Ekrem Rexha i njohur ndryshe si Komandant Drini është luftëtari dhe Komandanti i UÇK-së, ai që i shpëtoi burgut dhe plumbit të serbit para dhe gjatë luftës, por që nuk i shpëtoi dot plumbit të krimit të pasluftës.
Jeta
Komandant Drini u lind në fshatin Lubizhdë të Prizrenit më 14 gusht 1961. Prindërit Rexhaj ishin të dhënë pas « zejes » së uniformave, prandaj në këtë familje u shkolluan pothuaj të gjithë në këtë drejtim. Por, Ekremi ishte më i dalluari nga ata. Shkollën fillore e kreu në Prizren e më pastaj i kreu të gjitha shkollat ushtarake dhe shkallën e tretë të shkencave për politikë ndërkombëtare. Për shkak të konflikteve dhe krizës së njohur, ai në fillim të viteve ’90 u demobilizua nga armata e ish-Jugosllavosë. Që pas krismave të para për liri, Ekremi u angazhua në radhët e UÇK-së së pari si epror në Vërri, e më vonë si komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, zonës më të madhe në Kosovë.
Gjatë kësaj kohe ishte ndër komandantët më të rrallë të karrierës, që kishte ruajtur gjakftohtësinë dhe stabilitetin e një eprori të matur, të urtë dhe dinamik në ide dhe përpilime planesh luftarake. Në Prizren e quajnë ndryshe çlirues, sepse ai në bashkëpunim me komanantin e parë të Brigadës Shumëkombëshe të Jugut, gjeneralin Fritz Fon Korff, arriti që qyteti buzë Lumbardhit të jetë qytet i lirisë. Fliste shtatë gjihë botërore, e më së miri komunikonte në gjuhën angleze.
Pas luftës u emrua drejtor i Drejtorisë për Ambient dhe Siguri pranë bordit administrativ të Prizrenit. Ishte një këshilltar i denjë i ndërkombëtarëve, themeloi Asociacionin e Veteranëve të UÇK-së. Ishte në përfundim të planit për të shkuar për të doktoruar në Universitetin Shtetëror të Kanadasë dhe pikërisht kur u përgatit për këtë rrugë, në orën 8 e 45 minuta të 8 majit 2000, shtatë plumba ia morën jetën e bashkë me të u ndërprenë qindra projekte për zhvillimin e komunës së Prizrenit dhe të avancimit të çështjes kombëtare. La pas djalin me emrin që mbante në luftë Drini, kurse bashkëshortja Hajrije, katër muaj më vonë, lindi edhe djalin tjetër, i cili e përtëriu emrin e babit, Ekrem.
Lufta
Ekrem Rexha-Drini, duke ndjerë thirrjen e atdheut dhe duke parë zhvillimet e fillimvitit 1998, në shkurt mësynë Sarajevën për të rënë në kontakt me oficerë të tjerë shqiptarë dhe për ta kordinuar organizimin e luftës çlirimtare. Pas arrestimit të tij në Zvornik, me preteks të armëmbajtjes pa leje, ai dënohet nga Gjykata e Uzhicës me dy vjet burg, por me të drejtë mbrojtjeje në liri. Kështu, Drini duke e dashur atdheun më shumë se jetën, kthehet në Prizren dhe vëhet në shërbim të çlirimit të atdheut. Ai nuk ka pritur urdhëra qeverish për t’u vënë në shërbim të luftës çlirimtare! Ndoshta, është kjo njëra nga simptomet që më së tepërmi i ka penguar qarqe të njohura, që luftën e UÇK-së e dëshiruan të quhet “dorë e zgjatur e Serbisë dhe luftë e disa grupeve, barinjsh e të pashkollësh!”
Fillimisht, pasi bie në kontakt me Njësitin e Kabashit, kyçet në radhët e UÇK-së në fillimmajin e vitit 1998. Ishin ngjarjet e Likoshanit e Epopeja e Jasharajve, që Drinin e sinjalizoi për domosdonë e angazhimit dhe kontributit të tij. Ai më shumë e donte lirinë e Kosovës, se “mrizet” e perëndimit, këtë e dëshmoi me punën e tij të madhe, deri në vdekje. Në qershor, emërohet Komandant në Shtabin e Vërrinit dhe arrinë të tubojë rreth vetit shumë atdhetarë. Ai ishte përherë i respektuar dhe i dashur për bashkëluftëtarët e tij. Duke parë nevojën e madhe të furnizimit të formacioneve të UÇK-së me armatim, ai me një kontigjent luftëtarësh shkon në Shqipëri, më 7 shtator 1998. Edhe atje nuk qëndron duarkryq. Atje angazhohet në stërvitjen e luftëtarëve të rinj, të cilët këtu kishin ardhë për t’u armatos, e për të kapërcyer Bjeshkët e Nemuna e për t’ju bashkangjitur luftës çlirimtare.
Më 14 dhjetor 1998, Ekrem Rexha nga SHP i UÇK-së emërohet Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Gjatë qëndrimit të tij në fshatrat e komunës së Therandës dhe drejtimit të luftës nga ana e tij, atje ai kishte krijuar raporte të shëndosha në mes popullates dhe luftëtarëve të UÇK-së, dhe kështu ai kishte admirimin e gjithë banorëve dhe luftëtarëve të kësaj ane, që edhe sot atje kujtohet me pijetet. Drini ia rriti admirimin edhe UÇK-së me sjelljet e veta.
Duke parë nevojën e përgatitjes së stafit komandues, për të gjitha zonat e luftës dhe duke parë përgatitjen e shkëlqyeshme në lëminë e artit ushtarak, komandant Drini, me urdhërin e SHP të UÇK-së, emërohet Drejtor i Shkollës Ushtarake dhe Doktrinës së UÇK-së. Në këtë dëtyrë të lartë pranë SHP të UÇK-së ka qëndruar deri në përfundimin e luftës, kur ai duket se nuk ishte i kënaqur me kushtet e marrëveshjes për transformimin e UÇK-së dhe kishte vendosur që t’i kthehet jetës civile.
Vrasja e Ekrem Rexhës-komandant Drinit, ka ndodhur, më 8 maj 2000, në orët e para të mëngjesit. Sipas deklaratave të pjesëtarëve të familjes dhe të policisë së UNMIK-ut, mbi trupin e tij, në afërsi të shtëpisë së tijë është kryer atentat duke zbrazur 17 plumba (tre në kokë dhe 14 në trupin e tij). Kjo vrasje ka zgjuar indinjatë dhe gjykim të ashpër në gjithë Kosovën, por në veçanti te bashkëluftëtarët e tij. Ishte kjo një vrasje, që dyshohet të jetë kryer për motive politike. Edhe nëse gjyqi vërteton se është kryer për motive të tjera, kjo nga qarqe të ndryshme politike, dhe nga një pjesë e shtypit është shfrytëzuar në mënyrë përfide, në përpjekje për të devalvuar vlerat e luftës, shokët e drinit, dhe sidomos institucionin e TMK-së. Por, sidoqoftë komandant Drini do të mbetet si njëra ndër figurat më të rëndësishme të luftës çlirimtare të UÇK-së, edhe pse, ka plot tendenca të ndarjës së dëshmorëve. Ai i takon Panteonit të bijve më të respektuar të kombit.
Wikipedia
Komentet