U organizua nga shoqëria Bashkimi dhe u propagandua nga Mid’hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:”… ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e papengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumtërin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë.”- Kështu shkruante Mid’hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë. Vendosja e një alfabeti të vetëm e mbylli odisenë e alfabeteve të shqipes. Ky njësim i shërbeu “si përparimit të gjuhës, si të përhapurit të diturisë ndër ne”. (Kostallari 1973:54)
Ky alfabet në krahasim me të kaluarën i afroi aq shumë dy variantet letrare në shkrim, saqë nga albanologët më të shquar të kohës u vlerësua si një hap i barabartë me vendosjen e një drejtshkrimi të njëjtë. (Pedersen, “Yll’i i Mëngjezit” 1917/2:235)
Por ky përfundim i studiuesve të shqipes do t’i shkonte për shtat të shkuarës, pasi rrugëtimi i drejtshkrimit të shqipes do të vazhdonte edhe disa dhjetëvjeçarë pas Kongresit të Manastirit. Unifikimi i alfabetit do të hapte rrugën drejt standardizimit të gjuhës shqipe, dhe pikërisht fillon me Komisinë Letrare të Shkodrës ( 1916-1917), e cila arriti të bënte një kodifikim të konvergjencës gjuhësore. (Kostallari, 1973:55)
Për shkrimin e shqipes, për të vënë në pah individualitetin e saj dhe të popullit shqiptar, u ndoq edhe një rrugë tjetër – ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta. Nga shekulli XVIII, mbase edhe më parë, u krijuan disa alfabete të tilla. Orvatja më fatlume qe ajo e veprimtarit dhe e mësuesit të gjuhës shqipe Teodor Haxhifilipit(rreth vitit 1730-1805), i njohur me emrin Dhaskal Todri, shkrimi i të cilit pati njëfarë përhapjeje. (HLSh, 1957:15)
Në një frymë të re, thellësisht kombëtare, e shtroi dhe e zgjidhi çështjen e alfabetit të shqipes ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtari i shquar iluminist dhe veprimtari i shkollës shqipe Naum Veqilharxhi (Naum Bredhi, 1767-1846). Në vitet 1824 dhe 1825 ai e kishte nisur tashmë punën për një alfabet të tijin me 33 shkronja. Më 1844 ai shtypi një gjuhën shqipe një abetare prej tetë faqesh. Ky libër i vogël me titull “Fort i shkurtër e i përdorçim ëvetar shqip”, u shpërnda në mbarë Shqipërinë e jugut, nga Korça në Berat. Në vitin 1845, në një botim të dytë, kjo broshurë u zgjerua deri në 48 faqe, me titull ”Fare i ri abetor shqip për djelm nismëtore”.
Përpjekje të mëtejshme për caktimin e një alfabeti të përgjithshëm për gjuhën shqipe u bënë në vitet ’60 të shekullit XIX si dhe më pas, nga një grup atdhetarësh dhe veprimtarësh të shquar të Rilindjes Kombëtare, siç ishin: Kostandin Kristoforidhi (1872-1895) – lëvrues dhe studiues i dalluar i gjuhës shqipe; Pashko Vasa(1825-1892) – veprimtar i arsimit dhe i kulturës, poet dhe publicist patriot; Hasan Tahsini (1811-1881) – atdhetar i madh, filozof dhe mendimtar i shquar në fusha të ndryshme të diturisë; Jani Vreto (1822-1900) – atdhetar dhe mendimtar shquar; Sami Frashëri (1850-1904) – dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist, rilindës i shquar, ideolog kryesor i Lëvizjes kombëtare shqiptare. Përpjekjet e tyre u kurorëzuan me sukses në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878).
Në fillim të vitit 1879 u pranua alfabeti i parashtruar nga Sami Frashëri (1850-1904), i bazuar në parimin “një tingull me një germë dhe një germë për një tingull”. Ky alfabet, i njohur me emrin “alfabeti i Stambollit”, u mbështet në alfabetin latin,duke u plotësuar me disa shkronja greke dhe me shkronja të tjera të veçanta. Me të u bënë shumë botime, u përhap gjerësisht dhe deri në fund të shekullit XIX ishte alfabeti kryesor i Rilindjes Kombëtare. (Nga fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX një përhapje jo të vogël pati edhe alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, të cilin – me pak ndryshime – e përshtati edhe revista “Albania” e Faik Konicës (1875-1942), që botohej në Bruksel në vitet 1897-1902 dhe në Londër në vitet 1903-1909. Me shkrimet e saj, kjo revistë luajti një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e alfabetit të përbashkët, të vendosur në Kongresin e Manastirit më 1908.
KONGRESI I MANASTIRIT (1908).
Kongres kombëtar, i mbajtur në Manastir prej 1422.11.1908, për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishmen të lëvizjes kombëtare në atë etapë, në radhë të parë për të zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe , njësimi i të cilit ishte bërë një problem i mprehtë politik, arsimor e kulturor dhe një kërkesë e ngutshme e lëvizjes kombëtare. Për ta përmbushur këtë kërkesë, atdhetarët shqiptarë shpejtuan të shfrytëzonin gjendjen e krijuar pas shpalljes së Kushtetutës në Perandorinë Osmane (23.07.1908). Menjëherë pas kësaj, klubi Bashkimi i Manastirit u bë nismëtar për thirrjen e një kongresi kombëtar, që ka hyrë në histori si Kongresi i Manastirit. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe të organeve kombëtare të pjesës më të madhe të trevave shqiptare, si edhe të kolonive shqiptare në vende të ndryshme, shkrimtarë e gazetarë, lëvrues të gjuhës e mësues të shqipes, veprimtarë të njohur të lëvizjes kulturore e politike kombëtare. Kongresi zgjodhi nga gjiri i tij një komision prej 11 anëtarësh, që përbëhej nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim. Në komision bënin pjesë Gj. Fishta (kryetar), L. Gurakuqi, S. Peci, Mithat Frashëri, Sh. Kolonja, Dh. Buda, N. Mjeda, Gj. Qiriazi, B. Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor Cilka. Pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, shkronjat e të cilit
plotësoheshin me nëntë dyshkronjësha (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë). Por në fund Komisioni dhe K. vendosën që të lejohej përdorimi si i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë ndër Shqiptarë, ashtu edhe i alfabetit të ri. Dy alfabetet ndryshonin vetëm në 7 shkronja. Vendimet e Kongresit, që ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes për afrim e njësim, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe u vunë menjëherë në zbatim. Brenda pak vitesh alfabeti i krijuar nga K. fitoi epërsi dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i shqipes. Njësimi i alfabetit ishte një hap shumë i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit dhe të gjuhës letrare shqipe.
Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. Gjatë ditëve të Kongresit u organizuan takime të veçanta e mbledhje të mbyllura me delegatët, ku u rrahën probleme të mprehta politike. Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afruar pikëpamjet, për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të organizatave kombëtare e për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre. U hartua edhe një program kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej 18 pikash, që iu dha deputetit të Korçës, Sh. Kolonja, për ta paraqitur në parlament në emër të Shqiptarëve. Kongresi i Manastirit e ngriti lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë. ( FE II 2009 )