Në kujtim të Atjon V. Zhitit/
“Pa një ide eprore nuk mund të jetojë një njeri, as edhe një komb. Ka vetëm një ide eprore mbi tokë : ideja e pavdekësisë së shpirtit njerëzor, sepse të gjitha të tjerat me të cilat mund të jetojë njeriu, burojnë vetëm nga kjo ide”- Fjodor Dostojevskij/
Po sjell nëpërmënd këtë shprehje të gjeniut të letërsisë ruse e botërore sot, në ditën kur dua të kujtoj lindjen, njëzet vjet më parë, më 30 gusht 1995, të një fëmije, për të cilën u gëzova shumë atëherë, sepse ishte biri i një shoku të vuajtjeve, e të cilin e kujtoj me shumë dhimbje sot, kur Ai nuk arriti t’a festojë ditëlindjen më të bukur të jetës njerëzore në familjen e Tij. Të shkruash për jetën e një njeriu që ndalet papritmas mes 19 e 20 vjetëve, të cilit i ke uruar ardhjen në këtë botë para njëzet vitesh, qënka jo më pak e dhimbëshme se sa të pranosh, në caqet tona njerëzore, të pakuptueshmen e misterin e kësaj gjëme….
Koncepti i shtjelluar nga Dostojevskij, që ishte edhe një nga autorët më të pëlqyer të Djaloshit, i shpallur thjesht e fuqishëm nga themeluesit e doktrinave fetare, i shprehur në format më të ndryshme nga shumë mëndje të ndritura të njerëzimit në shekuj, i pranuar apo i mohuar nga rryma të ndryshme të mendimit e përfaqësues të tyre, mendoj se mbetet një e vërtetë që duhet të ndriçojë botën tonë të brëndëshme edhe në çastet më të errëta të saj, kur provohen dhimbjet më cfilitëse, edhe para ngjarjesh të pakuptueshme e të papranueshme për logjikën tonë njerëzore.
Një e tillë ishte, para disa muajsh, humbja tepër e parakohëshme e Atjon Zhitit, një biri të rrallë e të paharruar, jo vetëm të prindërvet të nderuar e rrethit të Tij familjar, por edhe të mjedisit shkollor e shoqëror në të cilin u lind e u rrit, madje të gjithë Shqipërisë, me të cilën e kishte lidhur shpirtërisht jetën e Tij rinore e për të cilën, me formimin njerëzor e intelektual, me karakterin e personalitetin e spikatur jashtë të përgjithëshmes, përbënte një shpresë për t’ardhmen, një pikë riferimi tejet pozitive.
Përvjetori i njëzetë i lindjes së “19 – vjeçarit të përjetshëm” i sjell lexuesit shqiptar dhe dashamirësvet të Tij në atdhe një dhuratë të çmuar, librin “Për atë që dua(m)…..”, i Autorit më të ri të publiçistikës shqiptare, të botuar nga UET Press, që nderohet me emrin e Atjon Zhitit në botimet e saj. Uroj që ky libër të ketë vëndin e tij në çdo bibliotekë të cilitdo që flet shqip e të jetë si një busull drejtuese për të gjithë të rinjtë shqipfolës. Ai libër, me të gjithë shkrimet e Tij, shumica e të cilëve të botuara në këtë vit e një pjesë, me gjallje të Autorit, na jep portretin e plotë të personalitetit të jashtzakonshëm të djaloshit.
Mosha e re , në të cilën u nda nga jeta tokësore studenti i “Sacro Cuore-s”, e bën të pabesueshëm përceptimin e saktë të individualitetit të vërtetë, në të gjithë shtrirjen e tij e në lartësitë e arrira. Atjoni ishte “bir arti”. Trashëgoi humorin e hollë dhe pavarësinë e mendimit të Gjyshit artist, së bashku me aftësinë për të vëzhguar botën, duke pësuar mbi shpinë padrejtësinë dhe dhunën, për t’a paraqitur atë, në vërtetësinë e saj rrënqethëse, pa nxitur urrejtjen, cilësi këto të babait, Visarit, njërit ndër më të shquarit e letrave të këtij Vendi. Këtyre dhuntive u shtoi kulturën klasike, të marrë në liceun “Giulio Cesare” të Romës dhe një aftësi të rrallë për të depërtuar në thelbin e sendevet e të dukurive, së bashku me guximin e moshës për të shprehur thjesht e qartë mendimin e Tij, edhe kur ai ishte kundër rrymës, edhe kur mund të shkaktonte kundërshtí, edhe kur nuk ishte “politically correct”.
Djaloshi Zhiti ishte një personazh poliedrik me prirje të shumta dhe interesa të gjithanëshme intelektuale. Prirjet u shfaqën shpejt, që në moshën e fëmijërisë kur, tre vjet e gjysmë, pikturoi një skicë për Nënë Terezën që u fut në një vëllim kushtuar Asaj, e të cilën e riprodhoi “L’Osservatore Romano”, gazeta më e rëndësishme e hierarkisë së krishterë. I dhënë mbas pikturës që në moshë të njomë, ka lënë disa vizatime në stilin e impresionizmit bashkëkohor, të cilët zbukurojnë muret e dhomës së Tij, ku ndoshta shpirti kthehet shpesh për t’u shmallur me atë mjedis familjar, nga i cili u nda aksidentalisht papritmas në një agim dite fundi dhjetori…
Me rrjedhjen e viteve interesat intelektuale u shtuan duke krijuar përfytyresën e personalitetit që njohim. Në të bashkëjetojnë delli artistik me prirjen vëzhguese e përsiatëse që e shtyn drejt studimit të filozofisë, shkencës së mendimit njerëzor, që i paraprin fushave të tjera të dijes, kryesisht të disiplinave humaniste. Që në vogëli mëndja e Tij priret të vëzhgojë e të bluajë, të arrijë në përfundime, të shprehë opinione, të japë përcaktime tepër larg nivelit të bashkëmoshatarëve. “Flake para se të të flakë” i thotë babait kur e sheh të tymosë një cingare. Ishte gjashtë vjeç.
Pesëmbëdhjetë vjeç në Durrës shkruan një ese me titullin “Në kërkim të përsosjes”. Duke u endur nëpër rrugët e qytetit bregdetar, përfytyron të shkuarën dhe qytetërimet që kanë kaluar mbi të, duke u ndalur me mendim mbi një mit të lashtë, të Agarthit, të mbretërisë së nëndheshme të njerëzve të përsosur. Për djaloshin miti ishte kërkimi i vazhdueshëm i njeriut mbi kuptimin e qënies. Kujton Sokratin, idhullin e Tij, por edhe Diogjenin, që kërkonte njeriun me qiri në dritë të diellit.
“Të mendosh do të thotë të endesh në hapësirën e pafundësisë” shkruante Lacordaire, një murg filozof francez. Pafundësia ishte bota e brëndëshme e Djaloshit që projektohej jashtë me leximet e etëshme e të larmishme, me udhëtimet e njohjet e njerëzvet, që i lehtësoheshin nga mjediset e punës e të veprimtarisë së babait, tashmë të shquar në kulturën shqiptare. Një forcë e çuditëshme e brëndëshme, apo një frymëzim i jashtëm jashtë kohës e hapësirës sonë, e nxisnin të “digjte etapat”. Formimi intelektual i djaloshit ishte i shpejtë, i qëndrueshëm, i thellë. “Sa më tepër të zgjerohet njohja e jonë e librave të mirë, aq më shumë ngushtohet rrethi i njerëzvet, shoqëria e të cilëve është e pëlqyer.” vërente filozofi gjerman Ludwig Feuerbach. Për Djaloshin student të filozofisë kjo thënie u zbatua plotësisht. Rastet dhe rrethanat bënë që të njihej me poetë, shkrimtarë, sociologë e filozofë, të cilët gjetën tek Atjoni i ri një shok të tyre, me të cilin mund të bisedonin lirisht për çfarëdo argumenti. Njohu e krijoi lidhje me shkrimtarë e artistë shqiptarë, miq të babait, me piktorin e shquar Ibrahim Kodra, me Shënjtoren shqiptare Nënë Terezën, u miqësua në Itali me poetin Sebastiano Grasso e, nëpërmjet tij, me Jevtushenkon, Adonisin, Paolo Coelhon etj. Më parë kish njohur poetin e moshuar Mario Luzzin, ishte takuar me Nobelistët Dereck Walcott dhe Tomas Tranströmer. Marredhëniet e Tij me përfaqësues të shquar të kulturës botërore bashkëkohore, miqësia e konsiderata e ndonjerit prej tyre për Djaloshin shqiptar, ende të parritur mirë, tregojnë katërcipërisht se cili ishte brumi, me të cilin ishte gatuar Studenti i Universitetit Katolik të Milanos.
Ai brumë, i mbruajtur me miellin e fisnikërisë së trashëguar të familjeve të dy prindërvet, do të punohej e do të merrte formë në atdhe apo në Itali, ku punonin ata, fatmirësisht, jashtë atmosferës mbytëse të diktaturës, në mjedise e rrethana që lejonin zhvillimin e lirë të mendimit. Nga ky kompleks u ngjiz e u formua personaliteti i Djaloshit që qe përfaqësues shqiptar në forumet rinore të Europarlamentit në Riga, Barcelonë etj. Ai përfaqësoi denjësisht e cilësisht Atdheun në botën e sotme, në sajë të formimit kulturor të jashtzakonshëm e të krenarisë që ushqente për trashëgiminë më të mirë të traditës së tij.
Atdheu për Të nuk ishte vetëm toka ku u lind, ishte historia, më shumë dhimbje se gaz, ishte trashëgimia kulturore, jetësore, doket, zakonet, morali. Përfytyresa e Tij për Atdheun i ngjan asaj të një njeriu të moshuar, që ka kaluar përvoja të ndryshme, por që gjen drejtpeshimin e duhur ndërmjet vlerave të së shkuarës së largët për t’u ringjallur dhe “paragjykime, tabu e budallalliqe të tilla”, “në disa relike të paafta dhe hipokrite të diktaturës komuniste”, për t’u hedhur në koshin e historisë si mbeturina të dëmshme që pengojnë përparimin e fitimin e kohës së humbur.
Tepër kritik ndaj politikës shqiptare nga pozitat e qytetarit mëndjendritur, idealist, vizionar e largpamës, nuk nguron të bëjë pyetje e të ngrejë çështje, i aftë të gjejë zgjidhjet e të japë recetat. Larg idesë së politikës aktive, edhe se jo i pandjeshëm ndaj ndonjë nxitjeje të veçantë që i bëhej drejt për së drejti, por tepër i gjallë në shpalosjen e parimevet të drejta, të domosdoshme për të shkuar përpara si shoqëri e si komb, themeloi gazetën elektronike “Mesi radikal”, “një idealizëm pa iluzione”, siç e përcaktonte Ai. Ajo qe krijesa e Tij, ndoshta më e dashura, sigurisht më frytdhënësja në rrjedhë të kohës, që do të kishte patur një rol, besoj shumë të dobishëm, në jetën intelektuale shqiptare, sidomos të rinisë e të rrjeteve sociale por, për fat të keq nuk pati vazhdim…
Është tepër prekës njoftimi që jep në të për organizimin e forumit të ardhshëm rinor të Europarlamentit në Korçë. Entuziazmin e Tij, të bashkuar me vullnetin e fortë që karakterizonte çdo hap të jetës, e gjejmë në një njoftim të thjeshtë : “Kam filluar punë dhe shpresoj që Europa të gjejë Europë tek ne.” Është synimi i shkëlqyer i të riut idealist, por edhe objektiv e realist, për të sendërtuar me brezin e Tij t’ardhmen evropiane të Shqipërisë. Kujtimi i Tij i ndritur na bën të gjithë të detyruar t’a rrokim atë mesazh e secili të bëjë punën e tij. Ai kujtim duhet të jetë veçanërisht një shtysë e fuqishme për brezin e Tij, i cili, në fjalët e shkrimet e Tij, gjen jo vetëm modelin për t’u imituar, por edhe projektin e nisur për të sendërtuar Shqipërinë, vërtetë demokratike dhe evropiane.
“Unë besoj në rrugën e nisur, unë besoj në idealet e demokracisë, unë besoj në ndryshimet e bëra…” Ishte kjo besojma e shpallur e Atij Djaloshi të shkëlqyer që, nga bota e dritës e së vërtetës, vazhdon të hedhë vështrimin e Tij mbi “ata shumë të rinj, më të aftë, më me shumë ëndërra, dije…”, të cilët do të kishin qenë bashkudhëtarët dhe shokët e Tij të luftës për të ndryshuar për mirë Atdheun e tyre. Çuarja përpara e projekt-idesë së Atjonit mendoj se është për ta detyra urdhëruese e brezit, i cili mbetet e vetmja shpresë në shkretëtirën e idealeve të vyshkura të politikës shqiptare.
Duke shkruar me dhimbje të thellë këta rrjeshta për një Djalosh që e mbylli shumë shpejt rrethin e jetës së Tij tokësore, e cila qe aq intensive e prodhimtare, pa krahasim me shumë të tjera që mbartin dhjetëvjeçarë të shumtë në vetvete, por asgjë për t’u kujtuar veç dashurisë e mirënjohjes së familjarëvet.
Nëse vullneti hyjnor, që përcakton lindjen dhe vdekjen e njeriut, herë herë është i pashpjegueshëm për vendimet e Tij të pakapëshme nga mëndja e jonë, drejtësia zyrtare, që e ka për detyrë të hetojë e të nxjerrë përfundime në raste të tilla, më duket shumë e vonuar në punën e saj. Shpresoj që kjo vonesë mos të jetë e tillë që të ngjallë dyshimin e mungesës së dëshirës për të nxjerrë përgjegjësitë e, madje, edhe fajin eventual të ndonjerit. Familja, së pari e shoqëria kanë të drejtë të njohin të vërtetën e zotërinjtë prokurorë e hetues duhet të kishin plotësuar me kohë atë kërkesë të ligjëshme.
Frederiku i Madh i Prusisë, në fund të shekullit 18 shprehej kështu : “Ne nuk e masim jetën e njerëzvet me kohëzgjatjen e saj, por me përdorimin që i kanë bërë kohës në të cilën kanë jetuar.” Atjon Zhiti meriton, në këtë vështrim vlerësimin më të lartë, për mënyrën se si e ka mbushur, në të gjitha drejtimet, jetën e Tij, të familjes, të shoqërisë e të Atdheut. Meteori i Tij qe tepër i shkurtër, por drita e tij do të mbetet gjatë në qiellin e hirtë të jetës shqiptare. Si e tillë, nëpërmjet atij libri, do të mbetet e gjallë në kujtesën e kombit.
Çifti i shquar Kadare thotë se “Ai ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë”. Duke e përqafuar me bindje të plotë këtë pohim të vlertë, i mbyll këto konsiderata të thjeshta e të dhimbëshme me një thënie të një tjetër Perandori, kësaj here të Romës, filozofit Mark Aureli : “Sheh mbrapa teje një përjetësi pa fund dhe një tjetër përjetësi para teje. I vënë kështu në mes, çfarë ndryshimi sheh ti mes një jete tri ditëshe dhe një tjetër tre shekujshe ?”
Gusht 2015 Eugjen Merlika
Komentet