11 vite pritje për të festuar një tjetër trofe evropian. Spanja thyen Kroacinë nga ruleta e penalltive, në një ndeshje të luftuar për çdo top, me pak raste për shënim, ku nuk mjaftoi as koha shtesë për të përcaktuar një fitues. Për fat të keq, Luka Modric me shokë dalin sërish duar bosh, nuk mjaftohen me një tjetër medalje, jo e artë, për të kurorëzuar këtë brez fantastik lojtarësh që e shndërruan këtë komb të vogël në një përfaqësuese të madhe. Në “De Kuip” të Roterdamit, De La Fuente i dhuron Spanjës trofeun e Ligës së Kombeve në këtë edicion të tretë, duke pasur Portugalinë dhe Francën.
Të dy përfaqësueset zbritën në fushë të kujdesshme, provuan pak në fazën sulmuese, duke spostuar ndeshjen në mesfushë. Kramaric dhe Persic flirtuan me golin, ndërsa Ansu Fati në limitet e kohës së rregullt shpërdoroi një rast të pastër për gol. Shtesa prodhoi pak emocione duke bërë që fati i kësaj finaleje të vendosej nga pika e bardhë e penalltisë. Majer dhe Petkovic gabuan për Kroacinë, 4 penallti të sakta 2 të gabua. Për Spanjën gaboi vetëm Laporte nga 5 penallti të sakta, ndërsa në fund ishte Carvajal që realizoi penalltinë fituese duke i dhuruar Spanjës trofeun e Ligës së Kombeve. Pas finales së Champions League, Rodri u shpall sërish lojtari i ndeshjes.
Luis De La Fuente, trajneri i Spanjës nuk e fsheh gëzimin e tij për këtë sukses të rëndësishëm:
“Nuk kam fjalë të përshkruaj këtë që ndjej për djemtë. Ata u treguan profesionistë të shkëlqyer. Kemi arritur diçka të jashtëzakonshme”, u shpreh De La Fuente. Suksesi i “furive të kuqe” pushtoi faqet e para të mediave spanjolle, të gjitha në një zë i bëjnë jehonë këtij suksesi që i mungonte prej 11 vitesh.