Si sot 111 vjet më parë në zonën e Topojanit do të kryhej një nga masakrat më të tmerrshme në historinë e Lumës.
Kjo ndodhi vetëm një vit pas Luftës së famshme të Lumës të udhëhequr nga Islam Spahia dhe Ramadan Zaskoci, luftë që do ti vinte digën ushtrise serbe për të mos e lënë të kapte Durresin e rrjedhimisht të bënte të pamundur shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.
Në fshatin Topojan në vjeshtën e vitit 1913 do të ekzekutoheshin nga ushtria serbe në një kurth pabesie 620 burra, shumica kryefamiljarë. Do të thirreshin demek për tu pajisur me pasaporta që të kishin mundësi të punonin në Europë sipas dëshmitarëve që e kanë përjetuar atë periudhë të tmerrshme.
Një pjesë e kësaj kasaphane të papërsëritshme është bërë e ditur përmes gazetarit Marin Mema në dokumentarin ‘Termopilet Shqiptare’ e që është trasmetuar në një televizion kombëtar shqiptar.
Në stanet e dajëve të mi të fshatit Brekijë do të ekzekutoheshin 7 persona.
1. Dalip Brahim Zyberaj
2. Brahim Islam Zyberaj
3. Shahe Dalip Zyberaj
4. Sheme Beqir Zyberaj (Sinamati)
5. Ilmi Rrahim Zyberaj
6. Hanife Rrahim Zyberaj
7. Fetije Islam Zyberaj.
Autori i këtij shkrimi është stërnipi i Sheme Beqir Sinamatit e cila ishte rreth të tridhjetave. Ajo ishte nënë e 4 fëmijëve dy prej të cilëve të vrarë në atë masakër që janë në listën e mësipërme Ilmiut rreth 3 vjec dhe Hanifes vetëm 3 muajshe, në djep.
Nëna ime tashmë e ndjerë prej 3 vjetësh do të mbante emrin e gjyshes së saj të masakruar me 15 Tetor 1913.
Mbetën gjallë gjyshi im Mirdaim Rrahim Zyberaj atë kohë 7 vjeç dhe vëllai i tij Sami Rrahim Zyberaj 5 vjeç.
Që ta bëj më të qartë për lexuesin gjyshi im dhe vëllai i tij Samiu, do përjetonin para syve të tyre, masakrimin e nënës Sheme, vëllait Ilimi, motrës Hanife, gjyshit Dalip, hallës Shahe e të gjithë të tjerët të listuar.
Këta do mbeteshin dëshmitarët e vetëm okularë të asaj ngjarjeje të tmerrshme ngjarje që do linte gjurmë deri sa ata mbyllën sytë pasi edhe babai i tyre Rrahimi do vritej në luftë për trojet shqiptare vetëm pas dy vitesh. Sot e kësaj dite nuk i dihet as varri.
Gjyshi im siç e thashë dëshmitar okular i asaj ngjarje thoshte që kur ushtari serb do të shkallmonte një sënduk rrobash me bajonetë nëna Sheme do ti thoshte: Çfarê bën? Ai i kthehet dhe me një bajonetë përshkon trupin e Ilmiut 3 vjecar që ajo e kishte në krah dhe zemrën e saj e të dy do të binin të vdekur në tokë.
Ushtarët serbë që kishin ardhur nga fshati Xhaferaj me shumë gjasa pasi kishin kryer masakrën atje, nuk kursyen as Hanifen 3 muajshe në djep.
Ata kishin ardhur ti bashkoheshin Georgit një oficer serb që kishte ardhur para disa ditësh i maskuar si terzi (rrobaqepës).
Georgi sipas gjyshit pas masakrës do ti vinte flaken staneve duke marrë me vete 120 kokë bagëti do largohej bashkë me ushtarët. Sipas gjyshit ai ju jepte urdhër ushtarëve dhe ishte oficer serb.
Brahimi kishte vetëm 6 ditë që ishte martuar.
Shahja halla e gjyshit do të martohej pas dy javësh por ata e vranë tek çesma e ujit.
Gjyshin tim Mirdaimin dhe Samiun që mbetën gjallë do ti rriste gjyshja e tyre Ajshja që ishte kushërira e parë e Islam Spahisë në Kolesjan.
Këtë rrëfim të gjyshit Mirdaim unë e kam dëgjuar me dhjetëra herë kur isha fëmijë deri sa ai vdiq në vitin 1989.
Pra, brenda një dite bashkë me paraardhësit e mi që janë në listën e mësipërme dhe në memorialin e mëposhtëm (që u ndërtua falë përkujdesit të Korab Sami Zyberajt në vitin 2020) do të kryheshin masakra të njëkohshme në Brekije fshat rreth 75 të vrarë por numri real është disa here më i madh.
Po ashtu në Nimçë numri i të vrarëve nuk dihet por sipas burimeve ai fshat thuajse do të shuhej dhe po ashtu në Novosej ku perveç masakrave shtëpitë u bënë gërmadha nga djegia dhe bagëtitë u vodhën.
Këto masakra pavarësisht se jo në mënyrë të detajuar janë përmendur nga Leo Freundlich në librin e tij GOLGATA SHQIPTARE.
Një ushtar serb pjesëmarrës në ato masakra do ti shkruante Gazetes ‘Radniçki Novine’:
“I dashtun mik!
Nuk kam kohë të ju shkruaj gjatë por mundem me të thënë se gjëra të frikshme janë duke ndodhur këtu!
Tmerrohem prej tyre dhe vazhdimisht pyes si mundet me ndodhë gjera te tilla e si munden me qene njerezit aq barbarë me kry këto krime!
Asht tmerr, nuk guxoj edhe me e pasë kohën qe se kam me të thanë gjë tjetër por mundem me të thanë se Luma më nuk ekziston! Nuk ka mbetë gjë veç të vdekurve, pluhurit e hinit. Ka katunde me nga 100, 150 e 200 shpi ku nuk ka mbetë asnjë njeri, hiç asnjë një i vetëm!
I tubojmë nga 40-50 vetë e mandej i therim me bajoneta deri kur bjen edhe i mbrami i tyre!”
Ne pasardhësit e familjarëve të masakruar me 15 Tetor 1913 i kemi dokumentuar me emra dhe saktësi të vrarët tanë.
Kemi edhe varret dhe eshtrat për saktësi forensike shkencore nëse është e nevojshme.
Në këtë datë përkujtimore dua të ju bëj thirrje të gjithë pasardhësve të familjeve të masakruar me 15 Tetor 1913 por jo vetëm në atë ditë të tmerrshme të dokumentojnë të vrarët e tyre.
Çdo ditë që kalon humb një dëshmi, harrohet një emër.
Shumë familje të masakruara nuk kanë lënë pasardhës për shkak të masakrave tej çdo përmase por kushdo që ka dëshmi ju lutem dokumentojini e publikojini.
Unë i jam referuar vetëm masakrës së një dite në zonën e Topojanit por shumë të tjera kanë ndodhur nē fshatrat e rrafshës së Lumes, Pobreg, Has e Prizren.
Unë do shkruaj për këto masakra çdo vit, çdo përvjetor e sa herë të më jepet mundësia.
Kjo sepse Serbia Gjenocidale, shkaktari i këtyre masakrave për të cilat jo vetëm që nuk ka paguar por nuk ka marrë përgjegjësi sot e kësaj dite edhe për fajin e shqiptarëve që nuk kanë bërë dhe dokumentuar një dosje serioze të këtij gjenocidi.
Kjo Serbi është lëshuar valë valë çdo 30 a 50 vjet mbi trojet shqiptare duke i larë ato me gjakun e bijëve dhe bijave tona më të mirë.
Serbia nuk harron, Serbia nuk ndryshon sepse këtë punë e bën në mënyrë të përsëritur që nga mesi i shekullit të 19të.