut.
Ngjarjet, veprimet e kohës, si: Deklara e Pavarësisë më 2 Korrik 1990-të, pasuar nga nxjerrja e aktit normativ shtetëror, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, më 7 shtator 1990-të, për të kulmuar me zgjedhjet Presidenciale, Referendumi që zgjodhi Presidentin me votë plebishitare, gjithëpopullore, duke votar edhe klauzolën ligjore për Pavarësi të pakthyeshme, të gjitha këto të bëra nën një rrethim të jashtëzakoshëm policor e ushtarak jugosllav, janë alarm, thirrje për shqiptarët e kudondodhur, se historia nuk duhet shtrembëruar, falsifikuar dhe harruar, ashtu siç vepruan komunistët shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore, me ngjarjet historike paraprake.
Mjerisht, këtë shembull të shëmtuar ndoqën edhe pjella e tyre ideologjike në Kosovë, ekstremizmi majtistë stalinistë, të cilët, duke dashur të promovohen si bërës të historisë, injoruan datimet historike, paraprijëse të lirisë dhe të pavarësisë, duke i zëvendësuar me datimet e tyre, për t`u reklamuar, madje dukshëm, se “historia fillon me ne”!!!
Organizimin tonë festiv, për ngjarjen historike shumë domëthënëse, “2 Korrikun 1990-të”, e nderojnë edhe mysafirë, si Agush Balaj, delegat i shpalljes të Deklaratës të Pavarësisë si dhe, së bashku, me Sali Çekaj, tani, Hero i Kosovës, jetësues të Kushtetutës të Kaçanikut në komunën e Deçanit; Vëllezërit Xhemajl, Hasan dhe Ibrahim Çettaj, veprimtarë dhe këngëtarë të mirënjohur; veprimtari, ish i burgosuri politik, eprori ushtarak i luftës, Ibrahim Ukëhaxhaj; Tahir Buçolli, anëtar i Kryesisë të Nëndegës të Baden Wurtembergut dhe i Degës të LDK-së në Gjermani; Halil Zemaj, nënkryetar i Nëndegës të LDK-së në Baden Würtemberg.
Në këtë manifestim na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre edhe Shoqata e Klube, që veprojnë në Bavari, të cilët i përshëndesim me përzemërsi, si: Osman Ferizin, me shokë, kryetar i Shoqatës të zëshme “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen; Xhemajl Hoxhën, me shokë, kryetar i Shoqatës “Abeja”, në Moosburg; Bekim Gërvallën, kryetar i Shoqatës “Rilindja”, në Mynih; Musa Hamzaj, kryetar i Aktivit të dalluar të LDK-së, në Starnberg; gazetarin dhe kameromanin e talentuar Halil Rrustemaj, i cili, pasqyron, në dy televizionet Kosovës, veprimtaritë tona kulturore, festive dhe memoriale.
Kthehemi në retrospektivë, në vitet e shkuara, festimin e “2 Korrikut” historik, me veprimtarë të shquar, të devotshëm, besnikë të pahile të filozofisë të Presidentit Rugova, që, tashmë, janë ndarë nga jeta, janë amëshuar, si: Marjan Tunaj, Gani Azemi, baca Selim Koca, Mehdi Rexhaj, Abedin Gashi, Naibe Gashi, Ahmet Rexhepi, Sadri Hoxha, Rrustem Gashi dhe të tjerë, të cilët kanë lënë gjurmë në veprimtarinë atdhetare në Mërgatën shqiptare. Andaj, në këtë ditë të shënuar, i përkujtojmë me nderim e respek, për punën, veprimtarinë e tyre ndër vite e dekada.
Janë shquar me veprimtarinë e tyre, dje dhe sot: Nikollë Skelaj, Mehmet Kokaj, Demë Çettaj, Fazli Gashi, Naim Gashi, Gani Batatina, Ibrahim Hyseni nga Konçulli i Kosovës Lindore dhe qindra të tjerë, që kanë vepruar në Bavari dhe mëtej në Gjermani. Andaj i pëshëndesim, duke u uruar shëndet dhe veprimtari të mëtejme të suksesshme, në shërbim të popullit, të Mërgatës dhe të Kosovës.
Le ta kujtojmë me nderim dhe mosharrim datën famoze – “2 Korrikun” historik. E gëzofshi për jetë e mot! Ju falemnderit për vëmendjen”, – përmbylli fjalën e tij kryetari Idriz Zeqiraj.
Nënkryetari i Degës të LDK-së në Gjermani dhe anëtari i Kryesisë të Nëndegës të LDK-së në Bavari, Blerim Hajdaraj, foli për rëndësinë, jehonën dhe rrjedhojat pozitive që prodhoi Deklarata e Pavarësisë e 2 Korrikut 1990-të.
Delegati i Kuvendit Agush Balaj
I ftuari i posaçëm, delegati në seancën vendimmarrëse, për shpalljen e Deklaratës të Pavarësisë, më 2 Korrik 90-të, Agush Balaj, evokoi kujtimet e asaj dite, sa dramatike, aq edhe historike. Pengesat, shqetësuese dhe maltretuese, nisën me ndalimin për të hyrë në sallën kuvendore të delegatëve të Kuvendit, të përfaqësuesëve legjitimë të popullit. Vendosmëria e delegatëve shqiptarë, për ta realizuar deklarimin e Pavarësisë, ishte dhe mbeti proverbiale. Të tubuar në shesh, nën një survejim, përgjim dhe rrethim të hekurtë policorë, të gatshëm për dhunë e terror të çdokohshëm, delegatët e Kuvendit të Kosovës, realizuan, madje suksesshëm, misionin e tyre: Shpalljen publike të Deklaratës të Pavarësisë të Kosovës.
Leximi i asaj Deklarate, nga më domëthënëset në historinë e re të Kosovës, do të jehonte, zëshëm e fuqishëm, në Kosovë e deri tek qendrat e vendosjes në botë. Shqiptarët e kudondodhur do ta mirrnin shumë seriozisht Deklaratën e Pavarësisë dhe, që nga ajo ditë, do të mendonin dhe vepronin si të shkurorëzuar, të ndarë nga Serbia pushtuese, gadi, një shekullore. E gjithë kjo ishte ideuar nga Dr. Ibrahim Rugova, ikona e Pavarësisë dhe themelvënësi i shtetit të Kosovës. Ndjehem krenar që isha pjesë e këtij evenimenti, e kësaj ngjarjeje të një rëndësie të veçantë, siç ishte “2 Korriku 90-të”, – përfundoi rrëfimin e tij – delegati Agush Balaj.
Në vijim, poeti Selman Syla, lexoi një fragment nga libri me kujtime i sekretarit të Kuvendit, Hamëz Halabaku, më vonë, mësues i shquar i Shkollës shqipe në Nurnberg, Gjermani.
Vëllezërit Çettaj në skenë, Mynih
Shënimi i “2 Korrilut 90-të” vijoi me programin festiv. Nga Kosova kishin ardhur, enkas dhe gratis, vëllezërit veprimtarë dhe këngëtarë Xhemajl dhe Hasan Çettaj, ndësa ngaHannoveri, 800 kilometra rrugëtim, kishte ardhur Ibrahim Çettaj. Ata argëtuan të pranishmit me reportuarin adekuat për festën dhe Presidentin Rugova.
Pas përfundimit të ceremonisë festive në Mynih, Vëllezërit Çettaj u ftuan nga kryetari i Shoqatës “Abeja” e Moosburgut, Xhemajl Hoxha. Ndonëse të pranishëm në manifestimin tonë, Shoqata “Abeja” e shënoi “2 Korrikun” ndryshe, kryesisht, me program argëtues, që zgjati deri në orët e mëngjesit të së nesërmes.
Në organizimin e shënimit festiv të “2 Korrikut” historik, kontribuoi, suksesshëm, luftëtari i Kosharës, anëtari i Kryesisë të Degës të LDK-së, në Gjermani, Isuf Çettaj, Shoqata “Sali Çekaj” e Pfaffenhofen-it dhe Aktivi i LDK-së të Starnberg-ut.
KOMISIONI PËR INFORMIM I NËNDEGËS TË LDK-SË
NË BAVARI
Komentet