Fatmira NIKOLLI
Në polici, 1965. Laps në letër.
Ky shënim në anë të një prej vizatimeve të Qamil Grezdës në ekspozitën e çelur të enjten në Galerinë Kombëtare hedh dritë më shumë mbi jetën e piktorit.
Pyes kuratorin e ekspozitës, Oltsen Gripshi, se cila është ngjarja pas vizatimit? “Ky imazh ka të bëjë me një histori personale midis Qamil dhe Ermir Grezdës dhe policisë së kohës”.
Sipas tij, ndërkohë që Qamili ikte dhe kthehej nga studio e tij, kishte gjithmonë me vete me piktura ndër duar. Policia, do ta akuzonte si “matrapaz që merrej me punë të fshehta kundër partisë”. Sipas kuratorit të ekspozitës “Qamil Grezda, grabitqari i bukurisë së natyrës… 1917-1992”, në këto vizatime përjetësohen çaste nga një prej shumë atyre thirrjeve në polici për të dëshmuar.
“Ka qenë një përndjekje e vazhdueshme e piktorit aq sa dita-ditës e ndikuan drejt gjinisë së peizazhit për mos portretizuar diktatorin (një kërkesë e vazhdueshme e autoriteteve të kohës) dhe kjo u kthye në një ndëshkim për të. Por, njëkohësisht e bëri të pavdekshëm artistin pikërisht falë vetë kultivimit të kësaj gjinie (peizazhit)”, thotë kuratori për “Gazetën Shqiptare”.
100 vjetori
Ekspozita vjen në kuadër të 100- vjetorit të lindjes së artistit Qamil Grezda dhe përmbyll aktivitetet dedikuar këtij përvjetori. E kuruar nga Oltsen Gripshi, ekspozita bazohet në një koncept retrospektiv mbi krijimtarinë e Qamil Grezdës. Janë ekspozuar 55 vepra, nga të cilat pjesa më e madhe i takojnë koleksionit të familjes dhe prezantohen për herë të parë për publikun.
Krahas artit të Grezdës, në sallë shfaqen edhe objekte origjinale të vetë artistit si: xhaketa, apo kapelat, të cilat mbante kur pikturonte në natyrë, kavaleti, dy tavalocat, valixhja me penelat e bojërat, fotografi të piktorit gjatë periudhës së studimeve, diploma e Akademisë së Arteve të Bukura në Romë, letërkëmbimet mes tij dhe artistit të madh Ibrahim Kodra, video e vizitës së Ibrahim Kodrës në shtëpinë e Qamil Grezdës pas vdekjes së këtij të fundit, blloku i vizatimeve dhe skicave, qosteku në ar, të cilin e mbante me vete kudo ku shkonte, ditari vetjak dhe maska në allçi e piktorit fill pas vdekjes së tij.
Në konferencën për shtyp drejtori GKA, Artan Shabani e cilësoi artin e Qamil Grezdës si një vlerë kombëtare dhe falënderoi familjen Grezda për kontributin e saj. “Ekspozita dedikuar 100- vjetorit të lindjes së piktorit Qamil Grezda është e rëndësishme për Galerinë Kombëtare të Arteve dhe meriton vëmendjen e publikut. Janë prezantuar 55 vepra, nga të cilat 12 janë pjesë e fondit të GKA dhe pjesa tjetër nga koleksioni i familjes. Në këtë kontekst dua ta falënderoj Ermirin, të birin e Qamil Grezdës dhe familjen e tij për ruajtjen me fanatizëm të veprave të artistit.
Ekspozita dëshmon një pikturë tek e cila ndihet forca dhe thellësia e akademisë italiane. Është një trashëgimi familjare, por mbi të gjitha kulturore e kombëtare”, tha Shabani.
Oltsen Gripshi, kuratori i ekspozitës shpjegoi për mediat konceptin artistik, duke shtuar ndër të tjera: “Koncepti kuratorial i kësaj ekspozite është ndërtuar duke prekur hap pas hapi krijimtarinë e artistit, që nga vizatimet e para në teknikën e sepies dhe karbonit. Më pas duke soditur brenda kësaj hapësire prekim hap pas hapi momente të ndryshme të këtij artisti sikurse janë pikturat. Për t’u theksuar është se artisti Grezda përpos artit dhe vlerave artistike, ka qenë një piktor deri diku i përndjekur. Dikur kjo ishte një fatkeqësi, por që u kthye në një vlerë për artin tonë pamor, pasi u krijua (pas Vangjush Mios), një traditë e peizazhit, prandaj Qamil Grezda e mbyll dhe e kodifikon personazhin e tij, me gjininë e peizazhit në pikturën shqiptare duke ndërthurur shkolla të ndryshme.
Ndër ekspozitat personale të piktorit Qamil Grezda, kjo ekspozitë vjen ndryshe, pasi është plotësuar edhe me elementët jetësor të këtij piktori”.
Në konferencën për shtyp edhe i biri i artistit, Ermir Grezda ndau disa detaje nga formimi artistik i piktorit Qamil Grezda: “Nostalgjia e tim ati ishte Roma, por mbi të gjitha Firence. Në pikturën e tij ndihet ndryshimi midis akademizmit të Romës, dhe atij të Firences. Për të Firence ka qenë gjithmonë më liberale, më impresioniste, më e hapur. Aty ai ndiente një penelatë tjetër, një tjetër atmosferë të artit”, u shpreh Grezda. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator 2017.
Komentet