VOAL – Emily Elizabeth Dickinson njohur si Emily Dickinson (Amherst, 10 dhjetor 1830 – Amherst, 15 maj, 1886) ishte një poete amerikane, konsiderohet si ndër më të mëdhatë e shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Ajo u lind në Amherst në 1830 nga një familje borgjeze me tradita puritane. Dickinsonët ishin të njohur për mbështetjen e tyre për institucionet lokale të arsimit. Gjyshi, Samuel Fowler Dickinson, ishte një nga themeluesit e Kolegjit Amherst, ndërsa babai shërbeu si avokat dhe financier i Institutit; përveç kësaj, ai mbajti poste të rëndësishme në Gjykatën e Përgjithshme të Massachusetts, Senatin e Shtetit dhe Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara.
Studimet e saj ishin të parregullta: në vitet e shkollës së mesme vendosi, me vullnetin e saj të lirë, u largua nga Mount Holyoke College for Women. Miqësitë e saj ishin të pakta. Ky ishte një opinion i shprehur për të atin: “Babai im është shumë i zënë me mbrojtjen gjyqësore dhe nuk di se çfarë bëjmë ne. Më blen shumë libra, por më lutet të mos i lexoj, sepse ai ka frikë se mos ma tronditin mendjen..”
Emily Dickinson zbuloi vokacionin e saj poetik gjatë periudhës së rilindjes fetare, e cila në vitet 1840 dhe 1950 u përhap me shpejtësi në rajonin perëndimor të Masaçusetsit. Një nga biografët e saj tha se ajo e mori parasysh idenë për t’u bërë poete duke iu referuar – në terma biblike – luftës së Jakobit me engjëllin.
Emily Dickinson jetonte pjesën më të madhe të jetës së saj në shtëpinë ku kishte lindur dhe kishte vetëm vizita të rastësishme tek të afërmit në Boston, Kembrixh dhe Connecticut. Gruaja e re e donte natyrën, por ishte vazhdimisht e fiksuar me vdekjen, veshur vetëm me të bardhë si një shenjë e pastërtisë. Ajo ra në dashuri me një pastor protestant, por dashuria e saj mbeti një dashuri platonike, edhe pse ajo ia kishte kushtuar shumë prej veprave kësaj dashurie. Pjesa më e madhe e prodhimit të saj poetik pasqyron dhe kap jo vetëm momentet e vogla të jetës së përditshme, por edhe temat më të rëndësishme dhe betejat që përfshinë pjesën tjetër të shoqërisë. Për shembull, më shumë se gjysma e poemave të saj u shkruan gjatë viteve të Luftës Civile Amerikane.
Në vitin 1855 ajo bëri një udhëtim në Uashington dhe Filadelfia, ku u takua me Reverendin Wadsworth. Në moshën njëzetepesëvjeçare vendosi, pas një udhëtimi të shkurtër në Uashington, të tërhiqet nga bota dhe u mbyll në dhomën e saj në katin e sipërm të shtëpisë së familjes, pjesërisht për shkak të shfaqjes së çrregullime nervore dhe një sëmundje të bezdisshme të syve, dhe nuk doli as ditën e vdekjes së prindërve të saj. Emily Dickinson vdiq nga nefriti në të njëjtin vend ku ka lindur, në Amherst, Massachusetts, më 15 maj 1886 në moshën 55 vjeçare.
Në kohën e vdekjes së saj, motra zbuloi në dhomën e Emily 1775 poezi të shkruara në fletët e palosura dhe të qepura me gjilpërë dhe pe, të gjitha të lidhura në një kordon. Para vdekjes së saj, u botuan vetëm shtatë tekste. Në vitin 1890, motra e Emily-së, Vinnie dhe Mabel Loomis Todd, mike dhe e dashur e vëllait Austin, arrijnë botimin e një vëllim me poezi, i pari në një seri të gjatë. Nga 1924 më 1935 janë publikuar treqind poezi nga Emily Dickinson, gjetur nga mbesa e saj Martha pas vdekjes së nënës së saj, kunatë e Emily, e cila ia kishte besuar, kur ajo ishte ende gjallë. Në vitin 1955 Thomas H. Johnson kujdeset për edicionit e parë kritik në tre vëllime të të gjitha poezive të Emily Dickinson, në mënyrë kronologjike dhe në formën e tyre origjinale (1775 poezi). Që nga viti 1998 ka një botim të ri kritik, edituar nga Ralph W. Franklin, edhe në tri vëllime, me një rishikim të historisë dhe numërimit të ri të poezive (1789 plus tetë poezi në shtojcë).
Sot Emily Dickinson konsiderohet jo vetëm një nga poetet më të ndjeshme të të gjitha kohërave, por edhe një nga më përfaqësueset. Disa karakteristika të veprave të saj, të cilat në atë kohë u konsideruan të pazakonta, tani vlerësohen shumë nga kritika dhe merren në konsideratë aspekte të veçanta dhe të pagabueshme të stilit të saj. Digresionet e theksuara, përdorimi i pazakontë i shkronjave kapitale, linjat telegrafike, ritmet e këndimit, rimat asimetrike, zërat e shumëfishtë dhe metaforat e përpunuara janë bërë shenja të njohjes për lexuesit të cilët vit pas viti e kanë vlerësuar dhe përkthyer atë./Elida Buçpapaj
Komentet