EPILOG…
Kishte pak ditë që kisha mbushur 24 vjeç dhe isha diplomuar për shkenca ekzakte, siç thuhej rëndom kur studioje për shkencat e natyrës. Më priste shkolla e Bujanit, të filloja profesionin e ëndërruar të mësuesit, tek unë kjo ëndërr kishte zënë fill krejt natyrshëm, në një familje të gjërë ku në mesin e saj kishte 15 mësues, të qënit i dashuruar me këtë profesion ishte i kuptueshëm padyshim.
Në fakt, kur mbarova gjimnazin me rezultate të shkëlqyera kisha vetëm një dëshirë, të studioja gjuhë dhe letërsi shqipe, ndërkohë që bursat më të kërkuara ishin mjekësia dhe juridiku. Pritja ishte e ethshme, nuk ndjehesha mirë, pavarësisht se nuk kishte asnjë arsye për tu shqetësuar, kisha mesataren e kërkuar, por dhe rekomandimet e duhura për të fituar të drejtën e studimit në atë profil, kisha botuar krijimet e mia që në klasën e gjashtë, disa cikle të mirëpritura me poezi në “Drita” dhe “Zërin e Rinisë”. Ishim disa poetë dhe krijues të rinj që kishim filluar të spikasnim në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit, e cila ishte ndër më të mirënjohurat në Shqipëri për nga cilësia e emrave dhe veprave të krijuesve, sidomos ata që kishin dalë si brezi i artë i viteve 70’.
Të kishe mësues Ndoc dhe Feride Paplekaj, Hamit Aliaj dhe Skënder Buçpapaj, të kishe shok dhe mik Besnik Mustafajn, Shkelzen Zallin, Jaho Margjekajn, Arbër Ahmetaj…por dhe piktorë dhe skulptorë të mirënjohur ishte fat i madh historik dhe diçka krejt e papërsëritshme në kohë. Në Tropojë para së gjithash, në sfondin e mistertë dhe të mrekullueshëm të alpeve, pas tisit të ëndërrt të legjendave, miteve, baladave, këngëve dhe kcimit nën ritmin e fyellit magjik dhe tupanit, nuk kishe sesi të mos bëheshe krijues dhe artist…
Një ditë, pas pritjes së gjatë nga ne maturantët e vitit 1979, listat me të drejtat e studimit u shpallën të ngjitura disi pakujdesshëm dhe me një shkrim bukur të imët në xhamat e pallatit të kulturës.Nuk shkova menjëherë, i bindur se nuk kishte arsye të mos kisha fituar atë që kisha kërkuar, nuk kisha pretendime dhe as ekzagjerim në kërkesën time, të bazuar në prirjen time, por edhe në edukatën e marrë nga prindërit për të kërkuar gjithmonë atë që më takonte,të kuptoja veten dhe të gjeja gjithmonë limitet e mia reale në jetë. Ajo motoja e famshme “Njih veteveten” më përcillej vazhdimisht në dialogjet e mia të hershme me babain tim, më frenonte në fluturimet e pamotivuara djaloshare, duke dashur të isha gjithmonë me këmbë mbi tokë dhe duke bërë atë që vertet mundesha dhe dija ta bëja më mirë…
U afrova tek lajmërimet, kur pjesa më e madhe e shokëve të mi të klasës e kishin marrë lajmin e mezipritur, rrugës ndërsa afrohesha kisha dëgjuar pëshpëritje dhe komente ndërzë, kryesisht për ata që nuk kishin marrë asnjë të drejtë studimi, më pas për ata që çuditshëm kishin fituar të drejta studimi ku ndoshta nuk e meritonin, dikush do të studionte aty ku nuk e kishte kërkuar dhe as imagjinuar ndonjëherë…
Në këtë grupin e fundit çuditërisht bëja pjesë edhe unë, kisha kerkuar gjuhë dhe letërsi dhe më kishte dalë e drejta e studimit për Kimi Industriale…
Pas stazhit njëvjeçar shkova student në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, më pas në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe studioja shkencat e natyrës, ndërkohë që nuk i ndahesha letërsisë, lexoja pafund, përfshihesha në rrethet e njohura letrare dhe muzgu gati gjithmonë më zinte në bibliotekë.Dhe kështu, sa tek laboratori i kimisë dhe i biologjisë, tek ekspeditat në terren, duke mbledhur bimë dhe gjurmuar kafshë të ndryshme, sa tek aktivitetet letrare dhe artistike.Kështu pa u ndjerë erdhi fundi i studimeve dhe u paraqita në B.Curri për punë.
Në komitetin ekzekutiv të rrethit, sekretari i athershëm Sherif Mehmeti më priti ngrohtë dhe më afroi tre alternative punësimi. Pranova të shkoj mësues në shkollën e mesme bujqësore në Bujan.
DITA E PARË
Ndërsa i afrohesha shkollës, skaj oborrit të madh të saj kuptova se kisha veshur sandale dhe krejt rastësisht kisha harruar të vishja këpucët dhe të paraqitesha sa më serioz që në paraqitjen time të parë aty. Në derën e shkollës ndodhej drejtori i saj, Kadri Bashaj i cili disa ditë më vonë u largua dhe u zëvëndësua nga Selim Kuliçi. Akoma pa u prezantuar mirë, kolegu i edukimit fizik, Bajram Gjongecaj po nisej për një kros deri tek Ura e Bujanit me nxënësit e tij, i cili më ftoi të shkoja me të, të kalojnë edhe emocionet te fshati yt i vendlindjes më tha …
Më kujtohet shpesh mësuesi i vjetër i biokimisë, Idriz Margjeka, i cili pas pak kohësh do të dilte në pension. Duke biseduar për herë të parë në aneksin e ftohtë të laboratorit të kimisë, ku dallova provëzat e shpërndara në tavolinë dhe skaj tyre një fushë shahu, ai dalloi pak hezitimin dhe ndrojtjen time dhe me një gjuhë të drejtëpërdrejtë më tha se do të kalojë kjo gjendje, merre me sportivitet, ti je bash në vendin tënd, do ta kesh me lehtë, por besa edhe vështirë se përgjegjësia jote është shumë e madhe, Je nipi i Mustaf Botushës më tha, djali i Idriz Logut dhe mos qofsha në vendin tënd. ..
Dhe duke qeshur pak ironikisht tërhoqi prej murit një thupër të hollë dhe u nis për në orën e tij të mësimit.Ashtu e kam në kujtesë, i hollë dhe i dobët, në njërën dorë cigaren që se fikte kurrë më dukej dhe thuprën që kurrë se hiqte prej dore.Vinte së bashku me mua ndërsa zinim gjarpërinj, bretkoca, insekte në brigjet e përroit që lakohej poshtë shpatit ku ishte shkolla. Ai nuk kishte frikë, nëpërkat i zinte me dorë, në hapësirën e laboratorit unë hapja enët e balsamosjes me formalinë, ndërsa ai u fuste kokën aty dhe i mbante deri sa ngriheshin në aromën e formalinës. Deri sa një ditë njëri i shpëtoi nga dora dhe mezi e zuri prapë kur i egërsuar gjarpëri sulmonte rrezikshëm. Nga ajo ditë nuk i kapëm më, fillova ti shoh shpesh në ëndërr dhe ai u dakordësua me mua ti linim të qetë në fatin e tyre. Kur doli në pension dhe u largua rrugës së Rosujës ia pashë lotin e fshehur dhe brengën e madhe të largimit, heshti, nuk foli asnjë fjalë, veç mbeti me kryet pas duke shikuar nga të gjitha këndet shkollën, që ngadalë i fshihej tashmë shikimit të tij…
ORA E PARË NË SHKOLLËN E MBRËMJES
E kujtoj qartë, sikur të kishte qënë sot, në orën 16 00, pasi kisha pirë një kafe me kolegët tek klubi i fermës, siç thirrej klubi që ndodhej në qendër të sektorit të ndërmarrjes bujqësore në Dojan, për të pushuar sadopak nga mësimi i paradites. Hyra për mësim në klasën e dhjetë, me nxënësit që e ndiqnin shkollën pa shkëputje nga puna, ose “natën” siç perifrazohej shpesh nga ata. Vendosa regjistrin lehtë mbi tavolinë, klasa ishte plot, diku mbi 25 veta, nga të gjitha moshat, mbaj mend më i vjetri ishte Idriz Berbati, kur ndesha pamjen e tij më erdhi aq rëndë, menjëherë ju bëra shenjë të uleshin. Vetë u mbështeta një çast në cepin e tavolinës së mësuesit dhe krejt sponatanisht i kam pyetur:
“A mundem unë të jem mësuesi juaj?!” Më zë të ulët, aq sa ndoshta kisha folur thjeshtë me veten…
Pesë vitet e ngarkesës time mësimore në këtë shkollë mbrëmje ishin vërtet interesante, nuk e di pse kurrë nuk e konsiderova dot me emërtimin e tyre të natës, më dukej se nxihej dhe shëmtohej misioni i saj dhe sakrificat e tyre. Shumica prej tyre punonin gjithë ditën në kooperativë, nuk kishin kohë as për drekë dhe as për tu ndërruar, kur nga dritarja ime e punës i shihja në këmbë, në oborrin e shkollës, në shi dhe diell, teksa përpiqeshin të përsërisnin sadopak ligjet e biologjisë apo formulat e ithta të kimisë organike, kisha keqardhje, por edhe mirënjohje të sinqertë për ta. Ndonjëherë nuk kishim as xhama dimrit, por vetëm plastmas, fikeshin dhe dritat, vonoheshim ndërsa kaplonte errësira, kishin për të bërë shumë rrugë kthimi për në shtëpi, por gjithësesi kishin vendosmëri dhe vullnet të paparë për tu shkolluar dhe një kod të jashtëzakonshëm komunikimi. Nga marrëdhënia e tyre kam mësuar shumë, jam rritur dhe maturuar, duke ruajtuar deri në fund të jetës kujtime të çmuara për të gjithë ata.
Një pjesë e madhe e tyre ishin bashkëfshatarët e mi, në klasë sa mundeshin mbanin seriozitetin e duhur, më pas u bëmë miq të mirë dhe të paharrueshëm. Me dy prej tyre, Cen Secin dhe Vehbi Ademin, për vite me rradhë ngjitem majat më të larta të bjeshkëve tona, eksploruam bjeshkët e gjyshërve dhe të parëve tanë, mblodhëm bimë për herbariume, fotografonim dhitë e egra dhe arushat e kreshtave, shkruanim emrat e më të dashurve tanë në drurë dhe faqe gurësh, rihapnim shtigje malore të humbura në harlisjen e pyllit dhe endërronim rrugët e hapura në bjeshkë, bujtinat dhe teleferikët nga ku njerëz nga e gjithë bota do të përshkronin parajsën tonë natyrore të Bjeshkëve të Namuna.
Çdo vit, por në mënyrë të veçantë sivjet, kur u ngjita rrugës së re të bjeshkës, nga Markajt deri në Bishevë, si një homazh i përjetshëm i miqësisë mblodha lulet më të bukura të majit dhe i vendosa pranë emrave të tyre të gdhendur edhe prej meje…
Një udhëtar i huaj, pedagog në universitetin amerikan të Sofjes, Ivan Dinkov, alpinist dhe kërkues i shquar, para disa vitesh ia behu në oborrin e shkollës “Jaho Salihi”. E prita dhe e shoqërova në shkollë, i fola për historikun e saj të shquar si nismëtare dhe bazë e zhvillimit krahinor të arsimit tropojas, ndërkohë nga dritaret shikoi nga Maja e Hekurave dhe më luti ta shoqëroj të ngjitej atje. Ishte fundvjeshte, mjegulla tinzare kishte filluar shpejt ta kaplonte pamjen e saj madhështore dhe ta fshihte në gjirin e saj qumështor. Rrugës i fola për Cenën dhe Vehbiun, për mënyrën sesi i kishim ngjitur ne malet, pa konopë, ganxha apo mjete të tjera mbrojtëse. Eh, kjo është forca e madhe e miqësisë dhe e dashurisë miku im, më tha anglisht Ivani dhe më deklamoi disa vargje të njohura të Uollt Uitmanit, nga libri “Fijet e barit” …
Më vonë, në shenjë respekti për Bujanin, Bjeshkët e Namuna, Majën e Hekurave, Cukalin, Droçën dhe gjithë historitë e mrekullueshme me Mujin dhe Halilin, Omerin dhe vajin e pavdekshëm të Ajkunës, ai u bë përkthyesi i poezive të mia në gjuhën bullgare, me titullin “Malet e mia”
NGA HISTORIKU I SHKOLLËS
Me 17 tetor 1922, sipas një versioni historik, në Dojan, në shtëpinë e Ali Jakupit i hapte dyert e para shkollë shqipe për Bujanin. Asokohe kishte 40 nxënës, me mësues Osman Shaqiri nga Gjakova, i njohur me firmën e tij në deftesë “Manshaqja”. Më vonë, për 5 vite me rradhë nëpër shtëpitë e fshatit, si në sobën e Arif Haxhisë, të Zeqir Sadikut, të Rrustem Ukës dhe më pas në mejtep të xhamisë me mësues të pare vëndas Rexhep Shpendi, me këmbënguljen e tij hapet me 1937 shkolla në Rudesh, me 5 klasë.
Këtu dha mësim mësues Rexhepi me të motrën Ajshen, më pas erdhi edhe një mësues gjakovar i quajtur Sahit Bakalli. Si fillim shkolla në Rudesh kishte 60 nxënës, të gjithë djem, më pas erdhën disa vajza.
Gjatë pushtimit fashist të 1939 numri i nxënësve në këtë shkollë ra në 40. Në vitin 1941, aty nga marsi, shkollën e Rudeshit e rrënuan shovinistët serbomalazezë dhe fëmijët mbeten pa mësim. Me çlirimin e Shqipërisë mësimi vazhdon në mejtepin e xhamisë me 70 nxënës, djem dhe vajza. Mësimi bëhej me një fuqi mësimore, një mësues me katër klasa. Filloi Sali Hoxha nga Rosuja dhe Rifat Domi nga Kukësi. Aty e bëri klasën e I-II dhe babai im Idrizi.
Në vitet 1946-1947 në trollin e Hajdar Keqanit u ndërtua një shkollë fillore me dy dhoma mësimi dhe një zyrë dhe me dy fuqi mësimore të ardhur nga jashtë rrethi, por mësim aty dha edhe Binak Zenun Ponari, Zenel Halili, Mazllum Hoxha, Bafte Saraçi, Lirie Turku, Ali Sahatçia…
Aty mbaruan filloren Dash Alia, Qazim Hoxha, Avdyl Hamza, Idriz Logu, Zenel Vidrica, Gani Meli, Musa Ymeri, Nikoll e Murat Geci etj.
Në vitin 1947 u hap shkolla në Markaj , me mësues Idriz Sali Breçanin e më gjatë aty dha mësim mësuesi Zenun Rama. Në vitet 1962-1963 ndërtesa e fillores në trollin e Hajdar Keqanit u bë 7 vjeçare nga ku vijonin mësimet nxënës nga Dojani, Bllata, Bujani, Rosuja, por edhe nga Gria. Kjo shkollë arriti të ketë 600 nxënës në vitin shkollor 1970-1971.
Selim Matoshi, drejtuesi shumëvjeçar i arsimit dhe kulturës në Tropojë në vitin 2004 botoi pas disa punimeve të ndryshme me karakter pedagogjik, librin “Një shekull dritë” mbi arsimin në Tropojë në shekullin XX. Në lidhje me hapjen e shkollës në Bujan ai shkruan:
“Lidhur me hapjen e kësaj shkolle me 19 nëntor 1922, nën kryesinë e zevëndësinspektorit të arsimit për prefekturën Kosova, Kel Vila, me të parët e Bujanit formohet Këshilli Arsimor, që është i pari në historinë e arsimit të Tropojës. Në këtë këshill bënin pjesë Kel Vila, kryetar, Sali Mani, Syl Hoxha etj. Këshilli vendosi të hapet sa më shpejt shkolla e Bujanit dhe pasi diskutoi shtëpitë e Mulla Alisë, Imer Hoxhës dhe Ali Rrustem Jakupit, u pëlqye kjo e fundit. Meremetimi dhe qeraja do të përballoheshin nga katundet e Krasniqes dhe për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi këshilli miratoi një komision me kryetar Syl Hoxhën dhe anëtarë Ali Jakupin dhe Bajram Tahirin. Kurorëzimi i të gjitha përpjekjeve ishte hapja e shkollës në katundin Bujan me 04 janar 1923”.
Gjatë përgatitjes për botim të librit të tij Selim Matoshi ka pasur në duar shumë dokumente, në debat për datat e hapjes së shkollës së Bujanit ai mbështetej në një dokument të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, në kujtimet e mësuesit Rexhep Shpendi, por më së tepërmi në një deftesë shkollore të asaj kohe, me Nr.53, ku është shënuar se mësimet kanë filluar me 04.01.1923 si dhe në dokumentin e transferimit të mësuesit Osman Shaqiri (Mano Shaqja).
Sipas mësuesit, gazetarit dhe studiuesit Murat Gecaj “ Në janar 1923 u hap shkolla fillore në fshatin Bujan, me mësues Osman Shaqirin (ardhur nga Gjakova), që pati ndikim të veçantë në zhvillimin arsimor e kulturor të Malësisë së Gjakovës. Pas tij aty shërbyen dhe mësuesit kosovarë Hilmi Kryeziu e Sahit Bakalli, si dhe mësues të ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si Rifat Domi, Ali Sahatçia, Liri Turku, Selaudin Terihati etj.
Shkolla e Gjonpepajt, e Bujanit dhe të tjerat, që u çelën në tërë Malësinë e Gjakovës (Tropojë), shërbyen si përhapëse të dritës e diturisë në malësitë tona, edukuan luftëtarë për çështjen kombëtare shqiptare. Ndër dhjetëra mësues, që shërbyen me përkushtim në këto shkolla, janë dhe bijtë e kësaj krahine, “Mësuesit e Popullit”: Elez Gashi, Rexhep Shpendi (Paci), Mustafë Botusha, Zenun Margjeka, Hasan Neza e Fahri Doçi; “Mësuesit e merituar”: Ramë Mella, Elez Isuf Qerimaj, Mehmet Hyka, Ibrahim Zhana e Beqir Bala; mësuesit veteranë Salih Kolgeci, Zenel Halili, Idriz Margjeka, Halil Muja, Azem Hoxha, Maxhun Gjoni, Muharrem Ndoçi, Kadri Basha, Sherif Dizdari, Mehmet Margjeka, Nuredin Lushaj, Adem Rrustemi, Sylejman Madani, Hamdi Bajraktari dhe shumë të tjerë. Ndihmesë të çmuar në mbarëvajtjen e shkollave në këtë rreth dhanë edhe femrat. Janë të njohura mësueset e para të krahinës: Ajshe Shpendi, Sofë Rrustemi, Zizë Nimani, Dushë Salihi e Rukie Rama, si dhe më pas “Mësuesja e merituar” Rivë Shpati e të tjera. Gjithashtu, të paharruara mbetën në kujtesën e malësorëve dhjetëra mësuese vullnetare nga rrethit i Fierit, të cilat shërbyen në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), në vitet ’70-të
Shkolla ka filluar në kushte të rënda, pa banga, karrige dhe stola, pa libra dhe fletore, por këto vështirësi si dhe kushtet e motit nuk i penguan malësorët e Bujanit në rrugën e tyre drejt dijes dhe përparimit. Dhe padyshim kjo kishte rëndësi përtej datës së saktë të hapjes së saj…
NJË ÇEREK SHEKULLI
E kush e kishte menduar dhe pakkush e di, në shkollën e Bujanit, në dy periudha të ndryshme kalova 25 vjet si mësues!
Si askush tjetër. Ajo ishte dhe mbeti një periudhë e artë e imja, e cila në kompleksitetin e ngjarjeve dhe personazheve që ngërtheu në mua shënjoi një epokë të konsolidimit në profesion, por edhe të karakterit tim dhe atë ditë të fundit të vitit 2017, kur u largova përfundimisht, ndërsa ecja në rrugën e kthimit për në qytet, rrugë që e kisha përshkruar ditën dhe natën, në shi e borë, vetëm dhe me shokë, i hidhëruar dhe i lumtur, duke u kredhur në kaleidoskopin gjigand të kujtimeve, u përlota dhe më është dukur se diçka aq e rëndësishme e imja, befas më është shkëputur nga gjoksi im. Mu kujtua kolegia ime Rukë Neza, një grua zonjë, e butë dhe e heshtur që i mësonte aq mirë nxënësit e saj. Viteve të fundit ndihej e lodhur, ndoshta sëmundja që i mori jetën parakohe ndikonte në ritmin e saj, e takoja në pushimet mes orëve, shpesh më drejtonte të njëjtën pyetje:
”A do të mundemi të arrijmë pensionin profesor?!” Mu duk se atë ditë të largimit edhe unë po dilja në pension…
Buzëqeshja, kaloja me një shaka momentin trishtues të saj dhe më vonë kam arritur të ndiej dhe kuptoj dilemën e njeriut të ndershëm dhe të mirë, nëse do të mund të arrijë të përfundojë me nder misionin e tij fisnik. Humbja e saj si edhe e disa kolegëve të tjerë të këtij kolektivi të mrekullueshëm, të larguar nga jeta në kohë të ndryshme gjithmonë më ka lënë një mungesë të dukshme për shkak të marrëdhënieve vertet të mira mes nesh gjatë kohës që punuam së bashku. Në betejën për tu afirmuar, për të gjetur besimin tek nxënësit dhe prindërit, për të pasur rezultate objektive.
Në Bujan tre gjëra shërbyen si shtylla ku u mbajt denjësisht jeta ime prej mësuesi dhe jo vetëm, mirëkuptimi dhe marrëdhënia ime e konsoliduar me nxënësit, prania gjithmonë e kolegëve dinjitozë dhe bashkëpunues si dhe mirënjohja, pranimi dhe dashuria e komunitetit të Bujanit, i cili më konsideroi deri në fund si birin e saj.Dhe Bujani vertetë ishte dhe mbeti vendi im i dashur dhe i shtrenjtë. Në çdo cep të asaj shkolle janë hapat, mendimet dhe përjetimet e mia të cilat shkojnë së bashku në kujtim me emrat dhe veprimtarinë e të gjithë kolegëve të cilët kontribuan secili në mënyrën e tyre në emrin dhe lavdinë e kësaj shkolle.
Kadri Basha, Selim Kuliçi, Rrustem Preçi, Haxhi Syleci, Demë Buçpapaj, Shkelzen Breçani, Mal dhe Bajram Buçpapaj, Avdyl Buçpapaj, Gjylë Buçpapaj, Lume Dizdari, Jolldyz Hoxha,Rabë Hoxha, Valbona Mehmetaj, Hajrie Buçpapaj, Albina Bashkurti, Sose Bashaj, Sabrie Bashaj, Sherif Mulosmani, Valdete Bujupi, Fasli Dauti, Tonin Gjuraj, Çel Hajdari, Ibish Doçi, Hajrie Madani, Hajrie Malaj, Kumrie Hasanpapaj, Hatë Baliaj, Zojë Sinani, Zojë Gega, Diana Hykaj, Dhurata Hyseni…
Vargu do të ishte mjaft i gjatë, renditja krejt rastësore, por pa dyshim çdonjëri prej tyre ka shkruar gjurmën e vet, e cila shënjon kontributin e tyre në këtë shkollë tashmë 100 vjeçare. Duke shtuar edhe brezat më të rinj që vazhduan stafetën në këtë shkollë, pavarësisht ulje ngritjeve të saj cilësore dhe sasiore, e lidhur me zhvillimin e reformave arsimore, me ndryshimet demografike, uljen e numrit të nxënësve etj.
Kur u ktheva përsëri në Bujan, në dhjetor të vitit 2015 pasi në vitin 1997 isha transferuar si inspektor arsimi në Drejtorinë Arsimore, gjeta pikërisht këtë brez të rinjsh por edhe disa nga kolegët e mi të mëparshëm. Punova përsëri pa paragjykim, me zemër dhe duke motivuar çdo ditë veten dhe nxënësit e mi, pavarësisht se shumçka kishte ndryshuar. Disa vite punova si i vetmi mësues në Bujan , të gjithë mësuesit e tjerë ishin kolege, por respekti dhe mirënjohja e tyre ishin gjithmonë mbështetje fisnike për mua. Pastaj kolege imja u bë dhe ime shoqe Hedia, 9 vite punuam së bashku në këtë shkollë, një përvojë e bukur dhe gjithësesi unike në llojin e saj. Me Bedri Taren, Hasime Hasanpapaj, Petrit Prengzaj, Dylbere Bashaj, Çetina Halucaj, Vera Hasanpapaj, Anila Ponarin, Shpresa Pepnikun, Valentina Nezën, Hajrie Malaj, Erjona Doçi, Fatmira Hasanpapaj, Bukurie Shiqerukaj…
Laboratori i kimisë dhe i biologjisë, të cilin e rigjeta gati ashtu siç e kisha lënë, falë kujdesit dhe ruajtjes edhe nga komuniteti vendas, sidomos nga Syrja Basha,pas ngjarjeve të vitit 1997, plot herbare të ndërtuara me nxënësit e mi, duke udhëtuar kudo nëpër male dhe fusha, balsamimet me zogj dhe zvarranikë të ndryshëm, me portretet e varura në mur të Çarls Darvinit dhe me tavolinat plot punime interesante të nxënësve të mi të apasionuar si natyralistë e pasurova dita- ditës akoma më shumë dhe me motivim dhe energji të pashuar.
Ai u pasua nga ndërtimi i laboratorit modern të informatikës, aq i nevojshëm për kohën .
Më pas edhe nga muzeu i traditave etnokulturore të zonës.
Brezat ndrroheshin, përcillja me dhimbje dhe mall nxënësit që e mbaronin shkollën dhe shkonin për të studiuar diku tjetër, por kurrë nuk harronin, ktheheshin më takonin, shprehnin mirënjohje dhe ndjeheshim si miq të përjetshëm së bashku.
Në fund të fundit ky është kuptimi i vertetë dhe thelbi i misionit fisnik të mësimdhënies së suksseshme dhe dëshmia e të qënit i besueshëm dhe bashkëkohor. Dhe krenaria e ligjshme se zgjedhja jote e profesionit dhe përpjekja jote për të realizuar misionin tënd ka qënë e duhura.
Në vitin e 40-të të punës, kur analizon sinqerisht dhe realisht karrierën tënde, arritjet, mangësitë dhe dështimet, përpiqesh të skajosh majat dhe të mposhtësh sadopak erërat që kanë nisur të fryjnë nga perëndimi, më shfaqet Bujani me shkollën 100 vjeçare dhe krenar i pohoj vetes, por edhe të tjerëve se ndihem i lumtur që 25 vite të jetës time i lashë atje, në vazhdimin e konsolidimit të arsimit dhe kulturës së vendlindjes sime të shtrenjtë. Nuk kam tatu në lëkurën time, por Bujani është përjetësisht tatu në zemrën time…
Tropojë, 01 Mars 2023
Nga libri në proces “ Bujani tatu…”