Nermin Vlora Falaschi: 18.04.1921 – 28.11.2004. Jam i detyruar t’i pohoj këto shifra, që na tregojnë fillimin dhe përfundimin e jetës fizike të Nerminit, A-në dhe Zh-ënë e segmentit kronologjik të humanistes së madhe, që i ka, tashmë, rrënjët e pashkulura dhe frymën e emrit në Kaninë. Nermini, së bashku me Renzon (bashkëshortin e saj, i cili qe italian) prehen në Kaninë, atje ku ka eshtrat e të parëve, atje ku prehet stërgjyshi, Ismail Qemal Vlora. Edhe pse, bukuri denjësisht të admirueshme si Nermin Vlora u krijuan në këtë planet që t’i japin atij dritë. Një dritë të ngrohtë. Nermin Vlora. Një univers rrezatues. Një univers fisnik. Një akademi në lëvizje. Një zonjë e madhe dhe e bukur. Ambasadore e kombit shqiptar në botë.
Ç’të shkruaj më parë për Nermin Vlorën?! E kam njohur nga afër. Në Tiranë, në Vlorë, në Romë. Në Vlorë, në Tiranë, në Kaninë… Fatlum kam qenë. Ishin vitet Nëntëdhjetë. Filloi të ndihej një fllad lirie edhe në këto vise. Një grup intelektualësh dhe atdhetarësh u organizuan dhe krijuan në Vlorë Shoqatën Kulturore Mbarëshqiptare “Ismail Qemal Vlora” me kryetar Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, nënkryetar i parë Petrit A.Velaj, (i flasin Mandela i Shqipërisë, se ka bërë 42 vjet burg e internim, si kundërshtar politik i regjimit të kaluar), nënkryetar Ibrahim O. Haxhiu (i biri i Osman Haxhiut të Luftës së Vlorës), sekretar i përgjithshëm Novruz Bajrami, si dhe “xhaxhi Ferati”, më i dashuri shkrimtar për fëmijë, Ferhat Çakërri, Prof As. Dr. Zeko Braho, Liljana Gjika, Skënder Beqiri, Njazi Hamzaraj, Kozma Billa dhe Albert Habazaj, anëtarë kryesie. Kryetare Nderi kishim mbesën e Plakut të Bardhë të Flamurit Kombëtar, Nermin Vlora Falaschin. Sa veprimtari të bukura kulturore artistike kombëtare kemi zhvilluar. Me shpirt, me zjarr, me idealizëm. Kishim dhe dritën e ngrohtë të SAJ. Mbresëlënëse kanë qenë takimet në bibliotekën e vjetër të qytetit (sot shtëpia e Beut), në pallatin e Kulturës “Labëria”, në Teatrin “Petro Marko” etj. Ajo vinte përherë me Renzon. Kishte raste që vinte me ta dhe djali i tyre. I vetmi. Drita e syve. Roberto. Një pasdite e pashlyeshme do të ngelet në kujtesën tonë ajo e 18 Prillit 1993. Një festë kulturore. Zhvilluam veprimtarinë kulturore: “Nermin Vlora Falaschi – personalitete e shquar e kulturës shqiptare”. Fjalët e saj: “Ndjehem krenare që jam prodhim shqiptar, u shpreh mirënjohjen mësuesve të mi që më kalitën fizikisht dhe shpirtërisht për të mposhtur vështirësitë e jetës. Unë jam shqiptare, kam përçuar zërin e Shqipërisë nëpër botë dhe dua të prehem në tokën shqiptare, në Kaninën e Vlorë- toka e të parëve të mi” qe shumë emocionuese, frymëzuese, atdhetare dhe mallëngjyese për ne, deri në adhurim për atë njeri që na duhej si krijesë hyjnore. Ajo qe një shqiptare e madhe jashtë Shqipërie. Nuk qe vetëm zëri i gruas së shquar shqiptare në botë, por një identitet shqiptar kulturor dinjitoz në Europë e kudo ku ajo jetoi e punoi në funksionin profesional, pa harruar kurrë e askund misionin atdhetar. Nermin Vlora, shqiptarja e madhe me virtyte të larta, do të jetë një shembull i shkëlqyer, një rreze drite, që do të ndriçojë udhën gruas shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Greqi, në Turqi, gruas arbëreshe në Itali, shqiptarkave kudo që janë nëpër botë, për t’u përcjellë brezave jo vetëm vlerat e saj, por edhe detyrimin që kemi për kombin tonë të dashur.
Parafjalë nga mendimtaria atdhetare e Nerminit: Shkova në Itali dhe unë. Refugjat si shumë e shumë shqiptarë. Domethënë njeri ilegal, me numër, pa emër (i palegalizuar). Shumë shpejt u rrita në përgjegjësi…U bëra emigrant! Njeri me emër. Legal. Punoja. Mirë. Në L’Aquila (capoluogo di Abruzzo). Jerusalemi i Italisë (Në një trajtë tjetër). Si Qytet i Tërmetit, u njoh pas gjëmës së 6 prillit 1999. Me punë e mirësjellje, krijova respekt. Dhashë e mora mirësi. Doke. Traditë. Me sjellje qytetare. Si njerëzit. (Ndoshta po hiqja sadopak, aq sa mundesha e sa më takonte imazhin e “bishtit pas” që na kishin vënë ca nga të huajt dikur dhe, për dreq, ca nga tanët u dolën në shteg, duke i bërë iso këtij avazi të lodhur). Me Nerminin flisja shpesh, por rrallë shkoja në Romë. Kur shkova për herë të parë në apartamentin e tyre, në periferitë e qeta, magjike e me katër stinë të gjelbra, në zonën Via Gramsci, Villa Borghese, Nr.7 – jam mrekulluar dhe kam përjetuar një ndjenjë krenarie të shkallës sipërore. Jo vetëm nga mikpritja e nderimi që më bënë, sikur unë, një copë shkëmb ende i palatuar mirë e zbritur nga malet e Tërbaçit, të isha djali i tyre apo një mik i madh; jo vetëm nga biblioteka e madhe, me libra të vjetër, të rinj, të rrallë, enciklopedi, antikuarë, në gjuhën shqipe, në shumë gjuhë të botës; jo vetëm se Nermini fliste shkëlqyeshëm një gjuhë të kulluar shqipe, që vetë Naim Frashëri do ta kishte si modelin më të pastër të bukurzanimit (të shqiptimit, të tingëllimit) të shqipes; jo vetëm se Renco (i shoqi, Renzo) e kuptonte gjuhën shqipe shumë, shumë mirë dhe e fliste shqipen mirë, jo keq duke qeshur me dëlirësi; por për ç’ka do t’ju rrëfej: Sallonin e pritjes e kishin në formë drejtkëndëshi, aty te nëntëdhjetë, njëqind metër katrorë. Një parantezë. Unë, në shtëpinë time, mbaj varur në mur fotografinë e prindërve, kur kanë qenë të rinj. Fotografitë e tjera të familjarëve, të të afërmve i mbaj në album. Edhe fotografinë e vjehrrit në album e mbaj. Nuk e di si veproni ju. Kthehemi në Romë. Te Renzo. Te Nermini. Sa u futa brenda, shkëlqente salloni i bardhë e i gjatë nga harmonia e kontrasteve të gjetura. Po më shumë shkëlqente shpirti tyre. Më shkuan sytë në fund të sallonit. Përtej. Në ballë. Majtas sipër portreti i Gjergj Kastriot -Skënderbeut. Djathtas sipër portreti i Ismail Qemalit. Piktura të mëdha. Unë përjetova emocione të fuqishme krenarie, por edhe psikologjia ime (provincialitet shqiptaresk?!) s’më linte rehat. Më ngacmonte. Më gërvishte. Mirë kjo, se është Mbesa Jonë, po ky, i zoti i shtëpisë është italian. Dhe jo dosido. Elitë. Në kupolë të saj. Ambasador i përjetshëm i Italisë. Dhëndër është tek ne ai…E kështu…Por, pa më lënë të “filozofoja” gjatë, vetë Renzo, me atë të qeshurën e tij si të perëndishme më ftoi të uleshim. “Do të qeras sipas traditës tuaj, – më tha – që tani është dhe imja. Me raki Skrapari. Gëzuar!’. Tjetër surprizë e lezetshme kjo. Dhe, sikur të qe futur në trurin tim të vogël, me një zë të ngadaltë, gurgullues e me kumbim të ëmbël, nisi bisedën: “Njerëz si Ismail Qemali janë largpamës, janë pararendës të kohës: këtë e dëshmon veprimtaria e jetës së tij. Këtë e materializon plotësisht edhe peneli i kunatës sime, piktores Vera Blloshmi. Apo jo?! Shikoji me qetësi”… Portretet ishin të dallueshme që larg, deri në detaje. (Nuk i mbaj mend përmasat). Krijuar nga dashuria dhe talenti i rrallë i zonjës fisnike Vera Blloshmi Mellet, piktore shqiptare me banim në Londër (kushërira e parë e Nerminit). Më thotë Nermini, me atë zërin e ngrohtë, të kthjellët e melodioz, me një gjuhë çiltërsisht metaforike, që rridhte natyrshëm: “Vera jonë sot pushon në Kopshtin e bukur të Kujtimeve, por veprat e saj madhështore stolisin kontinentet e ndryshme. Ja shikoji vetë këto dy portrete vigane: Veshja dhe sytë e flaktë të Skënderbeut dëshmojnë heroin fitues të përhershëm me mjete të armatosur. Sytë e portretit të Ismail Qemalit kanë një veçanti të shënuar, me dukuri pa zbrazëti morale e shpirtërore, ku burimi i pashtershëm i dashurisë për Atdhe, bëjnë në këtë drejtim përçapjen kryesore të qëllimeve të jetës së tij. Jetë, ku pasqyrohet ideali i ndërgjegjshëm se pavarësia politike nuk mund të ketë jetë të gjatë, nëse nuk farkëtohet edhe autonomia ekonomike”…Më ka bërë shumë përshtypje Renzo Falaschi mbetet një rast unikal. Ai e donte shumë Nerminin. Qe e bukur nga fiziku. Nga shpirti. Nga mendimi. E nderonte shumë Ismail Qemalin, jo thjeshtë se qe gjyshi gruas së tij të dashur, por sepse plotësonte profilin e vizionarit të kohës. E vlerësonte shumë Shqipërinë, jo thjeshtë se qe vendlindja e gruas së tij të dashur, por sepse i çmonte virtytet fisnikërisht të larta dhe se në vendin e shqipeve ai gjente djepin e gjuhëve. Bëmë shumë fotografi. Me Nerminin vetëm. Me Renzon vetëm. Me të dy, si me dy urata dritërimi. Shumë nga ato fotografi (sidomos pas djegies aksidentale me gaz në apartamentin e saj) ikën bashkë me të. Kam qenë disa herë në apartamentin e tyre, sa kohë punova në Itali. Ajo banesë u bë strehëz aq e ngrohtë për atdhetarët shqiptarë, për shqiptarët emigrantë dhe refugjatë (ende të palegalizuar në ato vite) që punonin me djersën e ballit, mendonin e vepronin dhe për Shqipërinë. Ajo sakrifikoi pasurinë e saj dhe të Renzos për Akademinë “Iliria”, për çështjen shqiptare, për albanologjinë, për historinë dhe qytetërimin shqiptar. Por, ajo mori me vete xhevahiret e shpirtit, vlera të pamohueshme dhe të gjithmonshme. Iku ajo. U mbyll Dera e Madhe. Eh!… Më dha libra boll. Ndër to një revistë “Koha e jonë = Notre temps”, organi Bashkimit demokrat Shqiptar, botuar në Francë nën drejtimin e Lec Shllakut, e përkohshme Politike – Kulturore – Shoqënore, Nr.10-11-11, vjeti XXXI, Tetor – Nandor – Dhetor 1992. Me ISSN. Nermini kishte botuar shkrimin (kryeartikull): “Ismail Qemal Vlora, gjysh i gjithë Shqiptarëve”. E nis shkrimin si një romantike e zjarrtë, por me logjikën krahasimtare të kohës për vlerësimin e Veprës: “Ismail Qemali, Plaku i Vlorës, por edhe djaloshi i përhershëm i gjithë Shqiptarëve, pa dallim feje, krahine ose nënshtetësie. Atij i kishte thënë gjaku: “Shko mor shpirt shko, se kam nevojë për të rinj të çdo moshe”! Prandaj, me plot të drejt mund të themi se Ai, me të vërtetë ishte “Plaku i Vlorës”, por me iderat e tija largpamëse mund të konsiderohet si njeri i ndriçuar i ditëve tona, ku merita e vërtetë e fitores qëndron në aftësinë e bindjes, në hollësirat e diplomacisë, jo në ndeshjen e fuqive të armatosura. Ismail Qemali ishte njeri tepër i butë, tepër intelektual, për t’i zgjedhur çështjet me ndihmën e armëve: Ai kishte arritur t’i hapi Portat e Shteteve Kryesore t’Evropës me sjelljen, e kulturën dhe me diplomacinë e tij të stërholltë e largpamëse”. Në fund të atij kryeartikulli (jo vetëm se është vendosur në faqen e fillimit të revistës), Motra e Madhe na jep një këshillë të dobishme atdhetare me urtësinë karakteristike të shkrimtarisë së dalluar që përtej: “…Ismail Qemali na dhuroi një “ATDHE”. Por neve, deri më sot, nuk e kemi kuptuar vlerën e kësaj dhurate. Ne kemi bërë gabime të shumta. Le të fillojmë ta kuptojmë tani,…, meqë ai që pranon gabimin e vet, do të thotë se ka filluar të qortohet. Kështu do t’a nderojmë Gjyshin tonë të përbashkët, Ismail Qemalin dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij. Kështu do ta sjellim në gjirin amtarë Kosovën kreshnike dhe Çamërinë e shpartalluar…”. (Shih: “Koha e jonë = Notre temps”, vep. e cit., f. 3 – 6). Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë janë 31 regjistrime bibliografike ku përmendet emri i Nerminit (jo vetëm si autore, por edhe si redaktore etj., apo që është shkruar për të nga të tjerët). Më shqetëson një fakt. Mungojnë librat kryesorë të Nermin Vlora Falaschit në fondin e Bibliotekës më të rëndësishme të Shqipërisë. Vërtetë që ajo shumë botime i realizoi në Romë. Por ka botuar dhe në Prishtinë. Dhe në Shkup. Po në Tiranë? Pse jo?! Pará! Para!… Po ngjet si me Çomorën. E me të tjerët…Megjithatë, duhet gjetur një mekanizëm që gjithë titujt libra të botuar nga pena e Nermin Vlorës të sigurohen për pasurimin e fondit të Bibliotekës Kombëtare. Në bibliotekën personale kam opusin e veprave të humanistes shqiptare. Kam edhe mungesa. Një libër madhor i Nermin Vlora Falaschit është ai me titull “L’etrusco lingua viva” në serinë “Antiche civiltà mediterranee – II”, Bardi Editore, Roma, 1989, një monografi shkencore në me 187 faqe tekst, figura me ngjyra, grafika, shënja, alfabete, me modele në tre gjuhë italisht, anglisht dhe në frëngjisht. Përkthimin në anglisht e ka realizuar me mjeshtëri dhe aftësi Renzo Falaschi. Me një bibliografi të pasur nga studiuesit më të njohur të botës si dhe ata shqiptarë në fushat e arkeologjisë, të gjuhësisë, letërsisë, të historisë dhe të kulturës. Në kohën kur lexon librin “L’etrusco lingua viva” (“Gjuha etruske – gjuhë e gjallë”, shën. im: A.H), të bien në sy edhe pika të tjera takimi në elementet gramatikorë midis shqipes dhe etruskishtes, sidomos disa prej tyre që shqipja i ka deri diku të dallueshme nga gjuhët indoevropiane. Gjithashtu vërehet përqasje kulturore dhe afri e përbashkime antropologjike (mesdhetarë jemi), sikurse, natyrshëm, duken dhe distancat apo përveçimet antropologjike (lokalitetet e banimit), që, në fakt, vetëm një studiues i hollë i fushës mund t’i vërejë. Një libër tjetër me studime të thelluara me firmën e Nermin Vlora Falaschit është monografia “Lashtësia e gjuhës shqipe sipas dokumenteve epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik” në serinë “Qytetërime të lashta mesdhetare – III”, Bardi Editore, Roma, 1991, me 149 faqe, vetëm në gjuhën shqipe. Në këtë lbër janë përfshirë dhe përmbledhja e transmentimeve të programit kulturor të Radio Vatikanit. Autorja ka bërë kushtim në fillim të librit: ky libër ësht uratë për bashkimin e gjithë etnive Shqiptare në vatrën e madhe evropiane”. Në librin “Shqipja çelësi i gjuhëve”, në serinë “Qytetërime të lashta mesdhetare – IV” ajo mëshon mbi metodën e karbonit C14 dhe e vështron lashtësinë e gjuhës shqipe duke krahasuar fjalët me rrënjë pellazgo – ilire (gjurmë të gjuhës të shkruar s’ka ende, shën.im – A.H) në disa gjuhë, në shqip, në italisht, në anglisht, dhe, sipas saj, gjuha shqipe ka gjyshe ilirishten. Ajo shkon më tej, duke na rrëfuer se stërgjyshe e shqipes është pellazgjishtja. Këtu ka paqartësira. Turbullira. Tis mjegulle. Biles perde. Përse mos të themi dhe derë të mbyllur të blinduar për të gërmuar thellësive retrospektive të linguistikës tonë. Mungesë guximi profesional apo pamjaftueshmëri provash? Nermini shpeshherë i vlerësonte shumë gjuhëtarët e mëdhenj Shaban Demiraj dhe Mahir Domi për diturinë e tyre, teoricienë të shquar janë – thoshte – por pse heshtin? Prakikisht kishte vërejtje. Dijet e tyre duhet t’i japin rezultatet e kërkimit. Konkrete dhe të mëdha. Dhe citonte nga Enciklopedia e Madhe Greke: “Stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, kanë banuar që në pjesën më të madhe të botës që njihej aso kohë, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm dhe duke ngritur vepra me vlera të jashtëzakonshme”. Nga Nouveau Petit Larousse: “PELLAZGËT, populli shumë i lashtë që banonte në periudhën parahistorike në Greqi, në Arkipelag, në brigjet e Azisë së Vogël dhe të Italisë…Në përgjithësi konsiderohet se Thrakët e lashtë, Frigët, Lidët, Karientët, ETRUSKËT, Epirotët, ILIRËT, italiotët (Sanitët dhe Oskët) dhe SHQIPTARËT E SOTËM, janë degët kryesore të Pellazgve”.
Një majë e letërsisë filozofike: Nga letërsia artistike e Nermin Vlorës dallon romani esé “E Nesërmja e Kohës” (tit. i origj.: “EX”), Shkup, “Gjon Buzuku”, 1991 me 192 faqe, i ndërtuar me 18 kapituj. Në fakt, ky është botimi i dytë në gjuhën shqipe, sepse botimi i parë shqip i tij është bërë më 1978 në Romë. Librin ma ka dhuruar vetë Nermini me autograf, më 28 Nëntor 1992, kur erdhi në Vlorë për 80-vjetorin e Pavarësisë Shqiptare. Libri çelet kështu: Një urim “E Nesërmja e Kohës” qoftë PAQË, BASHKIM, EVOLUCION Për gjithë Shqiptarët!”. Botimi i parë i romanit është bërë në italisht më 1971 në Romë. “E nesërmja e kohës” që do të thotë edhe se “Revolucioni i vërtetë është Evolucioni”, sipas autores, dëshiron t’i japë kuptim artit, filozofisë, problemeve të ndryshme të kohës. Kohë e ndërvarur nga psikologjia shoqërore, në elementet e saj më dinamike, ku, kjo e kuptuar bëhet kusht i domosdoshëm. Kohë, me prirje të shpjegojë, me ndërmjetësinë e ndjenjave, konceptin e metamorfozës së fenomeneve jetësore, duke ua përshtatur fenomeneve të mbijetesës. Në vijat e saj të mëdha, koha përfshin elementët materialë të botës dhe shfaqjet e shumanshme, kanë kuptime me baza të sakta. Arkaizmi, në faza të ndryshme, është kohë, që me ndërmjetësinë e evolucionit, materializohet në modernizëm. Modernizëm që do të konsiderohet një ditë arkaizëm, nën shtytjen e vlerave të reja, që ndryshojnë botën dhe që hapin faqe gjithnjë të reja, në konceptin e kuptimit të saj… Paralelizmi historik i nënshtrohet pa kondita këtij ligji, kurse arti shpreh hovet shpirtërore brenda dhe jashtë tij. Përmasa materiale kanalizohet në vijat e domosdoshme të kohës. Vlerat shpirtërore, megjithëse formohen në kohë, hidhen jashtë kohës në të ndjekur ato pika synimi që vetëm mendja mund t’i arrijë dhe shpirti t’i përvetësojë. Në fenomene të tilla koha mënjanohet, mendimi hidhet përpara ndaj së nesërmes së kohës, ndaj revolucionit të evolucionit. Ky roman esé, na provon, me ndërmjetësinë e protagonistit Mamot, (diplomati që udhëton me tren nga Berna në Milano) fazat e ndryshme të pjekurisë në kohë. Pjekuri, që në fazën përfundimore del me fitore mbi kohën, me anë të hovit mendimor, të evolucionit shpirtëror, synim i padyshimtë i të gjitha krijesave të botës. Mamoti, me hir, mbetet i pakufizuar në një pikë të globit, për të përfaqësuar tërë njerëzinë: rron, gabon, pëson, mëson. Nuk ka çaste në jetën e tij që vuajnë disi, nga një farë mungese emocioni, fakte që mënjanojnë monotoninë e jetës. Jetë, që për të shpërthyer në pjekurinë brendore, ka nevojë të rrojë në përmasën më të plotë të kohës. Si rrjedhim, Mamoti përballon të gjitha problemet që jeta i parashtron, matet dhe vuan me to, për to dhe në fund del me fitore. Fitorja e pjekurisë që s’kërkon viktima. Fitorja e mendimit, që ka përvetësuar relativitetin e fenomeneve të botës. Fitorja mbi kohën. Duke u marrë me këtë libër, më duket se Pacifistët e globit thonë: “Mamoti është secili prej nesh. Ne të gjithë duam të jemi si Mamoti!”. Ngjarjet mbartëse të brendisë filozofike i shkojnë për shtat si një kostum letrar e psikologjik edhe popullit shqiptar. Dhe i rrinë bukur këto “veshje” që Nermini ia dhuroi jo vetëm letrarisht. Populli ynë i lashtë, malësor, i pjekur në kohë nëpërmjet vuajtjeve, nëpërmjet mendimit, nëpërmjet evolucionit shpirtëror. Dhe, si pasojë, del në dritë se rrënjët e lashta të Mamotit mund të jenë ushqyer në tokën pjellore të Shqipërisë. Ndërkohë, kuptojmë që vetë Nermin qe një pacifiste e madhe. Pa u marrë me analizën e tekstit, mendoj se vlen t’i kujtoj lexuesit të gazetës “Tirana Observer”, që pasthënie ky roman ka shkrimin e brilantit Ernest Koliqi (që me Kutelin cilësohen bashkëthemelues të tregimit modern shqiptar). Është fjala për shkrimin e Koliqit, “LIBRA TË LEXUEM” që e bëri në respekt të botimin italisht të romanit “E nesërmja e Kohës” me titullin “Ex”, (shih: “Shejzat”, nr. 5 – 8, 1972). Pasi vlerëson romanin si një provë të re të talentit letrar të autores, ndër të tjera, Koliqi shkruan: “Në kët ajo derdh përvojën e jetës së vet me qëllime morale disi mâ depërtuese se përpara dhe me cenë shpehëse mâ të theksueme. Nji grumbull i larmíshëm ngjarjesh shtjellohet tue pasqyrue në kët vepër tregimtare pështjellimin e zakoneve të kësokohëshme plot turbullim. Të gjitha epizodet e rromanxit përfundojnë, të thuesh, në trishtim tue lânë mbrapa mbresa t’idhëta. Shka s’ka në 200 faqet e tij! Dashunína të lêjshme e të palêjshme, rreziqe e ndjekje, peripetína diplomatike, arratija spiunazhi, drogë edh’epshe demuese, zbritje kah vesi e nji pjese së rinís qi shmanget nga themelet e shëndoshta të traditës. Por ky varg ngjarjesh, qi të rrëmben në gjiret e jetës ultramoderne, nuk përbân veçse gërshetin e dukshëm të rromanxit dhe sherben vetëm si objekt për të gjetë thalbin e mshefun të jetës njerzore. Nën kët landë në të cilën brumi njerzuer parashtrohet i ngjeshun me tharme marrije e djallëzije, endet e padukëshme nji pëlhurë e rrastë ndiesísh qi i apin hov tregimit kah epërsít shpirtnore. Pyetje të ngashërueme qesin krye aty këtu përkitazi me fatin e njeriut qi në kët shekull tronditet nga fuqi të panjoftuna të cilat e shtyjnë me libue (aborder) në brigje përtè pushtetit të Kohës”. (Shih: Falaschi, Nermin Vlora: “E nesërmja e Kohës”, Shkup, “Gjon Buzuku”, 1991, f.188).
“Vera”, një libër i ngrohtë si mozaik ylberor: Kur isha në Itali, një pasdite dimri shkoj në Romë, i ftuar nga çifti ideal dhe idealist Falaschi. Ka
qenë data 17 Shkurt 2000. Organizohej një veprimtari e madhe Akademisë Kulturale “ILIRIA”, Themeltare e së cilën qe humanistja e nderuar Nermin Vlora Falaschi. Ajo më njoftonte kur në Romë organizoheshin shqiptarët për takime kulturore, atdhetare e letrare. Shndërroheshin në festa mbarëkombëtare. Eh!.. Nermini më dhuroi një libër-album, me tekst, piktura dhe fotografi. “VERA” titullohet, është i shkruar në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe italisht. Në Romë është botuar. Korrik 1998. Me 62 faqe të shkruara është. Vërtet s’ka shumë faqe, por ka një det me dashuri, një mal me mall. Ka mesazhe mirësie dhe bekon përkrahje yjnore. Është libër mirënjohjeje. I kushtohet të paharruarës Vera Blloshmi Mellet, vajza e vajzës së parë të themeluesit të shtetit shqiptar, piktore shumë e njohur shqiptare në Angli e me famë botërore. Autorja e çel homazhin me fjalët: “Ky album i vogël, kushtuar Verës, dëshiron të jetë urim, admirim për ata që luftojnë për Liri e Paqë, në Dardaninë fisnike. Shkruar në tri gjuhë. Në gjuhët e botës. Me gjuhë të bilbilave. Që ta marrë vesh bota. Edhe Toka. Edhe Qielli: “…fluturove buzëqeshur n’hapësirë/ hapësirën e pafund t‘kohës,/ ku vetë koha, tashmë asgjësohet…” [Qershor 1998]; “… smiling you have flown into the space,/ the infinite space of time,/ where time now fades away…”; “…sei volata sorridente nello spazio,/ spazio infinito del tempo,/ ove ormai il tempo s’annulla…”. Kush ishte Vera? Më pëlqen se Nermini na e paraqet letraisht: “Ajo ishte flladi i verës, fladë frymtarie ku brenda sajë vezullonte zejtaria e artit, me shkëndira të vazhdueshme krijimtarie dhe larmi tematike me shkallëzime poetike të ngjyrave harmonike, ku faktorë i gjithëpushtetshëm ishin sytë e personave që ajo pikturonte”. Pastaj tregon. Ka një rrëfim simpatik. Dhe interesant: “Vera dhe unë jemi rritur së bashku, si motra, ndoshta si binjake, meqë kemi plotësuar njëra tjetrën. Ajo kishte prirje për pikturë dhe i ka mbetur besnik gjatë gjithë jetës. Unë kisha talent në fushën e humanistikës. Dhe, gjatë gjithë jetës sime jam marrë e po vazhdoj të mirrem me gjuhësi dhe me interpretimin e mbishkrimeve të lashtësisë… Unë linda me 18 prill, Vera me 19 prill. Ne ishim dy veta që plotësonim njëra tjetrën. Prirjet tona të ndryshme në të gjitha fushat kanë krijuar atë afërsi shpirtërore që shprehet në heshtje. Dhe heshtja është zëri i këthjelltë i natyrës që krijon, në mënyrë të pavetdishme ndajafërsi shpirtërore. Vera dhe unë kishim krijuar nji fletore ku, në faqen e majtë gjendej nji vjershë e ime dhe, në atë të djathtën nji vizatim i Verës, në përputhje me temën e vjershës. Ishim të vogëla, 10-12 vjeçare. Njërën prej atyre vjershave: “Kënga e nji zogu”, shkolla ia dha Revistës “Diana” ku dhe u botua. Por erdhi nji ditë fatkeqe, kur fletorja me vjersha e vizatime, bashkë me të gjitha gjërat që ndodheshin në shtëpi, u tërhoqën prej shtetit, miratim i njizëshëm, meqë ata i përkisnin popullit e nuk mund të ishin pronë private: “as fletorja e dy fëmijëve që kishin bërë nji punë artistike””.
Nga rrëfimet e Nerminit: “Është një periudhë e gjatë, ku edhe jam vlerësuar me tituj si studiuese e gjuhës shqipe, duke vënë në jetë amanetin e gjyshit, që të mos reshtim për Shqipërinë. Si diplomat me përvojë, Renco studioi, hulumtoi dhe shkroi librin “Diplomacia e Ismail Qemalit”, të cilin unë e kam përkthyer në gjuhën shqipe. Tërë jetën e tij respektoi veprën e Ismail Qemalit, jo sepse ishte gjyshi im, por se admironte zgjuarsinë dhe diplomacinë e plakut të Pavarësisë, që e kishte idhull, sikur të ishte shqiptar”. Ky fakt na ngelet në mendje. Nuk shlyhet kurrë: Edhe pse ishte me origjinë italiane, Renco ishte i mahnitur pas historisë shqiptare dhe kulturën e këtij populli. Por mbi të gjitha shkroi shumë për Ismail Qemalin. Dhe këtë e bëri jo se ishte gjyshi i bashkëshortes, por tek ky politikan pa vlerat e një strategu të madh që çoi një komb drejt pavarësisë. Por amaneti i tij i fundit tregon edhe dashurinë që shfaqi për kombin shqiptar. Flet Nermini, (ende pa ikur vetë): “M’i ka thënë me humor, për të mos ndier peshën e dhimbjes, por tani që ai nuk është më, ato duhet të vihen në jetë. Amanetin nuk e tret dheu – kemi një shprehje në shqiptarët – Çdo gjë duhet të shkojë në vend të vet. Sipas traditës italiane, Renco ka kërkuar që të digjet trupi i tij pas vdekjes dhe hiri të vendoset pranë meje kur të kaloj në përmasën tjetër. Donte që të ishim bashkë përjetësisht në Kaninë të Vlorës, vendlindjen e të parëve të mi. Unë e kam kundërshtuar djegien e trupit, por do të jetë mendimi i përbashkët me tim bir, Roberton, që është ambasador, për të vendosur e zbatuar amanetet e tij. Ajo që ndiej në këto momente është dhimbja për humbjen e tim shoqi”. Shumë njerëzore, shumë familjare, shumë e vërtetë. Mallëngjyese. Shumë! Renzo Falaschi e la amanet që të prehej në tokën shqiptare në Kaninë të Vlorës. Djali i tyre Roberto pruri një vazo simbolike me hirin e babait italian Renzos dhe të nënës së tij shqiptare Nermin. Qe data 6 Korrik 2005, kur në varrezat e qytezës së Kaninës erdhi vazoja me hirin e dy të ndjerëve dritërues. Dhe atje pushojnë të dy si meteorë dashurie, lirie, diturie dhe mirësie, nën hijen e gjelbër dhe paqësore të ullinjve mbi Vlorë.
Dy fjalë jetëshkrimore: Sinqerisht duam të shkruajmë e të shkruajmë pafundësisht për veprën e madhe që bëri dhe që la Nermini, se qenë e ngelen visare. “Gjeologët” e letrave bëjnë mirë ta piketojnë si duhet veprën letrare dhe studimore të Nerminit. Megjithatë, kërkohet të bëjmë dhe një jetëshkrim të vogël të Motrës së Madhe Nermin Vlora. U lind më 18 prill 1921 në Tiranë, ku mori dhe mësimet e para në shkollën “Motrat Qiriazi”, dhe të mesmet po ashtu në Tiranë, në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Që nga mosha e re Nermin Vlora tregoi prirje për t’u marrë me krijimtari. Siç e pohon dhe vetë, ka filluar të shkruajë vjersha qysh në moshë shumë të re, në vitet ’31 – 32 të shek.XX. Gjatë shkollës së mesme përktheu vjersha nga gjuha frënge dhe italishte në atë shqipe për emisionet e Radio Tiranës. U martua me diplomatin italian Renzo Falaschi (Renco Falaski) dhe shkoi në Itali. Studio shkencat juridike në Siena (Toskana). E pajisur me dituri të thellë u dha pas krijimtarisë letrare dhe asaj shkencore. Në këtë drejtim, përveç gjuhës shqipe, e ndihmuan edhe gjuhët: italiane, frënge, angleze, spanjolle, greke, turke që i fliste dhe i shkruante bukur. Ligjëroi në shumë universitete të botës: Angli, Portugali, SHBA, Ugandë, Kolombi, Kinë, Çekosllovaki, Kosovë etj. Fushat e interesimeve të saj, përveç asaj shkencore, shtrihen edhe në atë letrare, historike, arkeologjike, linguistike, pra në lëmin e pasur të humanistikës. Disa nga veprat e saj janë përkthyer janë përkthyer edhe Lisbonë, Bogota, etj. Kontributet e saj shënohen në fushën e letërsisë për llojet e romanit, të poezisë, të esesë dhe të reportazhit, udhëpërshkrimeve. Gjithashtu ka lënë gjurmë të dukshme dhe në shkencën e re të Antrolologjisë Kulturore. Ka botuar mbi 30 libra, midis të tjerash: “Zotërues i kohës” (1967), “Nga gjysmëhëna tek hëna” (1973), “Momente kolombiane” (1979) – poezi; “Udhëkryqi” (1968), “E Nesërmja e Kohës” (1971), “Gjurmë gjaku” (1974), “Lejleku kokartë” (1976) – romane; “Kina” (1972) – udhëpërshkrime; “Bashkësia dhe autonomia” (1973) “Konsiderime mbi civilizimin Çibça” (1979), “Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët (1984), “Etruskishtja gjuhë e gjallë” (1989) – studime; përktheu nga anglishtja në shqip “Kujtimet e Qemalit” (1974), ndërsa nga italishtja librin “Ismail Bej Vlora”(1985). Gjithashtu nga anglishtja në italisht nermin Vlora ka përkthyer librin “Ismail Kemal Vlora e l’Indipedenza dell’Albania 1912 Memorie” (Ismail Qemal Vlora dhe Pavarësia e Shqipërisë, 1920 Kujtimet) me shtesa e plotësime historike nga Renzo Falaschi; Romë, 1992; monografi me 412 faqe. Do të shtoja që romani “Udhëkryqi”, në variantin original në italisht “Il bivio, Bolonja (1967), me 222 faqe, është një botim luksoz me lidhje të trashë, me kopertinë të, trashë, me kopertinë të realizuar nga piktorja Vera Mellet. Libri përmban edhe DVD . (S’po merremi me zbërthimin e librit, se s’do të mbaronim kollaj). Jë kontribut kulturor dhe shkencor i Nerminit është botimi trigjuhësh: shqip – “Nga etnocentrizmi në pluralizëm kulturor”; anglisht – “From ethnocentrism to cultural pluralism”; italisht – “Dall’etnocentrismo al pluralism cultural”, Bardi editore, Roma, 2000, me 220 faqe në format A4. Biblioteka e ka dhuratë me autografin e saj këtë libër me shënimin në shqip: “Profesorëve dhe nxënësve të Universitetit “Ismail Qemal Vlora’ i uroj të gjitha të mirat dhe qofshin kolonat e kombit tonë të dashur e shumë të lashtë, duke pasur si shembull veprimtarinë e atij që mban emrin e këtij tempulli të rëndësishëm. Me dashamirësi Nermin Vlora Falaschi”. Nermin Vlora ka fituar çmime të ndryshme letrare, nga të cilët më të rëndësishmit janë: laura “Honoris causa” nga Universiteti i Tuksonit (Arizona,SHBA); dy çmime nga Kryeministria e Italisë, për zhvillimin e kulturës; dekoratën “Oficial de la Orden di San Carlos”, nga qeveria e Kolumbisë për botimin e librave mbi qytetërimin e lashtë parakolumbian “ÇIBÇA” dhe për aktivitetet e ndryshme kulturore që zhvilloi në Kolumbi, gjatë pesë vjetëve që bashkëshorti i saj ishte Ambasador në Kolumbi. Etj. Gjykoj se meritojnë të përfillen nga kritika e specializuar poezitë e saj fluide, romanet historike, filozofike, shoqërore për emancipimin e gruas dhe me eksperienca udhëtimesh. I përkas atij grupi të punëtorëve të penës që mendojnë se shkrimet e librat me gjurmime mbi qytetërimet e lashta, sidomos ato për qytetërimet e lashta mesdhetare meritojnë të përfillen edhe nga studiuesit, arkeologët e antropologët tanë. Se bota i ka vlerësuar. Nermini na dëshmon, sipas saj, me prova të pakundërshtueshme, se dokumentet epigrafike të lashtësisë, nga deti Egje deri në Oqeanin Atlantik, interpretohen me anën e dialekteve të gjuhës shqipe, e cila vjen drejtpërsëdrejti nga pellazgo – ilirishtja. Do të ishte gjë e mirë për kulturën, po të formohej një komision akademik për t’i dhënë përgjigje vendimtare kësaj çështjeje kaq të rëndësishme, jo vetëm për Shqiptarët, por për kulturën botërore dhe qytetërimin në përgjithësi.
Unë jam me fat: Çdo ditë, çdo mëngjes, gjithë ditën, çdo javë, çdo muaj, gjithë vitin e vit pas viti unë përshëndetem me Nerminin. Unë jam me Nerminin. Emrin e saj e kam në ballë të bibliotekës ku punoj në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Portretin e saj e kam sipër, djathtas mbi krye. Më jep dritë nga drita e saj. Dhe unë ua jap studentëve dhe pedagogëve të Universitetit. Çdo mëngjes më jep mirësi Hirësia e Saj. Studiuesi kosovar Hasan Hasani ka botuar monografinë: “Nermin Vlora Falaski”, Prishtinë, Shkëndija, 1992, me 118 faqe. Ndërsa shkrimtarja sentimentale dhe gazetarja rebele Zenepe Luka (Çekrezi), kryetare e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” ka botuar librin voluminoz “Rrëfej Nermin Vlorën. Ishim tri”, Vlorë, Triptik, 2005, me 511 faqe dhe një bllok fotografish me Nerminin pas tekstit të shtypur. Emra si Nermin Vlora zbukurojnë hijshëm letërsinë qytetare të Vlorës dhe të Shqipërisë. Dhe ullinjtë mbi Vlorë janë të bukur si sy Nermini…
Komentet