14 shkurti ose Shën Valentini, për çdo vit e më tepër po bëhet një ditë festive për të “dashuruarit” jo vetëm në Europën Perëndimore, nga ku e ka zanafillën kjo festë në shekullin e XV, por nëpërmjet mesazhit “rozë”, që përcjell dhe marketingut që e shoqëron gjithnjë e më shumë, Shën Valentini po festohet në çdo cep të globit, madje fshehtas festohet edhe në vende ekstremiste, me një kulturë hermetike që e ndalojnë me ligj, duke e parë si sakrilegj për besimin e tyre, ose ndikim i moralit perëndimor.
Këtë ditë ka rekorde në blerjen dhe shkëmbimin e dhuratave midis të dashuruarve psh. në përgjithësi femrat, gratë blejnë, ose marrin nga të dashurit ose burrat, 85 % të dhuratave. Në Verona të Italisë në ballkonin e Zhuljetës dërgohen 1000 letra dashurie. Atë ditë bëhen afërsisht 220 mijë propozime për martesë dhe blihen rreth 110 milionë trëndafila të kuq dhe një miliard çokollata shiten dhe dërgohen gjatë tri ditëve para festimit të Shën Valentinit, pra një bum përshëndetjesh dhe dhuratash. Po kush është Shën Valentini dhe çfarë ka bërë ai që të “dashuruarit” në të gjithë planetin e duan kaq shumë, sa dikush i lutet që të bekojë dashurinë e tyre, të tjerë e shikojnë si fatsjellës ose si mbrojtës dhe e kanë si justifikim për frymëzimin erotik, se për Shën Valentin lejohet dhe tolerohet gjithçka në “dashuri”.
Në sinaksarët e Kishës së Lindjes dhe të Perëndimit përmenden shumë shenjtorë me emrin Shën Valentin dhe nuk mund të thuhet me saktësi se kujt shenjtori i përket kjo traditë si mbrojtës i të dashuruarve. Peshkopi Dhimitër i Institutit Orthodhoks të Kërkimeve “NEW. HMP.SHIRE.SHBA’’, shprehet se Shën Valentini ishte një prift në Romën e viteve 270 pas Krishtit. Kohë kur Kisha e krishterë ishte duke pësuar persekutime të mëdha. Krishterimi në atë kohë shikohej si një fe e rrezikshme për Perandorinë Romake, sepse të krishterët adhuronin si Zot Jisu Nazareasin nga Judeja dhe nuk pranonin të adhuronin perandorët romakë, të cilët edhe pse ishin njerëz të vdekshëm, i jepnin vetes se tyre atribute hyjnore dhe kërkonin adhurim si zota. Arsye tjetër e këtij persekutimi ishte morali i lartë i krishterë, që ishte në antitezë dhe akuzë për degjenerimin pagan deri në perversion, të cilët pasionet e ulëta njerëzore i kishin bërë idhuj dhe vendosur nëpër tempuj, në të cilat kryheshin orgji seksuale të “shenjta” me prostitutat “priftëresha” si një akt bashkimi me perëndinë e kënaqësisë trupore (epshit), siç ishte Afrodita, ose të pjellorisë si Artemisa.
Shën Valentini në këtë kohë shërbente si prift dhe detyra e tij ishte të dëshmonte të vërtetën dhe moralin e krishterë dhe të kryente rite fetare, të cilat bëheshin në fshehtësi për të krishterët. Ai kryente dhe misterin e martesës për ushtarët e krishterë që shërbenin në ushtrinë e perandorit Klaudi II, i cili kishte nxjerrë një ligj që e ndalonte martesën e ushtarëve, duke thënë se burrat e martuar nuk ishin ushtarë të mirë, por qëllimi i tij ishte që t’i mbante ushtarët të lidhur mbas vetes dhe luftërave. Shën Valentini priste pjesë nga Shkrimi i Shenjtë në formë zemre dhe ua ndante ushtarëve, duke i kujtuar fjalët e Zotit në lidhje me martesën si e krijuar nga Zoti psh: “Zoti tha: Njeriu nuk është mirë të rrijë vetëm, do t’i bëjë një ndihmës (grua) që i leverdis (Zan.2:18). Për këtë arsye, njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij, do të bashkohet me gruan e tij dhe do të jetë një mish i vetëm” (Zan. 2:24). Sipas kësaj historie, këtu e ka zanafillën edhe simboli i zemrës, për të dashuruarit. Shën Valentini u arrestua nga autoritetet romake dhe u dënua me vdekje si shkelës i ligjit. Ai para se të ekzekutohej, kishte shëruar nga verbëria vajzën e rojtarit të burgut me emrin Xhulia dhe në mbrëmjen para ekzekutimit, ai i shkroi një letër kartolinë, ku e frymëzonte që ajo të qëndronte në besimin dhe moralin e krishterë, duke dashur Zotin mbi gjithçka. Shprehja “nga Valentini yt” përdorur në atë letër është bërë e njohur edhe sot dhe përdoret në kartolinat që ndahen në këtë ditë. Mbi varrin e shenjtorit, Xhulia mbolli një filiz bajame ngjyrë rozë. Sipas kësaj historie, pemët rozë të bajameve janë bërë simbol të dashurisë dhe miqësisë së vërtetë.
Pavarësisht këtyre të dhënave, autenticiteti i tyre mbetet për t’u diskutuar, sepse siç thamë, ka disa shenjtorë me emrin Shën Valentin, që nderohen si në Kishën Orthodhokse, ashtu edhe në atë Romano-Katolike. Por, performanca e sotme e këtij shenjtori si mbrojtës i dashurisë dhe i martesës vjen nga Komuniteti Anglikan në Britani dhe i ka fillesat në kohën e romanticizmit mesjetar të shekullit XV. Në këtë kohë filluan të shkruheshin poezitë e para, grave dhe të dashurave me shprehjen simbolike, ‘Valentini im’’. Shën Valentini përmendet në veprën: “Hamleti” të Shekspirit në vitin 1600-1601, tek akti 6, skena 5, Ofelia me trishtim thotë: “Nesër është dita e Shën Valentinit, shumë herët në mëngjes, do të vij në dritaren tënde, të më bësh Valentinin tënd”. Nga Britania festa e Shën Valentinit kaloi në Amerikë dhe në vitin 1840, kjo ishte bërë një festë kombëtare. Në Amerikë prodhimi i parë i kartolinave për Shën Valentinin filloi në vitin 1847. Në SHBA u llogarit se 190 milionë kartolina dërgoheshin çdo vit dhe numri i atyre në botë arriti deri në 1 miliard dhe në fillim të mijëvjeçarit të ri me përhapjen e jashtëzakonshme të internetit u krijuan metoda të reja për dërgimin e mesazheve të dashurisë dhe miqësisë. Miliona njerëz sot përdorin mjete dixhitale si p.sh kartolinat elektronike për Shën Valentin. Kështu, numri i kartolinave me mesazhe dashurie po bëhet gjithnjë e më i madh.
Deformimi i festës sot
Deri këtu duket çdo gjë normale, madje shumë romantike dhe e bukur brenda kësaj bote, që ka pak dashuri, shumë urrejtje dhe trishtim. Por, brenda kësaj atmosfere romantike diçka anormale po ndodh. Besoj se sikur Shën Valentini të shfaqej, do t’i thoshte disa të “dashuruarve”, ç’lidhje ka emri dhe dita ime me juve? Këtu e kam fjalën për të gjithë ata që e shikojnë këtë ditë për të përligjur çdo lidhje erotike amorale që bie ndesh me moralin e Shën Valentinit, që ishte një prift i krishterë që bekonte dashurinë (agapin) në martesë, sipas Zotit dhe jo seksin (erosin) jashtë martese, ose kurorëshkeljen (tradhtinë bashkëshortore). Këto veprime amorale në etikën e krishterë përcaktohen si mëkate të vdekshme, që e ndajnë besimtarin nga Krishti dhe Kisha. Të mos flasim këtu për lidhje erotike si poligamia (martesa me shumë partnerë) ose poliamore (dashuri të shumta në të njëjtën kohë) ose homoseksuale (marrëdhënie me të njëjtin seks), biseksuale (tërheqje dhe marrëdhënie më të dy sekset), transseksualiteti (prirja për të ndryshuar identitetin gjenital) ose zoofilia (marrëdhënia me kafshët) etj. Për të tilla fenomene të devijuara nga natyraliteti i marrëdhënieve, mashkull dhe femër, Krishterimi dhe Kisha si moral, i kundërshton dhe është i panegociueshëm, pavarësisht se mund të shfaqen edhe opinione më tolerante dhe liberale edhe brenda disa grupeve të krishtera, por këto nuk i përkasin krishtërimit autentik, por një krishtërim i deformuar sipas frymës së botës mëkatare, që është në armiqësi me Perëndinë. Në shkrimin e Shenjtë thuhet qartë: “mos u gënjeni; as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët… as përqeshësit… nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë” (I Kor. 6: 10)
Kisha nuk urren dhe diskriminon, personin njerëzor, por vesin, të keqen, që ai bën dhe transmeton, ashtu si mjeku nuk urren pacientin, por sëmundjen dhe e lufton duke dashur të sëmurin. Kisha si një spital shpirtëror, duke pasur për ilaçe Hirin e Zotit Krisht, të vërtetën dhe dashurinë është gati të shërojë çdo sëmundje dhe deformim të njeriut, duke i dhënë atij rilindje dhe ringjallje, si shpirt dhe trup dhe një fillim të ri. Prandaj Shën Pavli thotë përsëri: “Dhe të tillë ishit disa nga ju, por u latë, u shenjtëruat, u shfajësuat në emër të Zotit Jisu dhe me anë të Frymës së Perëndisë sonë” (I Kor. 6: 11).
Por dikush mund të thotë boll edhe ju të krishterët me moralin tuaj të prapambetur dhe të ndrydhur, njeriu derisa është një qenie heteroseksuale, mashkull dhe femër dhe posedon spontanisht këtë vrull seksual ai patjetër duhet ta shfrytëzojë sipas rastit që i shfaqet. Dhe sipas këtij këndvështrimi ‘modern’ po të kemi parasysh psikoanalizën e psikiatrit Zigmund Frojd 1856-1939, që e quan fenë neurozën më të fiksuar universale të njerëzimit, ky justifikim për erotikën pa fre, bëhet edhe më “shkencor’’. Frojdi pa një lidhje të ngushtë mes seksit dhe fesë, siç thamë duke e quajtur këtë të fundit si formë universale të neurozës që shoqërohet me ndrydhjen seksuale dhe shënohet nga halucinacione psikotike. Por pavarësisht se kjo teori pati një përkrahje masive nga bashkëkohësit e tij, sot kjo tezë e Frojdit nuk quhet aspak shkencore, por hipotezë. Shumë autorë post Frojdian me mendje të kthjellët, e kanë kundërshtuar Frojdin si p.sh Karl Gustav Jungu, që thotë: “Logjika e shëndoshë do të kthehet te fakti se seksualiteti është vetëm një nga instinktet jetësore”, vetëm një prej funksioneve fiziologjike. Ky psikiatër dhe psikolog arriti në përfundimet e tij shkencore të kundërta me Frojdin duke vënë re se shumica dërrmuese e atyre që vinin tek ai për trajtim psikologjik u mungonte një dimension fetar në jetën e tyre. Jungu besonte se çdo njeri ka nevojë të qenësishme për Perëndinë dhe një kapacitet për ta përmbushur këtë nevojë. Qendra kërkimore prestigjioze (Halister Hardy) në Kolegjin e Macesterit, Oxford, ka mbledhur një sasi të stërmadhe të dhënash për përjetimin fetar, të cilat tregojnë se ata që kanë një dimension fetar në jetën e tyre, janë përgjithësisht më të balancuar emocionalisht dhe sillen në mënyrë më etike.
Teorinë e Frojdit e kundërshtojnë bindshëm vetëpërmbajtja e vullnetshme për shekuj e shumë njerëzve që zgjodhën të mos kenë aktivitet seksual në jetën e tyre për t’iu kushtuar plotësisht Zotit ose shkencës dhe një gjëje, më të lartë se instinkti seksual. Këta njerëz me mendje të kthjellët dhanë dhe japin një kontribut të paçmuar për të gjithë shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Edhe nëse ka raste devijimi të betimit të tyre duke u rrëzuar në imoralitet, këto janë raste të veçanta dhe mëkate personale të dënueshme nga Kanonet e Kishës dhe në asnjë mënyrë nuk mund të absolutizohen dhe të bëhen masa e gjykimit kolektiv, për të gjithë ata që mbeten të virgjër deri në fund të jetës. Por këtë teori të Frojdit e kundërshtojnë dhe jetët e miliona njerëzve që ndryshuan moralin e tyre kur u takuan me Krishtin ose me besimin e krishterë, prandaj dhe Krishti quhej me ironi nga armiqtë e tij si miku (i prostitutave dhe i doganierëve). Por mbi të gjitha, veprimi i vetë Frojdit për të nxjerrë gruan e tij nga shtëpia, për të pasur lidhje incesti me motrën e tij, tregojnë se idetë e tij nuk janë fakte shkencore, por fiksime të tij neurotike. Po t’i shtojmë këtij fiksimi neurotik, pra “libidos” (energjia seksuale promotor tek njeriu), statistikat me shifra alarmuese se çfarë ndodh kur vrulli seksual, lihet i lirë, gjendja është serioze, madje e frikshme dhe na tregon se shoqëria njerëzore po shket drejt një humnere, sëmundje, që mund ta quajmë “neurozë erotike globale”.
Në Angli më shumë se 35 gra raportojnë në polici çdo ditë se përjetojnë abuzime ose përdhunime. Sipas “Deily Mail”, në total janë regjistruar 22 mijë përdhunime duke pasur një rritje prej 29% vetëm në një vit. Këto përdhunime janë kryesisht mbi vajzat, gratë, djem, burra dhe ka një rritje 2 herë më shumë se një dekadë më përpara. SHBA është vendi i parë në botë për rastet e përdhunimeve, 91% të të përdhunuarve janë femra dhe 9% janë meshkuj dhe po të shikojmë 10 vendet me përqindje më të lartë të përdhunimeve janë vende të zhvilluara ekonomikisht dhe të arsimuara si: Amerika, Franca, Kanadaja, Britania e Madhe, Gjermania. Një ndër 100 organizatat më serioze në Amerikë RAINN (organizata kundër sulmeve seksuale) thotë se në 2 minuta ndodh një dhunë seksuale, psikologjikisht ose fizikisht dhe gjithsej çdo vit 293 mijë akte dhune. Në 47% të rasteve të përdhunimeve vijnë nga miqtë e njohur të viktimës, 44% e viktimave janë nën moshën 18 vjeç deri në 12 vjeç. Brenda përdhunimeve janë edhe incestet brenda familjes, numri i tyre shtohet gjithnjë e më shumë dhe këtu flasim vetëm për ato që janë denoncuar në polici. Kjo mospërmbajtje seksuale edhe brenda ambientit familjar ka bërë që disa vende të Europës, si Franca, Spanja dhe Portugalia të lejojnë incestet midis të rriturve. Nga viti 2000 deri në 2015 martesat brenda një gjinie janë lejuar në shumë vende të Europës, siç ishte edhe vendi i fundit në listë Greqia që i lejoi me ligj këto lloj “martesash” në dhjetor 2015.
Këndvështrimi i krishterë, për këtë deformim
Sipas këndvështrimit të krishterë, kjo situatë tregon një nivel shqetësues për vetë identitetin dhe të ardhmen e këtij brezi njerëzor, i cili po deformohet frikshëm nga një qenie psikosomatike (shpirt-trup) vetëm në atë të mishit (epsh). Ky është momenti më i keq për një brez dhe qytetërimin e tij, mund të themi që është pika e vdekjes, momenti kur vetë Zoti krijues nuk merret më me këtë brez, ashtu siç përmendet në Bibël, para se të ndodhte katastrofa e përmbytjes në kohën e Noes, Zoti tha: “Fryma ime nuk do të hahet gjithmonë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish” (Zan 6.3). Në këtë gjendje, njeriu rrezikon të kthehet në një kafshë instiktive, pa intelekt, vetëm me një vrull gjenital të pakontrolluar, duke dalë edhe jashtë ligjeve natyrale të bashkëjetesës, që as kafshët nuk mund t’i bëjnë sepse ato ecin sipas disa instinkteve të koduara. Për këtë arsye, natyra ngrihet me katastrofa kundër njeriut, si një qortim se ai po prish ligjin natyror, por edhe njeriu kundër njeriut sepse dëshira e pangopur për kënaqësi epshi, kërkon shfrytëzim të të tjerëve me anë të ligjeve, ironikisht edhe fetare (trajtimi i robëreshave të luftës) ose dhunës psikologjike dhe fizike.
Shumë njerëz vizionarë thonë se po jetojmë në një kohë të vështirë, me një të ardhme të pasigurt për të nesërmen, duke pyetur, mos jemi brezi i fundit, ashtu siç e përcakton dhe Zoti Krisht në Ungjill, si një brez i pabesë dhe imoral. Në këtë brez, porosia e VII mos bëj tradhti bashkëshortore dhe porosia e X-të mos lakmo gruan e tjetrit… janë porositë më të shkelura. Këto porosi nuk kanë lidhje vetëm me ata që janë të martuar, por edhe me ata që mëkatojnë jashtë martese, siç thuhet “vajzat tuaja bëjnë kurvëri ndërsa gratë tuaja bëjnë kurorëshkelje” (Oseja. 4: 13). Ky është një mëkat që po i rëndon këtij brezi dhe që ka pasoja të dukshme kundër vet trupit të njeriut, siç thuhet, “çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit të tij, kurse ai që bën kurvëri, ai bën mëkat në trupin e vet” (1 Kor. 6: 18). Ky mëkat lë gjurmë në fytyrën e njeriut dhe humbet bukuria dhe freskia, prandaj në këtë brez është shumë i përhapur makijazhi, i cili kërkon të restaurojë pasojat e këtij mëkatit që po kryhet dhe në moshat minorene. Mbi të gjitha, ky mëkat sjell edhe vetë vdekjen e trupit. Sot numri i të infektuarve me virusin HIV bëhet gjithnjë e më alarmant, OKB deklaron se në vitin 2013 në botë numërohen 35 milionë të infektuar me HIV, që siç dimë, përhapet nga një marrëdhënie seksuale e pakontrolluar me shumë partnerë, as përdorimi i kontraceptiveve nuk po e parandalon përhapjen e këtij virusi, se ky virus është pasojë e mëkatit dhe “paga e mëkatit është vdekja”(Rom. 6: 23). Ky mëkat është shkaktari i parë i vrasjes së 125 mijë foshnjave çdo ditë dhe 40-50 milionë në një vit, me anë të abortit, në glob. Ky është një mëkat me pasoja për vetë familjen dhe është shkaku i ndarjes, përçarjes dhe shumë konflikteve duke përfunduar dhe në vrasje. Në Shqipëri numri i divorceve është rritur nga viti në vit. Sipas INSTAT, në vitin 1990 nga 100 martesa kishte 9 divorce dhe në vitin 2015 në 100 martesa ka 18 divorce. Vetëm në vitin 2014 kemi 4240 divorce, që në shumicën e rasteve vijnë se midis çiftit hyn një person i tretë dhe kështu fillon lufta midis burrit dhe gruas me viktima fëmijët. Ky është një mëkat kundër vetë shoqërisë dhe qytetërimit. Historia e njerëzimit ka vërtetuar se për shkak të këtyre mëkateve seksuale janë dënuar dhe shkatërruar breza dhe qytetërime, si ai i kohës së Noes, Sodomës dhe Gomorës, Egjiptian, Babilonez, Grekë, Romakë, Bizantinë, Osmanë etj.
Shën Pavli apostulli i kombeve tërheq vëmendjen: “Shkatërroni pra epshet tuaja që janë mbi tokë, kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari. Për shkak të këtyre zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes” (Kol. 3:5-6)
Ky mëkat bëhet sot me shumicë dhe shtohet në mënyrë progresive, sepse gjithnjë e më tepër përsoset infrastruktura që e lehtëson kryerjen e tij, si psh. mjetet e informacionit mediatik TV, internet, literaturë, kjo e afruar për të gjitha moshat. Statistikat thonë se në Hollivud, (qendra më e madhe e prodhimit të filmit në notë), 30% të filmave janë të inspiruar me dhunë dhe 70% me seks. Sipas Institutit Shqiptar të Medias, në një studim të KKRT-së për respektimin e normave etiko-morale nga transmetuesit TV, dilte se rreth 90% e të anketuarve mendohet se teprohet me dhunën dhe seksin në ekranet televizive. Komunikimi vulgar, dhuna dhe skenat e tepruara erotike në ekranet tona përcillen edhe në ato grup-mosha, që me ligj duhet të mbrohen prej tyre dhe si rrjedhim kërcënohet zhvillimi fizik, mendor dhe moral i fëmijëve. Një tjetër janë stimuluesit që nxisin epshin, si alkooli dhe droga që po gjejnë një përdorim gjithnjë e më të madh, pavarësisht masave parandaluese dhe rreziqet që ato shfaqin. Ushqime të modifikuara gjenetikisht me hormone, të cilat ndikojnë në një pjekje seksuale të shpejtë që nuk korrespondon me formimin mendor tek adoleshentët për të dalluar të mirën nga e keqja. Po ashtu, arti figurativ, letërsi, muzikë, kërcim që vihen në shërbim të nxitjes dhe shthurjes seksuale dhe një nxitje e madhe është edhe veshja provokuese,(seksi). Por, mund të themi sot një ndikim të madh për shthurje seksuale, ka edhe familja moderne dhe shoqëria konteporane, që virgjërinë, nderin i shikon si relike të së kaluarës, që sot nuk kanë më asnjë vlerë morale dhe nuk përbëjnë kriter vlerësimi për individin, familjen, shoqërinë në përgjithësi dhe njerëzit që përpiqen të bëjnë një jetë të pastër moralisht qesëndisen si të prapambetur dhe jashtë kohe.
Por mbasi i dëgjojmë të gjitha këto. dikush mund të thotë dhe të kundërshtojë, pse murgjër do të bëhemi të gjithë? Jo. Pavarësisht se jeta murgjërore është një jetë e lartë intelektuale dhe e barazon njeriun me engjëjt, të cilët nuk martohen, as shtohen. Kjo mënyrë jetese është një parashijim i gjendjes në jetën e përjetshme, ku njeriu nuk do të ketë më nevojë për instinktin seksual sepse nuk do të shtohet më. Jo, të gjithë mund të jetojnë të virgjër ashtu siç thotë edhe Shën Pavli: “Do të doja të gjithë njerëzit të ishin si unë (të virgjër) por secili ka dhuratën e vet nga Perëndia, njëri kështu e tjetri ashtu” (I Kor. 6:7- 8). “Për shkak të kurvërisë secili të ketë gruan e vet dhe secila grua burrin e saj” (I Kor. 7:2)
Prandaj në krishterim seksualiteti dhe jeta martesore nuk janë sakrilegj, por një dhuratë e Zotit krijuar dhe dhënë njeriut për qëllime të larta, ashtu si thuhet në zanafillë: “Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, e krijoi mashkull dhe femër dhe Perëndia u tha atyre shumëzohuni dhe pushtojeni botën” (Zan. 21:28). Pra, seksualiteti iu dha njeriut si nevojë fiziologjike siç është ajo e të ngrënit dhe të pirit që nuk janë vetëm për kënaqësi, por për rritje dhe zhvillim, kështu edhe seksualiteti u dha për ta përdorur njeriu për të mirën e tij dhe për t’i dhënë lavdi Perëndisë, që si krijues bashkëpunon me çiftin njerëzor për rikrijimin dhe shtimin e racës njerëzore. Keqpërdorimi i kësaj dhurate kur ajo kthehet në idhull si një qëllim në vetvete dhe kryhet pa bekimin e Perëndisë, bëhet instrument i mëkatit, i ndarjes dhe i vetë vdekjes, siç sqaruam më sipër.
Mësimi i Kishës Orthodhokse
Sipas mësimit të Kishës Orthodhokse, lidhjet seksuale janë të shenjta dhe të pastra vetëm brenda bashkëjetesës në martesë, e cila bekohet në Kishë nga Krishti. Marrëdhëniet jashtëmartesore pavarësisht premtimit dhe justifikimit, janë të ndaluara dhe jo të bekuara. Akti seksual në martesën e bekuar sjell fryte dhe lindje fëmijësh dhe vetë Kisha lutet për një shtrat martesor të panjollë, për lindje fëmijësh dhe për çdo bekim tokësor dhe shpirtëror që i nevojitet kësaj familjeje të re, e cila formohet në martesë me një bashkim të përjetshëm dhe vazhdon edhe mbas vdekjes fizike në Mbretërinë e Zotit. Megjithatë, akti seksual i dashurisë nuk kufizohet vetëm në lindjen e fëmijëve. Ai ekziston edhe për bashkim në dashuri dhe ndërtim të ndërsjelltë, të atyre që janë të martuar, prandaj edhe thuhet: “Burri lë nënën dhe babanë e vet, bashkohet me gruan e tij dhe bëhet një mish i vetëm”. (Zan 2. 24 )ose “Le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet, burri le të kryejë detyrën martesore ndaj saj, por edhe ashtu gruaja ndaj burrit” (I Kor 7.3). Seksi (erosi) në martesë është i bekuar dhe produkt i dashurisë (agapi) së vërtetë të çiftit, i cili nuk jeton vetëm për vete në mënyrë dhe për kënaqësi egoiste, por për tjetrin në një përmbushje të vazhdueshme që nga dy bëhen një mish në një bashkim të përsosur dhe të përjetshëm. Kjo dashuri e sinqertë përmbushet në Krishtin, që është Dhëndri i shpirtit besimtar dhe në Kishë, me anë të misterit të martesës. Por siç thotë edhe Shën Joan Gojarti shek.. IV, “edhe martesat pagane janë të shenjta dhe të pastra kur dashuria e vërtetë është e pranishme dhe çiftet janë dhënë njëri-tjetrit përjetësisht me një besnikëri të pafundme dhe përkushtim të ndërsjelltë”.
Për të tillët lutet dhe bekon Shën Valentini më 14 shkurt dhe Kisha Orthodhokse në çdo ditë të vitit, sidomos në misterin e martesës.
*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit KOASH
Komentet