Në Treviso u festua denjësisht, përvjetori i pavarësisë Kosovës:
Manifestimet për festën e pavarësisë së Kosovës, po zhvillohet anembanë botës ku ka shqiptar. Kështu po ndodh edhe me mërgatën shqiptare në Itali. Të dielën me 12 shkurt (2017) në organizim të Shoqatës ILIRIA Treviso u zhvillua MEGA KONCER , për nder të 17 Shkurtit në shenjë të 9-të vjetori pavarësisë së Kosovës. Ishte ky organizimi më i madh për nga numri i të pranishmëve në këto vitet e fundit.
Përveç pranisë së një numri kaq të madh të bashkatdhetarëve nga Treviso e pjesë tjera të Italisë, të pranishëm ishin edhe personalitete tjera shqiptare jo vetëm nga Italia, por edhe shtete tjera, si: nga Kroacia zonja Ermina Lekaj Përlaskaj – deputete në parlamentin Kroat; nga Austria, zoti Imer Lladrovci – konsull i Kosovës në Vjenë; nga Sllovenia, z. Heset Ahmeti – kryetar i Shoqatës ILIRIA Kopër; e personalitete të ndryshme të mërgatës shqiptare në Itali, si: Ndue Lazri, Miradie Avdullahi, Sami Binakaj, Selim Musaj, Mardena Kelmendi, Agim Mulosmani, etj.
Ky aktivitet filloi me intonimin e himnit kombëtar shqiptar nga nxënësit e Shkollës Shqipe Treviso dhe himnin shtetëror të Kosovës. Këtë aktivitet e drejtoi e mirënjohura Silvana Braçe e cila me zërin e saj karakteristikë e me një elegancë karakteristike i ftonte në podium personalitete dhe këngëtarët e radhës. Fillimisht e ftoi kryetaren e Shoqatës ILIRIA në cilësinë e organizatorit, zonjushën Ermira Zhuri, e cila i përshëndeti të pranishmit, mysafirët, këngëtarët, nxënësit dhe sponsorët e këtij aktiviteti të rëndësishëm jo vetëm për shtetin e Kosovës , por edhe gjithë kombit shqiptar. Nga një fjalë rasti patën edhe z. Imer Lladrovci – konsull( Vjenë), Ermina Lekaj Përlaskaj – deputete në Kroaci dhe Ndue Lazri – president i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali.
Nga grupi artistik i Shoqatës ILIRIA të Trevisos të drejtuar nga Muamer Murtezani, u inskenua protesta e ndalimit të pa drejt ish kryeministrit të Kosovës në Francë, z. Ramush Haradinaj, për të cilin u kënduan edhe këngë gjatë kësaj pasdite festive. Të pranishmit u argëtuan nga këngëtarët: Gold AG, Albina Jahjaga, Agron Tefta, Feim Graishta, Agim Morina, etj. Ndërsa gazmor me batuta të pranishmit i argëtoi humoristi Shkokla. Me pika artistike autoriale u paraqiten krijuesit: Miradie Avdullahi/poete nga Viçenca dhe Mexhid Hoxhaj/poet nga Kopri i Sllovenisë. Me poezi u paraqiten edhe dy nxënëset e Shkollës Shqipe Treviso: Shpresa dhe Altina Gashi.
Grupi i valleve të Shoqatës ILIRIA drejtuar nga z. Imri Osmani pati disa paraqitje, ku u dallua vallja e “shpatave të Rugovës”. Ndërsa, në vazhdën e bashkëpunimit të dy shoqatave si motra me të nijetin emër: ILIRIA Treviso(Itali) dhe ILIRIA Kopër
(Slloveni), në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës miqtë nga Sllovenia, kryetari me një pjesë të drejtuesve dhe grupi i valleve të drejtuar nga zonjusha Suela Hoxha, që pati një paraqitje të mrekullueshme me vallen e “Shqiponjës”.
Atmosfera në sallë ndizej, sidomos kur paraqitej në binë këngëtari Arian Agushi i njohur me nofkën Gold AG,i preferuari i të rinjve, që secilën secilën këngë e ka bërë hit dhe i cili shoqërohej vazhdimisht nga masa.
Shoqata Kulturore ILIRIA Treviso në shenj simbolike për 9-të vjetorin e pavarësisë së Kosovës kishte vendosur ti ndajë edhe nëntë MIRËNJOHJE për ata individ a grupe që kanë pasur një bashkëpunim të mirë me shoqatën, ku bëjnë pjesë: familje dëshmorësh, krijues e aktivistë të mërgatës, nxënës, ish ushtar të UÇK-së dhe shoqata . Mirënjohje iu ndan: Ermina Lekaj Përlaskaj, Ndue Lazri, Miradie Avdullahi, Bajram Desku, Mardena Kelmendi, Beqir Cikaqi, Murat Suka, Besnik Murtezani dhe Grupi i Valleve të Shoqatës ILIRIA – Kopër.
Duhet cekur se gjithë këtë veprimtari kulturore artistike, bashkatdhetarët tan e përcollën pa asnjë cent, falë bashkëpunimit të mirë të Shoqatës ILIRIA Treviso me Rrjetin e bizneseve shqiptare në Treviso të cilët ishin sponsor komplet të këtij aktiviteti, ku vlen të përmenden: Market Kosova, Zeus Pizza/Xhevat Zemaj, Tecno Sicuro, DESY – Ristorant Pizzeria, Carrozeria Ladi, Disco Royal, Impresa Dulaku, Zeus Pizza/Imer Berisha, Gila Paulin, Zeus Pizza/Noale, Enea srl, Nika Nike dhe Jaha Tours.
Një spektakël i vërtetë, me këngë, valle, interpretime, recitime, fotografime, ndarje mirënjohje, që përfundoi pa asnjë ekses, ashtu sikur e meriton shteti i më i ri Kosova në përvjetorin e pavarësisë. Kjo ditë nuk ishte e pa pritur, u desh mund, gjak, duke protestuar, demonstruar e luftuar gjeneratat e popullit ton nëpër vite, deri më 17 Shkurt 2008. Është vlerësim i pa kontestuar: 17 Shkurti – Ditë e pritur, por me shumë sakrificë!
12 shkurt 2017, Treviso. Itali
Komentet