Ibrahim Rugova (2 dhjetor 1944 – 21 janar 2006) ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006, ishte Intelektual,politikan, akademik dhe shkrimtar shqiptar[1]. Rugova mbante titullin Doktor.
Presidenti Ibrahim Rugova ishte bashkëthemeluses i Lidhjës Demokratike të Kosovës e cila ishte levizja e parë demokratike gjithë popullore ne Kosove qe udhehoqi popullin e Kosovës drejt rrugës për Liri,Pavarsi e Demokraci dhe qe më vonë do te transformohej ne Parti Politke dhe Rugova ishte kryetar i saj qe nga themelimi i saj më 23 Dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur nderroi jetë[2][3]
Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës[4][5]. Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.
Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.
Biografia[redakto | redakto tekstin burimor]
Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në École Pratique des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Pastaj, për afro dy dekada, Ibrahim Rugova veprimtarinë e veta shkencore i zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.[6]
Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
Si intelektual që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.
Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.
Ibrahim Rugova vdiq me 21 janar 2006 , u varros me nderime te larta shteterore dhe ushtarake.
Funerali i Ibrahim Rugovës ishte njëri nga më të mëdhenjtë të historisë shqiptare.
Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Veprat
Prekje lirike, (1971)
Kah teoria, (1978)
Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, (bashkëautor me Isak Shemën), (1976), Instituti Albanologjik, Prishtinë,
Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), (bashkëautor me Sabri Hamitin), (1979)
Strategjia e kuptimit, (1980)
Vepra e Bogdanit 1675-1685, (1982),
Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986
Refuzimi estetik, (1987)
Pavarësia dhe demokracia, (1991)
Çështja e Kosovës, (1994)
Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, (2005)
Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë
Më 1995, Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer, Danimarkë.
Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.
Më 1998, Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe i qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.
Në vitin 2000, Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.
Në vitin 2004 Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.
U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Më 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
Në vitin 2006 Persidenti i Shqipëris, Alfred Moisiu dekoroi Presidentin Ibrahim Rugova (post mortum) me çmimin “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”
Simbolet e Kosovës të propozuara nga Presidenti Rugova
Flamuri i Dardanisë
Himni Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë
Komentet