Skënder Sallaku lindi në Tiranë më 25 janar 1935, dhe është konsideruar si një nga aktorët tanë më të shquar të humorit. Me skeçe dhe parodi të ndryshme ai e ka bërë publikun shqiptar të qeshë me shpirt.
Aktori është nderuar dhe me titullin e lartë ‘Artist i Popullit’.
Sallaku, njihet dhe si ish-kampion kombëtar në mundjen klasike. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” dhe ka kryer një kualifikim një vjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Fillimisht filloi punë si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobatik në cirk, duke dhënë një kontribut të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur.
News24 maratonë intervistash me artistët, miq të Skënder Sallakut
Në moshën 79-vjeçare një prej ikona të humorit, z Skënder Sallaku. I konsideruar si një prej ikonave të humorit shqiptar, aktor Sallaku vuante kohët e fundit nga një sëmundje e rëndë. Në 10 ditët e fundit gjendja e tij shëndetësore u rëndua së tepërmi. Branda këtij harku kohor ai kreu 3 ndërhyrje kirurgjikale.
Aktori i humorit mbylli sytë në zbardhje të ditës së martë, më 11 Shkurt 2014.
Tinka Kurti: Një humbje e madhe. Unë isha dje në spital dhe takova familjen. Ai do kryente një operacion tjetër. Isha në merak, i thashë vajzës së tij të më telefononte, të më njoftonte mbi cdo të re. Gjithë natën kam qenë në siklet dhe ndjeva një dhimbje të madhe teksa mësova humbjen e madhe.
Margarita Xhepa: Nuk na ishte shuar ende dhimbja nga humbja e Vace Zelës, tani dhe aktori i shkëlqyer, i dimensioneve të mëdha. Kishte një humor që i buronte natyrshëm. I qëndiste rolet me mimikën e tij shprehëse. Kishte karakteristika të vecanta, zëri i tij karakteristik, shquhej për spontanitetin. Aktor i mençur që e dashuronte artin dhe punonte me thjeshtësi.
E takova para një muaji në Librazhd në një event dhe ishte i lumtur. Ai kishte fituar respektin e madh të popullit dhe këtë e shprehte dhe ia shprehnin vazhdimisht.
Veli Rada: E kujtoj Sallakun ku së bashku me Vasillaq Vangjelin e paharruar i kam takuar dhe i kam njohur. Ishte aq korrekt, vinte i pari ulej në tryezën e punës dhe ngrihej i fundit. Një ndër artistët më korrekte, i pari kloun në Shqipëri. Një plastikë të tillë si ai, i paarritshëm. Në turet që kemi bërë jashtë vendit ai pëlqehej kaq shumë. Një tifoz i Tiranës, si tiranas autokton donte që Tirana e tij të ishte e para. Iku me peng që Tirana nuk e kënaqi si duhet këtë sezon.
Gëzim Kruja: E kam pas shok, para 5 muajsh kemi dhënë një shfaqje në Durrësi. Artist i madh nuk i vjen më Shqipërisë, dac parodist, dac kloun, akrobat. Duhen romane të flasësh për Skënder Sallakun. Aq i thjeshtë, ndaj populli e deshi se populli do të thjeshtën.
Rezarta Reci: Nisëm një miqësi teksa pija një filxhan caji që zgjati 3 orë. Dëshiroja ti bëja një intervistë dhe kam qeshur pa fund si kurrë në jetën e tij. Aktor i mrekullueshëm dhe vetëm me mimikën që kishte të shkaktonte gaz, por ndërkaq një njeri që përlotej me ngjarje tragjike. Miku im i mirë, takimi i fundit ka qenë një ditë para ditëlindjes së tij. Më 24 Janar, e kisha planifikuar për ditëlindjen e tij ‘Arratinë e Peshkut të Kuq”. Ishte nga ata artistë që ka ikur pa pengje, sepse nuk i ka munguar vlerësimi, kujdesi nga shteti, por dashuria e artdashësve. Do na mungojë të gjithëve.
Muharrem Hoxha: Vit i poshtër, po na ikin artistët. Para dy javësh fola në telefon, dhe i thashë po bën ditëlindjen e nuk jam unë aty. ‘Hë tha s’ka problem se 79 vjec po bëj’. U shpreh ngushëllime familjes, nipërve dhe mbesave. Një aktor kaq popullor, kaq i madh.
Fadil Hasa: Herën e fundit që e takova, ishim në Durrës. Si e mbaj mend. Kur thoshte që do tregoj një gjë, ne e lusnim ta tregonte se e dinim që nuk do e përsëriste më atë histori. Skënderi u ka dhënë bukë popullit kur ishte i uritur, i varfër, ai i ushqeu me humorin e tij. Familja Sallaku humbi një njeri të jashtëzakonshëm.
Nuk besoj se ka një brengë besoj, ai i ka marrë stimujt moralë, dhe pension special, ka marrë vazhdimisht respekt dhe është nderuar dhe vlerësuar, por sidomos nga populli. U shkëput një yll tjetër i artit sot.
Sulejman Dibra: Estrada pati humbje të madhe, Njeriu i parë që i dha jetë estradës, humorin me të shëndetshëm dhe populli do e kujtojë për humorin e tij të madh dhe të shëndetshëm. Ai e donte dhe e ruante humorin. I pari njeri që thirrej në gëzime, ishte Skënder Sallaku. E donin njerëzit dhe sa e respektonin dhe kjo sepse kishte zemër të madhe. E njihnin nga të miturit dhe deri tek moshat e mëdha sepse ai bënte humor për të gjithë.
Politika
Edi Rama: Lajm i trishtueshëm vdekja e Skënder Sallakut, humoristit popullor që në kohe të zymta bëri të qeshin pleq e fëmijë! Ngushëllime familjes.
Lulzim Basha: Ndarja nga jeta e legjendës së humorit tiranas Skënder Sallaku më trishtoi pa mase. Pak jave më pare u takuam në Bashki. Përcillte si gjithmonë po atë humor dhe optimizëm që e shoqëronte emrin dhe praninë e tij prej dekadash. Skënder Sallaku ishte një nga artistët më të dashur për cdo qytetar të këtij vendi pavarësisht moshës. Ngushëllime familjes, miqve dhe artdashësve të tij të shumtë.
Prefekti i Qarkut Tirane, z. Sadi Vorpsi: Sot, Tirana shënon 94-vjetorin e shpalljes kryeqytet. Por kjo ditë bëhet më e varfër për të gjithë kur mësojmë se ikona e artit kryeqytetas, Skënder Sallaku, nuk do të jetë më fizikisht me ne. Ngushëllime familjes për njeriun e tyre të dashur, i cili i dha Tiranës shembullin më të mirë në aktrim, cirk e më gjerë. Respekte përjetë “Artistit të Popullit” që i dha shumë vendit dhe mori pak prej tij.
Komentet