VOAL -Karol Józef Wojtyła, Shën Papa Gjon Pali II, lindi në Wadowice, qytet 50 kilometër nga Krakovia, më 18 maj 1920. Ishte i dyti nga të dy djemtë e Karol Wojtyła e Emilia Kaczorowska. Emilia, e ëma e papës vdiq, kur ky ishte vetëm nëntë vjeç. Edhe vëllai i madh nuk pati fat më të mirë. Ai vdqi shumë i ri në vitin 1932. Në vitin 1941, ndërkaq, vdiste edhe babai i tij. Dhe i riu Karol Jozef Wojtyla, në moshën njëzetvjeçare, mbetet vetëm filli në këtë botë.
Pasi i mbaronte shkëlqyeshëm studimet e mesme, në vitin 1938 ai do të transferohej në Krakovi me të atin dhe do të fillonte të frekuentonte Fakultetin e Filozofisë të qytetit. Regjistrohej edhe në “Studio 38”, rrethin teatror që gjatë Luftës së Dytë Botërore, do të vepronte në mënyrë klandestine. Në vitin 1940 Karol Jozef Wojtyla punonte si punëtor në galeritë nëntokësore pranë Krakovias dhe pastaj në fabrikën kimike të qytetit. Kështu shmangu deportimit dhe punën e detyruar në Rajhun e Tretë gjerman.
Duke filluar nga viti 1942, duke e ndjerë veten të përshtatshëm për klerik, ai frekuentonte kurset e formimit religjioz të seminarit në kushtet e një klandestiniteti të madh në Krakovi, drejtuar nga kryeipeshkvi i Krakovias, Kardinali Adam Stefan Sapieha. Në të njëjtën kohë do të ishte një nga themeluesit e “Teatrit Rapsodik”, edhe ky klandestin. Në gusht të vitit 1944, kryeipeshkvi Sapieha e transferoi, bashkë me seminaristë të tjerë klandestinë, në Pallatin e Kryeipeshkvnisë. Aty Karol Wojtyla do të qëndronte deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.
Më 1 nëntor 1946 ai emërohet prift. Pak ditë më vonë niset për të vazhduar studimet në Romë, ku ai banon pranë Pallottini, në Via Pettinari. Në vitin 1948 mbron tezat e tij mbi temën e fesë në veprat e Shën Gjonit të Kryqit. Rikthehet nga Roma në Poloni, ku punon në kishën e Niegowiæ pranë Gdów. Senati Akademik i Universitetit Jagiellonica, pasi ia kishte njohur titujt e marrë nga studimet e kryera në vitet 1942-1946 në Krakovia e pastaj në Angjelikum të Romës, ia jep titullin doktor i shkencave religjioze. Në këtë periudhë, gjatë periudhave të pushimeve, ushtron të dërguarin kishëtar pranë emigrantëve polakë në Francë, Belgjikë dhe në Hollandë. Në vitin 1953 paraqet në Universitetin Katolik të Lublinit tezat e tij mbi mundësinë e themelimit të një etike kristiane duke u nisur nga sistemi etik i Max Scheler. Më vonë bëhet profesor i Teologjisë Morale dhe Etikës në seminarin e lartë të Kracovia e në Fakultetin e Teologjisë të Lublinit.
Në vitin 1964, pasi ishte emëruar kryeipeshkv metropolit i Krakovias, zyrtarisht vendoset në Katedralen e Wawel. Mes viteve 1962 e 1964 merr pjesë në katër sesione të Këshillit të Vatikanit II. Më 28 qershor 1967 bekohet kardinal nga Papa Pali VI. Në vitin 1972 del vepra “Në bazat e rinovimit. Studim për zbatimin e Këshillit Vatikani II”. Më 6 gusht 1978 vdiste Papa Pali VI. Karol Wojtyla si kardinal merr pjesë në votimet që çuan më 26 gusht në 1978 në zgjedhjen e Papës Gjon Pali I (Albino Luciani). Në vijim të vdekjes së menjëhershme të Papës Gjon Pal I, më 14 tetor 1978, nis procedura e re për zgjedhjen e papës së ardhshëm dhe më 16 tetor 1978, kardinali Karol Wojtyla zgjidhet papë me emrin zyrtar Papa Gjon Pali II. Do të ishte vazhduesi i 263-të i Pjetrit, që konsiderohet papa i parë. Papa Gjon Pali II do të ishte papa i parë joitalian që nga Shekulli XVI, kur kishte qenë papë hollandezi Adriani VI, vdekur më 1523.
Papnimi i Gjon Palit II u karakterizua në mënyrë të veçantë nga udhëtimet e tij kishëtare, pra apostolike. Nga fillimi i papnimit të tij, Papa Gjon Pali II ka kryer 141 vizita pastorale në Itali dhe, si Ipeshkv i Romës, ka shkuar në 301 nga 334 sa janë kishat aktuale të Romës. dhëtimet kishëtare në botë, shprehje e përkushtimit shpirtëror të vazhduesit të Shën Pjetrit, janë tejet të shumta.
Me rëndësi të veçantë janë udhëtimet e tij në vendet e Evropës Lindore, udhëtimet që sanksiononin fundin e regjimeve komunisti. Po ashtu kanë pasur shumë rëndësi udhëtimet në zonat e luftës, siç ishte ai në Sarajevë në prill 1997 e Beirut, në maj 1997, udhëtime që rinovonin impenjimin e Kishës Katolike për paqen. Papa Gjon Pali II i mbijetoi atentati të 13 majit 1981, kur agjenti i KGB-së Ali Agca, fshehur në mes të turmave në Sheshin e Shën Pjetrit, qëlloi dy herë me pistoletë, duke e plagosur rëndë papën. Papa shtrohet në Poliklinikën Xhemeli (Gemelli), ku mbetet në sallën e operacionit për gjashtë orë. Atentatori arrestohet. Më vonë papa e fal atentatorin duke e vizituar në burg, një gjest që ka mbetur historik.
Në vitin 1986 një tjetër ngjarje historike që lidhet me Papën Gjon Pali II pushtoi botën anembanë. Ai viziton sinagogën e Romës, një veprim të cilin nuk e kishte bërë asnjëri nga papët deri atëherë. Në vitin 1993 ai vendos marrëdhëniet e para diplomatike zyrtare midis Izraelit dhe Selisë së Shenjtë. Për t’u përmendur edhe rëndësia që Papa Gjon Pal II i ka dhënë dialogut midis brezit të ri dhe institucioneve. Më 1986 themelon Ditën Botërore të Rinisë dhe që atëherë kjo ditë kremtohet çdo vit. Kjo festë do të njihte kulmin e saj në Jubileun 2000, duke emocionuar mbarë planetin dhe vetë Papën Gjon Pali II. Më 16 tetor 2003 ishte dita 2 25 vjetorit të papnimit, ngjarje që u përjetua në mbarë botën me dashuri të madhe. Më 2005 dilte libri i fundit i Papës Gjon Pali II “Kujtesa dhe identiteti”, ku autori merrej me tema të mëdha të historisë, sidomos me ideologjitë totalitate të Shekullit XX, si komunizmi e nazizmi, dhe iu përgjigjej pyetjeve më të thella të jetës së besimtarëve dhe të qytetarëve të botës.
Pas dy ditësh agoni dhe lajmesh të dendura rreth shëndetit të tij në mbarë botën, Karol Vojtila ndërronte jetë më 2 prill 2005, çka u prit me pikëllim kudo. Papnimi i Gjon Palit II ka qenë shembullor, kryer me pasion, përkushtim dhe besim të jashtëzakonshëm. Vojtila ka qenë gjithë jetë një ndërtues dhe mbështetës i paqes, ka qenë një komunikues i jashtëzakonshëm, një njeri me vullnet të hekurt, një lider dhe një shembull për të gjithë, sidomos për të rinjtë, ndaj të cilëve ndihej veçanërisht i afërt dhe me të cilët shkëmbente energji shpirtërore. Figura e tij është konsideruar një ndër më domethënëset dhe më ndikueset në historinë bashkëkohore.
Shën Papa Gjon Pali II, në prill të vitit 1993, vizitonte Shqipërinë demokratike, e cila kishte përmbysur në atë kohë regjimin komunist, regjim i cili, siç dihet, u rikthye në mënyrë të përgjakshme në mars të vitit 1997. Shën Papa Gjon Pali II, lumnoi në Sheshin e Shën Pjetrit Nënën Terezë, duke hapur rrugën e shenjtërimit zyrtar të Shenjtores shqiptare të Njerëzimit. Mik i Nënë Terezës dhe i Presidentit Ibrahim Rugova, Shën Papa Gjon Pali II lutet vazhdimisht për Kosovën dhe për të ardhmen e saj./Elida Buçpapaj
Komentet