Zyrtarët ukrainas thonë se nuk kanë gjetur ende viktima në rrënojat e një teatri të goditur nga forcat ruse këtë javë në qytetin jugor Mariupol, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të godasin qytetet ukrainase dhe negociatorët nga të dyja vendet po përpiqen të gjejnë pika të përbashkëta.
Deri të premten ishin shpëtuar rreth 130 persona që gjendeshin në katin e nëndheshëm të teatrit, thanë zyrtarët ukrainas, ndërsa vazhdojnë kërkimet për mbi 1 mijë persona që mund të jenë bllokuar në strehimin që u godit të mërkurën.
Këshilli i qytetit Mariupol njoftoi në rrjetin Telegram se “sipas informacionit fillestar, nuk ka të vdekur. Por ka të dhëna për një person të plagosur rëndë”.
Teatri u bombardua megjithëse ishin vendosur shenja për të treguar se aty gjendeshin civilë, ndër ta edhe fëmijë. Rusia mohon ta ketë goditur teatrin.
Po të premten, negociatori kryesor i Rusisë në bisedimet me Ukrainën tha se palët gjenden më pranë arritjes së një marrëveshje mbi çështjen e heqjes dorë nga kërkesa e Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s.
Vladimir Medinsky tha të premten se dy vendet gjenden në “gjysmë të rrugës” drejt një përgjigje për çështjen e marrjes së një statusi neutral nga Ukraina.
Negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak tha në Twitter se “pozicionet tona nuk kanë ndryshuar. Armëpushim, tërheqje të forcave & garanci të forta sigurie me formula konkrete”.
Ndërkohë, Rusia bombardoi periferitë e Kievit të premten dhe raketat ruse të lëshuara nga Deti i Zi goditën Ukrainën perëndimore, pranë aeroportit të Lvivit, më shumë se tre javë pasi ka filluar lufta e Rusisë ndaj vendit fqinj.
Aeroporti nuk u godit, sipas kryebashkiakut të Lvivit, Andriy Sadovy, por u godit një objekt për riparimin e avionëve dhe një objekt riparimi autobuzësh. Nuk ka pasur raporte të menjëhershme për viktima nga sulmi pranë Lvivit, rreth 80 kilometra nga kufiri i Ukrainës me Poloninë. Zoti Sadovy tha se puna në këto objekte ishte ndalur përpara sulmit.
Komanda perëndimore e forcave ajrore të Ukrainës tha në Facebook se u interceptuan dy nga gjashtë raketat e lëshuara nga Deti i Zi.
Në lagjen Podil të Kievit herët të premten, një ndërtesë banimi u godit, duke vrarë të paktën një person, sipas shërbimeve të urgjencës, të cilat thanë se 98 persona u evakuan.
Dy persona u vranë gjithashtu në sulmet në ndërtesat e banimit dhe ato administrative në qytetin lindor Kramatorsk, sipas guvernatorit rajonal Pavlo Kyrylenko.
Forcat ruse ende të ngecura
Ndërsa sulmi hyn në javën e tij të katërt, forcat ruse nuk kanë arritur të marrin kontrollin e kryeqytetit Kiev, një objektiv kryesor i Kremlinit.
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se duket se forcat ruse në terren mbeten të bllokuara, duke bërë pak ose aspak përparim, ndërsa vazhdojnë të përballen me atë që është përshkruar vazhdimisht si një rezistencë e ashpër nga forcat ukrainase.
Forcat ruse “janë, tre javë më vonë, në thelb të ngrira në të gjithë vendin … duke u vështirësuar të ushqehen dhe të furnizohen me armë dhe municione”, u tha gazetarëve të enjten një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar të dhënat e zbulimit.
Zyrtari i mbrojtjes tha se Shtetet e Bashkuara kanë “të dhëna të paverifikuara se morali i forcave ruse po dobësohet” dhe shenja se komandantët rusë kanë filluar të vënë në dyshim se sa munden që ta vazhdojnë sulmin e tyre.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s po punojnë në shumë mënyra për të forcuar më tej aftësitë mbrojtëse të Ukrainës, përfshirë përmbushjen e kërkesave për sistemet e mbrojtjes ajrore S-300 të prodhuar nga Rusia dhe aeroplanët luftarakë të prodhuar nga Rusia.
Rusia shton akuzat kundër Shteteve të Bashkuara
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së u takua të premten me kërkesë të Rusisë për herë të dytë brenda një jave për të diskutuar akuzat e saj më të fundit se Shtetet e Bashkuara kanë një program sekret të armëve biologjike në Ukrainë.
Ambasadori rus Vassily Nebenzia pretendoi se forcat ruse kishin zbuluar dokumente të reja gjatë ofensivës së tyre ushtarake dhe se Ukraina po luante vetëm një rol dytësor në projektin e supozuar.
“Specialistët ukrainas nuk ishin të informuar për rreziqet e mundshme të transferimit të materialeve biologjike dhe u mbajtën të painformuar”, tha zoti Nebenzia për programin e supozuar. “Ata nuk kanë dijeni të vërtetë për objektivat reale të hulumtimit që po kryhet”.
E dërguara e Shteteve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield hodhi poshtë akuzat e mëparshme si “teori të çuditshme konspirative” dhe tha se pretendimet e fundit dukeshin sikur vinin nga “një cep i errët i internetit”.
Ajo shprehu shqetësimin e vazhdueshëm të Uashingtonit se Moska mund të jetë duke përgatitur terrenin për një sulm për të cilin më pas do të fajësonte Ukrainën.
“Ne vazhdojmë të besojmë se është e mundur që Rusia mund të planifikojë të përdorë agjentë kimikë ose biologjikë kundër popullit ukrainas”, tha zonja Thomas-Greenfield.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha të premten se ka verifikuar 816 vrasje në radhët e civilëve që nga fillimi i luftimeve më 24 shkurt, por beson se numri i të vdekurve është shumë më i lartë. Zyrtarët ukrainas thonë se janë vrarë mijëra civilë.
Gati 3.3 milionë njerëz i janë larguar luftës në Ukrainë, sipas vlerësimeve të OKB-së.
* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.
Komentet