Edward Lear – Mali i Tomorrit
Nga një njoftim i studiuesit David Hosaflook, përkthyesit të “Rrethimit të Shkodrës” anglisht, mora vesh se më 1864 është botuar në Londër një libër me titullin Brigjet lindore të Adriatikut më 1863 (The Eastern Shores of the Adriatic in 1863). Për shkak të këtij titulli, në të cilin nuk del emri i Shqipërisë, kjo vepër nuk është përmendur deri më sot nga albanologët dhe as nga bibliografitë për shqiptarët.
Zanafilla e librit është te një ndodhi tipike angleze. Zonjusha Emili Anne Beaufort Smythe botoi më 1862 dy vëllime me përshkrimin e vendvarrimeve të Egjiptit dhe të faltoreve siriane gjatë kohës së Perandorisë Osmane, shoqëruar edhe me skica të vetat. Zoti Percy ishte nënkonti i tetë Strangford (1826-1861), filolog dhe etnolog, që njihte disa gjuhë të Orientit, i caktuar atashe në Stamboll që më 1845. Më pas ai do të bëhej kryetar i Shoqërisë Aziatike Mbretërore të Anglisë. E lexoi librin e Emilisë dhe bëri një recension në shtypin e Londrës, në të cilin me humorin karakteristik anglez e kritikonte jo pak librin. Pas kësaj ata u takuan dhe vendosën … të martoheshin. Strangfordi dëshironte të paraqitej një përshkrim i anës jug-perëndimore të Ballkanit dhe i tha Emilisë që vetëm tek ajo kishte besim, se do të jepej një paraqitje e drejtë. Kështu tashmë nënkontesha Strangford ndërmori më 1863 një udhëtim në brigjet lindore të Adtiatikut dhe me ndihmën e me plotësimet e të shoqit e përfundoi librin, që u botua një vit më pas. Edhe vetë nënkonti bëri një udhëtim më 1863 në Shqipëri, prandaj shkroi tre kapitujt e fundit të veprës së të shoqes. Libri ka 386 faqe.
Në fillim të majit 1863 Emilia mbërriti në Korfuz dhe më 1 qershor, një grup prej tre burrash e tri grash angleze, bashkë me një gjellëbërës dhe dy shërbëtorë u nis për Janinë, të cilin gjatë librit e quan kryeqytetin e Shqipërisë jugore. Në Sarandë nga kështjella e dikurshme veneciane kishin mbetur vetëm disa gërmadha. Në Delvinë bujtën te shtëpia e mydirit, pastaj morën rrugën për Janinë, duke kujtuar vargjet e Bajronit dhe manastirin e Zicës, i cili as nuk mund të krahasohej me bukuritë e rrethinave të Delvinës e të Romanatit. Janina iu shfaq nga larg si një qytet i bardhë prej mermeri. Aty vizituan kështjellën, varrin e trupit të Ali Pashës dhe rrëzë kodrës së Shën Gjergjit kujtuan Bohemundin, i cili aty më 1082 kishte thyer perandorin Aleks Komneni. Në pazar e tërhoqën qëndismat me ar më të mirat se kudo gjetkë, por qyteti ishte varfëruar aq sa fshatarët tashti shkonin deri në Vlorë për të blerë veshjet. Edhe punimet prej argjendi ishin të cilësisë së mirë, saqë të kujtojnë dyqanet që janë edhe sot në Janinë.
Në ishullin e Janinës gjetën 7 manastire, por pa asnjë murg. Hynë në manastirin e Pandelejmonit dhe u ngjitën te dhoma plot me vrima plumbash në dysheme, ku e vranë Ali Pashën dhe rrëmbyen Vasiliqinë, që ishte në dhomën ngjitur. Ajo ndenji dy vjet në Stamboll, e lejuan të shkonte në Patras dhe atje vdiq në mjerim më 1855. “Shqiptarët janë një popull i veçantë, jo thjesht një fis, por një komb më vete, – shkruan ajo. – Me emrin e përgjithshëm shqiptarë ata ndahen në veri gegët dhe në jug toskët. Shumica e tyre u bënë myslimanë në shek. XV.” Autorja citon fjalët e historianit Finlay (Finlej), se morali i tyre nuk ishte i tillë, saqë të ktheheshin në gjynahqarë më të mëdhenj duke u bërë myslimanë dhe janë më pak fanatikë se turqit po dhe me më pak paragjykime se grekët. Por Emilia i quan fshatarët dembelë e të paditur, ndërsa te qytetarët ka shquar edhe fytyra të çelura inteligjente.
Nga Janina grupi u nis drejt maleve të Sulit, për të cilat ajo ka dhënë një pikturë romantike plot dritë. Shënon veçan majën e Tripës, nga e cila u hodhën suljotet për të mos u kapur robinja; maja tjetër quhej Mali i Vetëtimave dhe në qendër ishte Qafa, maja në të cilën Ali Pasha kishte ndërtuar një kështjellë të madhe. Suljotët nënkontesha i quan një fis toskësh, “fara”, që u shndërruan në një kastë ushtarake, e cila merrej edhe me grabitje. Më 1792 ishin bërë një farë republike e vogël, që nxirrte 1500 luftëtarë. Autorja ngulmon se suljotët qenë thjesht shqiptarë e jo grekë dhe me ta bashkoheshin çamët ortodoksë. Ali Pasha i shkatërroi me dredhi, me përçarje dhe me sulme herë pas here, ngjarje të cilat ajo i ka dhënë përmbledhtazi sipas Martin-Likut dhe Finlejit. Në Pargë ajo ka parë veshjet më të bukura, me ngjyra të çelëta të gëzuara. Këtë pjesë e përfundon me 9 këshilla për ata që duan të shkojnë si turistë në viset shqiptare të jugut e ndër këto e shtata kërkon: “Më mirë të keni me vete një shërbëtor që flet shqipen.” (Do të ishte me interes që këto këshilla të riprodhoheshin sot në udhëzuesit turistikë si një kureshti!) Më tej ka shënuar kafshët e gjahut që mund të gjuhen në Vlorë, Sarandë, Butrint etj., një listë kjo ndoshta nga të parat për faunën e Shqipërisë.
Kreu i dytë i librit u kushtohet ndërlikimeve politike për zotërimin e Korfuzit dhe të ishujve jonianë. Në kreun e tretë me titullin “Raguza” përshkruhet udhëtimi në Dalmaci. Më 23 qershor grupi zbarkoi në Vlorë dhe të nesërmen prej andej ndali në Durrës sa për një shëtitje. Por qytetin e gjetën një qendër të mjerë, me shumë asqerë turq me pamje të tmerrshme. Të nesërmen arritën në Tivar. Ky ishte një qytet vetëm me 250 shtëpi, me rreth 4000 banorë shqiptarë, nga të cilët dy të tretat myslimanë. Këtu shtrihej vija e ndarjes ndërmjet Turqisë e Austrisë dhe grupi më tej vijoi drejt Dalmacisë. Kreu i katërt i kushtohet Malit të Zi.
Gjatë kthimit për t’u larguar nga Mali i Zi nënkontesha erdhi në Shkodër. E quan se emrin qyteti e ka marrë nga kodra e kështjellës, domethënë është “mbi [sh]kodër” dhe shton: “Nëse kjo prejardhje është e drejtë, atëherë është kureshtare dhe e vlefshme, sepse tregon që shqipja e sotme është në gjendje të interpretojë një emër, i cil daton herët që nga ditët e Republikës së Romës.” Kjo i kujton një interpretim të historianit gjerman J. Falmerajer, sipas të cilit epiteti për Akilin këmbëshpejtë, në gjuhën e Epirit ishte “aspete”, domethënë “shpejt”. Qyteti kishte 4500 shtpi, por të rrethuara me mure, saqë pothuaj nuk shihje një dritare. Vapa në verë ishte përvëluese, prandaj shumë shkodranë kanë nga një shtëpi fshati në Drisht. Banorët katolikë, rreth 12.000, nuk kishin asnjë kishë, ndërsa ortodoksët e kishin një kishë të vogël e një shkollë. Urën mbi Kir ajo e quan të jashtëzakonshme, “si një merimangë nga njëri breg te tjetri”, të ndërtuar më 1768. Ka përmendur edhe Ulqinin, të banuar tërësisht nga myslimanë shqiptarë, me një flotë mbi 200 anijesh, ndërsa dikur këta detarë piratë ishin tmerri i Italisë dhe i Adriatikut. Për gjuhën vëren: “Në Shkodër flitet shqipja. Ajo ndryshon prej gjuhës që flitet në jug të Shqipërisë. Në krahinat malore flitet shqipja prej katolikëve dhe serbishtja nga ortodoksët, ndërsa nga myslimanët shumë pak veta e flasin turqishten. Italishtja flitet mjaft nëpër qytete, por aspak nëpër fshatra.” Qytetarët myslimanë mbanin fustanella ashtu si dhe shqiptarët e jugut. Krimbi i mëndafshit rritej vetëm në Shqipërinë e veriut, ndërsa vëren se në Shqipëri nuk rritej patatja. Nga vapa ajo nuk qe në gjendje gjatë atij qëndrimi të shkurtër të bënte ndonjë vizatim. Pas gjithsej dy javëve ajo u largua përfundimisht nga brigjet lindore të Adriatikut.
Përshkrimit të nënkonteshës i mungonte Shqipëria e veriut. Prandaj këtë e plotësoi nënkonti Strangford me tre kapitujt vijues. Sipas tij, vetëm dy anglezë deri atëherë e kishin vizituar veriun e vendit tonë. Njëri ishte i biri i Th. S. Hughes-it (ky kishte qenë në Shqipëri përpara vitit 1814) dhe tjetri Dunn Gardneri, por ata nuk kishin botuar shënime udhëtimi. Autori njihte edhe veprën e albanologut J. G. von Hahn, por mendonte se libri i tij duhej pastruar si hauret e Augjiasit. Banorët e Shkrelit i paraqet si myslimanë, që e paskan marrë emrin nga Shën Kerli dhe vijonin të merrnin pjesë në festat e kishës.
Nuk ka dyshim, nënvizon nënkonti, se shqiptarët kanë një natyrë të dalluar fizike e mendore, që shprehet fort dhe që është e përbashkët për të gjithë në një shkallë më të madhe ose më të vogël. Ata e mendojnë veten dhe e madhërojnë së bashku si shqiptarë, në kontrast me fqinjët e tyre; të gjithë flasin një gjuhë ose më mirë një grup dialektesh të pashkruara, plot me huazime. Ata kanë mësuar nga përvoja se sundimi i huaj është e keqja më e madhe.
Nën sundimin kryengritës ose gjysmë të pavarur të bashkatdhetarëve të tyre kanë qenë në gjendje të ruanin të paprekur individualitetin e tyre shqiptar. Gjithë këto fise praktikisht janë të pavarura nga Turqia dhe privilegjet e veta i ruajnë me armë në dorë. Por mungesa e një gjuhe të lëvruar e letërsisë, si dhe e një feje të vetme e pengonte ndërgjegjen e unitetit politik dhe arritjen e një ndërtimi politik. Kundërshtia e shqiptarit ndaj Portës ishte e vjetër, por tashti burokracia e babëzitur dhe e korruptuar e Stambollit e bënte armik për vdekje të saj. Për nënkontin, fakti më i shënuar në Turqi është zgjimi i kombeve të nënshtruara dhe lëvrimi në rritje i gjuhëve të tyre. Në shënimet në fund të librit ai ka dhënë me hollësi luftën e suljotëve sipas Finlejit.
Vitin e vdekjes së të shoqit nënkontesha botoi në dy vëllime shkrimet e nënkontit për çështje politike, gjeografike e shoqërore. Ajo u mor me shëndetësinë dhe iu kushtua ndihmave për viktimat e luftërave, madje themeloi disa spitale e qendra të ndihmës në vende të ndryshme. Viti i saj i lindjes nuk dihet, por vdiq më 1887.
David Hosaflook-u ka premtuar të përpilojë një libër me pjesët e Strangfordëve për shqiptarët, duke dhënë shpjegime plotësuese dhe shënime të nevojshme. Kur të bëhet gati libri anglisht, do të jetë detyra ime ta përkthej shqip.
Komentet