Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, kërkon interpelancë urgjente me Kryeministrin për egzekutimin e pagesës 110 milionë euro të shtetit shqiptar për biznesmenin Becchetti.
Në një shkresë drejtuar Kryetares së Kuvendit Gazment Bardhi shkruan se “Megjithëse, Kryeministri Edi Rama dhe ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj e kanë mohuar në vazhdimësi se Shqipëria do të paguante dëmshpërblimin prej 110 milionë euro sipërmarrësit Becchetti dhe ortakëve të tij, proceset e iniciuara nga qeveria shqiptare pranë ICSID dhe tribunaleve të tjera ndërkombëtare nuk arritën të prodhonin asnjë ndryshim, sa i përket detyrimit të qartë të shtetit shqiptar për shlyerjen e plotë të faturës financiare të mbylljes dhe shkatërrimit të televizionit Agonset”.
“Në javën e dytë të nëntorit, mediat shqiptare raportuan gjërësisht se një përmbarues belg kishte arritur të ekzekutonte vlerën e plotë të dëmit në favor të biznesmenit italian nëpërmjet fondeve të Albcontrol, që mbaheshin të bllokuara në llogarinë e Eurocontrol prej dhjetorit 2020”. “Sipas raportimeve mediatike, në 12 nëntor 2024, Eurocontrol ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare dhe kompaninë Albcontrol për kryerjen e ekzekutimit të plotë tëvendimit të ICSID”.
Kërkesa
Znj. Kryetare e Kuvendit,
Në prill 2021, opinioni publik shqiptar është njohur me vendimin “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të marrë nga Qendra për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve pranë Bankës Botërore (ICSID), e cila kishte vendosur t’iu akordonte palëve paditëse një dëmshpërblim në vlerën 110 milionë euro nga Republika e Shqipërisë, përfshirë interesat dhe shpenzimet gjyqësore.
Ky shpërblim iu akordua palëve paditëse Becchetti dhe të tjerë, pasi nga faktet dhe provat e vëna në dispozicion, ICSID ka konstatuar se si rezultat i veprimeve të paligjshme të zyrtarëve të lartë shtetërorë, ku përfshihen Edi Rama, me detyrë kryeministër i Shqipërisë, Erion Veliaj, me detyrë Kryetar i Bashkisë Tiranë dhe Ëngjëll Agaci, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të një rangu më të ulët si Enkelejd Joti, me detyrë drejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (asokohe), ish-drejtor i përgjithshëm i Top Channel, shtetasi Skerdi Drenova, me detyrë administrator i Operator të Sistemit të Transmetimit (asokohe), ish-zëvëndësdrejtor i përgjithshëm i Top Channel dhe shtetasi Gentian Sala, kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive (asokohe), ish-drejtor i Top Channel dhe Digitalb, sipërmarrjet e biznesmenit italian Becchetti janë shkatërruar plotësisht.
Konkretisht ICSID, pasi shqyrtoi mesazhin e dërguar në datën 5 shtator 2014, nga Erion Veliaj, ish-Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, bisedën e zhvilluar në fillim të vitit 2014 me Ëngjëll Agacin, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, statusin në Facebook të Edi Ramës, Kryeministër i Shqipërisë dhe deklaratat e tij në medianë qershor 2015, arriti në përfundimin se vendimi i sekuestrimit të Agonset ishte finalizimi i një fushate politike kundër sipërmarrësit Becchetti dhe ortakëve të tij. Për ICSID ishte e qartë se në këtë rast nuk kemi pasur të bëjmë me një proces të rregullt ligjor, por vetëm me një proces të motivuar politikisht, që kishte për qëllim mbylljen e televizionit dhe shkatërrimin e sipërmarrjeve të biznesmenit italian Francesco Becchetti në Shqipëri (shih paragrafin 724 të vendimit).
Megjithëse, Kryeministri Edi Rama dhe ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj e kanë mohuar në vazhdimësi se Shqipëria do të paguante dëmshpërblimin prej 110 milionë euro sipërmarrësit Becchetti dhe ortakëve të tij, proceset e iniciuara nga qeveria shqiptare pranë ICSID dhe tribunaleve të tjera ndërkombëtare nuk arritën të prodhonin asnjë ndryshim, sa i përket detyrimit të qartë të shtetit shqiptar për shlyerjen e plotë të faturës financiare të mbylljes dhe shkatërrimit të televizionit Agonset. Në javën e dytë të nëntorit, mediat shqiptare raportuan gjërësisht se një përmbarues belg kishte arritur të ekzekutonte vlerën e plotë të dëmit në favor të biznesmenit italian nëpërmjet fondeve të Albcontrol, që mbaheshin të bllokuara në llogarinë e Eurocontrol prej dhjetorit 2020. Sipas raportimeve mediatike, në 12 nëntor 2024, Eurocontrol ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare dhe kompaninë Albcontrol për kryerjen e ekzekutimit të plotë tëvendimit të ICSID.
Megjithatë, deri në datën e paraqitjes së kësaj kërkese, nga ana e qeverisë shqiptare dhe kompanisë Albcontrol nuk ka pasur asnjë reagim a qëndrim zyrtar sa i përket vërtetësisë së raportimeve mediatike dhe në funksion të transparencës së plotë me taksapaguesit shqiptarë, të cilët për shkak të veprimeve arbitrare e të paligjshme të kryera nga zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, si Kryeministri, Kryebashkiaku i Tiranës dhe Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë duhet të shlyejnë faturën më të lartë në historinë e arbitrazheve ndërkombëtare me palë shtetin shqiptar. Qeveria dhe kompania Albcontrol kanë për detyrë të informojnë Kuvendin e Shqipërisë, dhe nëpërmjet tij qytetarët shqiptarë lidhur me vërtetësinë e këtij procesi, përgjegjësit dhe pasojat e këtij dëmi kaq të lartë financiar.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 97 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve të detajuara lidhur me ekzekutimin e vendimit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të Qendrës për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID). sn