17 Prilli është dita e 108 e vitit, deri në fund të tij janë edhe 258 ditë.
1397 – Geoffrey Chaucer ( 1343 – 1400) boton Rrëfimet e Kanterburit. Chauser njihet si themeluesi i letërsisë angleze, poeti më i madh anglez i Mesjetës dhe poeti i parë i varrosur në Këndin e poetëve në manastirin Westminster në Londër. Megjithatë, për 400 vjet, emri i tij mbeti thuajse i harruar; studimi i trashëgimisë letrare të Chaucerit filloi vetëm aty nga fundi i shekullit 19-të.”Nëse Perëndia harrohet, kush tjetër mund t’i shpëtojë harresës”, thuhet në një nga vargjet e Rrëfimeve të Kanterburit.
1492 – Pas shumë negociatave, Kristofor Kolombi nënshkruan kontratën me Spanjën për të gjetur një rrugë të shkurtër detare për në Indi. Ka shumë teori në lidhje Kolombin dhe origjinën e idesë se bota ishte e rrumbullakët, dhe se një person mund të niset nga njëra anë dhe të mbërrijë në pikën e nisjes pa u kthyer nga rruga. Historianët kanë gjetur prova se Kolombi kishte studiuar e bërë kërkime të shumta mbi shkrimet e Ptolemeut, Marko Polos, dhe Eratosthenit. Me ndikimin e tyre dhe vullnetin e tij këmbëngulës, Kolombi u nis për të provuar se një udhëtim përtej Atlantikut drejt Azisë ishte i mundur. Megjithatë, udhëtimi kushton. Kolombi kërkoi pagesa të larta për shërbimet e tij; 10 për qind të të gjithë pasurisë (ari, erëza, tekstile, skllevër, etj) që Spanja do të merrte nga tokat që ai do të vizitonte. Mbi të gjitha, Kolombi kërkoi që të quhej mëkëmbës i mbretit në tokat e zbuluara, si dhe admiral i deteteve dhe oqeaneve.
1524 – Giovanni Verrazano, eksplorues fiorentinas, zbulon gjirin e Nju Jorkut për llogari të francezëve. Në vitin 1528, gjatë udhëtimit të tij të tretë në Amerikën e Veriut, pasi kishte eksploruar Floridën, Bahamas dhe Antillet, Verrazzano ankoroi anijet e tij dhe zbriti në ishullin Guadeloupe, ku ra në duart e banorëve kanibalë. Burime të tjera sugjerojnë se Verrazzano u ekzekutua për pirateri nga spanjollët në Puerto del Pico, Spanjë.
1534 – Sir Thomas More burgoset në Kullën e Londrës. Thomas ishte avokat, filozof, autor, burrë shteti. Kur mbreti Henry shpalli veten udhëheqës suprem të Kishës në Angli – duke krijuar Kishën Anglikane që e lejoi atë për t’u rimartuar – Thomas More dha dorëheqjen nga posti i këshilltarit të mbretit, në shenjë proteste, dhe vazhdoi të argumentonte kundër divorcit të Henrit dhe ndarjes me Romën. Në vitin 1534, Thomas More u arrestua, u gjykua për tradhti dhe më 6 korrik 1535 u ekzekutua në Tower Hill, Londër. Thomas More është shenjtor i Kishës Katolike.
1629 – Kuajt importohen për herë të parë në koloninë e Gjirit Massaçusets. Kuajt e parë në Hemisferën Perëndimore ishin sjellë nga spanjollët në vitet 1500. Fillimisht banorët autoktonë (indianët e Amerikës) nuk treguan ndonjë interes dhe kuajt u lëshuan në gjendje të lirë, të egër, dhe u shtuan e u përhapën në mbarë kontinentin. Në kohët parahistorike, Hemisfera Perëndimore ka pasur kuaj të ardhur ashtu si edhe njerëzit nëpërmjet ngushticës së Beringut, por më pas kjo lloj kafshe u shfaros dhe u rishfaqën përsëri me ardhjen e Kolombit.
1704 – John Campbell, i njohur si librashitësi i Amerikës, botoi me 17 prill atë që përfundimisht do të bëhej gazeta e parë e suksesshme amerikane, Boston News – Letter.
1790 – Benjamin Franklin, atdhetar amerikan dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, vdiq në Filadelfia në moshën 84 vjeç. Franklin është cilësuar si një nga njerëzit më të jashtëzakonshëm që bota ka njohur ndonjëherë. Lindur në familjen e një prodhuesi qirinjsh në Boston, Beniaminit Franklin u bë amerikani më i famshëm i kohës së tij. Ai ndihmoi në themelimin e kombit të ri dhe u bë përcaktuesi i të qenit amerikan; njeriu praktik; shkrimtar, botue, shpikës, diplomat, biznesmen, muzikant, shkencëtar, humorist, udhëheqës shoqëror civil, kozmopolitan, gjeni.
1922 – Shqipëri, Tiranë, zhvillohet cermonia e përurimit të punimeve për ndërtimin e shkollës Teknike Amerikane. I pranishëm ishte drejtori i Kryqit të Kuq Amerikan për operacionevt jashtë vendit, dr. A. Ross Hill, i ftuar nga kryeministri Xhafer Ypi. Ceremonia u zhvillua në oborrin e “Kolegjit të vjetër”, ku ishin mbedhur një numër i madh banorësh të Tiranës, nën tingujt e bandës muzikore të Vatrës, nga Bostoni, dirigjuar nga kapiteni Thoma Nasi.
1961 – Mbështetur nga qeveria amerikane, rreth 1500 emigrantë të armatosur kubanë, të përgatitur nga CIA, zbarkojnë në Gjirin e Derrave në Kubë, për të nxitur një rebelim për të përmbysur regjimin. Ushtria kubane i mundi ata lehtësisht dhe deri më 20 prill, shumica ishin vrarë ose kapur. Në dhjetor 1962, Kastro i liroi robërit në këmbim të 53 milionë dollarë ndihma në ushqim dhe ilaçe të siguruara privatisht në Shtetet e Bashkuara.
1969 – Sirhan Sirhan dënohet për vrasjen e Robert F. Kennedit. Ai vuan dënim të përjetshëm në një burg në San Diego, Kaliforni. Sirhani lindi në Jeruzalem më 1944, por është kundërshtar i fortë i Izraelit. Palestinez me nënshtetësi jordaneze, Sirhani kishte emigruar në SHBA kur ishte fëmijë. Në vitin 1989, ai i tha gazetarit David Frost: se problem i tij i vetëm me Robert Kenedin ishte mbështetja për Izraelin. Në vitin 2011, avokatët mbrojtës kërkuan ri-gjykim nën dritën e provave të reja, dhe se të drejtat e klientit të tyre ishin shkelur.
1970 – Anija hapsinore Apollo 13 arriti në Tokë në mënyrë të sigurtë, pas fluturimit të dështuar në Hënë, për shkak të një avarie.
1975 – Kamboxhia – Phnom Penhi bie në duart e Khmer Ruzhëve; lufta e nxehtë pesë vjeçare civile kamboxhiane morri fund, dhe do të zevendësohej nga terrori i kuq. Khmer Ruzhët ishin komunistë dhe për 4 vjet në pushtet e kthyen Kamboxhian në “fushë masive vrasjesh”, sipas filmit “Killing Fields”. Khmer Ruzhët besonin se brezi i prindërve ishte i përlyer e njollosur me kapitalizëm; ata i ndanë fëmijët nga prindërit për t’i indoktrinuar me komunizëm; dhe hapën kurse e shkolla për t’u mësuar atyre metodat e tortures në njerëz. Pol Poti ishte udhëheqësi I tyre kryesor; para se të kthehej në Kamboxhia, Pol Poti kishte qenë në Paris ku ishte bërë anëtar i Partisë Komuniste Franceze. Khmer është emri etnik i kamboxhianëve dhe shprehja “Khmer Rouge”, frëngjisht për “Khmer i Kuq” u përdor për here të pare nga princi Norodom Sihanouk për të cilësuar komunistët në Kamboxhia.
Komentet