Valon Behrami ka vendosur që të vazhdojë të jetë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës. Futbollisti i cili ka thyer rekordin në këtë vit, duke luajtur në Botërorin e katërt radhazi në karrierën e tij, mendohej se do t’i jepte lamtumirën përfaqësueses së Zvicrës pas 13 viteve pjesë e saj. Por menjëherë pas ndeshjes kundër Suedisë, ku Zvicra u eliminua përsëri në fazën 1/8-ave, Behrami tregoi se kishte ndryshuar mendje dhe nuk e mendonte largimin, përkundrazi, ai kishte bindjen se mund të ishte protagonist në Europianin pas dy viteve.
“Si sportist jam shumë i zhgënjyer nga eliminimi, por vazhdoj të jem krenar. Dal nga ky Botëror me kokën lart. Suedezët na kanë treguar se kemi limitet tona. Por këtë unë e interpretoj si një objektiv të ri për t’u arritur. A do largohem? Jo, unë dua të vazhdoj. Unë kam ende motivim të madh në mendjen time, shpresoj që kështu të jetë edhe fizikisht. Pse ndryshova mendje? Gjatë ditëve të fundit u ndjeva mirë këtu në ekip. Ndjej se mund t’i jap përsëri kësaj skuadre. Dështimet në Botëror? Tani jam bërë si tip eksperti…”, tha duke qeshur mesfushori shqiptar që luan për Zvicrën, ku dje mbante shiritin e kapitenit.
Komentet