Federata Panshqiptare Vatra (anglisht. The Hearth) është një shoqatë e shqiptarëve në Amerikë, e krijuar më 28 prill 1912, e cila ka pasur si mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si edhe ka ndërmarrë përsipër lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës.
Themelimi
Takimi i parë që bëri bashkë të gjithë shqiptarët në Amerikë, me synimin për të krijuar një federatë të vetme, u zhvillua në 24 dhjetor 1911 në Boston. Takimi për themelimin pati dhe pjesëmarrjen e shoqatës Besa-Besën. Në këto takime ishin të pranishëm: Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams dhe Paskal Aleksi. Takimi vijoi deri në datën 28 prill 1912, kur dhe Vatra u regjistrua zyrtarisht. Nga procesverbali i takimeve thuhet:
“Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra u themelua prej Shoqërive “Besa-Besën”, “”Flamuri i Krujës” Shoqërisë Kombëtare”, “Mirëbërsja” dhe “Skënderbeu”. Ndërkohë shoqatat “Dallandyshja” dhe “Malli i Mëmëdheut” nuk ishin të pranishme por konfirmuan anëtarësinë e tyre në federatën “Vatra”. Në këtë takim historik , një bord i përkohshëm u themelua dhe pjesëtarët e tij ishin: Sekretari – Fan Noli, arkëtari – Llambi Çikozi, menaxheri i “Dielli” -Kristo Kirka, Drejtuesit e degëve të Federatës: Faik Konica dhe Kristo Floqi, si dhe supervizortë e “Dielli”: Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili.
Vatra u njoh zyrtarisht dhe prej Masaçusetsit duke marrë certifikatën e njohjes në 13 qershor 1912. Certifikata origjinale tregon këta emra: Faik Konica, Llambi Çikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kota. Pjesëtarë të tjerë të shquar që iu bashkuan federatës ishin: Kostandin Çekrezi dhe vëllezërit Pani nga Dardha.
Lufta e Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes
Duke konsideruar vakuumin politik në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, Vatra funksionoi në një farë mënyre si një formë qeverie shqiptare në mërgim. Vatra dërgoi Nolin dhe Konicën në Evropë për të advokuar për interesat kombëtare të Shqipërisë. Ata qëndruan në Evropë derisa lufta përfundoi. Ndërkohë Kol Tromara u shndërrua në figurën drejtuese dhe kryesore. Gjatë këtyre viteve me trazira, Vatra fitoi infleuncë dhe gazeta “Dielli” u publikua nën supervizionin e Anastats Çekrizit. Vatra zhvilloi një fushatë lobuese gjatë Konferencës së Paqes në Paris në 1919, duke u përpjekur për të infleuncuar vendimin e delegacionit amerikan. Kristo Dako iu bashkua delegacionit shqiptar në vitin 1919. Ndërkohë Mihal Turtulli dhe Mehmet Konica u aktivizuan në negociatat me italianët në lidhje me krijimin e qeverisë provizore shqiptare dhe u përgatitën për Kongresin në Durrës në 1918.[5] Vatra mbajti një kuvend për mbledhjen e fondeve në 29 dhjetor 1918, të udhëhequr prej Anastas Pandele, me qëllim mbështetjen e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes. Emigrantët shqiptarë në SHBA arritën të mblidhnin rreth 150.000$, pjesa më e madhe e së cilës iu dërgua delegatëve të Vatrës në Paris.
Trashëgimia
Vatra është organizimi më jetëgjatë i shqiptarëve në të dyja anët e Atlantikut dhe në mbarë botën shqiptare. Kontributi i kësaj federate në çështjen kombëtare dhe formimin e shtetit e ka kthyer Vatrën në një simbol të nacionalizmit shqiptar dhe patriotizmit.
Publikime dhe botime
Vatra ka publikua historikisht dy revista: Dielli dhe The Adriatic Review. Revista “Dielli” vijon botimin edhe sot e kësaj dite pas një periudhe pushimi.
Bashkëpunimi me AIDSSH
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zhvilloi një vizitë pune në SHBA në datat 28 nëntor-3 dhjetor, i ftuar nga Federata Panshqiptare Vatra, në vijim të bashkëpunimeve me komunitetet brenda dhe jashtë vendit. Vizita kishte në fokus kujtesën kolektive, duke e zgjeruar ndjeshëm hartëzimin me dëshmi të të mbijetuarve të diktaturës që sot jetojnë në SHBA.
Në simpoziumin që u organizua nga Federata Vatra, veç prezantimit nga AIDSSH të projektit të dëshmive gojore dhe punës për muzealizimin e kampit të Tepelenës, të konkretizuar në botimin e parë të librit të dëshmive dhe në mbjelljen e pemëve të Memorialit të fëmijëve që humbën jetën atje, Autoriteti dhe Vatra institucionalizuan bashkëpunimin mes tyre me firmosjen e një marrëveshjeje të zgjeruar bashkëpunimi.
Ky bashkëpunim ka në fokus krijimin e kuadrit të plotë historik, social e politik të periudhës së komunizmit të Shqipëri, duke thelluar kërkimin shkencor dhe zgjeruar mundësitë e studimit në arkivat përkatëse të kësaj periudhe, brenda dhe jashtë vendit.
Gjithashtu pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët mund të jenë të interesuar për procedurat e aplikimit, për zbardhjen e dosjeve të tyre. Wikipedia
Komentet