DR. PJETER PEPA (1942 – 2014)
Pritja me buzqeshjen Tuej dashamirse në kliniken dentare të Shkodres, s’ na lejon me kalue pervjetorët pa Ju kujtue, o i Nderuemi Doktor Pepa!
Ju ishi një tubë vllazen të paharrueshem në Arren e Madhe të Shkodres plakë, që keni trashigue vetitë mikpritëse dhe burrnore të njenes nder lagjet ma të vjetra dhe të nderueme të qytetit tonë të bukur të Veriut!
E Shkodra, nuk i harron kurr Bijtë e Saj të shtrenjtë e të nderuem! Ajo me kujtesen e Saj të skalitun nder Gurt’ e Rozafës, kujton me respekt Mikpritjen Tuej vllaznore gjithmonë të haptë e bujare si vetë Shkodra!
E pra, Ajo Shkoderlocja të lindi, të rriti edhe të Burrnoi o Pjeter Pepa!
Jo larg nga kryqzimi i rrugve të Arrës së Madhe në Shkoder, ku asht edhe Kisha e Kuvendi i Françeskanve të vjeter të Shkodres, nen tingujt shumë të bukur t’ atyne kumonve asht le me 18 Dhetor 1942 Pjeter Pepa. Jo larg shtëpisë edhe asht shkollue në tetëvjeçaren e asaj lagjes së tij të vjeter. Në vitet 1960-1965 ka krye Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji, ku asht kenë student i dalluem në të gjitha drejtimet. Asht emnue në kliniken dentare në Shkoder në vitin 1965. Ishte i prirun per studime e ajo asht arsyeja që s’ asht shkëputë asnjëherë prej librave. Dr. Pjeter Pepa ishte nder dentistët ma të persosun dhe të preferuem të Shkodres. Kujtoj shumë mirë kur botimet e para shkencore i ka fillue në vitin 1966 në revistat periodike: “Shëndeti”, “Shëndetësia Popullore” , “Buletini Shkencave Mjeksore” , “Buletini Stomatologjik”, dhe në organet e shtypit periodik, ku ka botue edhe artikuj të karakterit historik dhe kulturor.
Në vitet 1969-70 Dr. Pjetri, ka shërbye në Lokalitetin e Dukagjinit, ku ka vazhdue me mbledhë materiale studimore nga ajo krahinë. Në vitin 1972 ka krye kursin 3 mujor në Universitetin Shteteror në Tiranë, dhe ka dhanë disa provime në Fakultetin e Histori-Filologjisë mbas-universitare edhe per gjuhët italisht, frëngjisht e gjermanisht që kishte prirje per ato. Në vitin 1974 asht specializue prap pranë Katedres së Stomatologjisë per Ortodonti. Gati dhjetë vjet, ka drejtue repartin e Sherbimit të fëmijëve në Kliniken dentare në qytetin e Shkodres, ku dallohej per kujdesin e madh që tregonte per shndetin e tyne gjithmonë i qeshun dhe i gatshem.
Në periudhën 1990–1996 asht angazhue në proçeset demokratike, e asht kenë zgjedhë Deputet i Kuvendit Popullor per dy Legjislatura rradhazi.
Dr. Pjeter Pepa ka krye edhe detyren e Ambasadorit të Shqipnisë pranë Selisë së Shenjtë – Vatikan, gjatë vitit 1997, kur aty drejtonte Papa Gjon Pali i II, dhe kujtohet mirë nga qytetarët e Shkodres komunikimi i Tyne.
Ishte viti 1998 kur asht kthye në profesion të lirë si pedagog i jashtem pranë Fakultetit të Mjekësisë. Dr. Pepa mbante detyren e Shefit të Sherbimit të Pedodontisë pranë Albanian – University e, Shefi i Sektorit Shkencor të Departamentit të Stomatologjisë pranë Universitetit.
Ishte Anëtar i Komisionit Historik per Kanonizimin e Martirëve Shqiptar per Vatikanin. Asht i dekoruem nga Presidenti i Republikës i asaj kohë me “ Medaljen e Trimërisë”, dhe ishte i zgjedhun nga Kuvendi Popullor me detyren e Anëtarit të Bordit Drejtues të “Institutit Studimor per Krimet e Komunizmit në Shqipni”. Ka shumë vlerë saktësia historike!
Dr. Pjeter Pepa asht autor i shumë botimeve shkencore, kulturore dhe politike, ku perfshihet edhe libri “Dosja e Diktaturës” Tiranë 1995, Nder botimet ma të randsishme të Dr. Pjetrit mbeten ata historiko – fetare të vitit 2007, me titull “Tragjedia dhe lavdia e Kishës Katolike Shqiptare”, nder dy vllime, e “Familje Martire per Fe e Atdhe”, ku spikatë mjeshtria e Autorit në paraqitjen e saktë e, gjithshka e dokumentueme historikisht.
Me daten 23 Mars 2014, plot 10 vjet ma parë Dr. Pjeter Pepa, u nda nga kjo jetë papritmas per ne që ishim larg nga Shkodra.
Qyteti i Shkodres humbi një nga qytetarët e përgaditun si mjek dhe, një nga dijetarët e njohun e të pazevendsueshem në fushen historike.
Institucionet e interesueme të Shkodres per Veprat e Dr. Pjeter Pepës, asht mirë që të ribotojnë prej thesareve të Tij kryesisht ato Vepra që janë aq të doemosdoshme per edukimin atdhetar të Rinisë Shqiptare. E mos harroni se Veprat e Tij historike kerkohen edhe n’ Australinë e largët!
Mjerisht qytetarët si Dr. Pjeter Pepa, nuk vijnë shpesh qytetit Shkodres!
Kujtimi i Dr. Pjetrit kjoftë i Perjetshem!
Melbourne, 21 Mars 2024.