Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Shkurt 2024
“Junior Red Cross News” ka botuar, në dhjetor të 1922, në faqet n°53 – 54, një histori tepër të veçantë rreth dhuratës së një djaloshi amerikan për Krishtlindje që ka bërë asokohe xhiron e gjysmës së botës dhe ka përfunduar në duart e një djaloshi matjan falë shkrimtares Rose Wilder Lane, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
“Ju falënderoj me gjithë zemër që na dërguat një dhuratë që ka kaluar nëpër dete të shumta” — Nga një pikturë e Anna Milo Upjohn. — Burimi : Junior Red Cross News, dhjetor 1922, faqe n°53
Sadik Hasani nga Mati
Nga Rose Wilder Lane
Vitin e kaluar një nxënës i një shkolle në Amerikë paketoi një kuti (pako) Krishtlindjesh për të rinjtë e Kryqit të Kuq dhe ia dha mësuesit të tij dhe nuk dëgjoi më për të. Kutia kishte udhëtuar nëpër tokë dhe det në pothuajse gjysmën e botës dhe djali që e paketoi kishte harruar Krishtlindjet dhe po shijonte pushimet verore kur një malësor shqiptar me pantallona të bardha leshi dhe brez të kuq flakë dhe jelek të zi të shkurtër e fiksoi atë kutinë e Krishtlindjeve në një shalë dhe u nisëm për në Mat.
Zona e Matit shtrihet përtej maleve që fshehin diellin në lindje të Tiranës, qyteti i vogël i ulët dhe i bardhë që është kryeqyteti i Shqipërisë. Kutia e Krishtlindjes hyri në Mat me mushkë, sepse ka vetëm dy mënyra për të hyrë në Mat. Vetëm këmbët tuaja ose ato të një mushke të vogël malore mund t’ju çojnë — dhe ndonjëherë edhe mushka dështon në shtigjet e pjerrëta dhe të vështira.
Tri ditë të gjata udhëtimi të tmerrshme, ngjitjeje në anët e greminave dhe lëvizje ngadalë, centimetër pas centimetri, siç mund të lëvizësh në skajin e dritares së një rrokaqielli (qiellëgërvishtësëje), dhe duke u ulur me dorë në faqet e shkëmbinjve, do të kaloni malet më të larta dhe do të hyni në zonën e Matit.
Ishte në fund të ditës së tretë që pashë për herë të parë Sadik Hasanin. Kishim ecur gjatë gjithë ditës, nën diellin e nxehtë të korrikut. Në orën gjashtë kaluam lumin Mat, pranë rrënojave të një ure të vjetër të ndërtuar nga Skënderbeu (i cili ishte George Washington-i i Shqipërisë, pesëqind vjet më parë), pastaj u ngjitëm për tre orë në faqen e një shkëmbi.
Ishte natë, hëna kishte dalë mbi majat e thepisura të maleve perëndimore dhe unë po ngjitesha e lodhur, kur papritmas pashë në buzë të shkëmbit sipër meje një figurë të vogël që në dritën e pasigurt mund të ishte një Brownie shumë e madhe. Me ngjyrë si shkëmbinjtë, dhe me një plis mbi kokë, më pa për një çast dhe më pas u zhduk.
Në momentin tjetër u shfaq para meje në kthesën e shtegut, me një qëndrim statik dhe drejt, duke përshëndetur si një ushtar.
“Rrofshi sa më gjatë!” tha ai, me mirësjellje, dhe e dija që ishte një djalë i vogël, me uniformën kaki të policisë malësore shqiptare.
“Rrofshi sa më gjatë!”, i thashë unë.
“Si keni mundur të vini?” tha ai. Sepse kjo është përshëndetja e sjellshme në malet shqiptare dhe ka qenë e tillë prej shekujsh.
“Ngadalë, ngadalë, pak nga pak”, përgjigjja e duhur.
“Unë jam Sadik Hasani, roje e kryetarit të bashkisë së Klosit dhe i dymbëdhjetë fshatrave të tjerë”, tha ai. “Ju uroj mirëseardhjen në Mat. Lavdi shtigjeve që ju kanë sjellë.”
Pas pak minutash ishim ulur në oborrin e xhandarmërisë në majë të shkëmbit dhe Sadiku po na ofronte filxhanë të vegjël kafeje turke, të cilën e bëri vetë në një xhezvë të vogël bakri me dorezë të gjatë, të vendosur në hirin e një zjarri kampi.
Ne ishim tre ditë në Klos dhe në atë kohë u njoha shumë mirë me Sadikun, sepse sa herë që vinte kryetari i bashkisë për të na thirrur, vinte edhe një roje e vogël dhe ulej këmbëkryq në tokë, mbrapa kryetarit të Bashkisë — i cili gjithashtu ulej këmbëkryq — duke dëgjuar me zell gjithçka që thuhej. Kurrë më parë në jetën e tij Sadiku nuk kishte parë një të huaj, sepse ne ishim të parët që kishim ardhur në Mat. Dhe ai kurrë nuk e kishte ëndërruar të shihte një amerikan.
Megjithatë, ai dinte diçka për Amerikën. Ai dinte për Xhorxh Uashingtonin dhe kishte dëgjuar për automobila dhe për Presidentin Wilson. Ai e dinte që Amerika ishte një vend shumë i ri, më i ri se fshati më i ri në Mat, — sepse Mati ka qenë shqiptar para “Përmbytjes – The Flood” dhe i kujton ende legjionet romake, siç e kujtojmë ne Luftën tonë Civile. Por ai e dinte gjithashtu se Amerika ishte një vend shumë i mrekullueshëm. Ai kishte dëgjuar se në atë vend të gjithë shkonin në shkollë.
Kjo, mendoi Sadiku, është edhe më e mrekullueshme se makinat. Ndërsa u njoha pak më mirë me të, ai më tha se ambicia e tij e madhe ishte që të shkonte në shkollë. Ai kishte shkuar në shkollë dy dimra dhe kishte një laps plumbi. Sa herë që kryetari i bashkisë nuk kishte nevojë për të, ai ulej dhe ushtronte shkrimin në një copë letre. Ai shkruan shumë bukur. Por ai e dinte se nuk mund të shkonte më në shkollë, sepse tani ishte dymbëdhjetë vjeç dhe duhej të mbante familjen e tij, e cila ishte shumë e varfër. Si roje, fitonte dhjetë dollarë në muaj dhe qeveria i jepte uniformën dhe pushkën, dhe dy herë në ditë një copë bukë misri dhe një copë djathë dhie dhe mund të flinte në dyshemenë e xhandarmërisë me burrat e tjerë. Kështu, familja e tij kishte plot dhjetë dollarë çdo muaj dhe mund të jetonte me to. Por nëse ai ndalonte së punuari për të shkuar në shkollë, ata do të vdisnin nga uria.
I dhashë Sadikut kutinë (pakon) e Krishtlindjes. Shënohej “Për një djalë dhjetë vjeç”. E mori në duar dhe e pa për një kohë të gjatë. Ai kurrë nuk kishte parë një kuti të bërë kaq bukur dhe me shkrime kaq të bukura mbi të. Ai lexoi me zë të lartë, “Gëzuar Krishtlindjet – Kryqi i Kuq i të Rinjve”. Ai mund ta lexonte mirë, sepse shqiptarët mësojnë të lexojnë nëpërmjet tingujve të shkronjave, por ai nuk e dinte se çfarë kuptimi kishin fjalët. U përpoqa t’i tregoja. Pastaj ngadalë hapi kutinë nga Amerika e largët.
Kishte dy lapsa të gjatë e të bukur, një top, një kuti me lapsa me ngjyra dhe një qese me zara (kaçola). Ai nuk e dinte se çfarë ishin zarat apo topi, sepse, natyrisht, nuk kishte luajtur kurrë. Por ai ishte aq i lumtur për lapsat sa nuk mund të fliste për një kohë. Pastaj ai tha: “Nëse do t’i shkruaja një letër djalit që më dërgoi kutinë më të bukur, a do t’ia jepte Zonja amerikane kur të kthehet në Amerikë?”
Unë i thashë që do ta bëja. Nuk e kuptova pse u largua atë ditë pa e shkruar letrën, por të nesërmen mësova arsyen. Ai kishte shkuar të pyeste familjen e tij nëse, vetëm këtë herë, mund të merrte nga paga e tij dy cent, me të cilat të blinte një fletë të bardhë e të bukur letre shkrimi. Familja i tha se do të mundte, dhe të nesërmen e solli, të mbështjellë me kujdes në një copë pëlhure të qendisur me dorë, së bashku me njërin prej lapsave, të cilin e mprehi.
I ulur këmbëkryq pranë çadrës sonë, buzë lumit të Matit, Sadiku shkruante me kujdes e bukur, me aq kujdes sa një piktor bën për të bërë një tablo. Ja çfarë shkruan ai :
“Shoku im i dashur,
Unë quhem Sadik Hasani, lindur në fshatin Lis të rrethit të Suçit (Mat) dhe në këtë botë kam jetuar dymbëdhjetë vite. Të falënderoj nga zemra për interesin që ke ndjerë për Shqipërinë, që na ke dërguar një dhuratë që ka kaluar nëpër detet e shumta.
Unë, Sadiku, jam në shërbim të rrethit të Stragjut si roje. Ishte dëshira ime e madhe që të vazhdoja të fitoja dije, sepse e di që të jesh injorant është turp. Por për shkak të varfërisë aktuale të prindërve të mi, unë mund të qëndroj kështu për një kohë të gjatë.
Të ardhshin të gjithë të mirat,
Duke nënshkruar me respekt,
Shoku yt,
Sadik Hasani.”