VOAL

VOAL

Мugabe, kandidat presidencial në moshën 92 vjeçare

December 14, 2016

Komentet

Lufta e Rusisë në Ukrainë nxit një stuhi diplomatike

Përplasja verbale mes presdientit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, dhe nënpresidentit JD Vance. 28 shkurt 2025.

 

Steve Gutterman

Në gjuhën ukrainase dhe ruse, termi për ‘rollercoaster’ është “kodrat amerikane”. Ky është një përshkrim i përshtatshëm për diplomacinë me ritëm të shpejtë të zhvilluar javën e fundit lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, veçmas kur bëhet fjalë për raportet e trazuara midis Uashingtonit dhe Kievit.

Një takim në Shtëpinë e Bardhë, që kishte për qëllim të prodhonte një marrëveshje për burimet minerale mes SHBA-së dhe Ukrainës që presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte cilësuar si hap kyç për përfundimin e luftës, shkoi keq: Nuk u nënshkrua asnjë marrëveshje dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u largua më herët se ishte planifikuar pas një përplasjeje në Zyrën Ovale. Trump tha se ai “mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.

Kjo ndodhi më 28 shkurt. Tri ditë më vonë, zyrtarë të lartë amerikanë thanë për mediat se Trumpi po pezullonte ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën, duke krijuar më shumë pasiguri nëse ajo mund të rezistojë për vitin e katërt ndaj pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Moska dhe duke rritur urgjencën për përpjekjet evropiane për të kontribuar më shumë dhe për të mbushur boshllëkun – jo vetëm për sigurinë e Ukrainës, por edhe për të tyren.

Dhe një ditë pas kësaj, më 4 mars, për të shmangur kritika të reja për Kievin, në fjalimin para Kongresit Trump tha se Zelensky e kishte informuar me anë të një letre se ishte i gatshëm për bisedime me Rusinë për t’i dhënë fund luftës dhe është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen për minerale “në çdo kohë”.

Në mes të kësaj stuhie diplomatike, në këtë tekst mund të mësoni se cilat janë gjërat e rëndësishme që duhet t’i ndiqni:

A do të nënshkruhet marrëveshje për minerale?

Ajo çfarë Trumpi tha në fjalimin e 4 marsit sugjeroi se Kievi dhe Uashingtoni mund të nënshkruajnë shumë shpejt një marrëveshje për zhvillimin e përbashkët të mineraleve të rralla të Ukrainës dhe burimeve të tjera. Një gjë e tillë do të ishte një sinjal i fuqishëm që gjëra janë rikthyer siç ishin më parë, pas katastrofës në Zyrën Ovale.

Por, ajo çfarë Trumpi nuk tha po ashtu tregon shumë: Ai nuk e intensifikoi kritikën ndaj Zelenskyt duke thënë se presidenti ukrainas nuk dëshiron paqe apo duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e tij e duke kërkuar që Ukraina të mbajë zgjedhje shumë shpejt. Tash për tash, kjo tregon se SHBA-ja do ta trajtojë Zelenskyn si një figurë të rëndësishme në ndonjë marrëveshje eventuale armëpushimi apo paqeje me Rusinë.

A do të zgjasë shumë pezullimi për ndihmën ushtarake?

Megjithatë, një gjë tjetër që Trumpi nuk e tha ishte se ai do t’i jepte fund pezullimit të dërgesave të armëve dhe ndihmës tjetër ushtarake për Ukrainën. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se pezullimi do të marrë fund kur Kievi të tregojë angazhim të sinqertë për paqe dhe këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare, Mike Waltz, e bëri të qartë më 5 mars se ky kusht ende mbetet në fuqi. Trump “do të shqyrtojë seriozisht mundësinë e heqjes së këtij pezullimi” kur të aranzhohen bisedimet e paqes dhe kur në tavolinë të jenë masat për ndërtimin e besimit”, tha ai.

Kjo bën që presioni të bjerë mbi Ukrainën për të bërë hapa drejt negociatave për përfundimin e luftës, pavarësisht mungesës së garancive të sigurisë nga SHBA-ja përtej marrëveshjes për minerale, e cila, sipas zyrtarëve amerikanë, do të ndihmojë në mbrojtjen e Ukrainës duke i dhënë SHBA-së një interes të fortë në stabilitetin e vendit.

Sa thellë mund të shkojë përmirësimi i raporteve SHBA-Rusi?

Trump bëri bujë të madhe kur ndryshoi politikën e SHBA-së duke e telefonuar presidentin rus, Vladimir Putin, më 12 shkurt, dhe duke dërguar zyrtarë të lartë në Arabinë Saudite për të biseduar me homologët e tyre rusë për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke ringjallur raportet që ishin përshkruar me përpjekje të gjata të Uashingtonit për të izoluar Kremlinin dhe për ta ndëshkuar për luftën e paprovokuar në Ukrainë.

Kjo shkaktoi shqetësime se Kievi dhe Evropa mund të liheshin anash dhe t’iu prezantohej një marrëveshje e paqes që do ta linte të cenueshme Ukrainën ndaj agresionit të mëtejmë rus dhe do të minonte sigurinë në mbarë kontinentin. Se si do të zhvillohen ndërveprimet SHBA-Rusi në javët në vijim mund të jenë thelbësore për të ardhmen e Ukrainës, Evropës dhe Perëndimit.

A do të bëjë Evropa më shumë?

Qasja e Trumpit ndaj Rusisë, marrëdhëniet e lëkundura SHBA-Ukrainë, pasiguria mbi ndihmën amerikane për Kievin dhe një ftohje e re në raportet transatlantike kanë nxitur thirrjet që Evropa të bëjë më shumë kur bëhet fjalë për sigurinë e Ukrainës dhe sigurinë e saj, përfshirë diskutimin për të rritur furnizimet me armë për Kievin dhe për një forcë të armatosur që mund të dislokohej në Ukrainë në rast të një armëpushimi apo të një marrëveshjeje të paqes.

Nëse këto diskutime mund të përkthehen në veprime dhe sa shpejt mund të ndodhë diçka e tillë mund të ketë një ndikim të fuqishëm në fatin e Ukrainës dhe të ardhmen e Evropës.

Po Rusia?

Në javët e fundit, intensifikimi i diplomacisë sa i përket luftës në Ukrainë është përqendruar në SHBA, Ukrainë dhe Evropë. Por, përderisa qëllimi i përgjithshëm është përfundimi i luftës më të madhe në Evropë që nga viti 1945, shteti që është përgjegjës për luftën dhe mund ta përfundojë atë menjëherë nëse dëshiron – Rusia – duket se është lënë anash në disa raste.

Për shembull, bisedimet që një forcë e armatosur mund të dislokohet pas një armëpushimi kanë vazhduar pavarësisht kundërshtimit të qartë të Moskës, të paktën, ndaj një force të NATO-s, dhe pavarësisht pretendimit të Kremlinit se dëshiron një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes – një marrëveshje që mund t’i japë Rusisë ndikim mbi Ukrainën dhe një rol më të fuqishëm në sigurinë evropiane – dhe se nuk ka interes për një armëpushim të kufizuar. Rusia po ashtu ka thënë se çdo marrëveshje paqeje duhet të njohë pretendimin e saj ndaj katër rajoneve të Ukrainës, përfshirë pjesë që Ukraina ende ka nën kontroll – një qëndrim që është i papranueshëm për Kievin.

Disa analistë thonë se Rusia ka një histori të përdorimit si taktikë negociuese të parashtrimit të kërkesave maksimaliste, në mënyrë që më pas të mund të tërhiqet në pozita që ende i shërbejnë qëllimeve të saj. Të tjerët thonë se, të paktën tash për tash, Putini beson se mund të arrijë qëllime të mëdha, sikurse nënshtrimi i Ukrainës dhe do të përdorë çdo armëpushim për të ndërtuar forcat e tij për një sulm të ri të mundshëm.

Administrata amerikane ka thënë se Ukraina dhe Rusia duhet të bëjnë koncesione për hir të paqes, por ka thënë pak rreth asaj se çfarë mund të jenë këto koncesione në rastin e Rusisë. Ndërsa përpjekjet e Trumpit për paqe po vazhdojnë, gjithashtu diçka që ja vlen të ndiqet është se çfarë thonë zyrtarët amerikanë dhe rusë rreth formës së një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftimeve.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Pesë krimet më të rënda të luftës që Rusia dyshohet t’i ketë kryer në Ukrainë

Hetuesit ukrainas kanë mbledhur prova mbi atë që ata thonë se janë dhjetëra mijëra krime të mundshme lufte, që dyshohet se janë kryer nga trupat ruse. Kjo përfshin ekzekutimin e pretenduar të civilëve në qytetin e Buçës, në mars 2022.

 

Mike Eckel, Serhiy Stetsenko

Trupa të shtrirë në rrugët e Buçës. Dyshime për vrasjen e të burgosurve të luftës, trupat e të cilëve iu dorëzuan autoriteteve ukrainase. Gjaku i derdhur i udhëtarëve civilë në një stacion treni, të vrarë nga një raketë balistike. Fëmijë ukrainas të birësuar nga familje ruse pa dijeninë e prindërve të tyre.

Më shumë se tre vjet lufte të Rusisë ndaj Ukrainës, katalogu i mizorive të pretenduara, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, vazhdon të zgjerohet.

Nuk ka asnjë garanci se të dhënat për krimet e pretenduara do të arrijnë ndonjëherë brenda një salle gjyqi në Kiev, në Hagë, apo kudo tjetër. Komandantët rusë nuk shfaqin asnjë prirje për t’i hetuar akuzat; Kremlini madje ka nderuar njësi ushtarake të akuzuara për disa nga krimet më të rënda.

Dhe, Gjykata Ndërkombëtare Penale – e shpërfillur nga Rusia dhe e kritikuar ashpër nga Uashingtoni – po has gjithnjë e më shumë pengesa.

Megjithatë, hetuesit ukrainas dhe mbështetësit perëndimorë po punojnë për të mbledhur prova dhe për të përpiluar raste të besueshme penale. Më shumë se 153.000 raste janë hapur në një formë ose tjetër.

“Për ne, është vetëm çështje kohe para se ata të përballen me drejtësinë”, tha për Shërbimin ukrainas të REL-it, Yuriy Byelousov, hetues për krime lufte në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

“Shembujt historikë tregojnë se mund të nevojiten vite, por këto raste nuk do të harrohen”, shtoi ai.

Ja pesë nga rastet më të rënda:

Ku janë zhdukur fëmijët?

Rasti i parë nga dy sa janë iniciuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale vë në shënjestër atë që zyrtarët e kanë quajtur si fushatë sistematike e nivelit të lartë, për t’i larguar fëmijët ukrainas nga territoret e pushtuara dhe për t’i çuar ata në Rusi.

Në njoftimin e saj më 17 mars 2023, gjykata tha se kishte lëshuar fletarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për zyrtaren kryesore të Kremlinit për çështjet e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për “krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të [fëmijëve] dhe transferimin e paligjshëm të [fëmijëve]”.

Sipas autoriteteve ukrainase, gati 20.000 fëmijë janë zhdukur, ose besohet se ndodhen në paraburgim në Rusi.

Aktivistët për të drejtat e njeriut, gazetarët dhe hetuesit ukrainas kanë dokumentuar një fushatë të gjerë, ku fëmijët ukrainas janë marrë nga territoret e pushtuara ukrainase.

Zyrtarët rusë shpesh e kanë paraqitur përpjekjet e tyre si gjest humanitar, duke strehuar, ushqyer ose mbrojtur fëmijët nga lufta apo nga dështimi i shërbimeve në rajonet e pushtuara.

Megjithatë, në shumë raste, autoritetet ruse kanë bërë pak për t’i identifikuar prindërit, të afërmit ose kujdestarët ligjorë të fëmijëve ukrainas.

Për më tepër, sipas hetuesve, autoritetet ruse janë përfshirë në një “program sistematik të birësimit dhe strehimit të detyruar”. Në disa raste, fëmijët ukrainas janë dërguar në kampe verore pushimi në Bjellorusi, ku janë ekspozuar ndaj arsimit dhe propagandës proruse.

Imazhet satelitore nga nëntori 2021 dhe nga marsi 2022 tregojnë kishën kryesore në Buça dhe varret e sapogërmuara në vazhdën e tërheqjes së Rusisë nga qyteti ukrainas në mars 2022.

Imazhet satelitore nga nëntori 2021 dhe nga marsi 2022 tregojnë kishën kryesore në Buça dhe varret e sapogërmuara në vazhdën e tërheqjes së Rusisë nga qyteti ukrainas në mars 2022.

Kufoma në Rrugë

Në javët e para të pushtimit, forcat ruse u përballën me një qëndresë të ashpër nga forcat ukrainase, veçanërisht në veri të kryeqytetit, Kiev. Nga fundi i marsit, komandantët i urdhëruan njësitë të tërhiqeshin dhe të rigrupoheshin.

Pas tërheqjes së tyre, zyrtarët ukrainas dhe gazetarët gjetën qindra civilë të vrarë në qytetin Buça, të ekzekutuar me armë zjarri, disa me duar të lidhura, trupat e të cilëve ishin hedhur në rrugica ose bodrume. Në Irpinin e afërt, autoritetet gjetën dhjetëra varre të porsahapura, ku ishin varrosur trupat e banorëve vendas, shumë prej tyre me plagë nga armët e zjarrit.

Pamjet nga Buça dhe Irpini tronditën botën, i dështuan bisedimet për armëpushim midis Kievit dhe Moskës, nxorën në pah kritika të ashpra kundër Moskës dhe forcuan mbështetjen për Ukrainën.

Sipas ekspertëve të pavarur, provat tregonin qartë se kishte krime lufte. Më vonë, Shtetet e Bashkuara vendosën regjim vizash për komandantin e një regjimenti sulmi ajror që ishte dislokuar në Buça, duke cituar “vrasje jashtëgjyqësore”.

Zyrtarët ukrainas thanë se kanë ngritur akuza penale kundër 21 ushtarëve rusë për krime të dyshuara lufte në Buça.

Disa javë pasi pamjet u bënë publike, Putin nënshkroi një dekret duke nderuar njësi nga Brigada e 64-të e Veçantë e Këmbësorisë së Motorizuar, e cila kishte pushtuar Buçën dhe rajonin përreth.

Sulmet ndaj infrastrukturës civile

Rusia rikalibroi planet e saj të pushtimit pas pengesave fillestare. Njeriu që mori komandën, gjenerali Sergei Surovikin, urdhëroi sulme ajrore dhe raketore në shkallë të gjerë, duke shënjestruar jo vetëm objektivat ushtarake ukrainase, por edhe infrastrukturën civile.

Surovikin u shkarkua nga komanda pas kryengritjes së dështuar të udhëheqësit të grupit mercenar, Yevgeny Prigozhin. Megjithatë, strategjia vazhdoi.

Duke përdorur raketa lundruese të lëshuara nga ajri dhe deti, dronë kamikazë dhe armë të tjera, Rusia ka goditur infrastrukturën ukrainase në atë që zyrtarët e përshkruajnë si përpjekje të qëllimshme për ta demoralizuar dhe lodhur popullsinë. Rrjeti elektrik është goditur vazhdimisht në përpjekje për t’i mërdhirë ukrainasit gjatë muajve të dimrit.

Marsin e kaluar, gjykata e Hagës lëshoi përsëri fletarrestime kundër zyrtarëve rusë, ndaj gjeneralit Sergei Kobylash dhe admiralit Viktor Sokolov – duke i akuzuar ata për krime lufte si udhëheqës të fushatës ajrore që kishte në shënjestër termocentralet dhe nënstacionet.

Në përgjithësi, e drejta ndërkombëtare – kuadri ligjor që rregullon krimet e luftës dhe shkeljet e ngjashme – ia ndalon ushtrisë t’i godasë objektiva civile, përveç rasteve kur ka një arsye të ligjshme ushtarake. Për shembull, nëse një njësi ushtarake fshihet në një termocentral, ai objektiv mund të sulmohet.

Ekzekutime në fushëbetejë

Në fund të dhjetorit 2022, Oleksandr Matsiyevskiy, një ushtar i Brigadës së 119-të të Pavarur të Forcave të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, humbi kontaktet gjatë luftës për të mbrojtur qytetin e Bahmutit nga përparimi i forcave ruse.

Tre muaj më vonë u shfaq një video 12 sekondëshe në kanalet ruse të Telegramit, ku Matsiyevskiy shihej i lodhur, duke tymosur një cigare ndërsa përballej me ushtarët rusë. Derisa ushtarët rusë e incizonin dhe e tallnin, Matsiyevskiy brohoriti “Lavdi për Ukrainën”. Matsiyevskiy u mallkua nga ushtari rus dhe u vra me armë zjarri.

Matsiyevskiy u shpall hero kombëtar. Sipas ekspertëve, me shumë mundësi, edhe ai ishte viktimë e një krimi lufte.

E drejta ndërkombëtare ndalon ekzekutimet e shpejta të të burgosurve të luftës, të cilët janë të mbrojtur nga Konventat e Gjenevës, traktati ndërkombëtar i nënshkruar nga të dyja shtetet, Rusia dhe Ukraina.

Sipas Kombet e Bashkuara, të paktën 71 të burgosur ukrainas të luftës janë ekzekutuar nga forcat ruse ose ato të lidhura me Rusinë që nga shkurti i vitit 2022, dhe të paktën 21 të tjerë kanë vdekur në paraburgim rus. Po ashtu, qindra të tjerë kanë raportuar tortura dhe dhunë seksuale.

As Ukraina nuk është bash e pafajshme, sipas OKB-së, misioni vëzhgues i së cilës raportoi për ekzekutimin e 26 të burgosurve rusë të luftës në vitet 2022 dhe 2023.

Qindra të burgosur rusë kanë raportuar gjithashtu për tortura dhe keqtrajtim nga ukrainas.

Masakra në stacionin e trenit

Në mëngjesin e 8 prillit të vitit 2022, qindra njerëz po prisnin në stacionin hekurudhor në qytetin e Donbasit, Kramatorsk, kur stacioni u godit nga një raketë, e cila më vonë u identifikua si raketë balistike “Tochka-U”, e pajisur me municione klaster.

Të paktën 58 persona u vranë në shpërthim dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën. Ky ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj civilëve ukrainas që nga fillimi i pushtimit të plotë.

Megjithëse si forcat ukrainase, ashtu edhe ato ruse dispononin sisteme “Tochka-U” në arsenalet e tyre, shumica e provave treguan se raketa u hodh nga forcat ruse. Autoritetet ruse e mohuan përgjegjësinë dhe pretenduan se forcat e tyre nuk kishin përdorur këtë sistem.

Trupat e të vrarëve pas një sulmi raketor nga trupat ruse në stacionin hekurudhor në Kramatorsk, Ukrainë, 8 prill 2022

Trupat e të vrarëve pas një sulmi raketor nga trupat ruse në stacionin hekurudhor në Kramatorsk, Ukrainë, 8 prill 2022

Siç ndodh me termocentralet, e drejta ndërkombëtare ndalon sulmet e qëllimshme ndaj civilëve ose infrastrukturës civile. Ajo gjithashtu kërkon që komandantët ushtarakë të bëjnë përpjekje të qëllimshme për ta shmangur shënjestrimin e këtyre lokacioneve.

Ky incident nuk ishte i vetmi në të cilin u dëmtuan ose u shkatërruan objekte civile me viktima. Në korrik të vitit 2024, një spital për fëmijë në Kiev, Ohmatdyt, u dëmtua rëndë nga një sulm me raketa ruse, megjithatë nuk ishte e qartë nëse spitali ishte shënjestruar e qëllimshme.

Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë thënë se rrethimi i Mariupolit nga Rusia – qyteti port në Detin e Azovit – mes shkurtit dhe majit të vitit 2022 gjithashtu përbën krim lufte, sepse mijëra civilë u vranë ose plagosën,, dhe qindra mijëra u bllokuan për javë të tëra pa ujë dhe rrymë.

Kombet e Bashkuara kanë thanë se më shumë se 12.600 civilë janë vrarë që nga shkurti i vitit 2022. Numri i viktimave civile u rrit ndjeshëm vitin e kaluar krahasuar me vitin 2023.

Imazhet satelitore nga gushti 2021 (lart) dhe prilli 2022 (poshtë) tregojnë rreshta varresh të sapohapura, në një periferi të qytetit port të Mariupolit, në Ukrainë.

Imazhet satelitore nga gushti 2021 (lart) dhe prilli 2022 (poshtë) tregojnë rreshta varresh të sapohapura, në një periferi të qytetit port të Mariupolit, në Ukrainë.

Byelousov, zyrtari ukrainas për krimet e luftës, tha se hetuesit shpesh përballeshin me një tjetër kërcënim, që mund të kategorizohej si krim lufte:

“Forcat ruse përdorin shpesh sulme ‘e dyfishta’; ata sulmojnë një lokacion, presin 30-40 minuta që të arrijnë shpëtimtarët, policia dhe prokurorët, dhe pastaj godasin përsëri”, tha ai për REL-in.

“Ne tashmë kemi humbur hetues në këto sulme sekondare, dhe të tjerë janë plagosur ndërsa dokumentonin krime lufte”, shtoi ai.

Reporterja e REL-it, Maja Zhivanoviq, kontribuoi në këtë shkrim.
Përgatiti: Ekrem Idrizi

Samiti në Londër- Starmer i drejtohet Zelenskyt: Ne jemi të gjithë në anën tuaj, do ju mbështesim

Samiti i Londrës për Ukrainën është duke u zhvilluar në Lancaster House nga ora 16:00 me pjesëmarrjen e 15 liderëve dhe pritës nga kryeministri britanik Keir Starmer .

“Shpresoj se ju e dini se ne të gjithë këtu jemi me ju dhe me popullin ukrainas për aq kohë sa duhet,” i tha Starmer Volodymyr Zelensky, i cili ishte i pranishëm në samit .

Siç vuri në dukje kryeministri britanik, ky është një moment unik për sigurinë evropiane, duke u bërë thirrje liderëve evropianë të rriten.

“Të kesh një rezultat të mirë për Ukrainën nuk është vetëm një çështje e mirë apo e keqe. “Është një çështje me rëndësi jetike për sigurinë e çdo kombi këtu dhe në rajone të tjera”, shtoi kryeministri britanik

Në të njëjtën kohë, ai tha se synon të punojë në një plan në lidhje me Ukrainën, të cilin më pas do ta diskutojë me SHBA-në dhe së bashku do të ecin përpara.

Sipas Starmer është e rëndësishme që paqja për Ukrainën të vazhdojë, pasi Rusia mund të vazhdojë me agresivitetin e saj. bw

Musku pajtohet me pikëpamjen se SHBA duhet të tërhiqet nga OKB dhe NATO

Elon Musk, i cili drejton Departamentin Amerikan të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), pajtohet me pikëpamjen se Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen nga OKB-ja dhe NATO. “Unë pajtohem,” ishte komenti që manjati bëri në një postim nga përdoruesi Gunther Eagleman që thoshte: “Është koha të largohemi nga NATO dhe OKB”, duke cituar një imazh të senatorit Mike Lee, i cili mbrojti tërheqjen e SHBA nga NATO.

Sipas FoxNews, Lee e ka kritikuar aleancën e NATO-s, duke e quajtur atë “një marrëveshje e madhe për Evropën”, por “një marrëveshje e keqe për Amerikën”.

Kush është Gunther Eagleman?
Gunther Eagleman është një mbështetës i zjarrtë i MAGA-s (Make America Great Again), i cili njihet për aderimin e tij të palëkundur ndaj Donald Trump.

Elon Musk
Elon Musk
Gerousiastis
Gerousiastis

Deklarata e Musk vjen menjëherë pas takimit plot ngjarje mes Trump dhe Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Të dy liderët shkëmbyen fjalë të nxehta në një transmetim të drejtpërdrejtë, me Zelensky që vuri në pikëpyetje qëndrimin e butë të Trump ndaj Rusisë dhe ku Trump reagoi ashpër, duke i kërkuar presidentit ukrainas të tregojë “mirënjohje” ndaj SHBA-së.

Ky zhvillim specifik ka ngritur shqetësime serioze për ecurinë e negociatave të paqes në Ukrainë, pasi mbështetja e SHBA-së konsiderohet kyçe për procesin e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës. bw

Udhëheqësit evropianë mblidhen në Londër për të biseduar për Ukrainën

Kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Londër, 1 mars 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Në Londër më 2 mars mbahen bisedime për krizën, teksa udhëheqësit evropianë po tentojnë të rimëkëmben nga tronditja kolektive dhe tmerri pasi vizitës katastrofike të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington këtë javë.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, para nisjes së samitit, tha se Britania, Franca dhe Ukraina janë pajtuar që të punojnë në një plan për armëpushim që do t’ia paraqesin Shteteve të Bashkuara.

Starmer tha se plani ka dalë pas bisedimeve mes udhëheqësve të këtyre shteteve, pas përplasjes që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pati me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

Starmer i tha BBC-së se beson që Trump dëshiron paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Ai përsëriti qëndrimin e tij se garancitë e sigurisë do të jenë të nevojshme që paqja të jetë e qëndrueshme.

Një ditë më herët, kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.

“Kjo hua do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe do të rikthehet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse”, deklaroi Zelensky përmes rrjeteve sociale.

Kjo nuk është një shumë që ndryshon lojën, por ofron një lloj ngushëllimi për Zelenskyn, pas përplasjes së paprecedent dhe të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump, pas së cilës ai u largua më 28 shkurt nga Shtëpia e Bardhë më herët seç pritej dhe duarbosh.

Konferenca në Londër tani ka marrë një rëndësi të re që nga ky konfrontim në Zyrën Ovale dhe ringjallja e raportit mes Trumpit dhe Zelenskyt me gjasë do të jetë pikë kryesore e agjendës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, – i cili gjendet në Londër – tha se Zelensky duhet të gjejë një mënyrë për të përmirësuar raportin. Ende është e paqartë se diçka e tillë është e mundur të arrihet. Por, Trump deklaroi se Zelensky mund të kthehej “kur të dëshirojë paqe”.

Para konferencës, Starmer takohet ndarazi me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Ajo mund të jetë figurë e rëndësishme në përpjekjet e Evropës për të bindur Uashingtonin se ka nevojë për mbështetje të Ukrainës.

Një mbështetëse e Ukrainës, Meloni po ashtu është ideologjikisht e afërt me Trumpin dhe ai e ka lavdëruar udhëheqësen italiane.

Edhe para vizitës së Zelenskyt në Uashington, udhëheqësit evropianë kanë treguar se ka urgjencë që ata ta bëjnë veten të rëndësishëm për administratën e Trumpit.

Kjo u nxit nga deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë që sugjeruan se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në negociatat për paqe në Ukrainë dhe për shkak të shenjave se SHBA-ja dhe Rusia po përmirësojnë raportet.

Bisedimet e tjera paraprake të krizës janë mbajtur në Paris javën e kaluar dhe ato u përqendruan në atë nëse Evropa mund të krijojë një forcë paqeruajtëse që do të dislokohej në Ukrainë pas një marrëveshjeje armëpushimi apo të paqes, por edhe për arritjen e synimeve për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.

Sfida e bisedimeve në Londër, pas debaklit në Shtëpinë e Bardhë, është që të arrihet diçka më e prekshme dhe më e madhe. Përveç kësaj, disa udhëheqës evropianë po shkojnë përtej asaj që vetëm të dëshmojnë vlerën e tyre për Uashingtonin. Në vend të kësaj, ata po përgatiten për skenarë të mundshme ku nuk do të mund të vareshin nga ombrella e sigurisë së SHBA-së.

Fituesi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Gjermani, Friedrich Merz, deklaroi një javë më parë se Evropa duhet të “pavarësohet” nga Shtetet e Bashkuara.

Pas vizitës së Zelenskyt në Uashington, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se do të mbështeste masa për të ndihmuar Ukrainën që “t’i bëjë ballë agresionit të Rusisë edhe nëse Shtetet e Bashkuara tërheqin mbështetjen e tyre”.

“Ky është një test historik për Evropën”, tha kryeministri çek, Petr Fiala, më 1 mars. “Ajo duhet të kujdeset për sigurinë e saj”.

Më vonë, Zelensky do të takohet me Mbretin Charles III. Edhe pse monarku britanik ka vetëm një rol simbolik, takimi shërben gjithashtu për të dërguar një mesazh politik drejt Uashingtonit.

Ftesa e Starmerit për Trumpin nga Mbreti Charles për një vizitë të dytë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar u pa gjerësisht si një moment kyç gjatë vizitës së kryeministrit britanik në Uashington më 27 shkurt.

Takimi me Charlesin për Zelenskyn vë në pah mbështetjen e Britanisë për të dhe dëshirën e saj për të vepruar si një urë dhe paqebërës mes Uashingtonit dhe Kievit.

Kryeministri britanik takohet me Presidentin Zelenskyy

British PM Keir Starmer meets Ukrainian President Volodymyr Zelenskiy in London

 

VOA Marrë nga Reuters

Kryeministri britanik, Keir Starmer, po takohet me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Londër. Udhëheqësit evropianë pritet të mblidhen për një takim të nivelit të lartë në Londër të dielën, ku do të diskutohet mbi një plan paqeje për Ukrainën.

“Kryeministri dhe Presidenti Zelenskyy do të takohen këtë pasdite”, tha një zëdhënës i zyrës së kryeministrit Starmer.

Takimi pason shkëmbimet e nxehta mes Presidentit ukrainas Zelenskyy dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë lidhur me luftën kundër Rusisë dhe me paralajmërimin e Presidentit amerikan se Shtetet e Bashkuara mund të tërheqin mbështetjen për Ukrainën.

 

Kryeministri Starmer zhvilloi biseda telefonike me Presidentët Trump dhe Zelenskyy të premten ndërsa shprehu “mbështetjen e tij të palëkundur” për Ukrainën, duke iu bashkuara deklaratave të ngjashme të mbështetjes për Presidentin Zelenskyy nga udhëheqës të tjerë evropianë, të cilët u zotuan të qëndrojnë përkrah Ukrainës.

Meksika ua dorëzon autoriteteve amerikane bosët e drogës, mes kërcënimit për tarifa

VOA Marrë nga Reuters

Meksika dorëzoi të enjten figura të njohura të botës së krimit tek autoritetet amerikane, pjesë e një ekstradimi të beftë që përfshiu rreth 30 të dënuar me burg apo të tjerë në paraburgim, të akuzuar për lidhje me kartelet e dhunshme të drogës.

Disa janë drejtues të hershëm bandash, që mbretëruan mbi rrjetet ndërkombëtare të trafikut të kokainës dhe heroinës dekada më parë. Të tjerë, drejtues shumë më të rinj, të angazhuar kohët e fundit në trafikimin e sasive të mëdha të fentanilit vdekjeprurës drejt SHBA-ve.

Autoritetet meksikane konfirmuan se zyrtarët i dorëzuan SHBA-ve 29 figura të njohura të karteleve të drogës. Vendimi vjen pas kërcënimeve të vazhdueshme të Presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa ndaj gjitha mallrave meksikane, që siç tha ai sot (e enjte) do të hyjnë në fuqi më 4 mars.

Ky është ekstradimi më i pazakontë dhe më i madh ndër vite ndërmarrë nga Meksika.

Prokurorja e Përgjithshme Pamela Bondi, në një deklaratë me shkrim, konfirmoi se Shtetet e Bashkuara kishin marrë në dorëzim 29 figura të botës së krimit.

Të paktën dy prej tyre – përfshirë Rafael Caro Quinteron, i cili dyshohet si një nga përgjegjësit për vrasjen e një agjenti amerikan kundër narkotikëve në vitin 1985 – do të dalë të premten para gjykatës federale në Bruklin, sipas një personi në dijeni të çështjes.

Po kështu u dorëzuan emra të tjerë të trafikut të drogës, si Antonio Oseguera Cervantes – vëllai i bosit më të kërkuar të drogës në Meksikë, Nemesio Oseguera Cervantes, i cili drejton kartelin më të fuqishëm ‘Jalisco New Generation’.

Autoritetet amerikane kishin ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për çdo informacion që çonte në arrestimin e Nemesios, i njohur si “El Mencho”.

Autoritetet amerikane thonë se ‘Jalisco New Generation’ është një nga dy bandat kryesore meksikane të drogës, së bashku me kartelin famëkeq ‘Sinaloa’, përgjegjës për futjen e fentanilit në SHBA gjatë viteve të fundit.

Një figurë e rangut të lartë në krahun e kartelit ‘Sinaloa’ të udhëhequr nga djemtë e Joaquin “El Chapos” Guzman Loera, Jose Angel “El Guerito” Canobbio, ishte gjithashtu në mesin e atyre që u dorëzuan nga autoritetet meksikane.

Ekstradimi masiv shënon një përshkallëzim të ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara.

Mes viteve 2019 dhe 2023, Meksika i ka dorëzuar SHBA-ve mesatarisht rreth 65 të dyshuar për krime në vit, sipas të dhënave të siguruara nga një zyrtar amerikan.

Uashingtoni dhe Kievi, pranë marrëveshjes për “mineralet e rralla” të Ukrainës

VOA

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina thanë të dielën se janë më pranë një marrëveshjeje që Kievi t’i japë Uashingtonit një pjesë të madhe të të drejtave për shfrytëzimin e mineraleve të rralla si kompensim për miliarda dollarë në municione që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në një konferencë për shtypin në Kiev se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara po “bëjnë përparim” në arritjen e një marrëveshjeje. Ai tha se është rënë dakord për një projekt-marrëveshje, sipas së cilës Ukraina t’i paguajë Shteteve të Bashkuara 2 dollarë për çdo dollar në ndihmë ushtarake që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit për luftën kundër forcave ruse, megjithëse detajet e saj nuk janë bërë të ditura.

Lufta shënon tre vjetorin e saj të hënën.

Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar sasinë më të madhe të ndihmave, duke i dhënë Kievit 128 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare, sipas Institutit gjerman të Kielit për Ekonominë Botërore. Ndihma e Shteteve të Bashkura për Kievin është pak e madhe se 124 miliardë dollarët që 27 vendet e Bashkimit Evropian kanë dhënë për Ukrainën.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, i tha rrjetit CNN se ai pret që Presidenti Zelenskyy të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet këtë javë.

Presidenti Zelenskyy fillimisht hodhi poshtë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për gjysmën e rezervave minerale të rralla të Ukrainës, të cilat përdoren për prodhimin e pajisjeve elektronike.

Zoti Witkoff sinjalizoi në intervistën për rrjetin CNN se marrëveshja tani do të arrihej, ndonëse ai nuk i shpjegoi detajet e saj.

Zoti Witkoff tha se vendet evropiane dhanë kontributin e tyre në mbështetje të luftës të Ukrainës pas arritjes së marrëveshjes me Kievin për t’ia kthyer përfundimisht paratë e tyre, por Shtetet e Bashkuara nuk e kishin bërë këtë.

Zoti Witkoff tha se një mbështetje e tillë pa kushte e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën “ishte e pakuptimtë” për Presidentin Donald Trump, i cili ishte angazhuar për një kohë të gjatë në negociata për marrëveshje mbi pasuritë e paluajtshme në Nju Jork përpara se të hynte në politikë në 2015.

Presidenti Zelenskyy tha, “kam pasur një marrëveshje me ish-Presidentin Biden dhe Kongresin Amerikan, i jam mirënjohës Kongresit, të dyja palëve. Mbështetja ishte në formë grantesh. Granti nuk është hua. Ne nuk kemi pse ta kthejmë kredinë në këtë rast. Ndoshta dikujt nuk i pëlqen dhe mendon se është e padrejtë. Por ndoshta kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje. Prandaj, nuk ka të bëjë me shifrën, ne thjesht nuk e shohim atë si një hua. Kjo kishte të bënte me grantet jo me shifrat. Ne thjeshtë nuk e shohim këtë si një hua. ”

Presidenti Trump, i cili javën e kaluar e quajti Presidentin Zelenskyy “diktator” dhe e akuzoi atë për fillimin e luftës edhe pse Rusia e sulmoi Ukrainën, ka kërkuar pagesat dhe ka fajësuar paraardhësin e tij, Biden, për mossigurimin e një lloji garancie për kompensim të ndihmës.

Zoti Zelenskyy tha të dielën se dëshiron që Presidenti Trump të “kuptojë” pozicionin e tij dhe të sigurojë garanci konkrete të sigurisë për të ndihmuar Kievin që të mbrohet nga sulmet e Rusisë.

“Dua shumë mirëkuptim nga zoti Trump”, tha zoti Zelensky në konferencën e tij për shtypin, duke shtuar: “Garancitë e sigurisë nga Presidenti Trump janë shumë të nevojshme”.

Zoti Zelenskiy tha se është i gatshëm të heqë dorë nga posti nëse kjo do të thoshte paqe për Ukrainën dhe shtoi se ai do ta shkëmbente largimin e tij nga detyra me hyrjen e Ukrainës në NATO.

“Nëse një gjë e tillë (do të thoshte) paqe për Ukrainën, nëse vërtet mendoni që është e nevojshme që unë të largohem nga posti, unë jam gati,” tha zoti Zelenskiy kur u pyet gjatë një konference për shtyp a do të ishte gati të largohej nga posti nëse kjo do të thoshte një arritje e paqes.

“Do ta këmbeja këtë menjëherë me një (anëtarësim) në NATO, nëse është ky kusht”, shtoi presidenti.

Kryediplomatët e lartë amerikan dhe rus, Marco Rubio dhe Sergey Lavrov, u takuan në Arabinë Saudite pa pjesëmarrjen e zyrtarëve ukrainas apo evropianë javën e kaluar për të hedhur bazat për bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti Zelenskiy shprehu pakënaqësinë për përjashtimin e Ukrainës nga bisedimet, por Trump tha se ai mund të kishte negociuar me Rusinë paraprakisht që të parandalonte agresionin e Moskës.

“Kam pasur bisedime shumë të mira me Putinin dhe nuk kam pasur bisedime aq të mira me Ukrainën”, tha zoti Trump para guvernatorëve të amerikanë në Shtëpinë e Bardhë.

“Ata (Ukraina) nuk kanë asnjë kartë për të luajtur, por po luajnë fort”, shtoi ai.

Televizioni shtetëror rus tha ditët e fundit se pikëpamja e zotit Trump për konfliktin Rusi-Ukrainë është “në përputhje të plotë me mënyrën se si ne i shohim gjërat”.

I dërguari Witkoff tha se lufta “nuk do të kishte ndodhur” nëse Ukraina nuk do të kishte bërë presion në atë kohë për anëtarësim në NATO. Kievi ende vazhdon të kërkojë me këmbëngulje që të bashkohet me aleancën me 32 vende, por Uashingtoni thotë se është jorealiste që kjo të ndodhë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të negociuar për t’i dhënë fund luftës.

Zoti Witkoff tha se “do të shihni lëshime nga të dyja palët” në një marrëveshje paqeje.

Rusia tani kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas të njohur ndërkombëtarisht. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të dielën se Moska nuk ka ndërmend t’i kthejë asnjë nga territoret qeverisë së Kievit.

“Ata njerëz vendosën t’i bashkohen Rusisë shumë kohë më parë,” tha ai, duke iu referuar votimeve të organizuara nga Moska në Ukrainën lindore të mbajtura në mes të ofensivës trevjeçare që janë konsideruar të pavlefshme nga Kievi, Perëndimi dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.

Një telefonatë mes presidentëve Trump dhe Putin dy javë më parë u hapi rrugën bisedimeve Rubio-Lavrov në Arabinë Saudite.

“Ky është një dialog midis dy presidentëve të jashtëzakonshëm,” tha zëdhënësi Peskov për televizionin shtetëror.

Rusia të dielën shënoi Ditën e Mbrojtësve të Atdheut – një festë për nder të ushtarëve dhe veteranët. Në një video të publikuar nga Kremlini, Presidenti Putin tha se Zoti dhe fati i kishin besuar atij dhe ushtrisë së tij “misionin” për të mbrojtur Rusinë.

Ndërkohë, Presidenti Zelenskyy tha se Rusia ndërmori sulme me 267 dronë gjatë natës në Ukrainë, të cilat ai i dënoi si “terror nga ajri”.

Zyrtarët ukrainas njoftuan për dëme në pesë rajone të vendit.

Presidenti Zelenskiy tha se rreth 1,150 dronë, më shumë se 1,400 bomba dhe 35 raketa të llojeve të ndryshme, u lëshuan gjithsej nga Rusia në drejtim të Ukrainës gjatë javës së kaluar.

Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencia Reuters

Papa bën thirrje për lutje teksa trajtohet në spital

Radio Evropa e Lirë

Papa Françesku u ka bërë thirrje katolikëve që të luten për të, teksa vazhdon të trajtohet në spital për pneumoni të dyfishtë.

Kreu i Selisë së Shenjtë nuk ka mundur t’i drejtojë lutjet tradicionale të së dielës për të dytën javë me radhë.

Mirëpo, përmes një mesazhi të shkruar në ditët e fundit, ai ka thënë se është duke vazhduar trajtimin “në vazhdimësi dhe bindshëm” në Spitalin Gemelli të Romës.

Ky mesazh vjen pasi Vatikani ka bërë të ditur të shtunën se gjendja e 88-vjeçarit vazhdon të jetë kritike.

Në mesazhin e së dielës, Papa i ka falënderuar mjekët dhe punëtorët shëndetësorë në spital, si dhe ata që i kanë uruar shëndet.

“Në ditët e fundit kam pranuar shumë mesazhe dashamirëse, dhe jam emocionuar sidomos nga vizatimet e fëmijëve”, ka shkruar ai.

“Faleminderit për afërsinë dhe për lutjet që kam pranuar prej gjithë botës dhe ju kërkoj të luteni për mua”.

Ai është shtruar në spital më 14 shkurt, pasi ka pasur vështirësi në frymëmarrje për disa ditë.

Ai është më i rrezikuar nga infektimi në mushkëri për shkak të infeksioni që ka pasur në rini, që ka rezultuar me heqjen e një pjesë të mushkërive në moshën 21-vjeçare.

Papa ka kërkuar që publiku të informohet për shëndetin e tij, prandaj Vatikani ka lëshuar njoftime në baza ditore.

Papa e ka shfrytëzuar mesazhin e tij të dielën edhe për të përmendur përvjetorin e tretë të luftës së Rusisë në Ukrainë – që shënohet të hënën – dhe u ka bërë thirrje të gjithëve që t’i kujtojnë viktimat e konflikteve të armatosura dhe të luten për “dhuratë paqeje në Palestinë, Izrael, në Lindje të Mesme, në Mianmar, në Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudan”.

Hamasi liron 6 pengje të tjera izraelite

VOA, Reuters, AFP

Grupi militant Hamas liroi 6 pengje të tjera izraelitë të shtunën në këmbim të qindra të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë, si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin për t’i dhënë fund luftës dhe pasi u konfirmua se trupi i Shiri Bibas iu dorëzua forcave izraelite.

Eliya Cohen, 27 vjeç, Omer Shem Tov, 22 vjeç dhe Omer Wenkert, 23 vjeç, që u morën peng nga një festival muzikor gjatë sulmt të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023 në Izraelin jugor, iu dorëzuan Kryqit të Kuq për t’u transportuar tek forcat izraelite.

Dhjetra militantë të maskuar dhe një turmë e madhe njerëzish ishin mbledhur në vendin e dorëzimit, në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore.

Në atë që është bërë i njohur si “Sheshi i pengjeve” në Tel Aviv, izraelitët duke valëvitur flamuj dhe duke mbajtur pankarta me fotografitë e pengjeve ndoqën drejpërdrejt lirimin e pengjeve nga Hamasi, i përcaktuar nga SHBA si grup terrorist.

Dy pengje të tjerë u liruan të shtunën herët në mëngjes në qytetin Rafah të Gazës. Tal Shoham, 40 vjeç, i cili u mor peng gjatë sulmit të 7 tetorit në zonën e njohur si “Kibbutzi Be’eri” dhe Avera Mengistu, 39 vjeç, i cili kaloi vetë në Gazë rreth një dekadë më parë.

Ushtria izraelite tha se pengu i fundit, Hisham Al-Sayed, 36 vjeç, u lirua në orët e pasdites të së shtunës. Ai kaloi vetë kufririn për në Gazë në vitin 2015 dhe që atëherë ishte mbajtur në burg. Familja e tij ka thënë për mediat izraelite, se Al-Sayed ishte diagnostikuar më parë për skizofreni.

Në këmbim, Izraeli do të lirojë më shumë se 600 palestinezë nga burgjet izraelite. Lirimi i pengjeve pasoi kthimin në orët e vona të së premtes të eshtrave të qytetares izraelite Shiri Bibas.

Trupi i saj supozohej të ishte në mesin e tre trupave të tjerë, përfshirë dy nga fëmijët e saj, të dorëzuar nga Hamasi të enjten.

Izraeli akuzoi grupin terrorist palestinez për shkelje të rëndë të marrëveshjes së armëpushimit, që përfshin shkëmbimin e pengjeve izraelite që mbahen në Gazë me palestinezë të burgosur nga Izraeli.

“Ne do të veprojmë me vendosmëri për ta sjellë Shirin në shtëpi së bashku me të gjithë pengjet tanë, të gjallë dhe të vdekur. Ne do të sigurohemi që Hamasi të paguajë çmimin e duhur për këtë shkelje mizore të marrëveshjes”, tha ndër të tjera Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Izraeli dhe Hamasi janë në fazën e parë të një armëpushimi që filloi më 19 janar. Bisedimet për fazën e dytë janë planifikuar të fillojnë këtë javë, sipas ministrit të Jashtëm izraelit Gideon Saar.

Hamasi vrau rreth 1200 vetë në sulmin e tetorit të vitit 2023 ndaj Izraelit dhe mori rreth 250 pengje. Më shumë se gjysma e tyre janë liruar në marrëveshjet e armëpushimit dhe marrëveshjeve të tjera, ndërsa tetë u shpëtuan në operacione ushtarake.

Operacionet ajrore dhe tokësore të Izraelit kanë vrarë më shumë se 48 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës që drejtohet nga Hamas dhe që nuk bën dallime mes luftëtarëve dhe civilëve. Ushtria izraelite thotë se numri i të vdekurve përfshin 17000 militantë. Ofensiva shkatërroi zona shumta të Gazës dhe zhvendosi shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh.

“Putin e ka ftuar për festimet e 9 majit”- Trumpi reagon pas artikullit të medias franceze: Nuk do të shkoj në Moskë!

“Presidenti amerikan Donald Trump deklaron nuk ka ndërmend të vizitojë Moskën. “Jo, nuk do të shkoj”, tha ai, duke iu përgjigjur një pyetje nga gazetarët në lidhje me raportimet e fundit të shtypit se shefi i Shtëpisë së Bardhë mund të marrë pjesë në festimet në Rusi më 9 maj për të përkujtuar fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në 1945.

Dje e përjavshmja franceze “Le Point” raportoi “ekskluzivisht ftesën e Vladimir Putinit për Trump”, duke cituar “burime të afërta që flisnin për negociata mes Uashingtonit dhe Moskës”, që kjo vizitë të realizohej.

Sipas të përjavshmes franceze, rëndësia e vizitës mund të shkojë përtej festimit të fitores së vitit 1945, në fakt, Trump dhe Putin jo vetëm që mund të përkujtonin fundin e luftës, por edhe të festonin një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë, bazuar në një plan të përbashkët negociues të njohur si Plani Kellog.

Nëse negociatat do të kishin sukses, kjo datë simbolike do të përfaqësonte një fitore të dyfishtë për të dy liderët: jo vetëm fundin e konfliktit botëror kundër Gjermanisë naziste, por edhe suksesin e një marrëveshjeje diplomatike që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë. bw

Presidenti amerikan: Zelensky dhe Putini “të bashkohen” për t’i dhënë fund luftës

Radio Evropa e Lirë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidenti rus Vladimir Putin do të duhet “të bëhen bashkë” për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë.

“Mendoj se presidenti Putin dhe presidenti Zelensky do të duhet të bëhen bashkë. Sepse, a e dini çfarë? Ne duam t’iu japim fund vrasjeve të miliona njerëzve”, ka thënë Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pas betimit të Howard Lutnickut si Sekretar amerikan i Tregtisë.

“Mendoj se kemi shanse për të arritur marrëveshjen. Më është dashur të sigurohem që Rusia e kërkon atë”, ka thënë Trump, duke iu referuar një takimi për luftën në Ukrainë, që është mbajtur këtë javë mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë në Riad të Arabisë Saudite.

Trump ka thënë, po ashtu, se nuk do të shkojë në Moskë më 9 maj për të shënuar përvjetorin e dhënies fund të Luftës së Dytë Botërore, dhe se Shtetet e Bashkuara janë afër nënshkrimit të marrëveshjes për minerale me Ukrainën.

“Jemi afër dhe mendoj se ata e duan këtë”, ka thënë Trump. “Është e rëndësishme, është marrëveshje e madhe”, ka thënë ai.

Tri burime anonime, të afërta me zhvillimet, kanë thënë për agjencinë e lajmeve Reuters, se në diskutim e sipër të marrëveshjes për mineralet, Uashingtoni e ka përdorur argumentin për mundësinë e tërheqjes së sistemit Starlink të Elon Muskut, mbi Ukrainë, nëse nuk arrihet pajtueshmëri.

Darya Kalenyuk, drejtore ekzekutive e Qendrës së Kievit për veprim kundër korrupsionit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sistemi është jetik për mbrojtjen e Ukrainës.

“Përmes tij ofrohet qasje në internet në vijën e frontit, është shumë e vështirë të luftohet pa qasje në Starlink”, ka thënë Kalenyuk.

Si u bë Starlink i Elon Muskut aq i vlefshëm për Ukrainën

Prania e Starlink-ut në Ukrainë jo vetëm se është dëshmuar e vlefshme në frontin e luftës, por po ashtu edhe në rimëkëmbjen e infrastrukturës energjetike dhe asaj të komunikimit, pas sulmeve nga Rusia. Megjithatë, mbetet e paqartë se sa i vendosur është pronari miliarder i tij për ta mbështetur Ukrainën në luftë.

Ukraina ka depozita të 117 prej 120 mineraleve dhe metaleve më të përdoruara në botë.

Qasja në këto resurse mund të kapë vlerën e trilionë dollarëve në total.

Trump është duke bërë përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe ka zhvilluar biseda të ndara me të dy liderët.

Duke folur për marrëveshjen për mineralet, Zelensky ka thënë se shpreson që do të arrihet diçka e drejtë.

“Kjo është një marrëveshje që mund të rrisë vlerën e marrëdhënies tonë, dhe gjëja kryesore është t’i analizojmë hollësitë, që të mund të funksionojë”, ka thënë ai dy ditë, pasi Trump e ka kritikuar ashpër, duke e quajtur “diktator” që rrezikon të humbë shtetin e tij nëse “nuk vepron shpejt”.

Në adresimin e tij më 21 shkurt, Zelensky ka thënë se ka biseduar në telefon me liderë të disa vendeve evropiane.

“Evropa duhet dhe mund të bëjë shumë më shumë për të garantuar që paqja do të arrihet”, ka thënë ai, pas bisedave me liderë të Gjermanisë, Polonisë, Suedisë, Republikës Çeke, Luksemburgut, Sllovenisë dhe Kroacisë.

Ai ka thënë se do të jetë e mundshme që të arrihet përfundimi i luftës, pasi Ukraina dhe partnerët në Evropë kanë “propozime të qarta”.

“Mbi këtë bazë, ne mund të garantojmë zbatimin e strategjisë evropiane, dhe është e rëndësishme që kjo të bëhet bashkë me Amerikën”, ka thënë mes tjerash ai.


Send this to a friend