Bombardimeve të Burgut të Dubravës nga NATO-ja i kishte paraprirë një “ogur” i keq të cilin e kishte dhënë “Çizmja”. “Çizmja na tha se vetëm fshati përballë dritares së burgut ku gjendeshim, dhoma numër 35, kati i dytë, pavijoni C kishte mbetur me shqiptarë dhe ne çka ishim në burg, të tjerët thoshte i kemi dëbuar nga Kosova”, kujton 19 majin e vitit 1999, Sadik Zeqiri (1973) nga Reka e Keqe e Gjakovës, ish-pjesëtar i UÇK-së, i cili në Burgun e Dubravës ka qëndruar nga data 15 mars deri më 24 maj 1999. Ai tregon se në pamundësi ta njihnin, të burgosurit njërit nga gardianët më të vrazhdë të burgut i kishin vënë pseudonimin “Çizmja”. “Dhe pasi ka shkuar gardiani ne kemi qenë duke shikuar ga dritarja kur është bombarduar drejtoria e Burgut të Dubravës dhe është gjuajtur nga aeroplanët edhe pavijoni ku ishim ne. Atë ditë janë vrarë më duket 3 ose 4 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur nja 16 të tjerë”, kthehet mbrapa ai. Mandej ky ish i burgosur së bashku me bashkëvuajtësit e tij përmes hekurave të një krevati kanë thyer derën e dhomës në kërkim të shpëtimit nga bombat. “Edhe pse të gjithë thonë se dyert e burgut nuk hapen pa i hapur me çelës, ne e kemi hapur atë derë burgu. Kur kemi dalë jashtë e kemi parë një rrëmujë dhe jemi nisur të gjithë nga dera kryesore për me dalë nga burgu pasi kemi menduar të gjithë se tash duhet bërë diçka”, kujton ai momentet e para pas bombave. Por forca policore, ushtarake e paramilitare kishin zënë rrugë. Të mbetur brenda mureve të larta të burgut të burgosurit kishin hequr neonët e ndriçimit dhe përmes tyre kishin formësuar fjalën HELP, me shpresë se pilotët e bombarduesve të NATO-s do ta merrnin mesazhin. Kjo megjithatë nuk kishte funksionuar, pasi më 21 maj sërish avionët e NATO-s kishin lëshuar bomba në ambientet e burgut. Sipas Zeqirit nga bombat e NATO-s në vijim ka pasur vetëm të plagosur. Të burgosurit në përpjekje që t’u shmangeshin bombave të NATO-s ishin futur nëpër puseta, dhe kudo në ndonjë skutë që kishin arritur të gjenin një trohë sigurie. Pasi avionët e NATO-s ishin larguar duke hedhur bomba përreth burgut, më tej brenda mureve janë kthyer forcat serbe. “Forcat paramilitare serbe, të burgosurit serbë, një pjesë e madhe që kanë qenë në burg kanë hyrë dhe në çdo pusetë ku kanë gjetur shqiptarë i kanë vrarë gjoja se po i vranë NATO, në kuzhinë e kanë vrarë një djalë 17 vjeç, janë dëshmitarë të gjithë të burgosurit”, rrëfen Sadik Zeqiri. Ditën vijuese pasi të burgosurit ishin mbyllur në ambientet e kuzhinës ishin ftuar fillimisht nga gardianët e më pas me megafon edhe nga drejtori i burgut të dilnin nga aty. Ndonëse me hezitim, të burgosurit ishin detyruar të dilnin. Ashtu duarlidhur atyre u ishte thënë të përshëndeteshin për herë të fundit me njëri – tjetrin. “Na kanë thënë të rreshtohemi dy nga dy, të hallallshtisemi me shoqi-shoqin, sepse tani më kishte përfunduar jeta jonë, ne kemi filluar, ia kemi kërkuar allallin njëri-tjetrit…”, kujton një episode tjetër të trishtë Zeqiri. Më pas u është thënë atyre se po prisnin vendimin e Qeverisë së Serbisë se çka të bëhej me ta, derisa më vonë u ishte komunikuar lajmi se ata ishin në dorë të policisë dhe shtetit të Serbisë, pasi përndryshe mund të rrezikoheshin nga paramilitarët. I kishin porositur që të deklaroheshin se të gjitha vrasjet e tyre gjatë ditëve më parë ishin bërë nga NATO. Të burgosurit më pas i kishin mbledhur detyrimisht në sallën e sporteve. Ndërkohë kishin vazhduar vrasjet nëpër puseta e kthina të ndryshme ku po rrinin fshehur një pjesë e të burgosurve të frikësuar. Në ditën kur ka ndodhur masakra më e madhe Zeqiri thotë të ketë shpëtuar pa u vrarë falë një rastësie. Pasi që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s e nga fillimi i vrasjeve nga serbët, të burgosurit shqiptarë po flinin jashtë, Zeqiri pasi kishte siguruar një shishe ujë, i kishte sugjeruar bashkëvuajtësit të tij Rasim Selmani (kryetarit të sotëm të Deçanit) që t’i pastronin dhëmbët, pasi llogarisnin se atë ditë do të niseshin për transferim në Burgun e Sremska Mitrovicës. “Rasimi filloi me më qitë ujë me një shishe për t’i pastruar dhëmbët dhe në ndërkohë derisa unë i pastrova dhëmbët atje u bënë 4 rreshta me të burgosur, afër pikës vrojtuese të fushës së sportit dhe derisa kam shkuar unë kanë filluar gjuajtjet në të burgosurit dhe janë vrarë një pjesë e madhe, pothuaj gjithë rreshti i parë janë vrarë nga rojat e burgut, në atë rast jam plagosur edhe unë edhe shumë njerëz dhe ajo ka qenë vepra më e ulët dhe më e rëndë e krimit”, kujton momentin kritik Zeqiri, nga i cili ende mban një plumb në trupin e tij. Ai kujton ndihmën e madhe që të plagosurve u kishin dhënë të burgosurit Nait Hasani, Bislim Zogaj, Njazi Kryeziu, Bilbil Duraku etj. Mandej më 24 maj ka pasuar transferimi i atyre që kishin mbijetuar. Gjatë rrugëtimit për në Burgun e Lipjanit të burgosurit në fshatin Kijevë të Malishevës ishin lënë në mëshirën e bombave të mundshme të aeroplanëve të NATO-s, të cilit po fluturonin sipër autobusëve prej nga kishin ikur dhe ishin fshehur arave policët serbë. Në Burgun e Lipjanit ishin rrahur pa asnjë shkas të burgosurit, madje edhe të plagosurit dhe më tej ishin transferuar për në Nish të Serbisë.
“Kishte skenar për vrasjen e të gjithë të burgosurve të Burgut të Dubravës”
Kadri Durguti, ish i burgosur politik nga Rahoveci, i plagosur gjatë kohës kur është kryer masakra e Dubravës, është i bindur se më 19 maj Burgu i Dubravës është goditur nga raketa e NATO-s e jo nga bomba. Ai tregon se deri nga fundi i muajit prill kur janë vendosur tëm burgosurit në pavijonin C, aty ka pasur forca serbe. “Aty kanë qenë të stacionuar dhe nga aty kanë marshuar në kryerjen e krimeve në zonat përreth”, thotë Durguti. Ai rrëfen se së bashku me disa të burgosur të tjerë të burgosurve të vrarë ua kanë shënuar emrat në letra e çarçafë dhe ua kanë vendosur në trup përmes të cilëve më vonë është bërë identifikimi i tyre. Nga sulmet e NATO-s sipas tij janë vrarë vetëm 3 të burgosur. Masakra më e madhe ai thotë të jetë bërë më 23 maj gjatë
rreshtimit në fushën e sportit. “Ata i kishin ngritur skelet prapa murit më herët, pastaj ka qenë karakolli në anën veriore, disa të burgosurve edhe u kishin thënë do të shihni nesër, çdo gjë ishte bërë me skenar”, vë në pah ai. “Bomba e parë ka rënë tek unë, jam shtrirë, janë vrarë e janë plagosur shumë, unë mbeta i shtrirë në mesin e tyre rreth një orë dhe më pas jam tërhequr zhagas nga vendi i masakrës”, kujton ai momentin më kritik të jetës së tij. Në një bodrum të burgut sipas tij janë vrarë 9 të burgosur dhe për këta ai thotë se është dëshmitar një i burgosur nga Gërgoci i Gjakovës. Durguti është i bindur se gjatë transferimit të të burgosurve nga Dubrava ka ekzistuar një skenar për vrasjen e tyre. “Ka qenë urdhër i Miloshevqit që fillimisht të na dërgonin në kufi të Shqipërisë dhe atje të inskenonin përpjekjen tonë për të ikur e mandej për të na vrarë. Për ata kemi pritur 4 orë në autobus para nisjes. Një polic ia kishte thënë këtë një të burgosuri ordiner me përkatësi turke me emrin Naser”,
detajon ai.
Prishtina ose Haga, adresat më adekuate për gjykimin e krimit
“Të gjithë ata që kanë bërë krime, edhe kuzhinierët serbë, të gjithë ata duhet të përgjigjen çka ka ndodhur në Burgun e Dubravës.
Ata janë përgjegjës që nga kuzhinieri deri te drejtori i burgut”, thekson Sadik Zeqiri, i mbijetuari i masakrës së Dubravës. Ai tërheq vërejtjen se “për masakrën në Burgun e Dubravës duhet të përgjigjet edhe shteti serb, jo vetëm individët”. “Aty ka qenë një urdhër, sepse kush i armatosi të burgosurit serbë, kush i lejoi ata të armatosen”, nënvizon Zeqiri duke shprehur gatishmërinë e tij për të dëshmuar.
“Adresat më adekuate për gjykimin e kriminelëve do të ishin Kosova ose Haga, por kudo që të organizohej një proces eventual jam gati për të dëshmuar kundër kriminelëve që vranë njerëz duarlidhur”, thekson ai.
“Në një përballje eventuale me kryesit e masakrës, të paktën ‘Çizmen’
e njoh, sepse më ka rrahur shumë”, thotë Zeqiri. “Masakra e Dubravës ka
qenë e planifikuar mirë nga Serbia pasi një kohë të gjatë i kanë grumbulluar aty të burgosurit politikë, ishte thjesht si një përgatitje e kurbanit”, thekson Kadri Durguti. Ai është i gatshëm t’i ofrojë dëshmitë e tij rreth masakrës, “qoftë edhe në Beograd”, edhe pse thotë se “adresat më adekuate për gjykimin e kriminelëve serbë janë vendi ku është kryer krimi ose Haga”. “Mirë do të ishte që kriminelët me i sjellë dhe me i gjykue këtu ku e kanë kryer krimin, po jam skeptik se kjo mund të ndodhë”, shprehet ai. Në anën
tjetër Fatmir Hajda (1976), nga Rahoveci, i vëllai i të burgosurit politik të vrarë në masakrën e Burgut të Dubravës, Lulzim Hajda, thotë se gjithmonë ka menduar se duhet të nxirren para drejtësisë pos urdhërdhënësve edhe kryesit direkt të krimit. “Më së miri do të ishte që ata të gjykohen në Prishtinë ose në Hagë”, shprehet ai. “Mendoj se nëse gjykohen në Serbi ata edhe mund të dalin të pafajshëm, ose thjesht mund t’i dënojnë formalisht” shpreh bindjen e tij Hajda. I vëllai i tij Lulzimi sipas njoftimeve ishte vrarë nga policët serbë në pusetë derisa ishte fshehur nga bombardimet. Gatishmërinë e tij për të dëshmuar rreth Masakrës së Dubravës e shpreh edhe Sami Gashi, 36-vjeçar nga fshati Sferkë i Klinës, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës.
“Më së miri do të ishte që për njerëzit që kanë kryer krime në Burgun e Dubravës, të përgjigjeshin në vendin ku e kanë kryer krimin ose para Gjykatës së Hagës, pasi nuk besoj në drejtësinë serbe”, shprehet Gashi.
KMDLNJ: Të burgosurit sipas ligjeve të luftës, kategori e mbrojtur
Gati për të ofruar një dosje komplete dëshmish rreth masakrës së Dubravës është edhe KMDLNJ në Prishtinë. Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Bexhet Shala, thotë se këshilli ka mbledhur informata rreth kësaj masakre menjëherë pas luftës dhe ka bashkëpunuar ngushtë me Tribunalin e Hagës rreth saj duke ofruar dëshmi të bollshme. “E patëm
bërë edhe një kallëzim penal në Prokurorinë e Qarkut të Pejës, por atëherë kjo ka qenë kompetencë e UNMIK-ut”, kujton ai. “Dubrava ka qenë njëra ndër masakrat më të rënda pasi të burgosurit sipas ligjeve të luftës janë kategori e mbrojtur, përndryshe ata janë sjellë edhe nga burgjet tjera në Dubravë me qëllim që duke shfrytëzuar si pretekst
bombardimin e NATO-s të bëjnë vrasjet siç i kanë bërë policët pastaj, paramilitarët e të burgosurit ordinerë serbë”, thekson Shala. Ai tërheq vërejtjen se Haga i ka hetuar kryesit e krimeve në bazë të përgjegjësisë komanduese që ka qenë qëllimi kryesor i saj, ndërkohë që me rastet tjera ishte paraparë të merreshin gjykatat vendore. “Kjo nuk
është lejuar në Kosovë pasi asnjëherë nuk është formuar as prokurori as gjykatë speciale që do të merrej me krime lufte pasi kjo ka qenë kompetencë ekskluzive e të huajve dhe ata nuk punuan në këtë drejtim”, thekson Shala. Serbia sipas tij i ka formuar prokurorinë dhe gjykatën për krime lufte vetëm pasi ka qenë e obliguar nga bashkësia ndërkombëtare. Shala vlerëson se kriminelët që e kanë kryer masakrën e Dubravës si dhe gjithë të tjerët duhet të gjykohen aty ku e kanë kryer krimin në radhë të parë. “Ata që kanë kryer krime në Kosovë duhet të përgjigjen në Kosovë. Nuk mundet njeriu që i ka kryer krimet në Kosovë të përgjigjet në Beograd, përjashtuar Tribunalin e Hagës që ka pasur mandat nga OKB, Gjykata e Serbisë nuk do të duhej të kishte mandat që t’i gjykojë njerëzit që kanë bërë krime në Kosovë”, tërheq vërejtjen drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së. “Është qesharake që një serb lokal i Kosovës që ka kryer krime të rënda në Dubravë, Qyshk apo Lubeniq, tash të dënohet në Beograd”, shton ai. Ndonëse KMDLNJ është i gatshëm t’i ofrojë dëshmitë e veta edhe për Gjykatën për krime lufte në Beograd rreth masakrës së Dubravës, Shala thotë se në një rast të tillë ka rezerva. Gjykata për krime lufte e Beogradit sipas tij nuk i ka shqiptuar deri tani dënimet meritore. “Nuk është gjykatë që do të mund të ndikonte në parandalimin e krimeve në të ardhmen, por në fakt është një veprim për përmbushje të obligimeve që ka pasur Serbia ndajbashkësisë ndërkombëtare lidhur me ndjekjen e kriminelëve të luftës”,vë n ë pah Shala. “Unë sa kam marrë pjesë në gjykimet në Beograd, janë dhënë dënime shumë simbolike dhe njerëzit e burgosur nuk dënohen e trajtohen si kriminelë lufte, por më tepër si heronj, ata e kanë një status të veçantë atje”, thekson Shala. “Juridikisht është e paqëndrueshme që dikush të bëjë krime në Prishtinë e të përgjigjet në Beograd. Ata që janë përgjegjës për kryerjen e krimeve në Kosovë duhet të përgjigjen në Kosovë, sikurse ndonjë qytetar i Kosovës që eventualisht ka kryer krime në Serbi do të duhej të përgjigjej në Serbi”, spikat drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së.
Fondi për të Drejtën Humanitare të cilin e udhëheq Natasha Kandiq ka zhvilluar më shumë se 45 intervista me të mbijetuarit e masakrës së Dubravës si dhe me më shumë se 60 intervista me familjarë të viktimave. Në bazë të tyre FDH me seli në Beograd, në maj të vitit të kaluar ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë për krime lufte kundër 34 përgjegjësve për këtë masakër. Përfaqësuesi i këtij fondi në Prishtinë, Bekim Baliqi, i ka thënë gazetës më herët se pas dorëzimit të kallëzimit penal Prokuroria për Krime të Luftës ka iniciuar procedurë paraprake në të cilën mblidhen informatat preliminare për krimin, kryerësit e krimit dhe viktimat. Para pak kohësh deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, që është edhe njëri nga të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës ka inicuar debat në parlamentin kosovar rreth kësaj masakre. Ai thotë që iniciativa e tij ka marrë mbështetjen e numrit të duhur të deputetëve dhe në debatin i cili do ta zhvillohet të enjten e ardhshme, do t’i rekomandojë kuvendit që të kërkojë nga ekzekutivi kosovar dhe EULEX-i që të ndërmarrin masat për arrestimin e kryesve të Masakrës së Dubravës dhe vënien e tyre para drejtësisë. Vendi ku përgjegjësit e këtij krimi do të duhej të uleshin në bankën e të akuzaurve sipas Hasanit është Gjykata e Qarkut në Pejë ku ai thotë se Shoqata e të Burgosurve Politikë ka bërë një kallëzim penal në vitin 2007 rreth kësaj masakre. Sipas këtij kallëzimi në masakrën e Dubravës janë vrarë 130 të burgosur dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë. Këtë kallëzim penal e konfirmon edhe Hydajet Hyseni, kryetar aktual i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës (SHBPK) dhe njëkohësisht deputet në Parlamentin e Kosovës. Debati parlamentar në parlament sipas Hysenit
duhet të adresojë një vlerësim adekuat për masakrën e Dubravës dhe një trajtim meritor për viktimat e përjetuesit e saj. Hyseni thotë se SHBPK e ka adresuar edhe herë të tjera këtë masakër në Kuvendin e Kosovës ndërkaq masakra ndaj njerëzve duarlidhur sipas tij nuk e ka pasur asnjëherë trajtimin adekuat nga faktorët relevantë e sidomos nga faktori ndërkombëtar.
Masakra e Dubravës – në Hagë
Aktakuza e ngritur kundër Slobodan Miloshevqit nga Tribunali i Hagës i ka trajtuar vetëm datat 22 dhe 23 maj rreth masakrës së Dubravës dhe i ka përfshirë vetëm rreth 50 viktima. Milosheviq i cili vdiq në Burgun e Hagës para se të përmbyllej procesi gjyqësor, vazhdimisht e ka mohuar këtë akuzë dhe e ka bërë përgjegjëse për gjithë masakrën NATO-n. Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, thotë se KMDLNJ ka bërë gjithë atë që duhet për Hagën. “Por tribunali është marrë në mënyrë shumë selektive me masakrën e Dubravës. Haga jo vetëm këtë, por shumë masakra të tjera të tmerrshme nuk i ka përfshirë fare”, thekson ai duke bërë me dije se KMDLNJ i ka shprehur shumë herë shqetësimet e veta për këto mospërfshirje. “Tribunali e ka pasur nga ana jonë një dosje komplete dhe ka mundur të bëjë hetime të mirëfillta rreth masakrës së Dubravës”, thekson ai./2011
Komentet