Shkruajnë: Qamil xhani, Etleva DELIA
Vizita e politikanit më të pushtetshëm në botë në një vend si Shqipëria nuk ka si të mos jetë një ngjarje e veçantë. Por brenda momentit historik që u zhvillua për tetë orë në Shqipëri, ka dhe një mori faktesh që i shtojnë elementët e surprizave dhe rastësive. Gazeta “Tirana Observer” boton sot 100 elementët më të veçantë që shoqëruan dy ditë më parë vizitën e Presidentit amerikan, Xhorxh W. Bush.
Të veçantat
480 minutat e qëndrimit të Bushit në Shqipëri u pasqyruan nga gjithë media botërore. Po ka ca detaje që nuk u vunë re nga të gjithë. Ja për shembull, si në çdo vend një mysafiri të tillë i jepen dhurata. Dhe politikanët tanë një rast më të mirë për të qenë zemërgjerë nuk kishin. Por një president amerikan mund të marrë dhurata personale deri në vlerën 100 dollarë. Kur vlera e dhuratës e kalon këtë shifër, atëherë ajo ngelet në muzeun e Shtëpisë së Bardhë. Në fakt dhuratat e zyrtarëve tanë ishin shumë më të shtrenjta se 100 dollarë. Të gjithë e dinë gjendjen e rrugëve shqiptare, dhe në këto rrugë Presidenti i SHBA-së bëri jo pak, po rreth 40 kilometra nga Rinasi në Tiranë dhe Fushë-Krujë. Ndërkohë që masat e rrepta të sigurisë bënë që jeta normale e kryeqytetit shqiptar të ndryshojë. 15 mijë policët e dislokuar në Tiranë e arritën të ruajnë sigurinë e Presidentit Bush pa asnjë incident të rëndë. Por nuk munguan dhe raste kur qytetarët thyen rregullat, si qëndrimin mbi tarracat e ndërtesave apo dhe filmimi me kamera nga ballkonet.
Batutat
Për ata që e takuan nga afër Presidentin amerikan, më shumë përshtypje u kish bërë humori i tij. Bush gjatë takimeve nuk ka mbajtur një qëndrim zyrtar, por shpeshherë e ka ndezur atmosferën me batuta. E para që duket se është dhe më me kuptim, është ajo që i ka thënë Presidentit Alfred Moisiu, “Kur të mbaroj mandatin do të vij të jetoj në Shqipëri”. Ndërsa batuta tjetër është një koment mbi konfliktet në politikën shqiptare. Bush mësohet se ka thënë gjatë pritjes në Pallatin e Brigadave se, “në Amerikë politikanët zihen më shumë se këtu”.
Bush: Do vij të jetoj në Shqipëri
I entuziazmuar nga pritja në Tiranë, Presidenti Bush mësohet se u ka thënë politikanëve shqiptarë në mënyrë konfidenciale se kur të mbarojë mandatin do të vijë të jetojë në Shqipëri.
Batuat e Bush
Gjatë takimeve më politikanët shqiptarë Bushi ka thënë jo pak batuta. “Edhe në SHBA politikanët grinden, madje më shumë se këtu”. Ndërsa fotografëve u ka thënë: “Bëni foto se janë pa para”.
Dhuratat që ngelen në Shtëpinë e Bardhë
Sipas ligjit çdo dhuratë që i jepet Presidentit dhe kushton mbi 100 dollarë duhet të ngelet në Shtëpinë e Bardhë kur ai lë mandatin. Dhuratat e politikanëve tanë ishin të gjitha në vlera mbi 100 dollarë, piktura, flori etj.
Bush bashkon të majtën dhe të djathtën
Për herë të parë politikanët shqiptarë kanë qëndruar bashkë për një orë e 50 minuta. Në takimin me Bushin në Pallatin e Brigadave askush nga politikanët nuk është larguar para kohe nga ceremonia.
Çaj mes dy “first lady”
Në momentin që President Bush zhvillonte takimin kokë më kokë me homologun Moisiu, një tjetër takim zhvillohej në Presidencë. Vajza e Presidenti pinte një çaj me zonjën e parë të SHBA-së Laura Bush.
Medalja për Bushin
Bush u nderua nga Alfred Moisiu me medaljen më të lartë të shtetit tonë, “Urdhri i Flamurit”. Kjo medalje është bërë veçanërisht për Bushin dhe u është dhënë vetëm dy figurave, Bill Klinton dhe Ibrahim Rugova.
Kosova “pret” Bushin në Tiranë
Me qindra kosovarë erdhën për t’i uruar mirëseardhjen Presidentit Bush në Tiranë. Ky numër pritej të ishte shumë më i madh, por masat e sigurisë bënë që shumë prej tyre të mos vinin.
Falin botën për një foto me Bushin
Nuk ishin të paktë politikanët që kanë bërë të pamundurën për të pasur një shtrëngim duarsh me Bushin, apo një foto në CV-të e tyre. Por vetëm disa të privilegjuar e patën këtë fat.
Ballkani 8 vite pas luftës
Tetë vite më parë Ballkani mbylli kapitullin e luftërave. Pikërisht në përvjetorin e mbarimit të luftës, Bush në takimin me kryeministrat e “Kartës A3” u premtoi atyre integrimin në NATO.
Bush në Tiranë, imamët nën vëzhgim
Antiterrori dhe SHISH kanë futur në planin e masave të tyre për vizitën e presidentit Bush edhe imamin e Krujës, Olsi Veseli. Ai ishte një ndër personat e skeduar nga CIA dhe është vëzhguar për orë të tëra.
Bush: Faleminderit për sigurinë
Në fund të vizitës Presidenti Bush falënderoi drejtuesit e policisë për sigurimin e jetës së tij. Ai takoi në shenjë falënderimi drejtuesit e lartë të policisë, drejtuesin e SHISH dhe komandantin e Gardës.
Rrësheni, kundër Bushit
Reagimet e para kundër ardhjes së Presidentit Bush në vendin tonë janë shfaqur nga komunistët e Rrëshenit. Përgjatë gjithë natës të së shtunës në rrugët e qytetit janë vendosur disa pankarta kundër tij.
Pastruesja “kamikaze”
Korpusi Universitar shërbeu si pikë strategjike për marinsat, ku ata u pozicionuan për të mbajtur situatën nën kontroll. Ata kanë ndaluar një pastruese të fakultetit, e cila kishte harruar çantën dhe ishte kthyer për ta marrë.
Kur vjen Bush s’mund të sëmuresh
Edhe pse rruga ku ndodhej banesa e tyre nuk ishte bllokuar, të afërmit e një të sëmuri nga lagjja Allias e Tiranës kanë lajmëruar policinë, pasi nuk e dinin nëse mund të shkonin në spital.
“Air Force One”, ulet në pistë djathtas
Siguria e Presidentit Bush fillon me uljen e “Air Force One” në pistën e aeroportit. Avioni kthehet gjithmonë në të djathtë, mirëpo në pistën e vogël të Rinasit një gjë e tillë u bë me shumë mundim.
Grupet me mbi dy veta shoqërohen në polici
Gjatë kalimit të eskortës presidenciale, policia dalloi disa “shkelje”. Policia shoqëroi në qeli dhjetëra kalimtarë, të cilët në momentin që delegacioni kalonte në rrugët e Tiranës, ishin më shumë se dy veta.
Bush, “kundërvajtje” në bulevardin “Zhan Dark”
Pas përfundimit të vizitës në Tiranë, eskorta e Bushit dhe delegacionit të tij, kanë kaluar nga po e njëjta rrugë që kanë ardhur, nga bulevardi “Zhan Dark”. Sipas ligjit, është kundërvajtje, por gjithçka është lejuar për Presidentin.
Asnjë makinë në qendër të Tiranës
Për ambientalistët 10 qershori mund të ishte dita ideale. Asnjë makinë nuk gjendej në qendër të qytetit. Policia largoi çdo makinë të parkuar duke përdorur dhe karroatrec.
Nën vëzhgim me snajpera dhe fëmijët
Masa të rrepta sigurie ka pasur dhe në vendet ku shkoi Zonja e Parë e SHBA-së. Mbivendosje sajperash është vënë re në tarracat e pallateve pranë maternitetit “Geraldinë”.
Top-Gan në qellin Shqiptar
Në lartësi të konsiderueshme tri skuadra avionësh gjuajtës F16 kanë kontrolluar gjatë gjithë kohës hapësirën ajrore shqiptare dhe kanë mbajtur nën vëzhgim të gjitha lëvizjet.
Pas orës 09:00, asnjë fluturim tjetër në Rinas
Në orën 09:00 të mëngjesit të së dielës është shënuar fluturimi i fundit nga Rinasi për në Itali, me qëllime transport udhëtarësh. Më pas nuk janë lejuar fluturime deri në largimin e “Air Force One”.
Garda, bashkëpunim me Rinasin
Efektivat e Gardës i janë shtuar personelit të aeroportit të Rinasit. Veç pjesëmarrjes në ceremoninë e nderimit të Bush në momentin e mbërritjes janë kujdesur për sigurimin e VIP-ave.
Anulimi i dy ekstradimeve
Edhe pse policia kishte planifikuar ekstradimin e dy personave, ato nuk janë realizuar për të mos krijuar nevoja për angazhimin e mjeteve dhe forcave të policisë në transportimin e të kërkuarve deri në Tiranë.
Të gjithë të huajt nën vëzhgim
Agjentë e policisë kanë vëzhguar të gjitha hotelet e Tiranës. Sipas policisë, kjo masë është marrë për të kontrolluar të gjitha lëvizjet e shtetasve të huaj që janë në kryeqytet.
Nusja dhe “Shtetrrethimi”
Edhe pse janë detyruar të bëjnë disa kilometra më shumë, dasmorët e së dielës nuk kanë rrezikuar të shkelin masat e sigurisë dhe rruga e tyre e vetme për të dalë nga Tirana ka qenë nga Kashari.
Polici lë dasmën për të ruajtur Bushin
Një agjent i policisë shqiptare, edhe pse kishte një dasmë në familjen e tij, nuk ka qenë i pranishëm. Ai ka qëndruar aty ku e “thërriste” detyra, për të ruajtur rendin dhe qetësinë gjatë vizitës së Bushit.
Ndryshim plani për helikopterët e Gardës
Helikopterët shqiptarë duket se nuk kanë namin të mirë në SHBA. Garda ishte përgatitur të shoqëronte eskortën e Bushit me tre helikopterë. Por ndryshimi i programit i zhgënjeu paksa.
Gazetarët tremben nga topat
Përshëndetja me qitje artilerie është një zakon shqiptar, por që nuk u është dukur i tillë gazetarëve të huaj. Një pjesë e tyre kanë kujtuar vizitën e Bushit në Gjeorgji dy vjet më parë, ku pak metra larg podiumit u gjet një granatë.
Oketa i lë zyrën Bushit për 20 minuta
Disa minuta para se të dilte në një konferencë për shtyp me kryeministrin Berisha, presidenti Bush i ka “kërkuar” zyrën zv.kryeministrit Oketa për të zhvilluar një mbledhje 20 minutëshe me stafin e tij.
Sajti i qeverisë, pa version anglisht
Gazetarëve të huaj u është ofruar faqja e internetit të qeverisë, për të marrë informacione rreth agjendës së Bushit. Por atyre nuk iu ka hyrë në punë, pasi versioni anglisht prej disa muajsh nuk funksionon në këtë faqe, përveç atij shqip.
Berisha “bojkoton” Moisiun
Në pritjet e organizuar nga kreu i Shtetit Moisiu për homologun Bush u vu re mungesa e kryeministrit Berisha. Sipas zyrtarëve, mungesa justifikohet me takimin që do të kishte më vonë Bush me Berishën.
Bashkia, 24 orë pastrim në Tiranë për Bushin
24 orë para mbërritjes së Bushit punonjësit e bashkisë kanë nisur të pastrojnë qytetin nga mbeturinat. Gjatë gjithë natës kanë larë rrugët e Tiranës dhe kanë hequr të gjitha objektet që prishin imazhin.
Mirëseardhje nga ekrani
Masat e rrepta të sigurisë bënë që festa “alla shqiptarçe” të mungonte në rrugët e Tiranës. Të bombarduar nga lajmërimet e policisë, banorët zgjodhën ta shohin vizitën e Bushit nga ekrani.
Marinsat bëhen shqiptarë
Shqiptarët shquhen për mungesë bashkëpunimi mes njëri-tjetrit. Por kjo gjë nuk ka ndodhur mes marisave të SHBA dhe policisë tonë. Në çdo rast të dyshimtë, edhe pse urdhrat ishin të prerë, amerikanët s’kanë preferuar të qëllojnë.
Bush në Tiranë, kriminaliteti 0
Rëndësia e vizitës së Bushit ka shërbyer edhe për diçka tjetër. Asnjë ngjarje kriminale nuk ka ndodhur në Tiranë, duke shënuar një rast të rrallë për policinë e kryeqytetit. Ndoshta edhe nga numri i madh i policëve.
Në Shqipëri takohet edhe populli i thjeshtë
Ndryshme si funksionon në vendet e tjera që viziton Presidenti Bush, ku ai pa dijeni takon agjentë sekretë, në Shqipëri ka ndodhur e kundërta. Bushi në Shqipëri ka takuar popullin e thjeshtë.
Gazetarët tremben nga topat
Një ritual i zakontë për shqiptarët, shpërthimet e topova, kanë trembur një gazetarët e huaj. Gjithccka iu ka ngjasur atyre me vizitën e Bushit në Gjeorgji dy vjet më parë, ku vetëm disa metra larg podiumit u gjet një granatë.
Oketa i lë zyrën Bushit për 20 minuta
Disa minuta para se të dilte në një konferencë për shtyp me kryeministrin Berisha, presidenti Bush i ka “kërkuar” zyrën zv.kryeministrit Oketa, për të zhvilluar një mbledhje 20 minutëshe me stafin e tij.
Sajti i qeverisë, pa version anglisht
Gazetarëve të huaj u është ofruar faqja e internetit të qeverisë, për të marrë informacione rreth agjendës së Bushit. Por atyre nuk iu ka hyrë në punë, pasi versioni anglisht prej disa muajsh nuk funksionon në këtë faqe përvecc atij shqip.
Bush: 43 me 1
Xhorxh Walker Bush është Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i pari President i SHBA-së në detyrë që viziton Shqipërinë në një vizitë zyrtare.
2 orë më shumë
Vizita e Presidentit Xhorxh Bush në Tiranë ishte parashikuar për t’u zhvilluar për gjashtë orë, por në fakt zgjati tetë orë, nga ora 9:30 deri në orën 17:30.
Shtëpia e Bardhë në fluturim
Bush mbërriti në Tiranë me avionin “Air Force One”, avioni më i madh në botë, një ekskluzivitet presidencial i cilësuar ndryshe edhe Shtëpia e Bardhë në fluturim.
I madhi, sekreti “Air Force One”
Avioni “Air Force One” është cilësuar nga specialistët si mrekullia e qiellit. Një përsosmëri e teknologjisë, 1.2 kilometra katrorë, me palestër, sallë mbledhjesh, dhomë mjekimi.
Ç’mbante barku i “Air Force One”
Makinat dhe të gjitha pajisjet e tjera të shoqërimit ishin transportuar nga Shtëpia e Bardhë me avionin “Air Force One”. Të gjitha kishin targën qeveritare amerikane USA GOVERNMENT.
“Top Gear” Rinas-Tiranë, 4.5 minuta
Eskorta që shoqëronte Presidentin Bush e bëri distancën prej 15 kilometrash nga Rinasi në Tiranë për 4.5 minuta. Kur Berisha e inauguroi dy muaj më parë, e përshkoi për 16 minuta.
30 “Shevrolet” përkrah Bushit
Numri i makinave që transportonin dhe shoqëronin Presidentin Bush ishte 30. Ato ecën me një shpejtësi maksimale prej 150 kilometrash në orë dhe lëviznin në të dy korsitë e rrugëve.
No antitank for “Shevrolet”
Marka e makinave ishte e tipit “Shevrolet. Kanë një trashësi të blinduar prej 12 centimetrash dhe është llogaritur të mos përshkohen as nga një goditje e predhës së antitankut.
Sa e ka kodin valixhja
Gjatë vizitës Bush kishte me vete edhe valixhen misterioze që merr në dorëzim në fillim të detyrës çdo president i SHBA-së. Aty janë kodet sekrete bërthamore dhe kodet e tjera të Presidencës.
21 të shtëna topi
Gjatë takimeve në Presidencë u realizuan 21 të shtëna topi në shenjë nderimi ndaj ardhjes së Bush. Kjo në fillim shkaktoi frikë tek gazetarët e huaj, që zgjati deri sapo mësuan se çfarë ishte.
Plumb ballit për të dyshuarit
Forcat e sigurisë së Presidentit Bush kanë leje dhe mund të qëllonin pa paralajmërim këdo që bënte lëvizje të dyshimtë gjatë kohës që Presidenti vizitonte Tiranën.
Bush, si hero në Shqipëri
Ishte padyshim vizita më e suksesshme e Presidentit Bush në turneun e tij evropian. I vetmi shtet ku nuk u bënë protesta anti Bush dhe i vetmi vend që nuk i dha surpriza të pakëndshme.
Numri i gazetarëve
Si rrallëherë Tirana u pushtua nga mediat e huaja. Veç ushtrisë që e ruante Bushin, ishte dhe ushtria që ndiqte aktivitetin e tij, rreth 400 gazetarë të huaj kanë pasqyruar vizitën e Bushit në Tiranë.
“Qytetar Nderi” në Fushë-Krujë
Për shumë kënd vizita e Bushit në Fushë-Krujë ishte disi e pakuptimtë. Por pas pritjes që u rezervua nga banorët, mund të cilësohet si më entuziastja. Bashkia i dha Bushit titullin “Qytetar Nderi”.
Televizionet, direkt
Pothuaj të gjitha televizionet shqiptare transmetuan pamje direke nga vizita e Bushit. Ndërsa të drejtën ekskluzive për të ndjekur nga afër vizitën e pati vetëm Televizioni Publik Shqiptar.
TV më në zë që e transmetuan “live”
Televizionet më në zë të botës, si CCN, BBC, “Euro News” kanë transmetuar “live” vizitën e Presidentit amerikan në Tiranë. Korrespodentët raportonin nga qendra e kryeqytetit shqiptar.
Shqipëria, klime kurative
Presidenti Bush pati probleme shëndetësore nga stomaku gjatë vizitës në Itali. Megjithatë në Shqipëri vizita nuk pati surpriza të pakëndshme për shëndetin e Presidentit amerikan.
Wilson-Bush, pas 88 vjetësh
Nga vizita e Presidentit Wilson në Konferencën e Parisit kur diskutoi për pavarësisë së Shqipërisë e deri në vizitën e Presidentit Bush në Tiranë që shpalli pavarësinë e Kosovës, kanë kaluar 88 vjet.
Wilson i pari, Bush i fundit
Presidenti Wilson është i pari president amerikan në detyrë që ka bërë një vizitë jashtë SHBA-së për në Evropë. Bush është Presidenti i fundit amerikan që ka bërë një vizitë në Evropë.
“Zogjt” në qiellin e Tiranës
Gjatë gjithë vizitës së Presidentit Bush, një skuadër helikopterësh do të patrullonte në gjithë Tiranën. Helikopterët “Blak Hawk” kanë kontrolluar me rreze infra çdo rrugicë.
“Pushtimi” paqësor
Përveç rojeve të shumta dhe masave të marra nga shteti ynë, rreth 2500 marinsa mbërritën dy ditë para vizitës së Bushit në Tiranë. Një pjesë e tyre u vendos në Rinas si dhe në Tiranë.
Jo nga “Durrësi”, po nga “Tirana e Re”
Ishte parashikuar që eskorta të kalonte nga Rruga e Durrësit për në qendër. Por eskorta e Bushit kaloi nga rruga e “Tiranës së Re”. Sipas policë, kjo u bë për shkak të afërsisë që kanë pallatet me Rrugën e Durrësit.
Berisha-Bush, muhabet i ëmbël
Në agjendën e Presidentit Bush ishte parashikuar që takimi me kryeministrin Berisha të zgjaste vetëm 45 minuta. Në fakt protokolli u thye, takimi mes tyre zgjati plot 1 orë e 20 min.
Xhirua nëpër Tiranë
Edhe stafi nuk ishte përgatitur për një ndryshim intenerari të Presidentit të SHBA-së. Bush theu protokollin e vizitës për të përshëndetur njerëzit që e prisnin në sheshin “Skënderbej” duke bërë një xhiro në qendër të Tiranës.
Fushë-Kruja “çmend” Bushin
Protokolli i një Presidenti të SHBA-së është një lloj bible që nuk shkelet. Por në Fushë-Krujë, Bush ka thyer çdo rregull duke injoruar masat e sigurisë për të përshëndetur banorët.
Ëmbëlsira shqiptaro-amerikane
Gjatë ndalesës në qytetin e Fushë-Krujës, Bush ka vizituar dyqanin e ëmbëlsirave të një familjeje. Dhurata e pronarëve për Presidentin Bush ishte një tortë ku ishin vizatuar flamujt e dy kombeve.
Tetë orët që ndryshuan Shqipërinë
Zgjati vetëm tetë orë vizita e Presidentit Bush në Shqipëri, por që nga dje vendi ynë ka marrë një rëndësi të veçantë në Rajon, jo vetëm për filoamerikanizmin, por edhe për deklaratat që bëri Bush.
Një Tiranë që se kishim parë
Tirana e 10 qershorit në pritje të Bushit ishte një qytet që se kishim parë më parë. Rrugë të zbrazura, lokale të mbyllura, shitësit ishin hequr, vetëm policë nëpër rrugë, madje dhe kazanët e plehrave ishin.
Bush ngelet pa përkthyes në Kryeministri
Në momentin që do të niste konferenca për shtyp e Presidentit Bush dhe kryeministrit Berisha, mungonte përkthyesi. Masat e sigurisë në Kryeministri bënë që përkthyesi të arrinte me pak vonesë.
Berisha, “i familjarizuar” me Bushët
Gjatë konferencës për shtyp me Bushin, kryeministri Berisha ka ngatërruar vizitën e babait të Presidentit Bush. Berisha tha se vizitat ishin në vitin 2004-2006, ndërkohë që kishin ndodhur në vitet ‘94-‘96.
Makinat e Bushit
Mes 30 makinave që shoqëronin Bushin, dy prej tyre ishin identike me njëra-tjetrën. Në njërën prej tyre qëndronte Presidenti, por gjatë udhëtimit askush nuk mund të dallonte se cila transportonte Bushin.
Pritja në Tiranë, festa në Prishtinë
Deklarata e Presidentit të Amerikës për pavarësinë e Kosovës bëri që shqiptarët që jetojnë atje të marrin frymë lirisht. Kryeministri Agim Çeku dhe zyrtarë të tjerë deklaruan se Bush u dha pavarësinë.
Tre deklaratat e Bushit
Vizita e Presidentit Bush do të mbahet mend për të paktën tre arsye themelore. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe imazhi i ri që do të këtë vendi ynë në botë.
Bush në Tiranë nuk harron Irakun
Një takim me Forcat Ushtarake Shqiptare që ka shërbyer në Irak, ishte më se kuptimplotë për vizitën e Presidentit Bush në Tiranë. Bush ka vlerësuar ushtrinë shqiptare për luftën në Irak.
15 mijë policë për Bushin
Vizita e Presidentit Xhorxh Bush mobilizon gjithë policinë shqiptare. Rreth 15 mijë policë u mobilizuan për të ruajtur jetën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ushtria në kufi
Përveç numri të madh të policëve që u përqendruan në Tiranë, reparte të Ushtrisë dhe Policisë Kufitare kanë kaluar në gatishmëri numër një për gjatë gjithë vijës kufitare të vendit.
Bush bën xheloze Athinën
Vizita Bushit duket se ka nxitur dhe xhelozinë e vendeve fqinj. Media greke shkruan se shqiptarët i kanë përmendur Bushit çështjen çame dhe kanë nënvizuar faktin që Janullatos nuk ishte në pritje.
Udhëtimi i Bushit, 40 km në Shqipëri
Gjatë vizitës në Shqipëri Presidenti Bush ka përshkuar me makinë rreth 40 kilometra rrugë. Nga Rinasi në Tiranë, për të shkuar më pas në Fushë-Krujë dhe për t’u kthyer sërish në Rinas.
Bush: Shqipëria vend i tolerancës
Në intervistën e dhënë para vizitës, Bush u shpreh se Shqipëria ishte një vend mysliman që jetonte në paqe. Në Tiranë deklaroi se Shqipëria është vendi i tolerancës së shkëlqyer mes besimeve fetare.
Bush bashkon politikën në Pallatin e Brigadave
Takimi i dy presidentëve Bush dhe Moisiu ka bërë të mundur që në Pallatin e Brigadave të mblidheshin të gjithë përfaqësuesit e partive politike. Një ngjarje e rrallë kjo mes krerëve shqiptarë.
Bush, drekë te vila e Mehmet Shehut
Drekën e punës Presidenti Bush e konsumoi në vilën e kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë, Mehmet Shehu. Shehu ka mbaruar studimet në “Harry Fultz” dhe është akuzuar si agjent i SHBA-së.
Policia, 18 orë non stop për Bushin
Që nga ora dy e mëngjesit të së dielës dhe deri në largimin e Presidenti Bush nga Shqipëria, forcat e policisë kanë qenë në gatishmëri numër një.
Polica dhe provincializëm
Për të marrë masat e duhura në Tiranë kishin ardhur dhe shumë policë nga rrethet. Në fakt policëve kryeqytetas u duhet të kujdeseshin dhe për kolegët e tyre të cilët nuk ishin mësuar me ngjarje të tilla.
Policët nuk e panë Bushin
Ata që ishin më afër Presidentit të SHBA-së për fat të keq nuk kishin mundësi ta shihnin. Kordonët e policisë gjatë gjithë rrugës ishin porositur që në momentin kur do të kalonte Bush të kthenin kurrizin për të ruajtur rrugën.
Ora ngec në Fushë-Krujë
A e hoqi orën Presidenti Bush apo gjatë takimit entuziast pa dashje iu shkëput nga dora? Fakti është se pamjet televizive tregojnë se Bush pas takimit me banorët nuk e kish më orën në dorën e majtë.
Snajper në çdo ndërtesë
Forca speciale dhe marinsat e ardhur nga SHBA janë vendosur në çdo ndërtesë ku do të kalonte Bush. Edhe në fasadën e muzeut kombëtar ishin hapur “dritare” të vogla nga ku kontrollohej sheshi me snajper.
Pusetat nuk vidhen më….
Vizita e Presidentit Bush duket se zgjidhi dhe një problem, të paktën në rrugët ku kaloi ai. Kapakët e pusetave nuk mund të merren më për t’u shitur. Të gjithë kapakët u salduan nga frika e atentateve.
Biznesmeni që filmoi Bushin
Një banor i një pallati paranë bulevardit “Zhan D’Ark” nuk mund të rezistonte pa filmuar kalimin e Presidentit Bush. Po sapo është piksur nga helikopterët, agjentët e policisë e kanë shoqëruar në komisariat.
Antenat e televizioneve
Transmetimet direkte kanë qenë jo pa probleme për televizionet. Teknikët e TVA-së kanë dalë në tarracë për të rregulluar antenën, por menjëherë mbi ta kanë shkuar helikopterët duket drejtuar armët.
“Sofra…” që mirëpriti Laura Bushin
Për herë të katërt në historinë e vizitave “First Lady”, Laura Bush ka zgjedhur një lokal privat për të drekuar. Zakonisht drekat shtrohen në ambiente shtetërore. “Sofra e Ariut” ka qenë vendi ku ka bujtur zonja Bush.
Kuzhina shqiptare mahnit zonjën Bush
Një gatim për merak me asortimente tipike shqiptare ka bërë që Laura Bush të ngelej e kënaqur nga kuzhina jonë. Menyja ka qenë byrek me lakra, burani, zogj fushe me oriz, verë e bardhë dhe qumështor.
“Lule borë” për Laurën
Dreka e “Zonjës së Parë” të SHBA-së ka qenë e shoqëruar dhe me një atmosferë të ngrohtë. Të ftuarit dhe vet zonja Bush kënduan këngë shqiptare si “Eja eja lule Borë”, “Drenovare”.
Laura kthen Gjergjin në Xhorxh
I është dukur i pashqiptueshëm lehtë emri tipik shqiptar i kamerierit të “Sofrës” Zonjës së Parë, Laura Bush. Ndaj gjatë shërbimit në lokal ka preferuar ta amerikanizojë duke e thirrur Xhorxh.
Bush: Mirdita! Laura: Mirupafshim!
Çifti Bush është larguar nga Shqipëria duke shtuar në fjalorin e tyre dhe dy fjalë nga gjuha shqipe. Presidenti Bush përshëndeti në ardhje “Mirëdita!”, ndërsa Laura në ikje “Mirupafshim!”.
Laura, kostumet popullore
Një “Zonjë e Parë” e SHBA-së ka mundësi të shohë veshjet më të reja të salloneve të modës në gjithë botën. Por zonjës Bush i kanë bërë më shumë përshtypje veshjet popullore të shqiptarëve dhe ka pyetur për to.
Shqiptarët, një ditë amerikanë
Jo vetëm Tirana, por gjithë Shqipëria mëngjesin e 10 qershorit është zgjuar e veshur nga ngjyrat e flamurit amerikan. Me të drejtë mediat e huaja e cilësuan si vendin më proamerikan në botë.
Teksas, Fushë-Krujë, bisedë mes fermerësh
I ka befasuar shqiptarët Bushi teksa mes dhjetëra intelektualëve preferoi të bisedojë me një bari nga Fushë-Kruja. Mes një Presidenti me orgjinë nga Teksasi dhe një blegtori shqiptar, duket se ka jo pak për të folur.
SHBA-Rusi, përplasen në Tiranë
Vetëm 30 minutat pasi Bush deklaroi se Kosova do të fitojë pavarësinë, nga Moska do të vinte përgjigjja se kjo nuk ndryshonte asgjë. Tirana u kthye në qendër të përplasjes mes dy superfuqive.
Berisha, për herë të parë në natyrë
Për herë të parë në historinë e qeverisë shqiptare një konferencë shtypi e një rëndësie të tillë është dhënë në ambient të hapur. Organizatorët imituan konferencat e Shtëpisë së Bardhe në oborrin e Kryeministrisë.
“Top-Channel” në Prezë
Një kamera e veçantë e televizionit “Top-Channel” filmonte nga Preza gjithë lëvizjen e eskortës së Presidenti Bush. I vetmi televizion që mori pamje që ishin të ndaluara për të tjerët.
Brohoritje për avionin e gabuar
Në orën 9:30 minuta në Rinas shpërthyen brohoritjet për mbërritjen e avionit të Presidenti Bush. Në fakt avioni i parë që ul në pistë nuk ishte ai i Bushit, por avioni shoqëronte avionin e Presidentit.
Ku u fshehën 2500 marinsat
Të gjithë debatuan për ardhjen e marinsave amerikanë. Madje u cilësua dhe si pushtim. Por askush nuk i pa trupat amerikane në rrugë apo në kampe përqendrimi.
Me Bushin harrojmë Presidentin
Në kulmin e debateve për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm shqiptar, për një ditë politika shqiptare harroi grindjet. Vizita e Presidentit Bush la në hije sherret për kreun e shtetit.
Vizita e Bush, imami i Krujës nën vëzhgim
Antiterrori dhe SHISH, kanë futur në planin e masave të tyre për vizitën e presidentit Bush, edhe imamin e Krujës, Olsi Veseli. Ai ishte një ndër personat e skeduar nga CIA dhe është vëzhguar për 48 orë pa ndërprerje nga policia.
Bush falenderon policinë shqiptare
Presidenti Bush përgëzon forcat e sigurisë shqiptare për mbarëvajtjen e vizitës së tij. Ai ftoi në Rinas për t’i falenderuar , Kryekomisar Ahmet Prençin, Ahmet Haxhinë, Drejtorin e Antikrimit të Organizuar, Kostaq Beluri, Drejtorin e Antiterrorit Agron Kuliçin, Drejtorin e SHISH-it, Bahri Shaqirin, si dhe Komandantin i Gardës, Ndrea Prendin.
Komunistët e Rrëshenit pankarta kudër Bushit
Reagimet e para kundër ardhjes së presidentit Bush në vendin tonë janë shfaqur nga komunistët e Rrëshenit. Pergjate gjithë natës të së shtunës në rrugët e qytetit janë vendosur me dhjetëra pankarta kundër vizitës së Bushit në Shqipëri.
Marinsta ndalojnë pastruesen
Korpusi Universitar ka shërbyer si pikë strategjike për marinsat amerikanë, ku ata janë pozicionuar për të mbajtur situatën nën kontroll. Madje gjatë vëzhgimeve ata kanë ndaluar një pastruese të fakultetit, e cila kishte harruar ccantën dhe ishte kthyer për ta marrë. Më pas kanë lajmëruar policinë shqiptare.
I sëmuri, lajmëron policinë
Edhe pse rruga ku ndodhej banesa e tyre nuk ishte bllokuar, të afërmite e një të sëmyri nga lagjja Allias e Tiranës, ka lajmëruar policinë pasi nuk e dinin nëse mund të shkonin në spital, të cilin e kishin disa metra larg. Policia ka shkuar me vonesë, pasi në atë lagje masat e sigurisë nuk ishin të rrepta.
“Air Force One”, uluet në pistë djathtas
Siguria e Presidentit Bush, përvecc se në ajër, fillon edhe me uljen e “Air Force Onë” në pistën e aeroportit. Avioni krthehet gjithmonë në të djathtë, pasi në anën e majtë të tij është suita presidenciale. Edhe në Rinas ndodhi e njëjta gjë.
Grupet me mbi dy veta shoqërohen në polici
Gjatë kalimit të eskortës presidenciale, policia dalloi disa “shkelje” rregullash. Uniformat blu shoqëruan në qeli dhjetra kalimtarë, të cilët në momentin që delegacioni kalonte në rrugët e Tiranës, ndodheshin bashkë më shumë se dy veta.
Marinsat amerikanë, pushtojnë Muzeun Kombëtar
Një e çarë sa për t’u futur një tytë automatiku, ose më saktë snajperi është dalluar dje në katin e fundit të Muzeut Kombëtar në Tiranë. Marinsat për t’u pozicionuar, kishin krijuar një të ccarë për snajperin e tyre, e cila dallohej në fustanellën e një kostumi popullor.
Eskorta, kundravajtje në bulevardin “Zhan Dark”
Pas përfundimit të vizitës zyrtare në Tiranë, eskorta e presidentit Bush dhe delegacionit të tij, kanë kaluar nga po e njëjta rrugë që kanë ardhur, nga bulevardi “Zhan Dark”. Sipas ligjit është kundravajtje, por gjithccka është lejuar për presidentin amerikan.
Makinat në rrugët e ngaluara, merren me karrotrec
Edhe pse kanë pasur urgjenca, të gjitha automjetet që kanë qarkulluar në zonat e ndaluara janë shoqëruar me policë me karrotrec. Para mjetit lëvizte një punonjës policie në motor, ndërsa pas, një grup i gatshëm policie me katër efektiva që lëvizte me një “Ëolksvagen Polo”.
Sjajpera pranë maternitetit “Geraldinë”
Një rast me mbivendosje sajperash është vënë re në tarracat e pallateve pranë maternitetin “Geraldinë”, teksa zonja Laura Bush po zhvillonte një vizitë në këtë spital.
Rrezet infra i paraprinë eskortës
Një kilometër para eskortës, patrullonin helikopterët e KFOR-it, të cilët ishin të pajisur me rreze infra, për të verifikuar ccdo gjë të dyshimtë, derisa të siguroheshin për kalimin e delegacionit.
Tri skuadra me avionë F 16
Në lartësi të konsiderueshme tri skuadra avionësh gjuajtës F16 kanë kontrolluar gjatë gjithë kohës hapësirën ajrore shqiptare dhe kanë mbajtur nën vëzhgim të gjitha lëvizjet.
Pas orës 09:00 asnjë fluturim tjetër në Rinas
Në orën 09:00 të mëngjesit të së djelës është shënuar fluturimi i fundit nga Rinasi për në Itali me qëllime transport udhëtarësh. Më pas nuk janë lejuar fluturime deri në largimin e “Air Force One”.
Garda bashkëpunim me Rinasin
Efektivat e Gardës së Republikës i janë shtuar dje personelit të zakonshëm të aeroportit të Rinasit. Përveçse kanë marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të presidentit Bush në momentin e mbërritjes në aeroport, si dhe në momentin e nisjes, efektivat e gardës janë kujdesur për sigurimin e personaliteteve.
Anullimi i dy ekstradimeve
Edhe pse policia kishte planifikuar ekstradimin e dy personave, ato nuk janë realizuar për të mos krijuar nevoja për angazhimin e mjeteve dhe forcave të policisë në transportimin e të kërkuarit deri në Tiranë.
Policët në vëzhgim të hoteleve
Dy ose tre agjentë kanë vëzhguar të gjitha hotelet që ndodhen në Tiranë. Bazuar në kërkesën e specialistëve dhe agjentëve amerikanë, forca të policisë ishin vendosur në hyrje-daljet e hoteleve, me qëllim mbajtjen në kontroll të personave të huaj që ndodheshin në Shqipëri.
Karvanet me dasmorë, udhëtuan nga Kashari
Edhe pse janë detyruar të bëjnë disa kilometra më shumë, dasmorët e së djelës nuk kanë rrezikuar të shkelin masat e sigurisë dhe rruga e tyre e vetme për të dalë nga Tirana, ka qenë nga Kashari.
Polici rri në shërbim, nuk shkon në dasëm
Një agjent i policisë shqqiptare, edhe pse kishte një dasëm në fammiljen e tij, nuk ka qenë i pranishëm. Ai ka qëndruar aty ku e “thërriste” detyra, për të ruajtur rendin dhe qëtesinë gjatë vizitës së Bushit.
Ndrshim plani për helikopterët e Gardës
Ndoshta edhe janë zhgënjyer nga një ndryshim programi, por efektivët e Gardës së Republikës, prapë kanë vlerësuar zgjedhjen e presidentit amerikan. Rruga e tij nga Rinasi në Tiranë, ishte planifukuar që të kryhej nga tre helikopterë të Gardës, në fakt nuk ndodhi ashtu.
“NBC”: Pas pritjes së ngrohtë, presidenti mund të mos ketë dëshirë të kthehet në shtëpi
MEDIAT E HUAJA PËR VIZITËN E BUSH
“Boston Globe”, SHBA
Vizita e Bushit në Shqipëri shënon shprehjen e radhës së ngrohtësisë e mbështetjes në histori, ndërmjet amerikanëve dhe shqiptarëve, duke datuar që kur Presidenti Woodrow Wilson kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore.
“Los Angeles Times”, SHBA
Nuk ka mbase vend tjetër në Evropë përveç Shqipërisë, vendi më i varfër në kontinent, ku Bush të jetë përballur me një pritje aq të ngrohtë, që nga kreu i qeverisë e deri tek njerëzit në rrugë, madje dhe nga rrugët, njëra prej të cilave ka marrë emrin e tij.
“The SUN”, Angli
Presidenti Bush e lavdëroi Shqipërinë si një vend që “ka flakur tej hallkat e shoqërisë së shtypur dhe tani po i dëshmon botës se çfarë mund të bëhet”. Ai shtoi: “Mua më pëlqen të shkoj në vende, të cilat po punojnë për stabilizimin e demokracisë”.
“New York Times”
Në sondazhet e ndryshme në vendin e tij, ai s’paraqitet dhe aq mirë, por, kur ai mbërriti në këtë komb të vogël, e në mënyrë të papërkulshme pro-amerikan, Presidenti Bush u prit si një yll roku.
“BBC”, Angli
Vendi ballkanik është një aleat i patundur i Amerikës ndaj “luftës ndaj terrorit”. Presidenti Bush u takua me ushtarët që kanë shërbyer në Irak dhe Afganistan. Ai përsëriti mbështetjen e tij për planin e OKB-së për pavarësinë e Kosovës.
“Deutsche Welle”, Gjermani
Në një ndalesë të shkurtër në Shqipëri, Presidenti i SHBA, George Bush ka insistuar se është koha për të ecur para me pavarësinë e Kosovës. Kjo lëvizje është kundërshtuar me forcë nga Rusia, aleatja e Serbisë.
“NBC”, SHBA
Korrespondentja, Kelly O’Donnell: “E kemi parë Presidentin të marrë një pritje jashtëzakonisht të ngrohtë këtu në vendet e Evropës Juglindore. Kështu që, mbase ai s’do të ketë dhe aq dëshirë të kthehet në Uashington”.
“GOOD MORNING AMERICA”, SHBA
CHRIS CUOMO: “Atëherë mbase ky është vendi ku presidenti do të shkojë pasi t’i mbarojë mandati. Ai merr plaçkat dhe vendoset në Shqipëri duke u bërë njeriu më i rëndësishëm aty.
“LA REPUBBLICA”, Itali
Shqipëria është vendi më filo-amerikan në planet dhe Presidenti Bush nëpër rrugët e Tiranës ka parë manifestime të ndryshme nga ato që kanë shoqëruar G8-n në Gjermani apo në vizitën e tij në Romë.
“KURIR”, Serbi
Qytetarët e Tiranës në gjendje histerike po hidheshin drejt Presidentit Bush gjatë vizitës së tij në kryeqytet, duke e përqafuar dhe puthur ashtu siç bënin me diktatorin e madh Enver Hoxha në kohën e tij.
“ROSSIYA TV”, Rusi
Shqiptarët dëgjuan nga Presidenti Bush atë që donin të dëgjonin. Bush e bëri të qartë se, nëse Kosova nuk fiton pavarësinë, shumë shpejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës atëherë do ta njohin pavarësinë e saj në mënyrë të njëanshme.
“Javno”, Kroaci
Me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, Presidenti amerikan George Bush “u kredh” drejt fansave të tij të dielën, duke shijuar mikpritjen e mahnitshme, si një yll roku. Duke valëvitur dorën dhe duke dërguar puthje në ajër, Presidenti amerikan eci në rrugët e Fushë-Krujës.
“EUPolitix”, Belgjikë
Komentet e tij (mbi Kosovën) janë interpretuar si një provë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të zmbrapsen për sa i përket çështjes së Kosovës, e cila është kthyer në një motiv konflikti mes SHBA-së dhe Rusisë këto muajt e fundit.
“The Toronto Star”, Kanada
Ishte lloji i pritjes që çdo presidenti do t’i pëlqente. Por kjo ishte veçanërisht ngazëlluese për Bushin, zotimi i të cilit për t’u kujdesur për lirinë në gjithë botën është përballur me pengesa të panumërta në Irak dhe vende të tjera.
“Turkish Weekly”, Turqi
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Maqedonisë dhe Kroacisë, janë shprehur se Presidenti amerikan ka shprehur dhe njëherë mbështetjen e tij për Kosovën, çka sipas tij, është zgjidhja e vetme.
“Kentucky”, SHBA
Ishte e qartë se mbërritja e tij u vlerësua. Rruga në autostradë ishte “zbukuruar” me tabela të mëdha. Çdo tabelë reklamash në rrugën nga aeroporti në qendër të qytetit ishte stolisur me flamuj amerikanë dhe shqiptarë.
PREJ TRE GJENERATASH, FAMILJA E NJOHUR AMERIKANE KA POSTET MË TË RËNDËSISHME NË VEND, DINASTIA BUSH, PINJOLLËT E POLITIKËS AMERIKANE
Shkruan: Dorina TOPOLLAJ
Bushët janë dinastia më e suksesshme politike në historinë amerikane. Kështu i ka përshkruar Peter Schhewitzer, autori i biografisë së familjes Bush. Me origjinë nga East Orange, New Jersey, familja Bush është një nga familjet më të spikatura në Shtetet e Bashkuara, duke u përfshirë prej tre gjeneratash në politikë si senatorë, dy guvernatorë, një zëvendëspresident dhe një President. Shumë anëtarë të tjerë të familjes kanë qenë bankierë dhe biznesmenë të suksesshëm.
“Dinastia” politike
Postet më të larta në hierarkinë politike, fillojnë nga katragjyshi i Xhorxh W. Bush, që quhej Samuel P. Bush ((1863-1948) i cili ishte këshilltar i presidentit të 31-të Shteteve të Bashkuara, Herbert Hoover. Djali i tij i parë, Presçot Bush (1895-1972), u bë senator i Konektikatit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Traditën e tij në politikë e ndoqi djali i tij i dytë, George H.W. Bush (lindur më 1924), të cilin e thërrasim Bushi i Vjetër. Ai ka mbajtur postin e Presidentit të 41-të të Amerikës, zëvendëspresidentit të 43-të, e gjithashtu ka qenë kongresmen i Hjustonit, drejtor i CIA-s, si dhe ka shërbyer në shumë detyra si diplomat. Para karrierës së tij politike ai ka punuar në biznesin e naftës në Teksas. Djali i tij është presidenti aktual amerikan, Xhorxh W. Bush.
Familja Bush
Në fotografinë e mësipërme është bërthama (megjithëse e madhe) e familjes Bush. Ajo fokuson familjen Bush me rastin e 60-vjetorit të martesës së Bushit të Vjetër me Barbarën. Të dy ata qëndrojnë në qendër të familjes. Ata kanë katër fëmijë: Xhorxh W. Bush, Jeb, Neil, Marvin dhe Dorothy Bush.
Xhorxh Bushi, martuar me Laurën, ka dy vajza binjake, Barbaran dhe Janne. Jeb Bush, i martuar me Columba Gallo, në vitin 1974, ka tre fëmijë: George P. , Jeb Junior dhe Noelle. Neil Bush është i martuar me Maria Andrews. Ai ka tre fëmijë me gruan e tij të parë Sharon Smith: Lauren, Pierce dhe Ashley. Marvin Bush është martuar me Margaret, me të cilën ka adoptuar dy fëmijë, vajzën Marshall dhe djalin Walker. Dorothy Bush është vajza e çiftit të vjetër. Ajo është martuar dy herë dhe ka katër fëmijë. Dy nga martesa e parë, që janë Sam dhe Ellie LeBlond, dhe dy nga martesa e dytë, Robert dhe Gigi Koch.
Njohja, martesa dhe jeta që ndajnë prej 30 vitesh
HISTORIA E DASHURISË SË XHORXH DHE LAURA BUSH
Ata u takuan për të parën herë në një oborr të miqve të tyre që i kishin ftuar për piknik. Pas tre muajsh, më 5 nëntor të vitit 1977, ai i veshur me një kostum biznesi, ndërsa ajo me një fustan me mëngë të gjata ngjyrë bezhë dhe një kordele lulesh, që i vinte rrotull mesit, i thanë “po” përjetë njëri-tjetrit. “Ne kishim shumë pak kohë bashkë, thotë për propozimin e martesës Zonja e Parë e Amerikës, por unë e dija se doja të martohesha me të”. Në takimin e parë, Xhorxhi e çoi Laurën në një kurs golfi. Sipas kaubojsit nga Teksasi, që në atë kohë sapo kishte filluar të merrej me industrinë e naftës, Laura ishte “joshëse, e qeshur, e thjeshtë dhe shumë e zgjuar”. Sipas mësueses së fillores, Xhorxhi ishte “i lezetshëm, tërheqës” dhe i pëlqente shumë mënyra se si e bënte të qeshte. Shkurtimisht, nuk kishin nevojë të bënin si interesantë me njëri-tjetrin, pasi një vorbull dashurie i kishte marrë të dy dhe shumë shpejt do t’i çonte para altarit.
Martesa
Dasma e tyre ishte më se e thjeshtë. Ajo u zhvillua në kishën e Midlandit, në Teksas, ku ishte pagëzuar edhe Laura. 75 ishin të ftuarit, që më së shumti ishin të afërmit dhe disa miq të ngushtë. Nuk kishte as shoqëruese nuseje, as shoqërues dhëndri, as vajza që hedhin lule apo sjellës unazash. Madje edhe ftesat e dasmës ishin shkruar me dorë. Jeta e tyre martesore filloi me një muaj mjalti në Meksikë, që në fakt më së shumti ishte një udhëtim fushate në Teksas, në një garë ku dhëndri i ri dështoi, por që gjithsesi shërbeu që dy të sapomartuarit të qëndronin me njëri-tjetrin.
Jeta
Vitet e ardhshme ata panë ardhjen në botë të vajzave të tyre binjake, Barbara dhe Xhena, përfshirjen në kishë, ngjitjen e skuadrës së bejsbollit “Teksas Reinxher”, largimin nga alkooli, fitimin e zgjedhjeve si guvernator i Teksasit e më pas fitoren në 2000-ën, që e bëri Xhorxhin Presidentin e Amerikës dhe Laurën, Zonjë të Parë. “Unë dhe Xhorxhi kemi mësuar një gjë të rëndësishme, çdo gjë që na ndodh në jetë, të dy bashkë mund ta përballojmë”, tregon Laura për median në lidhje me jetën e përbashkët. Edhe Presidentin nuk e zë turpi për të folur për lidhjen e bukur që përjeton me Laurën e tij të dashur. “Mi esposa…mi amore”, “gruaja ime, dashuria ime”, e thërret ai bashkëshorten e tij, edhe pse në një darkë pune në Shtëpinë e Bardhë. “Unë pashë një grua të bukur elegante, e cila më rezultoi se nuk ishte vetëm elegante dhe e bukur, por dhe shumë e zgjuar dhe me një vullnet të hekurt për të duruar kreshtat e mia të ashpra, dhe më duhet të rrëfej se ajo m’i ka sheshuar të gjitha gjithë kësaj kohe”, ka rrëfyer Bush. Sivjet, më 5 nëntor, çifti do festojë 30-vjetorin e tyre të martesës.
Binjaket Barbara dhe Xhena
Barbara dhe Xhena janë binjaket e çiftit Bush. Lindën më 25 nëntor të vitit 1981, dhe Barbara që mban emrin e nënës së presidentit amerikan, ka lindur disa minuta më parë se Xhena, që mban emrin e nënës së Zonjës së Parë. Që të dyja kanë ndjekur të njëjtat shkolla deri në fillimin e universitetit. Barbara ndoqi shembullin e të atit, gjyshit, stërgjyshit dhe katragjyshit duke ndjekur universitetin e Jeilit, për shkenca humane. Ndërsa Xhena, ndoqi universitetin e Teksasit për anglisht. Të dyja, kanë shoqëruar babin e tyre në fushatë, madje media e ka cilësuar fushatën mes Xhon Kerrit dhe Bushit, edhe si një “betejë bijash”, pasi në fushatë morën pjesë edhe vajzat e Kerrit.
Kush është…
Emri: George Walter Bush
Datëlindja: 5 korrik 1946
Vendlindja: Nju Haven, Kontektikat
Prindërit: Xhorxh dhe Barbara Bush
U rrit: Në Midlend dhe Hjuston, Teksas
Vëllezër dhe motra: Xheb, Neil, Marvin dhe Doroti. Një motër më e re, Robin, vdiq në vitin 1953 në moshën 3-vjeçare nga leuçemia.
Gjendja civile: I martuar me Laura Bush në vitin 1977, me të cilën ka dy vajza binjake, Barbarën dhe Xhenën.
Problemet me alkoolin: Gjatë kohës që ka ndjekur Harvardin, Bush ka pranuar se “ka pirë shumë”, dhe e ka përshkruar këtë pjesë të jetës si periudha “shtegtuese” e “rinisë së papërgjegjshme”.
1976 – Arrestohet në moshën 30-vjeçare për “drejtim automjeti nën influencës së alkoolit”. Del fajtor dhe gjobitet me 150 dollarë si dhe i pezullohet patenta deri në vitin 1978.
1986 – Bush i thotë stop alkoolit në jetën e tij, gjë për të cilën e ndihmoi jashtëzakonisht shumë bashkëshortja Laura.
Arsimimi: Ndoqi Akademinë “Filips”, shkollë përgatitore parauniversitare, ku luajti bejsboll, por më shumë u vlerësua si nxitës tifozësh sesa si lojtar.
1968 – Diplomohet për Histori në Universitetin e Jeilit. Sipas vetë deklarimeve të tij, Bushi ishte student i nivelit mesatar. 1974 – Ndjek Universitetin e Harvardit, dega Biznes.
Eksperienca në punë: Në kulmin e luftës së Vietnamit, Bush pranohet në radhët e Forcave Ajrore të SHBA-së, duke fituar vetëm 25 për qind të testit së prirjeve për pilot, e cila ishte minimumi i notës kaluese. Pas trajnimit, ai u caktua me detyrë në Hjuston, për të pilotuar “Convair F-102”. Kritikët pretendojnë se Bushi gjatë kësaj kohe ka qenë i favorizuar për shkak të pozicionit politik të të atit dhe se nuk e ka ndjekur rregullisht.
1972 – Transferohet në Alabama për të ndihmuar në fushatën e republikanëve.
1977 – Fillon punë në industrinë e naftës në Teksas.
1978 – Kandidon për Dhomën e Përfaqësisë së SHBA-së në Teksas dhe humbet me 6 mijë vota diferencë. Rikthehet në industrinë e naftës, në detyrën e drejtorit ekzekutiv të disa ndërmarrjeve si “Arbusto Energji”, “Skepktrum 7” dhe më vonë “Harken Energji”.
1988 – Kthehet në Ëashington tek familja e tij, për të ndihmuar fushatën presidenciale të babait të tij.
1989 – Blen një pjesë të aksioneve të skuadrës së bejsbollit “Texas Renixhers”, ku shërben si menaxher i përgjithshëm për pesë vjet. Ai drejtoi projektet e skuadrës dhe ndoqi rregullisht ndeshjet, shpesh duke u ulur edhe me fansat. Shitja e aksioneve, i solli mbi 15 milionë dollarë nga investimi i tij fillestar prej 800 mijë dollarësh.
Zgjedhjet në politikë:
1994 – Kandidon në zgjedhjet guvernatoriale në Teksas, ashtu si vëllai i tij në Florida. Fushata e Bushit u kritikua për përdorimin e metodave të ndryshme për të diskretituar kundërshtaren e tij demokrate, En Riçards. Gjatë kohës së tij si guvernator i Teksasit, Bushi rriti fondin e arsimit, vendosi standarde më të larta në shkolla dhe reformoi sistemin e drejtësisë. Gjatë lidershipit të tij, në Teksas u shënua numri rekord i ekzekutimeve: 152. Gjithashtu ai ndërmori reforma që favorizonin biznesin dhe gjatë kësaj kohe iu çimentuan kredencialet si një drejtues pro-biznes.
1998 – Bushi fiton rizgjedhjen me afërsisht 69 për qind të votave. Brenda vitit, ai vendos kandidimin për President.
1999 – Në një debat për Presidencën në këtë vit, të gjithë kandidatët pjesëmarrës republikanë u pyetën: “Me cilin filozof politik apo mendimtar identifikoheni më shumë dhe pse?”. Bush u përgjigj: “Me Krishtin, sepse ai ndryshoi zemrën time”. Apeli i Bushit për vlerat fetare, duket se e ka ndihmuar në zgjedhjet e përgjithshme. Sondazhi “Gallup” konstatoi se 56 për qind e njerëzve që shkonin në kishë e votuan në vitin 2000.
2000 – Fiton zgjedhjet ndaj kandidatit demokrat Al Gor, me një diferencë prej 537 votash. Pas disa problemesh me kutitë e votimit, ishte Gjykata e Lartë ajo që shpalli fitoren e Bushit.
2004 – Fiton zgjedhjet presidenciale ndaj kandidatit Xhon Kerry me një numër të madh votash.
Aktualisht është Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara.
Emri: Laura Lane Welch Bush
Datëlindja: 4 nëntor 1946
Vendlindja: Midland Teksas
Prindërit: Harold Brus Uelsh dhe Xhena Luis Haukins
Vëllezër dhe motra: Laura Bush është fëmija i vetëm i familjes Uelsh.
Gjendja civile: E martuar me Xhorx Ë. Bush në vitin 1977
1981 – Lindi dy vajzat Barbarën, së cilës iu vendos emri i nënës së Xhorxh Bushit, dhe Xhenën, emri i nënës së Laurës.
Problemet: Në vitin 1963, Laura pësoi një aksident me makinë, duke u përplasur me një makinë tjetër, gjatë së cilit humbi jetën një shoqe e saj dhe shoku i saj i klasës që ishte shoferi i makinës tjetër, Majkëll Djuton Dagllas. Sipas raportit të policisë, aksidenti nuk u shkaktua nga pija dhe s’kishte akuza.
Arsimimi: Diplomohet për Mësuesi në vitin 1968 në Dallas, ku ishte edhe anëtare e shoqatës së grave “Kapa Alfa Teta”.
1973 – Mbron masterin për “Shkencën e librarisë”, në Austin, Teksas.
Eksperienca në punë:
1968 – Emërohet mësuese në shkollën fillore “Longfelloë”
1969 – Punon si mësuese filloreje në shkollën “Xhon Kenedi”
1973 – Pas mbarimit të masterit punon si bibliotekare në Librarinë Shtetërore të Hjustonit.
1974 – Kthehet në Austin, Teksas, ku punon si bibliotekare në shkollën fillore deri në vitin 1977 kur u martua me Xhorxh Bush.
1994 – Laura Bush bëhet “Zonjë e Parë” e Teksasit, ku bashkëshorti i saj zgjidhet guvernator. Gjatë kësaj kohe ajo punon me disa programe për t’u ardhur në ndihmë grave dhe fëmijëve. Ajo gjithashtu u fokusua në literaturë dhe librari, duke ngritur “Iniciativën e literaturës familjare”, program i cili nxiste familjet për të lexuar së bashku.
2001 – Laura Bush bëhet “Zonja e Parë” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Aktivitetet vullnetare:
Gjatë kohës së rritjes së vajzave, Laura shërbeu si vullnetare në një numër të madh organizatash.
Asaj i dedikohet edhe maturimi i bashkëshortit të saj si dhe ndalimi nga ana e tij i përdorimit të alkoolit.
Pas vdekjes së nënës së saj nga kanceri, Laura Bush bëhet aktiviste e luftës kundër kësaj sëmundjeje.
Gjatë kohës së qëndrimit të saj si “Zonjë e Parë”, ajo fokusohet në çështjet e edukimit dhe atyre të grave. Pas sulmit të 11 shtatorit, ajo ndërmori një fushatë për të sensibilizuar prindërit që të mos lejonin fëmijët e tyre të shikonin imazhe dhune.
Çmimet:
2002 – Merr çmim nga “Fondacioni Eli Uesel” për kontributin dhe përkushtimin për çështjet e arsimit.
2004 – Laura Bush është cilësuar nga revista “Forbes” si gruaja e dytë më e fuqishme në Shtetet e Bashkuara, pas Kondoleca Rajs, dhe e katërta në botë.
2005 – Nderohet nga Shoqata Amerikane e Librarive, për mbështetjen e saj ndaj librarive.
2006 – Nderohet nga Fondacioni Kuvajt-Amerikan, për kontributin e saj në përmirësimin e kushteve të jetesës së fëmijëve në botë.
Tre ndërtesa ku jepte mësim, kanë marrë emrin e saj, dy në Teksas dhe një në Kosovë.
Përgatiti: Dorina Topollaj
FLASIN BANORET
Vjollca Kulla
Për qytetin tonë ardhja e Bushit është një shans i madh, sepse, të vijë një president i botës për herë të parë në Shqipëri e të vij në Fushë-Krujë, është shans. Mund të them që qyteti ynë është i privilegjuar. Shpresojë që ardhja e Bushit të sjellë investime për Fushë-Krujën, sidomos për shkollat. S‘e kisha menduar që mund t‘i jepja dorën Presidentit.
Refie Dyrmishi
Unë vet personalisht vizitën e Bushit në qytetin tonë të Fushë-Krujës e ndoqa nga ballkoni, për shkak se nuk munda të dal pasi kam bashkëshortin të paralizuar. Për mua kjo ishte një ngjarje e madhe për qytetin tonë të vogël se na erdhi për vizitë presidenti i botës.
Kristulla Hasani
Ne e kemi pritur shumë mirë. Jemi njerëz shumë të mirë, të urtë dhe pritjen besoj se e kemi bërë më të mirë. Tani vjen edhe kryeministri Sali Berisha, dhe nuk e dimë mirë, por më kanë thënë që vjen për të na falënderuar që ne e kemi pritur mirë Presidentin amerikan, Xhorxh Bush.
Nexhmije Thamani
Unë kam qenë në shesh për të pritur Presidentin amerikan, Xhorxh Bush. Madje kur ai takoi të gjithë qytetarët e Fushë-Krujës unë mund ta quaj veten me fat që takova Presidentin Bush. Nuk e kam besuar që do të mund ta takoja ndonjëherë, jam ndjerë shumë e emocionuar në momentin që i dhashë dorën.
Eglantina
Pse ka zgjedhur Fushë-Krujën nuk e dimë, por shpresoj që tashti pas ardhjes së Presidentit amerikan në qytetin tonë të ketë shumë investime. Ne jemi identifikuar si vend që nuk kemi rend, por me pritjen që i bëmë Bushit, treguam se ne qytetin tonë ka rend dhe se ky rend do të përmirësohet. Shpresojmë që të kemi sa më shumë vende pune.
Mrike Kurti
Vizita e Presidentit Bush në Fushë-Krujë është padyshim një nga gjërat më të bukura që unë kam parë deri tani. Padyshim që dola në rrugë dhe e përshëndeta, dhe u emocionova shumë kur e pashë. Nuk mund ta besoja që ai erdhi për vizitë në qytetin tonë dhe shpresojë që kjo vizitë të ketë shumë anë pozitive për Fushë-Krujën.
Marija
Ka qenë një nga ditët më të bukura për qytetin tonë. Presidenti i vendit më të fuqishëm erdhi vizitoi qytetin tonë. Unë nuk munda ta takoj dot, për shkak të njerëzve të shumtë. Shpresojmë që vizita e tij tek të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e qytetit tonë të vogël, pasi është qyteti që hyri në histori për pritjen që i bëri Presidentit amerikan.
Përparim Lushi
Vizita e Presidentit Bush është padyshim një vizitë historike për qytetin tonë. Unë vetë personalisht arrita t’i jap dorën Presidentit amerikan Bush, dhe kjo gjë më emocionoi shumë. Dashuria jonë bëri që Xhorxh Bush të zbresë dy herë nga makina për t’u përshëndetur me ne. Ishte diçka madhështore.
Nazmi Doku
Fushë-Kruja për mendimin tim e meriton të jetë shteti i 53-të i Amerikës. Vizita e Xhorxh Bushit në qytetin tonë bëri që ne të kthehemi në qendër të vëmendjes botërore. Ajo vizitë ishte padyshim një nga më madhështoret në gjithë historinë jo vetëm të zonës tonë, por edhe të të gjithë Shqipërisë.
Dritan Topi
Unë dje kam patur dy gëzime, i pari ishte se dje unë kisha ditëlindjen, kurse i dyti, që padyshim është edhe më i madhi, është se unë dje takova Presidentin amerikan Bush, një mundësi kjo që të jepet vetëm një herë në jetë dhe nuk mund t’i ndodhë kujtdo. Pra për mua data 10 qershor 2007 do jetë një datë e rëndësishme jo vetëm për mua, po për të gjithë shqiptarët
100 TË VEÇANTAT E VIZITËS SË PRESIDENTIT BUSH NË SHQIPËRI – Gazeta “TIRANA OBSERVER”
Komentet