Si sot, dy vjet më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima, qindra te plagosur dhe mijëra shtëpi e biznese të shkatërruara. Ngjarja tragjike kujtohet ende sot nga të mbijetuarit në zonat e prekura nga goditja. Ndërsa nga specialistët cilësohet më i fuqishmi i dekadave të fundit, që është pasur nga 17 mijë tërmete të tjerë.
Gdhihej e martë. Shqipëria u trondit nga një tërmet i fuqishëm me përmasa shkatërruese. Epiqendra ishte në Hamallaj të Durrësit me intensitet 9 ballë. Vala e goditjes u ndje frikshëm në Durrës, në Tiranë, Kurbin e Lezhë. Tërmeti i 26 nëntorit të 2019 konsiderohet një ndër më të fuqishmit në vend.
Tragjedia kishte ndodhur, 51 banorë të Durrësit e Thumanës, mes tyre shumë fëmijë, nuk e arritën mëngjesin e 26 nëntorit.
Tërmeti u mori jetën në gjumë, nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara. Qindra të tjerë mbetën të plagosur e të pastrehë.
Në Durrës, Tiranë, Krujë, Kurbin e Lezhë po punohet për të fshirë gjurmët ende prezentë të tërmetit shkatërrimtar. Pas goditjes së rëndë të Thumanës, ku mbetën 24 viktima, qyteza e re është drejt përfundimit. Banorët e mbetur pa strehë presin të hyjnë në shtëpitë e reja, ndërsa shumë nga ata që humbën të afërmit nuk duan t`u kthehen kujtimeve të hidhura.
Pas dy vjetësh nga lëkundja e fortë e tokës, aktiviteti sizmik në zonën e Hamallajt është ende aktiv.
Tërmeti i 26 nëntorit do të mbahet mend për forcën shkatërruese, për viktimat dhe të pastrehët që shkaktoi, për solidaritetin njerëzor dhe pafuqinë e njeriut përballë dukurive të tilla, raporton A2.
Komentet