Më 13 prill 2004 u nda nga ne Akademiku Bedri Dedja, profesor, shkrimtar, psikolog, pedagog, historian i arsimit dhe historian e teoricien i letërsisë për fëmijë, publicist, Mjeshtër i Madh i Punës, laureat i Çmimit të Republikës, personalitet i shquar i kulturës sonë kombëtare, mendimtar dhe dijetar me një erudicion të gjerë shumëvlerësh, intelektual i formatit të madh shumëplanësh, përfaqësues i niveleve të larta të inteligjencës shqiptare.
Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që nga themelimi i saj në janar të vitit 1973, Prof. Bedri Dedja, paralelisht me krijimtarinë ka kryer edhe shumë funksione si : Dekan i parë i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë te U.T. (1954 – 1957), Drejtor i Institutit të Studimeve dhe Botimeve Shkollore dhe pastaj i Drejtorisë me të njëjtin emërtim (1965 – 1970), Z/Ministër i arsimit dhe kulturës (1970 – 1972), Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave (1973 – 1975), profesor i psikologjisë në Universitet gjer më 1993, kur e nxorën në pension. Ka themeluar e drejtuar si kryeredaktor gazetën “Mësuesi” (1961 – 1965), revistën “Fatosi” (1959 – 1965), revistën “Arsimi popullor” (1961 – 1974). Ka më shumë se njëqind tituj librash të botuar, pa numëruar ato me bashkautorë. Bibliografia e tij e botuar përfshin mbi dymijë tituj.
Studime shkencore të Bedri Dedjes janë botuar në Kosovë, Amerikë, Francë, Çeki, Rusi, Rumani, Zvicër e Greqi. Ndërsa veprat për fëmijë i janë përkthyer në rusisht, greqisht, rumanisht, arabisht dhe në gjuhë kineze.
Ishte kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Psikologëve, Kryetar nderi i Shoqatës Mbarëshqiptare të shkrimtarëve për fëmijë dhe të rinj, Anëtar i Asamblesë së Lidhjes Botërore të Shkencave Psikologjike (IUPsys).
Vitet e fundit nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive të Kembrixhit (IBC) i janë dhënë tre vlerësime ndërkombëtare: “Kush është kushi” (vëllimi 16) i shkrimtarëve dhe autorëve botërorë ;”Njeriu i vitit 1999 – 2000″ dhe një “Ndër shkrimtarët më të shquar të shek. XX”. Vepra e tij “Një udhëtim i rrezikshëm” ka marrë çmimin e IBBI-t për vitin 2000 (të Bordit Ndërkombëtar të Librit për fëmijë dhe të rinj). Dhe me rastin e 70-vjetorit të lindjes është dekoruar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Prof. Bedri Dedja, duke përballuar një punë të madhe, me aftësi të larta intelektuale dhe intuitë mjeshtërore ka krijuar vepra me rëndësi të madhe për historinë e kulturës dhe të shkencave pedagogjike e psikologjike shqiptare. Ai është autor dhe bashkautor i teksteve të pedagogjisë, i të gjitha teksteve të psikologjisë për shkollat e mesme dhe të larta, historisë së pedagogjisë, didaktikës, psikologjisë së personalitetit për kursin pasuniversitar, autor i psikologjisë sociale dhe psikologjisë sportive. Ka qënë redaktor përgjegjës dhe bashkautor i veprës madhore “Historia e arsimit shqiptar” (vëllimi i parë, nga lashtësia gjer më 1944).
Vepra të njohura të tij, si “Shënime mbi historinë e mendimit pedagogjik shqiptar” (1972), “Drejt enigmave të psikikës” (1989), “Mbi rrugët e perfeksionimit të sistemit të sotëm të edukatës familjare” (1966), “Studime për problemin e metodave të dhënies së mësimit” (1983), “Tradita e probleme të letërsisë shqipe për fëmijë” (1972), “Shkrime mbi letërsinë për fëmijë”, janë kontribut I shquar në shkencën tonë, veçmas traktati “Sekreti i talentit” (1998), i cili nga akademiku Rexhep Qosja dhe akademiku Pajazit Nushi është cilësuar si “një vepër e mrekullueshme”.
Vepra traktat, Sekreti i talentit, është një arritje e re në krijimtarinë e autorit, një vepër dinjitoze, e veçantë në llojin e vet, me një temë të madhe të kohës. Në të vihet theksi te psikologjia e krijimtarisë. Autori mendonte se kjo vepër, fillimisht është konceptuar më shumë si një punim letrar – psikologjik, sesa si një punim rigorozisht shkencor; kurse ne do të thonim se ai ka dalë një punim i mirëfilltë shkencor, që nuk u drejtohet vetëm shkencëtarëve. Ky traktat i drejtohet një auditori të gjerë dhe është i kuptueshëm njëlloj, si për psikologët, ashtu edhe për prindërit, mësuesit, artistët, studentët dhe për çdo lexues tjetër.
Traktati mbështetet në të dhëna shumë të pasura dhe përshkohet nga fryma e pluralizmit shkencor. Në mënyrë të veçantë duhet theksuar se ai është rezultat i një pune pasionante prej disa dekadash, rezultat i kërkimeve, hulumtimeve, meditimeve, vëzhgimeve dhe eksperimenteve të bëra nga autori, në shkolla në vitet 70. Gjithë pasurinë shkencore e letrare për talentin, autori më herët, e ka referuar në sesione e konferenca shkencore si dhe e ka përfshirë në botime të pjesshme.
“Sekreti i talentit” lexohet me ëndje të madhe, me një frymë, siç i thonë, pasi të josh, të mbërthen, jo vetëm me përmbajtjen e problemet shumë interesante që autori i trajton me profesionalizëm të lartë dhe përkushtim shkencor, po edhe për mesazhin, informacionin e pasur e të freskët shkencor që na përcjell; për mënyrën tërheqëse të paraqitjes së këtij informacioni; për ngjizjen e njohurive psikologjike me ato letrare dhe për modalitetet e krijuara mjeshtërisht e me nivel artistik.
Autori, prej kohësh i njohur si psikolog i shquar, “…, primar i psikologjisë dhe i disiplinave të shumta psikologjike e pedagogjike”1 siç e ka karakterizuar shoku dhe bashkëpunëtori i tij, akademiku i shquar Hamit Beqja, nëpërmjet kësaj vepre u përcjell lexuesve, si të thuash ajkën, tharmin e mendimeve dhe përfundimeve të personaliteteve shumë të njohur shkencorë e letrarë (kryesisht të filozofëve, psikologëve, sociologëve, shkrimtarëve, biologëve, strategëve, kompozitorëve, piktorëve e skulptorëve, antropologëve, etj) për problemet që lidhen me aftësitë, talentet dhe gjeninë. Dhe ky tharm nuk është një pasqyrim mekanik enciklopedik, por një filtrim dhe përpunim përmes ndërgjegjes dhe pikëpamjeve origjinale të autorit.
Kjo është arsyeja që këtë vepër ne e konsiderojmë me vlera të theksuara njohëse, e cila njëkohësisht, do të luajë një rol të madh, jo vetëm në kualifikimin shkencor psikologjik, po edhe në edukimin, në zgjerimin e kulturës së masës së lexuesve, e veçmas të pedagogëve të psikologjisë, pedagogjisë, filozofisë, sociologjisë, etj., si dhe të studentëve të këtyre degëve.
“Sekreti i talentit”, duke u shprehur në mënyrë figurative, është një pasqyrë, në të cilën prindërit është mirë të shihen sa më shpesh. Po kështu në këtë pasqyrë duhet ta shohin veten talentet e rinj.
Përveç të tjerave, Akademiku Bedri Dedja ka dhënë një kontribut të shquar edhe për të bërë të njohur në rrethet shkencore të të gjitha trevave shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, ecurinë e zhvillimit dhe të arritjeve të shkencës shqiptare nga fusha e psikologjisë, pedagogjisë dhe letërsisë për fëmijë. Ai, që në moshë 27-vjeçare ka marrë pjesë në tubime shkencore botërore dhe ka thënë me dinjitet fjalën shkencore të tij, fjalën e mençur në emër të shkencës së vendit të tij. Kështu, Prof. Bedriu në korrik të vitit 1957, në takimin ndërkombëtar të udhëheqësve të organizatave të fëmijëve me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 131 vende të botës, mbajti në Moskë referatin e parë “Aspekte psikologjike të edukimit të fëmijëve përmes punës dhe lodrave”, i cili u vlerësua shumë dhe u duartrokit gjatë. Ky referat shkencor u botua në korrik të atij viti në faqen e parë të organit pedagogjik “Uçitelskaja gazeta”, një gazetë prestigjoze e ish Bashkimit Sovjetik. Në takimin ndërkombëtar të Festivalit Botëror të Helsinkit, që u bë më 1962, mbajti kumtesën “Psikologjia e fëmijëve dhe edukata bashkëkohore”. Në Kongresin IV Europian të Psikologjisë në Athinë, në korrik 1995, mbajti kumtesën “Hope revolucionare në zhvillimin e mendimit psikologjik shqiptar në më shumë se njëzet e pesë shekuj”. Përmbledhja e kësaj kumtese është botuar në librin voluminoz të këtij Kongresi krahas me ato të dhjetra psikologëve nga mbarë bota.
Në Kongresin VI Europian të Psikologjisë, që u mbajt në Romë në vitin 1999, Prof. Dedja mbajti referatin “Psikologjia e luftës dhe e paqes”, nëpërmjet të cilit solli argumente të shumta, që i bënë të “dorëzoheshin” psikologët serbë nga Novi Sadi, lidhur me krimet e serbëve në Kosovë dhe pikëpamjet antishqiptare të psikologjisë sociale serbe. Përveç referatit të sipërm, Prof. Bedriu paraqiti në këtë Kongres edhe kumtesën “Pasqyrimi i zhvillimeve demokratike dhe i tranzicionit në psikologjinë e popullit shqiptar”. Vlen të përmendet se në pamundësi për të marrë pjesë, ai ka dërguar kumtesat e tij dhe në disa Kogrese të tjera ndërkombëtare, ku ka qenë i ftuar për të referuar, si në Kongresin XXVI botëror të psikologjisë, që u mbajt në Mont – Real (Kanada), në korrik 1996, ka dërguar kumtesën titulluar “Psikologjia shoqërore – detyrë e studimeve të kohës” dhe në Kongresin e XXVII botëror të psikologjisë që u mbajt në Stokholm në vitin 2000, dërgoi kumtesën titulluar “Rreth metodave eksperimentale social-psikologjike”.
Bedri Dedja, me cilësinë e Presidentit të Shoqatës Mbarëshqiptare të Psikologëve dhe me aftësitë e këmbënguljen e tij, duke patur dhe mbështetjen e Presidentit të Lidhjes Botërore të Shkencave Psikologjike, Profesorit gjerman Kurt Pavlik e të udhëheqësve të tjerë të shoqatave europiane të psikologëve, bëri të mundur që Shoqata jonë të pranohet anëtare e Lidhjes Botërore të Shkencave Psikologjike e (IUPsys-it më 1996 dhe në Shoqatën Europiane të Psikologjisë (UEFPA) më 1999).
Ka edhe shumë të veçanta të tjera që i karakterizojnë punimet e Bedri Dedjes, të cilat e përforcojnë më tej atë mendim të përgjithshëm, që e kanë shprehur shumë studiues, jo vetëm këtu në Shqipëri, po edhe jashtë kufijve tanë, se një ndër veçoritë e personalitetit të profesorit Bedri Dedja, me të cilën na njohin punimet e shumta të tij, është sinkretizimi, mpleksja e shkencëtarit me shkrimtarin, që mjeshtërisht ka mundur të latojë psikologjinë e përgjithshme me degët e tjera të saj, veçmas me atë të krijimtarisë, të psikologjisë sociale, psikologjisë sportive, të gjendjeve të ndryshuara të vetëdijes dhe të disa dukurive parapsikologjike, etj., etj.,të trajtuara sidomos në veprën e tij “Drejt enigmave të psikikës së njeriut”, botuar më 1980, duke shfrytëzuar si katalizator për këtë edhe psikologjinë zbavitëse. Dhe të gjitha këto jepen me një gjuhë të pasur e të qartë ku spikat shprehja e bukur e Bedri Dedjes e ngritur në art.
Të vështruara në tërësinë e tyre, veprat, tekstet dhe studimet e Prof. Bedriut shquhen për trajtimin dhe interpretimin me nivel të lartë shkencor, mbi bazën e arritjeve të psikologjisë së kohës; shquhen dhe për frymën e thellë kombëtare.
Profesor Bedri Dedja, si dijetar me erudicion të gjerë, duke shfrytëzuar në mënyrë krijuese trashëgiminë psikologjike, pedagogjike dhe letrare të shkencëtarëve, akademikëve, profesorëve, mësuesve dhe të kritikëve e historianëve, u bë vet mësues i mësuesve, profesor e udhëheqës i shumë profesorëve, shkencëtarëve dhe shkrimtarëve për fëmijë.
–
Fjala e mbajtur në simpoziumin e organizuar me rastin e 5 vjetorit të vdekjes së Akademikut Bedri Dedja
Komentet